Kulturë
Sabri Hamiti: Fjala në ceremoninë e marrjes së titullit Doctor Honoris Causa në Universitetin e Tiranës
E hene, 27.10.2025, 05:57 PM

Sabri Hamiti:
Fjala
në ceremoninë e marrjes së titullit Doctor Honoris Causa në Universitetin e
Tiranës
Tiranë, 27 tetor 2025
I
nderuar rektor i Universitetit të Tiranës, Prof. Artan Hoxha,
Të
nderuar anëtarë të Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës,
I
nderuar dekan i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Prof. Mark Marku,
Të
nderuar profesorë dhe studentë të Universitetit të Tiranës,
Të
nderuar të pranishëm në këtë ceremoni,
Jam
i prekur thellë me nderimin që ma bën Universiteti i Tiranës (1957), si
institucioni më i lartë i studimeve dhe kupola e studimeve albanologjike,
institucion që trashëgon dijen akademike dhe enciklopedike të krijuesve
shqiptarë në botën e jashtme dhe në botën shqiptare. Në këtë trashëgimi hyn
edhe kultura akademike e Universitetit të Prishtinës (1970), pjesë e të cilit
jam edhe vetë, si student dhe si profesor.
Çështja
për mësimin dhe dijen akademike, edhe sot edhe këtu, është e lidhur me
enciklopedistin e parë shqiptar, Sami Frashërin, veçanërisht me traktatin e tij
nacional “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë” (1899). Samiu në
këtë vepër e projekton edhe të ardhmen e Shqipërisë në fushën e studimit dhe të
dijeve, duke paraparë një Universitet (Gjithëmësime) të vendosur në kryeqytetin
e paraparë të Shqipërisë (Skenderbegas). Në anën tjetër, Samiu në enciklopedinë
e vet në gjashtë vëllime e inauguron edhe historinë e gjeografinë e botës
shqiptare në dijen e përgjithshme, duke krijuar një kornizë të Shqipërisë
etnike. Sa u takon veprave të shkruara në shqip, për dy decenie (1879-1899),
dijetari shqiptar mbetet referencë, duke u bërë edhe autoreferencial: Alfabeti,
Abetarja, Gramatika, Fjalori, Traktati. Të gjitha këto themele të kulturës
shqipe të shkruar. Sami Frashëri shkroi dhe letërsi me tematikë shqiptare,
vepra më e shquar e tij është drama Besa, e shfaqur me sukses të madh në
Teatrin e Stambollit, duke nënvizuar Benë dhe Besën si thelb të tragjedisë së
kulturës të dyfishtë.
Mithat
Frashëri, brezi tjetër i familjes Frashëri, në veprën e vet sublimon kulturën,
krijimtarinë dhe ideologjinë e Naimit dhe të Samiut. Ai zhvendoset
shkallë-shkallë nga qendra e Perandorisë për të jetuar aktualitetin në atdhe
dhe në botën perëndimore. Botoi gazeta e revista në shqip: “Lirija” (1908),
“Kalendari Kombiar” (1897-1928), “Diturija” (1916-1929), me të cilat strukturon
ideologjinë kombëtare me përmasat diturore të Samiut. Me studimin “Naim Be
Frashëri” (1901), me prozat “Hi dhe Shpuzë” (1915) dhe dramën “Foleja
kombëtare” (dorëshkrim; botuar më 2004), krijon forma të transformuara me
sensibilitetin e Naimit. Si veprimtar
kulturor, nacional e politik, shenjohet: kryetar i Kuvendit të Kongresit të
Manastirit dhe komisionar i Alfabetit, firmëtar i pavarësisë së Shqipërisë
(1912); themelues i Ballit Kombëtar, autor i Dekalogut të tij. Pra, një
Shqipëri etnike frashëriote e ballafaquar me agresionin ideologjik komunist. Me
një fjalë, Mithat Frashëri me studimet kulturo-historike për Shqipërinë është
shkrimtar enciklopedik i ngjashëm me Sami Frashërin.
