Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lekë Mrijaj: Mark Krasniqi - 'Lugu i Baranit'

| E marte, 15.07.2025, 06:55 PM |


Këndvështrim mbi monografinë shkencore të librit me titull "LUGU I BARANIT"  i akademik Mark Krasniqi

Shkruan: Lekë Mrijaj

Libri monografik "LUGU I BARANIT" i akademik Mark Krasniqi, i përket brezit të intelektualëve të artë te cilët u formësuan nga dhimbja kolektive dhe nga përvoja personale e robërisë, por që këtë përvojë ne asnjëherë nuk e lanë të mbetej plagë e heshtur, plagë qe e kthyen në veprim dhe qëndresë. Autori qysh në fëmijëri, pra, familja e tij Krasniqi ne vendlindje, përjetoi poshtërimin e regjimit komunist jugosllav, që do të bëhej baza e ndjeshmërisë së tij të mëvonshme ndaj padrejtësive dhe shtrembërimeve që i bëheshin popullit shqiptar në përgjithësi. Kjo ndjenjë e thellë e mospajtimit e shtyri Akademik Krasniqin të bëhej një nga zërat më të fuqishëm të dijes, të drejtësisë dhe të identitetit tonë mbarë kombëtar.

Formimi i tij akademik dhe intelektual ishte ndër më të gjerë dhe më dinjitozët e kohës. Nga Padova të Italisë e deri në Beograd e Lubjanë, ai kaloi përmes sfidave, diskriminimeve dhe përjashtimeve, por gjithnjë me misionin e qartë: të mbrojë me argumente shkencore të vërtetën për shqiptarët. Si profesor në Universitetin e Prishtinës, si dekan, si drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe më pas si akademik, Mark Krasniqi e vuri gjithë energjinë e tij krijuese në shërbim të popullit të tij. Për shkak të qëndrimeve të guximshme dhe parimore, ai përherë përjetoi kërcënime publike dhe u përjashtua nga Fakulteti në vitin 1981, pikërisht atëherë kur rinia jonë shqiptare shpërtheu në revoltën e pakënaqësisë historike.

Akademik Krasniqi nuk ishte vetëm dijetar; ai ishte edhe reagues, kritik, organizator dhe krijues. Me dhjetëra libra studimorë e publicistikë, ai trajtoj e shpalosi një trashëgimi të pashoqe që përfshin etnografinë, gjeografinë, kulturën shpirtërore dhe sociale të shqiptarëve. Vepra si: “Ndryshimet bashkëkohore gjeografike-shoqërore në Kosovë e Dukagjin”, “Rugova”, “Gjurmë e gjurmime”, “Nga gurra e traditës”, “Rrënjët tona etnike”, e në veçanti “Lugu i Baranit”, janë dëshmi e një përkushtimi jetësor për të dokumentuar dhe mbrojtur identitetin shqiptar nga tjetërsimi dhe harresa. Ndaj edhe kësaj radhe nga këndvështrimi im  kam përzgjedhur për ta analizuar librin e tij monografik "LUGU I BARANIT". Një libër monografik me themele të forta shkencore dhe shpirtërore

Monografia "LUGU I BARANIT" është një vepër shkencore e veçantë të cilën e botoi Redaksia e botimeve “RILINDJA” në Prishtinë në vitin 1985, i cili libër e bashkon saktësinë e metodës akademike me frymën e dashurisë ndaj vendit të vet. Ajo është fryt i një pune shumëvjeçare të mbështetur në hulumtime të drejtpërdrejta në terren, në dokumente arkivore dhe në përvojën vetjake të autorit.

Libri në fjalë fillon me një Parathënie, në të cilën autori rrëfen origjinën e përkushtimit të tij për këtë zonë, që nga vizitat e para në vitin 1951 e deri në grumbullimin e të dhënave përfundimtare në vitin 1980. Ai e konsideron ndihmën e banorëve dhe arsimtarëve lokalë si një bashkëpunim të rrallë, që i dha vlerë dhe thellësi veprës së tij.

