Mendime
Ndue Dedaj: Kruja, si po shuhet pak nga pak kryeqyteti i historisë
E enjte, 06.11.2025, 06:57 PM

KRUJA, SI PO SHUHET PAK NGA PAK KRYQYTETI I HISTORISË
-
Rruga panoramike Krujë - Tiranë nga Paskuqani, gjithnjë premtohet e asnjëherë
nuk bëhet! –
NGA
NDUE DEDAJ
Kruja
dikur ishte zemra e Shqipërisë dhe konsiderohej një “lagje” e Tiranës. Aty
shkonin për vizitë të gjitha delegacionet e huaja që vinin në kryeqytet. Kjo
për shkak se ishte qyteti i historisë, i heroit kombëtar, por dhe një ballkon
natyror i pazakontë nga shihej deti. Shkurt, Kruja i kishte të gjitha,
peizazhin turistik, ajrin që të mbushte gjoksin, muzën e historisë. Të gjitha
këto i ka dhe sot, por jo më vëmendjen e qeverisë. Kruja si qytet po braktiset
pak nga pak. Ka rënë në 13 mijë banorë. Nuk ka punë, mbahet vetëm me fasone.
Kur me dy fabrika çimentoje dhe Rinasin në “tapinë” e saj, si dhe pasuritë
natyrore duhej të rronte mes luksit, thonë banorët. Por sa duket me të pushuar
guroret nga puna, po shuhet dhe ekzistenca e një qyteti me “ujin më të mirë në
botë”. Vite më parë një turist, teksa ngjiste kreshtën me pisha, i thoshte
shoqëruesit të tij vendas, se në Krujë duhet të rrojnë pasanikët e Shqipërisë.
Ashtu duhej të ishte, por më mirë prit ta shohësh, i thotë vendaliu. Dhe u
ngjit zotëria lart, pau dhe u shpreh se gjeti një fshat…
Krujës
në vend që t’i jepej, i ishte marrë çdo gjë, asnjë institucion tjetër veç
Bashkisë nuk ka, bile dhe për atë qe folur se do ta kalonin në Fushë-Krujë!? Do
ta kishte ndryshuar gjendjen rruga Krujë-Tiranë, që vazhdimisht premtohet dhe
asnjëherë nuk bëhet, thotë Haliti, që e ka përzemër qytetin e vet, të cilin nuk
ka dëshirë ta lëshojë. Do të ishte një rrugë 12 kilometra e gjatë, me vetëm tri
vepra arti, rrëzë malit, që qytetarët do ta kishin bërë në këmbë për qejf, shton
ai me pak humor. Po bëhen të gjithë rrugët e qyteteve që kufizojnë Tiranën,
vetëm ajo e Krujës jo! Është bërë rruga e Elbasanit. Rruga e Burrelit dhe e
Dibrës. Po bëhet rruga e Durrësit dhe ajo e Kavajës. Vetëm për rrugën e Krujës
nuk ka ende ndonjë lajm nga qeveria. Rruga e Fushë-Krujës nuk është rruga e
Krujës, por e Veriut.
Është
e habitshme se si është lënë pas dorë, apo hedhur pas krahëve një qytet i
rrallë në të gjitha anët që ta marrësh. Nuk i buzëqeshi fati as Fushë-Krujës,
edhe pse është i vetmi qytet shqiptar, pos Tiranës, ku ndaloi një President
amerikan, Xhorxh Bushi II. Krujën, sidoqoftë, nuk e kanë braktisur turistët që
nuk i ndahen, le pastaj sikur të ishte atraksion turistik dhe Zgërdheshi ilir
etj. Si është e mundur të bjerë ky “mallkim” mbi njërin prej visareve më të
çmuara te vendit tonë! A do të ketë përgjigje të paktën për rrugën e munguar
Krujë – Tiranë, që do të ishte po aq e vlefshme dhe për vetë kryeqytetin, pasi
ëndërrimtarët e së bukurës shohin pallate moderne në shëmbëllim dhe të kullave
të maleve, që do të ndërtoheshin rrëzë malit panoramik, në vend të kullave që
po e gllabërojnë Tiranën, si aktapodët. Kur ajo rrugë të bëhet një ditë,
kryeqyteti veç një atraksioni më tepër, do të ketë dhe biçikleta më shumë...
Kruja
nuk është si Lezha, Durrësi apo Vlora që ta mbajë deti. “Deti” i saj është
fusha, sot për sot pa të mbjella e të korra, industria e ndërtimit dhe turizmi
kulturor, që ta përshkojë cep më cep. Në malin e Krujës është dhe tempulli i
shenjtë e Sari Salltikut, një arsye më shumë për ta pasur përherë Krujën një
faltore të historisë dhe të besimit.
Ka
përfunduar në syrtarët e burokracisë kërkesa e para 7 viteve e dy deputetëve,
Gjermeni e Beqaj për ndërtimin e rrugës së shkurtër Krujë – Tiranë, që
përgjysmon kohën e udhëtimit prej dyzet minutash, sa ç’bëhet sot nga Fushë -
Kruja. “Nëse distanca Tiranë – Krujë, do të përshkohet në jo më shumë se 20
minuta, oferta turistike e Krujës do të bëhet pjesë e ofertës turistike të
Tiranës dhe gjithë destinacionet turistike të Krujës do të jenë lehtësisht të
arritshme nga turistët vendas e të huaj, si kështjella mesjetare dhe dy muzetë
unikë të Krujës, objekti fetar i Sarisalltikut dhe më tej, Parku Kombëtar i
Qafë – Shtamës”, argumentonin asokohe dy deputetët që nuk i dëgjoi askush.
Por
nuk është e thënë që një projekt i tillë të mbetet vetëm në një nismë, prej
atëherë duhej të kishte nisma të tjera e lobim të fortë për këtë rrugë, që
vërtetë nuk çon drejt detit, por drejt një mali ku detin e ke në pëllëmbë të
dorës...