Eqrem
Çabej dhe Lasgush Poradeci janë binomi që prin hyrjen e albanologjisë dhe të
letërsisë në modernitetin e shekullit XX. Çabej studion në Austri dhe
diplomohet doktor në filozofi në Universitetin e Vjenës. Lasgushi studion në
Bukuresht, vijon në Austri, dhe diplomohet doktor në letërsi. Çabej, me studime
në gjuhësi, etnologji, etimologji e letërsi, është kurorëzuar albanologu më i
madh shqiptar i kohës. Lasgush Poradeci, me studimet në letërsi dhe sidomos me
poezinë, kurorëzohet poeti modern shqiptar, ashtu si Ernest Koliqi prozator
modern shqiptar. Veprat e Çabejt përbëjnë bibliotekën fundamentale të Studimeve
gjuhësore shqiptare: Gjuhët indoeuropiane dhe shqipja; Fjalori etimologjik
shqiptar; Meshari i Gjon Buzukut; Për gjenezën e literaturës shqipe etj. “Argumentoi
prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar”; “studioi gjenezën
dhe strukturën e letërsisë shqipe”. Lasgush Poradeci, trashëgues i
sensibilitetit romantik naimian dhe trashëgues i simbolizmit europian, me
librat e tij “Vallja e Yjeve” dhe “Ylli i Zemrës” është artikuluesi i parë i
poezisë modern shqipe. Është pikërisht Eqrem Çabej që në vitin 1929 e emërton
Lasgushin poet modern përballë Naimit poet romantik. Është Lasgush Poradeci që
e trajton Çabejn gjuhëtarin modern shqiptar (edhe si nxënës i Norbert Joklit).
Mbas
Luftës së Dytë Botërore kur edhe Prishtina po formohej si qendër kulturore dhe
letrare shqipe, komunikimi kulturor dhe letrar me qendrën e Tiranës ka kaluar
nëpër faza të “errësimit” dhe të “ndriçimit”. Në vitet ’50-të dhe ’60-të ky
komunikim është i vogël, i largët dhe sporadik. Në vitet ’70-të zhvillohet një
komunikim më i gjithanshëm. Është koha kur profesorë në zë të Tiranës
ligjërojnë në Universitetin e Prishtinës. Eqrem Çabej mban kurse të rregullta
me studentët postdiplomikë në Prishtinë. Kjo ka qenë ngjarje kulturore. Ne
njohëm Profesorin e adhuruar paraprakisht, dhe në kontakt njeriun shembullor që
komunikon me studentët njëzetvjeçarë si me kolegë, rrezaton afërsi njerëzore pa
e bjerrë asnjëherë mendimin e vet të argumentuar. Bashkë me Rexhep Ismajlin
kemi kaluar ditë të tëra bisedash mbasditeve në Prishtinë. Çabej na fliste për
kohën e studimeve në Austri, raportin e tij vëllazëror me Lasgush Poradecin dhe
adhurimin e dyanshëm që s’kishte pushuar me decenie. Atëherë patëm mësuar që
Çabej student kishte shkruar poezi dhe kishte përkthyer poetët modernë
austriakë. Janë vitet ’70-të kur veprat e plota të Çabejt botohen në gjashtë
vëllime te “Rilindja” e Prishtinës (1976) dhe ribotohen të plotësuara në nëntë
vëllime, një decenie më vonë te ky botues. Po në këto vite (1978) botohet vepra
e plotë poetike e Lasgush Poradecit “Vdekja e nositit” te “Rilindja” e
Prishtinës në koleksionin e famshëm “Rilindja”. Gjithashtu, botohen veprat e
Naim Frashërit, veprat e Sami Frashërit, dhe veprat e Asdrenit.
Si
redaktor i botimeve të “Rilindjes” dhe si sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve
të Kosovës, i ftuar në Tiranë më 1979, më në fund u takova me Lasgush
Poradecin, gjatë një dite të paharrueshme. Tashmë Poeti e kishte në dorë edhe
botimin e shkëlqyeshëm të poezisë së tij në Prishtinë. Biseda me Poetin e
ngazëllyer me botimin e veprës së vet kaloi tepër shpejt edhe në biseda për
çështje letrare, filozofike, dhe për kulturën historike të popullit shqiptar.
