Kulturë
Lekë Mrijaj: Mark Krasniqi - 'Lugu i Baranit'
E marte, 15.07.2025, 06:55 PM
Këndvështrim mbi monografinë shkencore të librit me titull "LUGU I BARANIT" i akademik Mark Krasniqi
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Libri
monografik "LUGU I BARANIT" i
akademik Mark Krasniqi, i përket brezit të intelektualëve të artë te cilët u
formësuan nga dhimbja kolektive dhe nga përvoja personale e robërisë, por që
këtë përvojë ne asnjëherë nuk e lanë të mbetej plagë e heshtur, plagë qe e
kthyen në veprim dhe qëndresë. Autori qysh në fëmijëri, pra, familja e tij
Krasniqi ne vendlindje, përjetoi poshtërimin e regjimit komunist jugosllav, që
do të bëhej baza e ndjeshmërisë së tij të mëvonshme ndaj padrejtësive dhe
shtrembërimeve që i bëheshin popullit shqiptar në përgjithësi. Kjo ndjenjë e
thellë e mospajtimit e shtyri Akademik Krasniqin të bëhej një nga zërat më të
fuqishëm të dijes, të drejtësisë dhe të identitetit tonë mbarë kombëtar.
Formimi
i tij akademik dhe intelektual ishte ndër më të gjerë dhe më dinjitozët e
kohës. Nga Padova të Italisë e deri në Beograd e Lubjanë, ai kaloi përmes
sfidave, diskriminimeve dhe përjashtimeve, por gjithnjë me misionin e qartë: të
mbrojë me argumente shkencore të vërtetën për shqiptarët. Si profesor në
Universitetin e Prishtinës, si dekan, si drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe
më pas si akademik, Mark Krasniqi e vuri gjithë energjinë e tij krijuese në
shërbim të popullit të tij. Për shkak të qëndrimeve të guximshme dhe parimore,
ai përherë përjetoi kërcënime publike dhe u përjashtua nga Fakulteti në vitin
1981, pikërisht atëherë kur rinia jonë shqiptare shpërtheu në revoltën e
pakënaqësisë historike.
Akademik
Krasniqi nuk ishte vetëm dijetar; ai ishte edhe reagues, kritik, organizator
dhe krijues. Me dhjetëra libra studimorë e publicistikë, ai trajtoj e shpalosi
një trashëgimi të pashoqe që përfshin etnografinë, gjeografinë, kulturën
shpirtërore dhe sociale të shqiptarëve. Vepra si: “Ndryshimet bashkëkohore
gjeografike-shoqërore në Kosovë e Dukagjin”, “Rugova”, “Gjurmë e gjurmime”,
“Nga gurra e traditës”, “Rrënjët tona etnike”, e në veçanti “Lugu i Baranit”,
janë dëshmi e një përkushtimi jetësor për të dokumentuar dhe mbrojtur
identitetin shqiptar nga tjetërsimi dhe harresa. Ndaj edhe kësaj radhe nga
këndvështrimi im kam përzgjedhur për ta
analizuar librin e tij monografik "LUGU I BARANIT". Një libër
monografik me themele të forta shkencore dhe shpirtërore
Monografia
"LUGU I BARANIT" është një
vepër shkencore e veçantë të cilën e botoi Redaksia e botimeve “RILINDJA” në
Prishtinë në vitin 1985, i cili libër e bashkon saktësinë e metodës akademike
me frymën e dashurisë ndaj vendit të vet. Ajo është fryt i një pune
shumëvjeçare të mbështetur në hulumtime të drejtpërdrejta në terren, në
dokumente arkivore dhe në përvojën vetjake të autorit.
Libri
në fjalë fillon me një Parathënie, në të cilën autori rrëfen origjinën e përkushtimit
të tij për këtë zonë, që nga vizitat e para në vitin 1951 e deri në
grumbullimin e të dhënave përfundimtare në vitin 1980. Ai e konsideron ndihmën
e banorëve dhe arsimtarëve lokalë si një bashkëpunim të rrallë, që i dha vlerë
dhe thellësi veprës së tij.
