Vërtetësi
Kastriot Dervishi: 37 vjet nga ekzekutimi makabër i Havzi Nelës
E hene, 11.08.2025, 06:58 PM
37 vjet nga ekzekutimi makabër i Havzi Nelës
Nga Kastriot Dervishi
Pas tre dënimesh dhe
një internimi, Havzi Nela u ekzekutua me vdekje në litar nga Dega e Punëve të
Brendshme Kukës në orën 3.30 të datës 10.8.1988, në sheshin e agjencisë së
udhëtarëve të qytetit. Fjala e tij e fundit ishte:
“I keq kam qenë dhe
ashtu po shkoj. Të këqijat e mia i mora me vete. Kërkoj që të afërmit e mi të
trajtohen mirë, mos të merren nëpër këmbë. Kam 910 lekë dhe kërkoj që këto t’i
jepen të afërmve të mi (nënës)”.
Ekzekutorët zgjodhën
një metodë mizore për ta varrosur, qëndrimin vertikal të kufomës. Duke u nisur
nga fakti se gjatë verës uji liqenit të Kukësit ishte më i pakët dhe tërhiqej
në brendësi, zgjodhën si vendvarrimi hapësirën që në dimër do të ishte e
përmbytur nga uji. Hoqën një shtyllë të hershme të mbetur nga qyteti i vjetër
dhe në zbrazësinë e krijuar futën Havziun e vdekur, në mënyrë që koka të rrinte
afër sipërfaqes. Duke e varrosur jo shumë thellë, ata kishin llogaritur që
gjatë dimrit ujërat e Drinit jo vetëm do ta zbulonin, por do ta lëkundnin e më
pas do ta shkulnin kafkën e Havziut nga vendi i varrimit për ta çuar në drejtim
të rrjedhës së Drinit te hidrocentralet e më tutje në det.
Pesë vjet më vonë,
kur u gjetën eshtrat e Havzi Nelës, si pasojë e kallëzimit të një polici
pjesëmarrës në ekzekutim, u konstatua se skeletit i mungonte kafka.