Në hyrje të këtij libri, autori Krasniqi përshkruan objektivat shkencore të monografisë: të japë një pasqyrë të plotë për jetën natyrore, ekonomike dhe shoqërore të popullsisë së kësaj treve, përmes një përqasjeje etno-gjeografike. Ai i qaset kësaj zone si një mikrokozmos i zhvillimeve historike, kulturore dhe demografike të krejt Rrafshit të Dukagjinit. Pra, duke filluar me: Kushtet natyrore. Në këtë pjesë autori ofron një panoramë të saktë dhe të hollësishme të:

-Pozitës gjeografike, duke e vendosur lugun brenda sistemit të lugjeve të Dukagjinit,

-Relievit, ku tregohet se si ky reliev ka ndikuar në jetën bujqësore e shoqërore,

-Kushtet klimatike, të cilat përshkruhen si faktorë përcaktues në bujqësi dhe blegtori,

-Ujërat dhe përbërjen e tokës, të cilat analizohen si faktorë natyrorë që kanë formësuar vendbanimet,

-Botës bimore e shtazore, që pasqyron lidhjen e ngushtë të njeriut me natyrën.

Tutje duke vazhduar me kushtet shoqërore. Në këtë kapitull është edhe thelbi i veprës dhe shfaq qartazi stilin unik të Krasniqit.

-Zhvillimi historik pasqyrohet nga lashtësia deri në kohët moderne, me theks te burimet osmane dhe gojëdhënat vendore.

-Familja, fisi, bajraku e katundi analizohen si struktura që kanë mbajtur gjallë rendin shoqëror tradicional dhe kulturën shqiptare në kushtet e një pushtimi të vazhdueshëm.

-Popullsia dhe migrimet, Krasniqi paraqet një tablo dinamike të lëvizjes së popullsisë, emigrimit të përkohshëm, ndikimit të tij në strukturën familjare dhe në ruajtjen e identitetit.

Në pjesën më të gjerë të librit te vendbanimet, autori përshkruan 16 fshatra të Lugut të Baranit – Fshatrat që autori i analizon janë: Krysheci, Rashiqi, Broliqi, Turjaka, Barani i Epërm, Barani i Poshtëm, Kotradiqi, Vranoci, Çellopeku, Kosuriqi, Buqani, Llugaxhia, Gllogjani, Nepolja, Çeskova, Kpuzi. Pra, duke përfshirë historinë, përbërjen fisnore, jetën ekonomike, traditat, zakonet dhe zhvillimin shoqëror të secilit si dhe me foto te ilustruara tradicionale te trevës se Lugut te Baranit. Këto përshkrime përbëjnë një arkiv të gjallë të trashëgimisë kombëtare.

Në përmbyllje të këtij libri, Krasniqi trajton edhe procesin e urbanizimit, ndikimin e infrastrukturës, të shkollave, të elektrifikimit dhe afrimit me qytetin e Pejës. Ai e sheh këtë zhvillim si një transformim të domosdoshëm, por me pasoja të dyfishta: modernizim dhe rrezik për shpërbërjen e modelit tradicional.

Krejt të fund të këtij recensioni nga këndvështrimi im e përmbledh duke thënë se libri monografik me titull "LUGU I BARANIT" i Mark Krasniqit, është më shumë se një monografi: është një testament shkencor, kulturor dhe shpirtëror. Mark Krasniqi nuk e shkroi këtë libër nga zyrat e ftohta të institucioneve, por nga kujtesa, dashuria nga hulumtimi dhe nga besnikëria ndaj atdheut të vet. Ai me fjalë tjera i dha zë fshatit shqiptar, botës së heshtur të njerëzve të punës, duke treguar se shkenca e vërtetë është ajo që i shërben së vërtetës.

Me këtë vepër monografike, veç tjerash Akademik Mark Krasniqi ka ndërtuar një monument të dijes për Lugun e Baranit, dhe një rrëfim të kujtesës kolektive për mbarë shqiptarët dhe brezave shqiptarë brez pas brezi.