E merkure, 05.06.2024, 02:45 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Elmira Muja: CD-ja dhe videoklipi i KINO-s, një koncert festiv që argëtoi komunitetin

E diele, 15.02.2009, 07:00 PM


Nga e majta: Elmira, Dr.Kohen, Shqipe Malushi
CD-ja dhe videoklipi i KINO-s, një koncert festiv që argëtoi komunitetin

Nga Elmira Muja

E djela e kaluar mblodhi së bashku  në Restorantin DESARET në Manhattan, New York, artistë të komunitetit tonë , miq dhe dashamirës të artit muzikor, që në bashkëpunim me Organizatën e Gruas Shqiptaro- Amerikane “Motrat Qiriazi” promovuan  CD dhe video- klipin e këngëtarit të njohur  Kino Gara. Nga mënyra e organizimit dhe e prezantimit, mbrëmja ishte më shumë se një koncert festiv.  Shqipe Malushi, e cila ka drejtuar për një kohë të gjatë Organizatën e gruas shqiptaro amerikane “Motrat Qiriazi”, ka hapur mbrëmjen duke ju uruar të gjithëve mirëseradhjen.
Në fillim të fjalës ajo thekson se : Është muzika ajo që shpreh një ndjenjë, një moment të caktuar, atë që nuk mund të thuhet me fjalë, por dhe që nuk mund të mbetet në heshtje. Muzika me tërë gjinitë e saj, në tërë kuptimin është lëvizja e tingullit që arrin shpirtin, edukon ndjenjat dhe formon virtytin. Kënga e bën më të ndjeshme atë, që në vargje poetike,bëhet më e prekëshme.   Ajo fokusohet në një biografi të shkurtër të Kino Garës, që nga Peja, qyteti i lindjes, qyteti me shpirtin artistik, prej të cilit kanë dalë shumë artistë, në mesin e të cilëve është dhe Kino, më pas rruga e mërgimit.

Kino
Kino
Kino, në jetën e tij në Amerikë, tha më tej Shqipe Malushi, me këngën dhe zërin e tij ka mbushur atë zbrasëtirë të jetës së komunitetit shqiptar. Në vitet, kur teknologjia e shkencës, interneti dhe lidhja satelitore me TV e ndryshme shqiptare, nuk ishte në zhvillimet e sotme, Kino e bëri më të domosdoshme ushqimin shpirtëror me këngën shqiptare. Më pas rruga e tij si pjesëmarrës në të gjitha koncertet në grumbullimin e fondeve për Kosovën. Sakrifica e tij është për tu vlerësuar. Kino është nga ata që nëse është i pasur, jep të gjithë pasurinë, në mungesë të saj ai jep zemrën e tij.
Jeta në mërgim, e ka bërë më të fortë dashurinë e tij për nënën. Të gjithë e dimë se Zoti nuk mund të jetë kudo, ja sepse ai ka bërë Nënën! Është nëna ajo që na ka ndjekur kudo, edhe kur kemi bërë gabime na i ka falur ato. Dashuria e saj është e pazëvendësueshmë dhe nuk mund të krahasohet me asnje dashuri tjetër, sado e madhe qoftë ajo.

***

Më pas për të pranishmit u shfaq videoklipi  “Kujt ia fali mallin tim”, dedikuar nënës, prodhim i Alba Production, kompozuar nga Florent Boshnjaku mbi vargjet e Hivzi Krasniqit.
Kino, gjithsesi është i emocionuar dhe fjalët e tij të para janë një falenderim për të gjithë të pranishmit në sallë. Për nënën gjithnjë kam menduar të kem një këngë, tha ai, që në ditët e para kur unë u largova nga ajo dhe në sytë e saj ndjej akoma lotët e ndarjes. Vitet në mërgim më shtuan më shumë mallin dhe dashurinë për të, sakrificat dhe netët pa gjumë na kanë mbështjellur me dashurinë e saj. Këngët janë inspirimi im në këtë dashuri. Disa here ato janë më shumë se jeta ime dhe në të kundërt jeta ime është më shumë se sa këngët e mia. Është bashkëshortja ime Linda, e cila më ka mbështetur në të gjithë këtë rrugë.
U jam mirënjohës organizatës së gruas shqiptaro amerikane “Motrat Qiriazi”. I përshëndes me këtë rast për punën e tyre të palodhur në komunitet.Dua të përshëndes të gjithë ata që më kanë mbështetur me të gjitha mënyrat. Dua të falenderoj televizionin Kultura Shqiptare dhe producentin e saj, zotin Adem Belliu, që me punën e tij fisnike, bën të mundur të transmetojë tek komuniteti ynë, vlera të kulturës shqiptare. Një falenderim edhe për TV21.   Faleminderit miq të dashur që më mbushët zemrën.                                                   
Dr. Anna Kohen, presidente e organizatës së gruas shqiptaro amerikane “Motrat Qiriazi”, në fjalën e saj ndërmjet të tjerash theksoi : Është kënaqësi të jesh në mesin e miqve artistë dhe këngëtarëve, që unë i dua aq shumë. Kjo mbrëmje është speciale, sepse jemi mbledhur për Kinon, i cili ka qenë dhe mbetet një mik i Organizatës së gruas shqiptaro amerikane “Motrat Qiriazi”. Jemi shumë të gëzuar që sonte ne po festojmë së bashku suksesin e tij dhe ndjehemi krenar që kemi qenë miq dhe kemi bashkëpunuar për kaq shumë vite.
Dr.Kohen i  dorëzoi Kino Garës mirënjohjen nga Organizata e gruas shqiptaro amerikane “Motrat Qiriazi” me motivacionin : " Për një kontribut të jashtëzakonshëm dhënë komunitetit shqiptar, gjatë gjithë jetës së tij, nëpërmjet Artit Muzikor.

