E merkure, 30.04.2025, 02:55 PM (GMT+1)

Kerko: a

Albert Vataj: Trashëgimia e dinastisë shkodrane të fotografisë “Marubi” në UNESCO

E premte, 18.04.2025, 06:55 PM


Trashëgimia e dinastisë shkodrane të fotografisë “Marubi” në UNESCO, nga dhoma e errët, në dritën e përjetësisë së pasurisë së botës

Nga Albert Vataj - albertvataj.com

Ka çaste kur historia nuk bëhet thjesht përmes ngjarjeve, por përmes kujtesës së atyre ngjarjeve. Dhe më 2025, Shkodra, Shqipëria dhe gjithë arti fotografik shqiptar ngjiten në një prej majave më të larta të njohjes ndërkombëtare: Arkiva e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit shpallet pjesë e Memory of the World International Register nga UNESCO.

Ky akt monumental nuk është thjeshtë një vlerësim, por një shpallje e përjetësisë së një trashëgimie, një fener që ndriçon rrënjët tona kulturore dhe artin tonë të pamjes përmes syrit të objektivit.

“Fotografia është mënyra më e sinqertë për të kujtuar realitetin. Ajo s’mashtron, vetëm nëse ne zgjedhim ta shohim me sy të verbuar.” – Kel Marubi.

Shkodra, qyteti që ushqeu me frymë poetike dhe qytetare këtë dinasti fotografësh, bëhet për herë të parë një pjesë fizike dhe shpirtërore e Kujtesës së Botës. Ajo që nisi me aparatin fotografik të Pietro Marubit në mesin e shekullit XIX, u kthye në një epope kulturore me më shumë se 500 mijë negativë, të cilët nuk përfaqësojnë vetëm një arkiv pamor, por membranat e gjalla të jetës shqiptare në transformim.

Në këtë dritëshkrim të përhershëm janë përjetësuar, fytyrat e krerëve dhe prijësve, peizazhet e natyrës që mbajnë aromën e shekujve, jeta e qytetit dhe fshatit në të gjitha ritmet e saj, kostumet, festat, ritualet, dramat dhe krenaritë, është kujtesa vizive dhe dëshmia e një tradite, një kulture dhe një pasurie të jashtëzakonshme shpirtërore.

Në thelb, Marubi e ktheu fotografinë në letërsi me dritë. Ai nuk “kapi momente”, por i ngulmoi në përjetësi si në një manuskript vizual të një kombi në formësim. Në veprën e tij nuk kishte dekor, por realitet; nuk kishte vetëm figurë, por shpirt, identitet dhe substancë.

“Në çdo fytyrë ka një tregim të papërfunduar. Unë kam detyrën ta dëgjoj me dritë.”, shkruante në një nga fletët e tij Kel Marubi.

Ky trashëgim, tani i njohur botërisht, është një testament i vërtetë i vështrimit shqiptar ndaj vetvetes dhe ndaj botës.

UNESCO, përmes Memory of the World, nuk shpall arkiva për hir të dokumentimit teknik, por për vlerën e tyre historike, shpirtërore dhe universale. Marubi nuk është thjesht historia e një familjeje që përjetësoi pamjen – është historia e një kombi që mësoi të vetëshihte, të vetëdokumentonte, të ruante identitetin përmes imazhit.

Ky është një akt nderimi i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, por sidomos për Shkodrën, qytetin që nuk pranoi të mbetej thjesht një kronikë provinciale, por u bë qendër graviteti e kulturës shqiptare, qendër graviteti e kujtesës.

Në këtë vend që ende përpiqet të ruajë të shkuarën nga harresa, shpallja e Arkivës Marubi si trashëgimi botërore është një akt edukimi kombëtar, një kthesë ku vetë kultura fillon të gjejë rrugën drejt përjetësisë përmes kujdesit institucional dhe ndërgjegjes qytetare.

Ministri Blendi Gonxhja, në fjalën e tij, përmendi me ndjenjë:

“Ky nuk është thjesht një vlerësim i kontributit të Marubëve… por një vlerësim i jashtëzakonshëm për Shkodrën, qytetin që i dha jetë artit, kulturës dhe kujtesës së një kombi.”

Në një kohë kur imazhet janë të përkohshme dhe kujtesa rrezikon të tretet nga shpejtësia e konsumit, Marubi vjen si një mësim i heshtur për qëndrueshmërinë, për përkushtimin, për atë përpjekje gati monastike për të ruajtur gjithçka që përfaqëson jetën.

Ky lajm duhet të shërbejë si nxitje për:

Të promovuar më tej veprën e Marubëve në ekspozita ndërkombëtare;

Të digitalizuar arkivën në mënyrë të plotë dhe edukative;

Të krijuar programe arsimore që mësojnë të rinjtë për fuqinë e kujtesës përmes fotografisë.

Ky çmim nuk është për një familje, një qytet apo një art të harruar – është për një popull që dëshmon për veten. Në përvijimin e trashëgimisë shqiptare, Marubi zë jo vetëm vendin e nderit, por vendin e përkatësisë universale, sepse ajo çka ai ka fiksuar në qeliza argjendi është njeriu shqiptar, me të gjitha bukuritë, dhimbjet dhe dritën e tij.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Ferid Kola, zashmëria shkodrane e shpirtit krijues, mirësia si shëmbëllim vlerash përfaqësuese Albert Vataj: Simone de Beauvoir, gruaja që i’u imponua botës me modelin e triumfueses Albert Vataj: Historia e një fotoje dhe e vërteta e Kajë Gale - Selmanja, malësores që u shndërrua në legjendë Albert Vataj: Helen Dukas, jo vetëm sekretarja e Ajnshtajnit Albert Vataj: Paja Jovanoviç, një piktor serbo-kroat që skaliti me mjeshtërinë e ngjyrës karakteristikat e shqiptarëve Albert Vataj: Foto nga një foto Albert Vataj: Mirënjohja emblematike në botën e kafshëve, dhe një mesazh për marrëdhëniet e njerëzve Albert Vataj: Kartolina, dritarja e parë drejt bukurisë së gruas dhe veshjes shqiptare Albert Vataj: Fjalimi i Bill Klinton, drejtuar kombit amerikan për sulmin ndaj Jugosllavisë më 24 mars 1999 Albert Vataj: Gëzim Murajza, poeti n’kapërcyellin e shpërfaqjes së një shpirti krijues Albert Vataj: Vjosa Osmani jep përqafimin e mirënjohjes historike të shqiptarëve ndaj Amerikës Albert Vataj: Sabina Chebichi, një talent i atletikës, që nisi këmbëzbathur rrugën drejt legjendës Albert Vataj: Koloseu, ky gur i çmuar në gjeradanin e memories së qytetërimit Albert Vataj: Agatha Christie, rrugëtimi i vështirë një gruaje për t'u bërë novelistja më e njohur në histori Albert Vataj: Marie Tuci, dëshmia më unike e qëndresës së shpirtit të gruas ballë mizorive komuniste Albert Vataj: Sot, në përvjetorin e vdekjes së Martin Camajt Albert Vataj: Letra e Nënë Terezës drejtuar grave në Konferencën IV Botërore të gruas në Pekin Albert Vataj: Pse 8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas? Albert Vataj: Urim për Mësuesit Albert Vataj: Zef Serembe, poeti arbëresh i dramës ekzistenciale

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx