Kerko: a
Avzi Mustafa: Inteligjenca Artificiale dhe sfidat në arsim
E marte, 12.08.2025, 06:59 PM
INTELIGJENCA ARTIFICIALE DHE SFIDAT NË ARSIM
Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa, Shkup
Në
vitet e 50-ta të shekullit të kaluar një sociolog i së ardhmes, Allvin Toffler,
u paraqit me librin me titull “Shoku i Ardhmërisë”. Meqë ky libër ishte
përkthyer në gjuhën kroate, e lexova me shumë vëmendje dhe erdha në përfundim
se qëllimi i këtij futurologu ishte përgatitja e një shoqërie të re, ku do të
dominonte një “revolucion super industrial”, një zhvillim i fazës “super
industriale”, e cila do ta ndërrojë shoqërinë e vjetër. Kjo më ktheu në kohën e
Manifakturës në Angli, kur në një fazë të zhvillimit ekonomik – gjatë periudhës
para Revolucionit Industrial në shekullin e 18-të – sistemi i prodhimit të
mallrave me dorë ose me mjete të thjeshta dhe përdorimi i makinave e zëvendësoi
punën me dorë dhe këto makina ua “hëngrën kokën” shumë punëtorëve. Megjithatë,
e ngushëlloja veten se me këtë revolucion teknologjik do të specializojë çdo
punëtor, për ta kryer një pjesë të veçantë të procesit të ndonjë prodhimi në
mënyrë cilësore dhe në kohë më të shpejtë.
Pas
shumë vitesh, sot shohim se gjithçka që na intereson, çfarëdo informate, mund
ta marrim vetëm për disa sekonda, t’i bëjmë detyrat matematikore, t’i japim
karakteristikat e një heroi në një roman, të kërkojmë ndonjë ese për mësuesin,
natyrën etj., qoftë në formë të shkruar apo gojarisht.
Një
prej faktorëve më të dukshëm që jemi mësuar ta zhvillojmë në mënyrë të
planifikuar nëpërmjet të mësuarit në shkollë është duke e zhvilluar trurin.
Truri i njeriut është qendra për zhvillimin e ndërgjegjes dhe inteligjencës si
asnjë pjesë e organizmit të njeriut. Andaj edhe lind pyetja se, pas të gjitha
këtyre lehtësirave që na vijnë si sihariq nga inteligjenca artificiale, a do të jetë më turi i njeriut me të
vërtetë qendra e inteligjencës së njeriut, siç kemi ne bindjen tonë, apo do të
humbet inteligjenca kreativiteti dhe ndjenjat, si monopol i njerëzve? Apo
kjo do të kalojë në dorë të një grupi që do të ketë monopol dhe në bazë të
algoritmeve të padukshme do ta drejtojnë jetën tonë të përditshme dhe do të
ndikojë në shëndetin dhe funksionin tonë?
Inteligjenca
artificiale është një fushë e gjerë dhe heterogjene. Duke ndjekur atë që
shkruhet, si dhe duke i ndjekur paralajmërimet nga ekspertët e kësaj
teknologjie, vërejmë se ajo kohëve të fundit po merr një zhvillim dhe përdorim
të madh dhe në të derdhen po shuma të mëdha,
Si
duhet ta shikojmë të ardhmen? Për këtë problem kanë dhënë mendime shumë
studiues. Njëri prej tyre është edhe Fukuyama, në veprën e tij të famshme “Post njeriu ynë dhe teknologjitë”, ku thotë se “teknologjitë që janë të
afta të riformojnë atë që jemi" mund "të kenë pasoja malinje për
demokracinë liberale dhe për vetë shoqërinë”. E thënë thjesht, teknologjitë që
prekin "specifiken njerëzore" potencialisht mund të ngrejnë
shqetësime legjitime për një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj ekzistencës
njerëzore. Të paktën atë lloj ekzistence që ne si shoqëri jemi mësuar”.
Në
fund të fundit, edhe mendja e njeriut, do të thotë Harari, është një objekt i
formësuar nga historia dhe biologjia dhe, si e tillë, u nënshtrohet
manipulimeve të ndryshme. “Kjo mund të na çojë në përfundimin se
"produktet e mendjes" gjithashtu nuk janë të lira nga prangat e
manipulimit.
Por
ka edhe të tillë, si Hawking-u, i cili thotë se ai “përfaqëson një rrezik real
për vetë njeriun, ose më mirë se zhvillimi i tij do të çojë në zhvillimin e një
"forme të re të jetës".
Jam
qenë më se i bindur se ndryshimet në botë i bëjnë krizat ekonomike, rënia dhe
ngritja e fuqive të mëdha, ndryshimet klimatike dhe në njëfarë mase edhe teknologjitë.
Por, shkenca nëpërmjet ose nën ndikimin e teknologjisë së përparuar, bëhet
pjesëmarrëse në atë që Joseph Schumpeter-i, në punim të tij të vitit 1942, do
të thotë se “me teknikën dhe teknologjinë, shoqëria do të jetë në një cikël të
vazhdueshëm të ‘shpikjeve dhe rishpikjeve shkatërruese’, që do të jetë ‘lëndë
djegëse’ të kapitalizmit bashkëkohor”.