***

E gjithë mbrëmja u shoqërua me këngë të përcjellura nga orkestra e drejtuar nga mjeshtri Raif Hyseni.
Raif Hyseni, i cili e ka përcjellur Kinon në shumë veprimtari të ndryshme, e vlerëson atë si një këngëtar me një diapazon të zërit që shtrihet me një vokal të pastër.
Kolegët e tij, edhe ata këngëtarë artistë sjellin kujtime të ndryshme.
Merita Halili, ndër të tjera thotë : Më të vështirë e kanë artistët të flasin se sa të këndojnë. Me Kinon kam punuar shumë vite, dhe së bashku kemi ndarë shumë gëzime, madje dhe hidhërime. . Edhe unë, me këtë rast dua të përshëndes “Motrat Qiriazi” që na kanë mbështetur në rrugën tonë.
Aurela Gaçe që në vitet e emigracionit është më e reja nga kolegët e saj të pranishëm, tregoi se është një artiste e kompletuar. Përvec këngëve të kënduara me aq mjeshtëri dhe pasion, solli imitime të këngëtarëve Nexhmije Pagarusha, Parashqevi Simaku dhe Eli Fara.
Gëzim Nika e lidh njohjen me Kinon me një të shkuar historike. Me Kinon , thotë ai më lidhin dy gjëra : Qyteti i Pejës, ku gjyshi im u vra nga sërbët, kur babai im ishte vetëm 7 vjec, dhe koha kur, së bashku kemi kënduar në shumë aktivitete të shqiptarëve organizuar në të gjithë Amerikën, pikërisht në kohët më të vështita për shqiptarët e Ballkanit. Një përshëndetje për këtë ditë janë dy këngët e tij që ende mbeten të blerta në kujtesën e shqiptarëve të kudondodhur : “O malet e Shqipërisë” dhe “Në Dardani bien tupanat”.
Vera Oruçi dhe bashkëshorti i saj Sunai Saraçi sollën në këtë mbrëmje buqetë me këngë popullore, të ruajtura me kaq kujdes që nga vitet e para të Radio Prishtinës.
 Një moment emocionues solli këngëtarja Sabahete Berlajolli. Humbja e nënës para një viti e ndau për pak kohë nga kënga. Kjo ditë për të është një kthim në vendin e saj të nisjes, tek kënga dhe frymëzimi i saj.
Bashkëshortët Ernest dhe Arbërie Muhaxheri, me harmoninë e zërit të tyre, sollën përshëndetjet dhe urimet e tyre me  serenatat e bukura shqiptare.                                  Nuk do të mungojë në evenimente të tilla edhe mjeshtri i fotografisë, Fadil Berisha, i cili ka fokusuar në aparatin e tij portretet e tyre.
Në këtë mbrëmje Kino, ndjehet pak i privilegjuar, sepse mësuesi i tij i parë në shkollën e muzikës në Pejë, Xhevdet Bakraqi ka parë nga afër arritjet e tij si këngëtar. Ai ndjehet krenar që nga duart e tij kanë dalë artistë që dinë të interpretojnë këngën e bukur shqiptare.
Në përshëndetjen e tij, nënkryetari i Vatrës, Agim Rexha, e vlerësoi punën e Kino Garës, jo vetëm si këngëtar, por dhe si një aktivist i palodhur i çështjes kombëtare.
Shumë falenderime dhe mirënjohje  për pronarin e lokalit, zotin Hamit Jakupi që  u dha mundësi artistëve të krijojnë një mbrëmje të magjishme.

Është interesant, të gjithë këngëtarët,  kur janë në mes miqve, kur u kërkohet që ata të këndojnë, vështirë se këndojnë, kur nuk ju kërkohet, atyre u vjen natyrshëm që të këndojnë dhe nuk dinë të ndalen. Kështu ndodhi atë të dielë, kënga e tyre nuk u ndal, ajo vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora