Udhëpërshkrim
Montreal : « Të dua » në shoqërinë e Ermira Babaliut dhe Arben Devishit
E marte, 17.02.2009, 08:03 PM
Nga Ajet Nuro, Montreal, Kanada
Ermira Babaliu
E-mail anuro@albemigrant.com
Sonte të gjithë njerzit
Sikur më shohin mua...
Këto vargje të kënduara nga Ermira Babaliu këtu e njëzetë vjetë të shkuara ishin të pranishme në mbrëmjen e 14 shkurtit 2009 në restorantin Le Carlton në Montreal. Në fakt, sytë e të pranishmëve ishin të drejtuar tek Ermira Babaliu që këndoi në ditën e të dashuruarve për një publik entuziastë shqiptar në Montreal dhe tek Arben Dervishi që e plotësoi mbrëmjen me humorin e tij të hollë.
Ndoshta në New York apo Boston ku ka më shumë shqiptarë, një koncert i një këngëtari shqiptar nuk përbënë ndonjë ngjarje të veçantë por për Montrealin nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Sidoqoftë, komuniteti shqiptar në Montrealit ndonëse relativisht i vogël, është tejet aktiv po ta krahasojmë me komunitete me të njëjtin numër anëtarësh.
Ndonëse shumë ujë ka rrjedhur nga koha kur Babaliu ngjitej në skenë për herë të parë, ajo ngelet po ajo këngëtare me atë zë të ëmbël, melodioz dhe romantik. Prezantuesit e paraqiten si një nga këngëtaret më të mëdhaja shqiptare që i ka kënduar dashurisë. Pse jo ? Në ditën e Shën Valentinit, ditës së të dashuruarve, në takim ishin festa dhe këngëtarja. Nuk besoj se në fund ndonjë nga palët nuk ka ngelur i kënaqur.
Ermira Babaliu, e veshur me një fustan të kuq që sidoqë ngelet simboli i Shën Valentinit, u tregua e palodhur në skenë dhe nuk la kënd të Shqipërisë pa e përshëndetur dhe pa kënduar këngë nga të gjitha trevave shqiptare. Ajo e filloi me Jugun (Tepelenën... e si të mos krenohet shkruesi i këtyre radhëve...) për të vazhduar me Shqipërinë e Mesme, Shkodrën, Korçën dhe ...nga treva me të cilën na ndan veç një kufi formal : Kosovën. Kur këngëtarja këndoi vargjet e Naimit të përshtatura nga Ilir Shaqiri « O Kosovë o nëna ime / ndonëse jam i mërguar ... » nuk këndonte veç Ermira Babaliu por e gjithë salla. Një sallë e tërë menjë zë. Po, ne shqiptarët kemi një zë kur i këndojmë at'dheut.
Ermira nuk u mjaftua veç me skenën, ajo u ul në sallë dhe u takua me admiruesit e saj të shumë. Unë jam njëri prej tyre. Është e vërtet se artisti i sotëm vlerësohet ekonomikisht por nuk ka si të lihet mënjanë fakti kur si artisti dhe publiku ndihen borxhlinjë ndaj njëri-tjetrit. Në skenë dhe në sallë Ermira Babaliu i falenderoi me gjithë zemër të pranishmit. Por edhe ata dukeshin tejet të gëzuar që kishin një nga ikonat e muzikës shqiptare në mes tyre.
Kisha kohë pa parë "drejt për drejtë" humor. Prania e Arben Dervishit i dha lezet mbrëmjes. Me humor të zgjedhur me kujdes, të përshtatur për emigrantët, Arben Dervishi e bëri të paharruar mbrëmjen e 14 shkurtit 2009. Me gjuhë të pastër dhe të shkoqur ai i bëri të gjithë për vehte. Them të gjithë se edhe Rudi që ka ikur i vogël nga Shqipëria dhe i duket e rëndë të çoj një bisedë gjerë në fund në shqip, na konfirmonte pas çdo skeçi :- E kuptova edhe këtë...
Ndoshta 14 shkurti ishte motivi për tu mbledhur mes miqësh sepse shumë nga të pranishmit mu shprehën se nuk ka më mirë se të mblidhesh mes miqsh si në këtë mbrëmje. Dhe vërtet, unë personalisht takova miq që kisha kohë që nuk i kisha parë. Kjo të jep dëshirën të rikthehesh në një mjedis të tillë.