Sot
po shohim se pothuajse çdo shkencë është e interesuar ose e
"tërhequr" në këtë proces të "shkatërrimit të paqartë" të
"ndërtimit të paqartë". Ato pajtohen se teknologjitë e IA-së
"përdorin aftësi të tilla – të zotëruara më parë vetëm nga njerëzit – si
njohuri dhe perceptim, për të zgjidhur detyra të përcaktuara ngushtë (duke
përdorur teknologjinë siç ekziston sot).
Sot,
në shumë sfera, jemi dëshmitarë të kontributit të madh të teknologjive që
lidhen me inteligjencën artificiale, të cilat i lehtësojnë dhe përshpejtojnë së
tepërmi shumë aktivitete të përditshme, duke e ngritur cilësinë e jetës në një
nivel më të lartë. Por, nga ana tjetër, është pikërisht rritja e shpejtë dhe
mundësitë disi të pakufizuara të IA-së ato që i inkurajojnë jo vetëm
shkencëtarët dhe ekspertët, por edhe filozofët, humanistët, shkrimtarët dhe
regjisorët e filmit të imagjinojnë se si zhvillimi dhe bashkëpunimi i njeriut
dhe i makinës mund t'i shërbejë njerëzimit. Por, ata shpesh parashikojnë gjërat
më të errëta në botë, të cilat mund t’i shkatërrojnë skenat apokaliptike
njerëzore.
Tani,
kur jemi përballë ndryshimit të paradigmave të jetës njerëzore, shkolla nuk
mund të qëndrojë mënjanë, por thirret të japë dëshminë e saj të besimit,
shpresës dhe dashurisë, duke shpallur trurin e njeriut në gjumë.
Në
këtë punim, ne i përshkruajmë disa nga skenarët për zhvillimin e inteligjencës
artificiale dhe rëndësinë e udhëzimeve etike për të gjithë pjesëmarrësit në
këtë proces, si dhe mënyrën se si mësimet në shkollë t’u përgjigjen sfidave
etike që i paraqet njerëzimit nga inteligjenca artificiale. Është shkruar se
inteligjenca artificiale përfshin një gamë të tërë fushash, nga perceptimi dhe
arsyetimi logjik, e deri te detyrat specifike të vërtetimit të teoremave
matematikore. Duke vepruar kështu, ata duket se duan ta eliminojnë rrezikun
real të teknikës së njeriut, në vend që teknologjia të humanizohet. Pikërisht
në kushte të tilla zhvillohet debati për raportin e “inteligjencës artificiale”
dhe trurit biologjik.
Kështu,
edhe sot, përballë sfidave të reja të inovacioneve shkencore dhe teknologjike,
shkolla, përveçse kujton se inovacioni digjital dhe përparimi teknologjik duhet
të kontribuojnë në gjitha sferat e jetës shoqërore, ky inovacion gjen zbatim
dhe përdorim me të madh në sferat e marketingut dhe ekonomisë. Në një mënyrë,
shkencat ekonomike si duket kërkojnë njëfarë autonomie dhe shkëputje nga
politika, e sidomos nga etika.
Zhvillimi
i shpejtë i kësaj teknologjie pa bërë analiza se si mund të ndikojë ajo së pari
në zhvillimin e shoqërisë, po bëhet gjithnjë më i egër, pa humanizëm e pa
kontakte ndërmjet reale mes njerëzve. Sot komunikimi është shndërruar në
pëlqime (Like), duke numëruar sa “fansa” janë regjistruar, me të cilët kurrë
nuk ke pirë kafe nuk e ia di as edhe fytyrën. Çfarë ke mësuar na ai? Çfarë do
mbetet në shpirtin tonë dhe çfarë ndjenjash do të posedojmë? Jemi dëshmitarë se
platformat digjitale tëra i prangosin fëmijët të qëndrojnë me orë të tëra para
kompjuterëve e celulareve.
Tani
nxënësi duhet të mësojë ta zhvillojë personalitetin e vet duke e zbuluar atë që
shkenca ia ka zbuluar, duke kërkuar metodat e metodologjitë e strategjitë sesa
më shumë të dijë, të ngjallë interes për të hyrë në botën e fshehtësive, për ta
zhvilluar imagjinatën, për të komunikuar, për të krijuar miq, për ta zhvilluar
humanizmin, për t’i përjetuar gjerat, për t’u gëzuar etj.
Unë
nuk jam kundër që edhe IA të mund të përdoret si një mjet didaktik në procesin
mësimor aty ku e kërkon nevoja, por jo të zëvendësojë gjithçka dhe të jesh i
varur nga kjo. Tani shihet se IA po ecë me hapa shumë të mëdhenj, ku shihet
qartë një zhvillim i madh ndërmjet të mësuarit logjik dhe inteligjencës
artificale.
