Kerko: a
Hamza Halabaku: Medet kush është bërë deputet!
E diele, 27.04.2025, 06:55 PM
Medet kush është bërë deputet!*
Nga
Hamza Halabaku
I
dashuri Zejnullah,
Të
kam treguar për sharjet e ndërsjella të deputetëve gjithandej nga ka shqiptarë
në parlamente, si në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup e tani ka plasur sherri
edhe në Preshevë.
Ruana
Zot!
Këta në Prishtinë, e di shumë
mirë, më shumë se gjysma e tyre nuk e meritojnë të jenë
deputetë, ndërsa për ata në Tiranë, Shkup e Preshevë, më vjen keq të flas. Nuk
e di, ndoshta edhe e meritojnë!
Në mars, kur qeshë në Prishtinë, pikërisht më
20 të muajit të tretë të këtij viti, pasi kisha dëgjuar se Kuvendi i Republikës
së Kosovës nuk i kishte miratuar shumë ligje, për arsye se nuk kishte pasur
kuorum, u takuam me një komshiun tim dhe temë bisede e bëmë ikjen e deputetëve
nga mbledhjet e Kuvendit. Gjatë bisedës ai më tha se ata ikin nga mbledhjet e
Kuvendit dhe shkojnë atje ku fitojnë më shumë të holla. Vrapojnë pas tenderëve
dhe firmave që i kanë bërë të vetat!
Ndërkaq, mëditjet dhe të gjitha benefitet e
tjera financiare që “u takojnë” në Kuvend, nuk i humbin fare, morën ose nuk
morën pjesë në mbledhjet e komisioneve të
Kuvendit apo në mbledhjet plenare. Deputetët
në sallën e Kuvendit, para kamerave, shahen ndër vete, akuzojnë njëri-tjetrin
se “kanë marrë”, kanë përvetësuar shumë të holla nga “Fondi Vendlindja thërret”
si dhe nga “Fondi i trepërqindëshit”, i cili ishte si institucional. Këto ishin
dy fondet, për çka njëra palë e deputetëve po e akuzojnë palën tjetër të
deputetëve! Po ka, po thonë, edhe mjete që nuk kanë qenë në asnjërin nga këto
dy fonde. Ka pasur mjete edhe që janë marrë drejtpërdrejt nga qytetarët në
mërgatë dhe kanë shkuar nëpër xhepat privatë të “bosëve” të këtyre fondeve, e
për ato nën duar, që si thuhet, një Zot e di sa qindra mijëra dollarë kanë
qenë!? Këta nuk kishin as biçikleta, ka thënë në një mbledhje plenare të
Kuvendit të Kosovës, njëra nga deputetet, kur ishin nëpër metropolet e Evropës,
e kur erdhën në Kosovë, pas luftës, kanë bërë jo vetëm pallate, po edhe firma
nga të cilat fitojnë përditë mjete marramendëse.
Nuk zihen dhe nuk shahen e nuk e akuzojnë
njëri-tjetrin vetëm për fondet, por ka edhe të tillë që zihen dhe polemizojnë
me njëri-tjetrin edhe për vrasjet politike, që ndodhën gjatë dhe pas luftës!
Ti nuk beson ndoshta, po ta them sinqerisht,
miku im, se nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dëgjon edhe këso
sharjes: “Ma hangsh”, pastaj “robtë t’i
q...”, mandej, “a e përdor me gojë shumë, a”, “qen bir qeni”, “balosh”,
“R... same...” e kësi sharjesh. Si duket nuk të mbushet mendja se ka këso
sharjesh nga kryeparlamentari. Po ai nuk i thotë këto në gjendje normale, por
kur e bëjnë nevrik deputetët e parlamentit!
E di që Ti, miku im, më thua të kem
kujdes për atë që shkruaj, por çka kam të ruhem? Jam i vetëdijshëm se për këto
që po të shkruaj, mund të më kanoset ndonjë rrezik, se këta pushtetarët e
tanishëm kanë klanet e tyre mafioze dhe për pesëdhjetë euro mund ta gjejnë
ndonjë të pafytyrë e ma merr fytyrën në mes të Prishtinës.
Po çka kam të ruhem? Ato fjalë i ka
dëgjuar secili njeri që i ka ndjekur me vëmendje mbledhjet e Kuvendit! Tani, së fundmi, jo kryetari, por nënkryetari, bash në sallën e
Kuvendit ku ishin duke votuar për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese
të Republikës së Kosovës, e nuk e zgjodhën asnjë nga ata të propozuarit nga
radhët e shqiptarëve, po i zgjodhën vetëm dy nga të propozuarit serb, një
ditë më parë ishte mllefosur në njërin nga deputetët. Të nesërmen, sa ishin
duke votuar për gjyqtarët e Gjykatës
Kushtetuese, duke ecur, tinëzisht i ra me bërrylin e krahut të majtë, mu
në gjoks ose në stomak, deputetit në të cilin ishte mllefosur. E goditi tinëz,
e goditi në befasi. Më vonë ai tha se kishte rrëshqitur, po këtë ngjarje e kanë parë edhe fëmija, se ajo nuk ishte
rrëshqitje, salla e Kuvendit nuk është sallë e “hokejit” në akull, po
është e shtruar me tepihë të mirë, por i kishte rënë, bile fort, me bërryl
vetëm për ta shfryrë mllefin!
O, të kam thënë edhe më herët, medet kush
është bërë deputet!
Dritë paç, o miku im i
mirë!
(Nuremberg, 18 maj 2018)
____________
*Hamza
Halabaku: “LETRA MIKUT NË AMSHIM” (Letra imagjinare mikut tim, shkrimtarit të
ndjerë, Zejnullah Halili) fq. 70 Prishtinë, 2024