Lasgushi e priste si festë ardhjen në vizitë në Prishtinë në atë vit, vizitë të
cilën nuk arriti ta bënte.
Pastaj
në vitet ’80-të bëhet errësimi i dytë i komunikimit kulturor Tiranë –
Prishtinë.
Pastaj
në vitet ’90-të ngjet një rihapje e njëanshme, kaotike, por edhe me njohje të
reja të habitshme dhe miqësi të reja. Me iniciativë të Kosovës u formua
Komisioni Nacional për Programet Shkollore të Lëndëve Nacionale për shkollat e
mesme dhe universitetet, që punoi intensivisht nga viti 1994 deri më 1997.
Produkt i kësaj pune të shenjuar janë programet, librat doracakë, madje edhe
monografi të shenjuara letrare.
Në
këtë kohë, nëpërmjet Aurel Plasarit dhe Mark Markut, u njoha për herë të parë
me Át Zef Pllumin. Bariu françeskan, i mbijetuar i burgimeve të gjata dhe i
kampeve të punës, plot energji ringjallte Kishën e vet në Tiranë dhe riniste
botimet françeskane të ndaluara për katër decenie. Me Pllumin u bëmë miq dhe
bashkëpunëtorë. Rikthyem eshtrat e tepruar të Fishtës në Shkodër. Në
bashkëpunim me Aurel Plasarin dhe Nazmi Rrahmanin përgatitëm botimin e veprave
të plota të Fishtës në Prishtinë në katër vëllime në vitet 1996-1997 dhe
promovimin e tyre. Át Zef Pllumi në moshë të madhe kishte fuqinë krijuese të
një autori që vinte, si pjesëmarrës e si dëshmitar, të rrëfente ferrin e
variantit shqiptar. Vepra e tij, fillimisht e menduar si dëshmi e ndodhive,
arriti në formën e një kryevepre letrare në tri pjesë: “Rrno vetëm për me
tregue”. Cilësohet kryevepra e prozës dokumentare shqipe. Ky libër mishëron
filozofinë e krishterë të sprovuar në variantin shqiptar në ndeshje me
totalitarizmin komunist të variantit shqiptar. Aty shfaqet autori me pikëpamjet
e veta etike dhe politike, për më tepër edhe filozofike. Diskutohet Zef Pllumi
si njëri ndër ideologët shqiptarë më me peshë të kapërcyellit të shekujve XX
dhe XXI. Një filozofi politike e shoqërore, të cilën Pllumi vetë e shihte të
mishëruar në filozofinë politike-nacionale të Ibrahim Rugovës. Ai e çmonte tej
mase Rugovën. Ky vlerësim është shprehur me një konsideratë të jashtëzakonshme
pas vdekjes së dijetarit, filozofit dhe prijësit nacional të Kosovës.
Át
Zef Pllumi: Ibrahim Rugova
“Nji
ndër burrat e rrallë të Kombit Shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e
fundit. Sepse na cilsohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës i pamëshirshem e
shkatrrimtar.
Ai
u perpoq me spjegue shkrimtarin e madh Kosovar Pjetër Bogdanin nderkaq Pjetër
Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës. I perpoq mendimi i tyne i
perbashktë: Liria e popullit Kosovar. Caktoi me ndjekë rrugën e tij si ma të
drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamëvarun prej gjithkujt. Ai pati vizionin
e themeluesve të Europës së Bashkueme. Atje mendonte me shti edhe vendin e vet
Kosovën por pa i shkaktue vuejtje as gjak kurrkuj, prandej edhe kje thirrë
“Gandi Kosovar”. U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët,
u sha e u luftue edhe nga Kosovarët e vet por ai kishte si drejtim vetëm
Vizionin Europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame
sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve.
