Mendime
Idriz Zeqiraj: Masakra e Studenicës vazhdë e krimeve makabre serbe
E hene, 14.04.2025, 06:59 PM
Lapidari
kushtuar viktimave të Masakrës të Studenicës
MASAKRA
E STUDENICËS VAZHDË E KRIMEVE MAKABRE SERBE
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Edhe
pse ka kaluar tej një çerek shekulli, nga masakra e 13 prillit të vitit 1999,
zemrat e familjarëve të viktimave mbetën fort të lënduara. Atë ditë të kobshme
prilli, soldateska serbo-sllave masakroi dhe i hodhi kufomat e viktimave në një
pus (bunar) të thellë, duke hedhur një masë gurësh sipër, për të mbuluar
gjurmët e krimit makabër. Ai pus u bë varri i përbashkët i dy brezave, të
moshuar dhe rinorë: bacë Sali Sokol Zeqiraj, Nezir Lipaj, të gjysheve dhe
nënave: Sala Lipaj, Hajrije Lipaj, Fatime Lipaj, Sabrije Lipaj dhe rinoret
Qëndresë Lipaj, Njomzë Lipaj, Mirdonë Lipaj dhe Lindihanë Lipaj, të gjitha
nxënëse!
Ishte
kjo Masakra e Studenicës, ku ishte vendosur edhe SHTAB-i i UÇK-së për komunën e
Istogut, njëra nga 420 masakrat e bëra anekënd Kosovës, përgjatë luftës aktive
16 mujore të Kosovës.
Poeti
i mirënjohur kavajas, Hasan Korbi, autor i një duzinë labrash, Masakrës të
Studenicës, ia ka kushtuar librin "Prilli kurrë nuk vdesë", për
viktimat të pafajshme, të Familjes Lipaj dhe Zeqiraj, duke e shprehur dhimbjen
tragjike, që nga gjyshi e deri ke nxënëset:
"U tund fort
Studenica,
Trupi i Atdheut mbushur
me mornica.
Gjyshi Saliu me deje
trimërie,
Bashkë me ju në vite
pleqërie,
Studenicë sa emër të
dhanë martirët,
Shkollës Vrellë i bënë
historinë,
Heshtën bangat në
lëndinë,
Dhjetë jetët rënë
nënshkruan lirinë".
Është
një dhimbje, që therë si heshtë zemrën e vëllait për të motrën, "trëndafil i këputur" në lulën e
rinisë:
"Vij tek ty
Qendresa ime, me mall se 26 vitet ikën, ikën,
Dhimbjen lanë gjurmë në
zemër të vëllait,
Vij tek ty motër e
shpirti fort me liget,,
Trëndafil këputur ike
ti, pa hapur petalet".
Penda
e poetit shpërfaqë trishtim e dhimbje të skajshme:
"S`të kam harruar
jo, Njomëza ime,
Petalet gjysmë të
hapura,
Jetën tënde të pa
filluar,
Kafshoi serbi gjakatar.
Njomzë ti, e pa koritur,
Motërzo ti
martire".
Në
renditjen e radhës vargjet rrjedhin për rinoren Mirdonë:
"Aty tretën ëndrrat
e tua të bukura vajzërore,
Tretet një histori e një
lastari femëror,
E ndjej aromën tënde
motër, kur prek dheun e varrit,
E ndjej aromën tënde të
urrejtjes kur ndjej erën e gjakut".
E
reja Lindihanë frymëzim i pendës të autorit Korbi:
"Librat po shkruhen
me penën e lyer me gjak, sa madhështi,
Sfidave jetën për plagë
të dhimbjes, martirja fëmijë,
E mbetur ndër vite e
dekada një lule lëndine,
Vijmë gjithnjë me mall e
marrim aromën tënde".
Autori
Hasan Korbi i përjetëson në vargje edhe nënat krenare dhe viktima - njëherësh:
"Sa herë që nisë
pranvera udhën e saj,
Vijmë tek ty nanë e të
puthim në ballë,
Lotët e nxehtë të syrit
motra t`i fshijnë,
Rrudhat e ballit flasin
heshtur pa fjalë".
Me
gjithë përballjen e guximshme dhe rënies së lavdishme të dëshmorëve, Kosova u
mund në fushë-betejë, sepse raporti i forcave ndërluftuese ishte, fatalisht, i
pabarabartë. Në luftën e Kosovës kishte luftëtarë trima, pa përrallëzuar me
legjendarë dhe epopera të paqena. Sepse një luftë-epope, siç e përcakton
fjalori historik, nënkupton përmasën e gjakut, në mos deri në zog të këmbës, të
paktën, një opingë po, nga të dy palët ndërluftuese, gjë që në Kosovë kjo nuk
ka ndodhur përgjatë luftës së fundit.
Përkundrazi,
janë shënuar 420 masakra, dhe përgjakja masive të mijëra viktimave shqiptare,
nuk është shpaguar as për së afërmi. Dhe, pikërisht, për plojën makabre të
viktimave të pambrojtura, ka dërguar Apaçet e NATO-paktit, kundër soldateskës
serbo-sllave.
Përfundimisht,
ndërhyrja humanitare e botës demokratike ndërkombëtare, përzuri nga Kosova jonë
ushtrinë pushtuese serbo-sllave, duke e çliruar Kosovën më 12 qershor 1999. Të
gjitha datimet tjera, kinse, çliruese, të para dhe pas kësaj date, janë
fiktive, super të rrejshme.
Populli
i Kosovës dhe shqiptarët e përbotshëm, do t`i nderojmë përjetësisht bijat dhe
bijtë luftëtarë të lirisë, dëshmorët e rënë në fushë-betejë dhe mijërat viktima
të vrara, ngeshëm e me sadizëm unik, në përmbyllje të shekullit të shkuar.
Lavdi
dhe nderim të thellë, për të gjithë të amshuarit, dhunshëm e përgjakshëm,
përgjatë dhe pas luftës së fundit, në Kosovën tonë të përgjakur nga pushtuesit
dhe argatët e tyre shqip-folës.
Në kujtesën tonë individuale dhe kolektive, do të mbesin përjetësisht dëshmorët dhe viktimat e terrorit të armikut pushtues dhe të veglave të tyre, të etur për pushtet dhe pasuri, me ekzekutimet kriminale të kundërshtarëve politikë, duke ia shtuar Kosovës jetimët edhe në liri! E tmerrshme, deri në skajmëri!