Nëse
këto dy lloje të mësuarit nuk zhvillohen paralelisht, ajo do të duket ashtu siç
e ka thënë Platoni, për të cilin e vërteta do ishte si një "fushë"
drejt së cilës skuadra e shpirtit lëviz me dy kuaj, nga të cilët njëri është i
vdekshëm dhe tjetri i pavdekshëm, njëri përfaqëson shqisat tona dhe tjetri
mendjen, kështu që sapo të mbërrijnë në atë "fushë të së njëjtës",
ata fillojnë të zbulojnë peizazhe të reja (Platoni, Phedrus).
Njerëzit
kanë aftësi për të mësuar nga neuronet që gjenden në trurin tonë, të cilat janë
të programuara. Për shembull, për t’i njohur fytyrat, duke i parë ato nga
këndvështrime të ndryshme gjatë një periudhe kjo zgjidhet ekskluzivisht nga
njerëzit. Teknologjia e IA-së përdoret për t'i ndihmuar njerëzit të zgjidhin
detyrat më shpejt dhe në mënyrë më efikase dhe për këtë arsye konsiderohet një
mundësi për përmirësim dhe rritje të efikasitetit, por atë e bën nëpërmjet
algoritmeve. Kjo do të thotë se njeriu duhet të udhëhiqet sipas tyre, pra ai
duhet t’u bindet udhëzimeve se kah duhet të shkojë.
Sidoqoftë,
inteligjenca artificiale i ka zënë të gjitha sferat e jetës dhe me ritme shumë
të shpejta. Por, në sferën e arsimit kjo dukuri teknologjike shikohet me një
dozë të madhe të shqetësimit. Ja disa nga arsyet e kësaj:
-
IA do të na shpijë në varësi teknologjike dhe do të ndikojë në reduktimin dhe
motivimin e nxënësve për të menduar në mënyrë të pavarur dhe kritike;
-
Është e ditur se nxënësit shumë shpejt i përvetësojnë risitë teknologjinë kur
bëhet fjalë për kryerjen e detyrave, andaj pa humbur kohë do t’i referohen
inteligjencës artificiale;
-
Me këtë teknologji gjithsesi do të humbet përqendrimi, vëmendja dhe
kreativiteti;
-
IA e ul aftësinë e të kuptuarit dhe të shkruarit;
-
Nuk ka nocione të njëjta me atë që mësojnë në shkollë nga librat me nocionet që
i përdor inteligjenca artificiale (p.sh.; për shkronjat e gjuhës shqipe, që
nxënësit i kanë mësuar si terma alfabeti, tani do të përdorin si bashkësi me
një simbol X);
-
Do të kemi një mbivlerësim të atyre që e përdorin këtë teknologji nga ata që
janë origjinalë, që mendojnë vet;
-
Do ketë ngecje në debat në mes atyre që kanë mësuar nga librat dhe atyre që
kanë gjetur material për veprimtari aktive dhe zgjedhje situatash problemore.
-
Shtrohet pyetja se a janë të vërteta informacionet që janë marrë nga
inteligjenca artificiale?;
- Personalizmi: mund të jetë jashtëzakonisht i vështirë për një
mësues të kuptojë se si t’i përmbushë nevojat e të gjithë nxënësve në klasë;
- Përdorimi i IA-së shpreh mungesën e kontaktit
empatik;
- Privatësia dhe
siguria e të dhënave: të dhënat personale të nxënësve,
hyrja tek informacioni, autorësia janë të pambrojtra.
Përdorimi edukativ i inteligjencës artificiale
është një temë që na shqetëson, andaj me të drejtë Chiara Panciroli,
profesoreshë në Departamentin e Shkencave të Edukimit të Universitetit të
Bolonjës do të shprehet se: “Ajo prek edhe mësuesit, stafin administrativ,
drejtuesit, familjet: të gjithë aktorët e sistemit shkollor”.
Tani ia parashtroj vetes një pyetje retorike: a
thua vallë si u arrit në civilizimin egjiptian gjithë ajo trashëgimi kulturore?
Për këtë temë është zbuluar dhe është shkruar nga shkencëtarë të ndryshëm,
ndërsa çdo ditë po zbulohen edhe gjëra të reja. Ja si do të jetë përgjigja
sipas një legjende mitike egjiptiane: kur perëndia egjiptian Thoth e zbuloi
artin e të shkruarit, ai ia prezantoi me gëzim të madh atë mbretit Thamus, duke
pretenduar se shkrimi do t'i bënte njerëzit më të mençur dhe do të përmirësonte
kujtesën e tyre. Megjithatë, Thamusi nuk u pajtua dhe tha se të shkruarit në
fakt do ta dobësojë kujtesën, pasi njerëzit do të mbështeteshin në të dhënat e
shkruara në vend që ta ushtronin mendjen e tyre. Në vend të urtësisë së
vërtetë, njerëzit do të kenë vetëm një dukje njohurie, pasi ata do ta mbajnë
mend informacionin, por nuk do ta kuptojnë ose nuk do ta përvetësojnë
plotësisht atë .