Në
hyrje të këtij libri, autori Krasniqi përshkruan objektivat shkencore të
monografisë: të japë një pasqyrë të plotë për jetën natyrore, ekonomike dhe
shoqërore të popullsisë së kësaj treve, përmes një përqasjeje etno-gjeografike.
Ai i qaset kësaj zone si një mikrokozmos i zhvillimeve historike, kulturore dhe
demografike të krejt Rrafshit të Dukagjinit. Pra, duke filluar me: Kushtet
natyrore. Në këtë pjesë autori ofron një panoramë të saktë dhe të hollësishme
të:
-Pozitës
gjeografike, duke e vendosur lugun brenda sistemit të lugjeve të Dukagjinit,
-Relievit,
ku tregohet se si ky reliev ka ndikuar në jetën bujqësore e shoqërore,
-Kushtet
klimatike, të cilat përshkruhen si faktorë përcaktues në bujqësi dhe blegtori,
-Ujërat
dhe përbërjen e tokës, të cilat analizohen si faktorë natyrorë që kanë
formësuar vendbanimet,
-Botës
bimore e shtazore, që pasqyron lidhjen e ngushtë të njeriut me natyrën.
Tutje
duke vazhduar me kushtet shoqërore. Në këtë kapitull është edhe thelbi i veprës
dhe shfaq qartazi stilin unik të Krasniqit.
-Zhvillimi
historik pasqyrohet nga lashtësia deri në kohët moderne, me theks te burimet
osmane dhe gojëdhënat vendore.
-Familja,
fisi, bajraku e katundi analizohen si struktura që kanë mbajtur gjallë rendin
shoqëror tradicional dhe kulturën shqiptare në kushtet e një pushtimi të
vazhdueshëm.
-Popullsia
dhe migrimet, Krasniqi paraqet një tablo dinamike të lëvizjes së popullsisë,
emigrimit të përkohshëm, ndikimit të tij në strukturën familjare dhe në
ruajtjen e identitetit.
Në
pjesën më të gjerë të librit te vendbanimet, autori përshkruan 16 fshatra të
Lugut të Baranit – Fshatrat që autori i analizon janë: Krysheci, Rashiqi,
Broliqi, Turjaka, Barani i Epërm, Barani i Poshtëm, Kotradiqi, Vranoci,
Çellopeku, Kosuriqi, Buqani, Llugaxhia, Gllogjani, Nepolja, Çeskova, Kpuzi.
Pra, duke përfshirë historinë, përbërjen fisnore, jetën ekonomike, traditat,
zakonet dhe zhvillimin shoqëror të secilit si dhe me foto te ilustruara
tradicionale te trevës se Lugut te Baranit. Këto përshkrime përbëjnë një arkiv
të gjallë të trashëgimisë kombëtare.
Në
përmbyllje të këtij libri, Krasniqi trajton edhe procesin e urbanizimit,
ndikimin e infrastrukturës, të shkollave, të elektrifikimit dhe afrimit me
qytetin e Pejës. Ai e sheh këtë zhvillim si një transformim të domosdoshëm, por
me pasoja të dyfishta: modernizim dhe rrezik për shpërbërjen e modelit
tradicional.
Krejt
të fund të këtij recensioni nga këndvështrimi im e përmbledh duke thënë se
libri monografik me titull "LUGU I BARANIT" i Mark Krasniqit, është
më shumë se një monografi: është një testament shkencor, kulturor dhe
shpirtëror. Mark Krasniqi nuk e shkroi këtë libër nga zyrat e ftohta të
institucioneve, por nga kujtesa, dashuria nga hulumtimi dhe nga besnikëria ndaj
atdheut të vet. Ai me fjalë tjera i dha zë fshatit shqiptar, botës së heshtur
të njerëzve të punës, duke treguar se shkenca e vërtetë është ajo që i shërben
së vërtetës.
Me
këtë vepër monografike, veç tjerash Akademik Mark Krasniqi ka ndërtuar një
monument të dijes për Lugun e Baranit, dhe një rrëfim të kujtesës kolektive për
mbarë shqiptarët dhe brezave shqiptarë brez pas brezi.