Mendime
Bedri Tahiri: Heroizmi i nënës Salë Jashari
E hene, 10.03.2025, 07:55 PM
HEROIZMI I NËNËS SALË JASHARI
Historia
e një fotografie
Nga
Bedri Tahiri
Dita
e 10 marsit 1998 agoi e ftohtë akull. Fërfëlliza me borë të grinte si me
shpatë. Acar në natyrë, acar në zemrat e njerëzve. Pas disa ditësh bllokimi,
filloi depërtimi i njerëzve në skenat e një teatri monstruoz, në lagjen Jashari
në Prekaz, ku qe zhvilluar një nga tragjeditë më të mëdha të kombit shqiptar.
Lajmi
se do të varrosen të pavdekshmit dhe të terrorizuarit e pafajshëm, mori dhënë
si vetëtima. Sërish ndrojtje e frikë nga snajperistët e pabesë, që vëzhgonin
përmes shënjestrash. Por respektimi dhe nderimi i të vdekurve ishin kult
adhurimi në traditën tonë. Ndaj, lumenjtë e njerëzve rrodhën drejt Jasharëve.
Po
ç’të shihje, o Zot? Kudo shkrumb e hi. Flaka s’kishte kursyer asgjë. Vetëm
oxhaqet blozënxira qëndronin në këmbë, duke sfiduar mynxyrën makabre. S
‘frymonte gjë e gjallë. Edhe pse kishte rënë shi e borë, ende aty-këtu
pipëtinte tym i zi. Një viç i porsalindur e thithte t ‘ëmën e pashpirt.
Shtëpitë gërmadha të kallnin datën, e të ngjethnin mishtë. Misri, mielli,
fasulja, bulmeti e gjëra të tjera ushqimore ishin shtypur me tank zinxhiror.
Pamje tmerruese, që lapsi nuk i përshkruan dot...
-O
burra, unë them që t’i varrosim të gjithë tok, matanë lumit, në Livadhin e
Pajtimit,- foli dikush me zë të lartë.
-Ta
pyesim edhe vajzën e Shabanit, - ia priti dikush tjetër.
-Ku
të doni, ore vëllazen,- tha ajo. Këta nuk janë vetëm të mitë, janë të të
gjithëve, janë të Kosovës, janë të Shqipërisë. Por, edhe unë pajtohem që të
varrosen këtu ku qe bërë pajtimi kombëtar e ku pati folur edhe babai, ndjesë
pastë.
Dhe,
ashtu u vendos. Kodra bleroshe nxinte nga dheu i zi, i baltosur që avullonte
qetas. Të gjithë punonin me gjithë shpirt. Përballë ujqërit sodisnin me syrin
në shënjestër e duke kërcënuar që kjo të bëhej sa më shpejt…
Shtëpia
e Hamit Jasharit sërish e rrethuar. Hienat po nuhasin diç nëpër rrënojat e saj.
Ne morëm andej që të shuanim kureshtjen. Sakaq u gjet një kufomë gruaje me kokë
të përgjysmuar. Ishte Salë Jashari, Tringa e Prekazit, që kishte qëndruar si
heroinë e motit. Më tutje edhe një kriminel serb me ballin e qëndisur prej
plumbave të saj.
-O
Shën Savë, ky është i vrari ynë i tetëdhjetë e tetë,- thanë cerberët në të
mërmëritur, duke bërë kryq e duke urdhëruar që trupin e Salës ta hiqnim nga
aty.
Dhe,
nga kolona jonë që vëzhgonim atë llahtari, katër-pesë veta, që qëlluan më afër,
morën një derë të shkallmuar dhe në të e vendosen Nënën Salë, të cilën e
dërguan në një shtëpi afër varreve të hapura, më duket ishte shtëpia e Sefer
Jasharit. Aty pranë nesh edhe gazetari vushtrrias, Shefki Popova, i cili
shkrepi aparatin e tij dhe kjo foto u botua të nesërmen në “Bujku”.
Në
mesin e atyre që e bartën (dy të parët në foto) ishin: Remzi Tahiri nga Galica
(vëllai im) dhe Basri Halimi nga Prekazi i Epërm, e prapa tyre Muhamet Shabani
nga Galica e shumë të tjerë që ndërroheshin e nuk i kam njohur (kam dëshirë që
të lajmërohen ata që njohin ndonjërin prej tyre).
Sa
pamje të rënda. Gazetarja e RAI-t, Elizabet, rrëzohet përtokë. Alivanoset e
tmerruar. Një kove uji nga pusi e sjell në vete. Skena të tilla njeriu normal
s’mund t’i marrë me mend...
Lavdi për jetë e mot Nënës Salë Jashari dhe të gjithë të rënëve për LIRI!