Kerko: a
Bexhet Jagodini: Toponomia e tingullit në Sërbicë - Kërçovë
E diele, 27.04.2025, 06:53 PM
TOPONOMIA E TINGULLIT NË SËRBICË – KËRÇOVË
(Kur
natyra këndon, njeriu e pagëzon vendin)
Shkas-Reagim
Nga
Bexhet Jagodini - këngëtar, gjeograf
Duke soditur natyrën për rreth këtu në vendbanimin rural në
Sërbicë të Kërçovës në aspektin toponomik, të bien në sy dy aspekte: atë të
tingullit dhe të relievit – me të gjitha
peisazhet e bukura dhe ndjesitë që sjellin ato. E mes këtyre dy botëve,
takoj një pasuri që shpesh kalon pa u vënë re, ato janë toponimet që lindin nga
tingulli, nga vetë zhurma e natyrës.
Në gjuhën shqipe janë shumë bashtingëllore që të bien në vesh, e sidomos
bashkëtingëllorja "RR" – një tingull arkaik, i thellë, që rrallë
haset në këtë formë të pazbutur në gjuhë të tjera. Ajo dëgjohet shpesh në
dukuri natyrore që për ne shqiptarët janë frymëzim, ndërsa për të tjerët mund
të jenë tinguj që "ua vrasin veshin". E megjithatë, këto tinguj e
mbajnë të gjallë një botë që flet vetë.
Këto emërvende nuk janë thjesht fjalë, janë onomatope, janë
kujtime të popullsisë së kësaj ane, të cilëve natyra ua jep tingullin si kur
bie guri, kur rrjedh uji, kur pëlcet shkëmbi...e tjera. Kështu emërvende janë emrat si Bërrrce, Vërrrbojca,
Mërrrza, Rrrasat apo edhe Shuburka, emra që këndojnë, e që dëgjohen përpara se
të lexohen.
Në lindje të Sërbicës, pranë qendrës së vendbanimit, ndodhen dy
mikrotoponime të ngulitura në kujtesën e popullsisë lokale: Bërrrce dhe Vërrrbojca. Bërrrce ka dy
degë: e Madhe dhe e Vogël – kodra me pjerrtësi të theksuar e me fundamente
argjilore dhe me një rëndësi strategjike. Në ditë me reshje, nga ato kodra
rrëshqasin gurët, dhe zhurma që krijohet – bèrrrrr – është aq zëshme dhe karakteristike, sa që vetë vendi e
mori emrin nga ajo.
Poshtë tyre, në anën verilindore, shtrihet Vërrrbojca – një prrockë që mbushet me ujë vetëm nga reshjet atmosferike.
Përbërja e saj prej zhavorri, argjile dhe dridhjes së gurëve në rrjedhë, krijon
një këngë të zvarritur natyrore – vërrr – që duket sikur emërton vetveten
nëpërmjet zërit të saj.
Në jugperëndim të Kopaçes ndodhej dikur Mërrrza, një fushë pjellore sot e mbuluar nga dhejat e basenit të
thëngjillit. Aty, në orët e vona të natës, insektet, pushimi i kafshëve dhe
qetësia e bujkut krijonin një sfond tingujsh mërrr... mërrr..., që mbeti si
kujtim dhe u bë emër.
Pak më tej, në shpatin jugperëndimor të malit të Sadiellit,
ndodhen. Rrrasat – pllaka guri të
zeza që dikur u shfrytëzuan nga banorët për ndërtim, e ku sot thuaj se nuk
ekzistojnë. Kur je afër, dëgjon një pelcëtim të lehtë, Ngjyra e zezë, nxehtësia
dhe përbërja e tyre krijojnë atë tingull të mprehtë që vetë natyra përdor për
të emërtuar vendin.
Shuburka- Është
një pasuri natyrore, ujvarë e vogël, atje te ura afër shtratit të lumit të
Sërbicës në lindje të familjes Dehare, apo rruga për në fshatin Novosellë.
Është funksionale vetëm atëhere kur uji nga Zalli I Sërbicës ndahet nga banorët
e lagjeve me lartësi më të madhe mbidetare për vaditje. Rrjedhja modeste e ujit
mbi terenin pjerrtësor dhe në kontatakt me shkëmbijtë krijon një tingull të veçantë ,,shu-shu” nga
e mori edhe emrin shu,shu-bënka respektivisht Shuburka
Toponimet që lindin nga tingujt nuk janë vetëm emra vendesh. Janë
dokumente të gjalla të lidhjes mes njeriut dhe natyrës. Në to, jeta ka lënë
gjurmë, tingulli ka lënë emër, dhe natyra ka folur me zë, thjeshtë, një copëz e
trashëgimisë sonë që duhet ruajtur, sepse edhe nëse këto emra janë të panjohur
për shumëkënd, ato këndojnë akoma – me zërin e tokës, të gurit, të ujit e të
insektit – në një gjuhë të heshtur por të fuqishme: atë të natyrës sonë.