Vazhdimisht
pat kritika në shtypin Kosovar për dy fotografi që mbante në zyren e Tij: atë
të Nanë Terezes si dhe atë të Gjon Palit të dytë ose Woitilës Papë. Mbas të
gjithave kritikave ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm
se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet sepse Gjon Pali i dytë kje luftari
ma paqsor mbi tokë, i cili ia duel me shkatrrue dy ideologjitë ma kriminale të
shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nana Tereze shqiptarja qi
mori çmimin Nobel për paqen e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që
i kish dhanë njerëzimit, nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as
sa me nderue vorrin e nanës së vet.
Mjerisht
Ibrahim Rugova nuk arriti me i pa të realizueme idealet e veta për Kosovën.
Vdekja
e parakohshme ia mungoi veprimtarinë qi n’at kohë qi ai duhej t’ishte për
Kosovën si drejtues jo vetëm politik por edhe shpirtnor tue drejtue me
shemullin e vet personal.
Kujtimi
i tij kjoftë i përhershem.”
Át
Zef Pllumi si lexues dhe njohës i letërsisë shqipe ka vlerësuar jo vetëm një
herë: “Lahutën e Malcís” dhe Gjergj Fishtën klasikë letrare; poezinë e Lasgush
Poradecit, prozën e Mitrush Kutelit, prozën letrare gegnishte, romanet e Ismail
Kadaresë, “Kronikë në gur” dhe “Çështje të marrëzisë”, veprën disidente të
Kasëm Trebeshinës “Rruga e Golgotës”, studimin e Ibrahim Rugovës për Bogdanin.
Në
dorëshkrimin e tij të fundit, Át Zef Pllumi përsërit tri herë: shkolla,
shkolla, shkolla! Duke e zhvilluar tezën e vet se problemi më i madh i
shqiptarëve është “ignoranca” (mosdija), atëherë dalja është nëpërmes dijes,
ndërsa dija merret me shkollë.
Si
Profesor i Universitetit të Prishtinës për rreth tri decenie kam pasur
marrëdhënie të drejtpërdrejta me Universitetin e Tiranës edhe në punë të
hulumtimeve shkencore edhe në punë të mësimeve universitare, si Profesor i
ftuar. Kjo punë ka krijuar mundësinë për kontakt të drejtpërdrejtë me studentët
dhe për studime të përbashkëta me profesorë. Sidomos në dy deceniet e fundit
është krijuar një brez i ri i studiuesve dhe profesorëve të Tiranës me studime
në dy edicione. Mbas studimeve në Tiranë kanë bërë studime të dyta në
universitete prestigjioze europiane: në Itali, në Francë, në Gjermani dhe në
SHBA. Pjesëtarët e këtij brezi, që tashmë janë në moshën e pjekur të punës,
kanë rezultate të kërkimeve moderne që kapërcejnë kohët e përparme. Rezultatet
janë të botuara edhe në gjuhë të tjera, po ashtu në revista të specializuara në
gjuhën shqipe.
Është
mirë dhe e dëftueshme që posa hyhet në Fakultetin e Historisë dhe të
Filologjisë të Universitetit të Tiranës, në shkallët e para ngjitëse, rrijnë
portretet e Aleks Budës dhe të Eqrem Çabejt, të cilët kërkuesve të rinj dhe
studentëve u sjellin ndërmend Aleks Budën, përmes tij Marin Barletin dhe
Skënderbeun, dhe Eqrem Çabejn, e përmes tij “Mesharin” e Gjon Buzukut; të dytë,
Buda e Çabej, bashkëthemeluesit dhe drejtuesit e Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë.
Të
dashur kolegë,
Rasti
që të flas në këtë ceremoni para jush, ligjërimi im vetvetiu po e merr trajtën
e një vetërrëfimi, porse ky rrëfim është i thënë me mendje të hapur e me zemër
të hapur për nderimin e madh që më bëni dhe gëzimin që e prekë kufirin e
lumturisë. Një shkrim i dorës në letrën e bardhë, me dorën e djathtë.
Ju
falemnderit!
https://www.facebook.com/sabrihamitiwriter












