Mendime
Albert Zholi: Gëzim Tushi - Çdo fushatë zgjedhore është së pari luftë për pushtet
E hene, 10.03.2025, 07:53 PM
Flet "Mjeshtri i Madh" Gëzim Tushi: Çdo fushatë zgjedhore përtej çdo përkufizimi ideologjik, është së pari luftë për pushtet
Në
këto zgjedhje, do shohim fushatë biopolitike apo "kryqëzim
shpatash"?!
-
Pushteti është parimi përkufizues i politikës, mjeti për menaxhimin e
strukturës ekonomike e shoqërore.
-
Tërë historia e politikës shqiptare në këto tre dekada e gjysëm, ka qënë fare
pak e dominuar nga komunikimet politike normale.
-
Koha ka treguar se politika shqiptare 35-vjeçare ka qenë radikale, si
"luftë muskujsh" për pushtet.
-
Është shprehje e kulturës së dobët, fakti që politikanët akoma nuk
kuptojnë se në fushatën elektorale nuk
është vetëm konflikti që i jep substancë dialogut.
-
Qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e 11 majit, nuk janë të interesuar për të parë
përsëri një teatër politik të neveritshëm, me skena të padurueshme.
-
Deri tani pragfushata nuk duket se do të ketë ndonjë risi, në raport me ato
tradicionale pararendëse.
-
Shenjat deri tani nuk janë të mira, sepse që tani kanë filluar të shfaqen
dukuri banale dhe realitete sociale me shqetësim permanent.
-
Një gjë është e sigurt, politika është mirë të shikojë problemet endemike
brenda saj, të cilat do reflektohen në rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit
Intervistoi;
Albert Z. ZHOLI
Është e vërtetë universale: çdo fushatë zgjedhore përtej çdo
përkufizimi ideologjik, është së pari luftë për pushtet. Pikërisht për këtë
arsye sikurse thonë politologët, "pushteti është parimi përkufizues i
politikës, mjeti për menaxhimin e strukturës ekonomike e shoqërore". Në
këtë kontekst, duke vlerësuar sociologjikisht situatën prag zgjedhore, në
mënyrë evidente duken shenjat, se kjo garë elektorale midis partive politike,
sidomos midis partive "klasike", të njohura për rivalitetin e fortë,
intransigjencën dhe "dialogun e sertë, inkandeshent", për shkak të
kontradiktave tradicionalisht të thella, qëndrimeve reciprokisht të
papajtueshme, do të jetë me ballafaqime të ashpra, me tone komunikative të
acarruara. Kjo fenomenologji e shfaqur këto ditë në prag fushatës nuk është e
paparashikuar sociologjikisht. Përkundrazi është patologji e njohur e jetës
politike, tradicionalisht gjëndje e zakonshme. Nuk është e re, e befasishme apo
e paparashikuar.
-Po
afrohen zgjedhjet e 11 Majit dhe shohim se gjuha e partive politike po
ashpërsohet. Si do ta përkufizoje historinë e politikës shqiptare në këto 35
vite ?
Tërë historia e politikës
shqiptare në këto tre dekada e gjysëm, ka qënë fare pak e dominuar nga
komunikimet politike normale, por pse jo edhe nga konsensusi racional, kur
nevojitet për interesa të zhvillimit të ekonomisë dhe progresit europian të
vendit. Për fat të keq, kultura antinomike e komunikimit, më shumë ka qënë e
orientuar nga trajta e "politikave të pengimit" reciprok. Kërkesa e
natyrshme për një fushatë të fortë por konstruktive, transparente,
mbushamendëse është një pritshmëri sociale, të cilën shqiptarët, të paktën deri
tani nuk kanë patur rastin ta jetojnë dhe përjetojnë, si komponent me rëndësi
dhe shenjë të pjekurisë europiane të aktorëve të politikës sonë, si shprehje
elokuente e nivelit në ngritje të kulturës demokratike. Nuk është fjala për
konsensus mekanik për gjithçka e për çdo gjë, por për gjëra që janë të
rëndësishme dhe që përbëjnë interesa madhore kombëtare, vlera e të cilave është
mbi interesat e ngushta partikulare të partive apo të politikës së ditës. Koha
ka treguar se politika radikale, dikotomike, fare pak konsensuese ka sjellë
tipologjinë konstante të politikës konfliktuale si qëllim në vetvete, apo
thjesht si "luftë muskujsh" për pushtet. Kjo sindromë e vjetër e
politikës shqiptare, që shfaqet në mënyrë brutale dhe pa normat standarte të
etikës dhe komunikimit politik sidomos në kohë fushatash sikurse, ndodhemi në
këto momente. Një sëmundje që këto ditë ka filluar ta "infektojë"
retorikën, duke e gjymtuar gjuhën politike, me fyerje dhe akuza të shëmtuara
reciproke. Kjo tipologji arkaike si konstante politike, e larguar krejt nga
nevojat utilitare, ka bërë me sa duket që politika edhe në këto zgjedhje do të
jetë e ashpër, konfliktuale. Problemi është se kjo mënyrë e të bërit politikë,
po dëmton imazhin e brendshëm të politikës si strukturë, duke e reduktuar atë
në "kryqëzim shpatash" midis tyre. E cila sikurse ka ndodhur
gjithnjë, edhe tani ka rrezik të transplatohet dhe transferuar në konflikte
sociale në shoqëri. Nuk është e re dhe as e panjohur, ka kohë që politika jonë
profesioniste është bërë banale, e shoqëruar nga debate irracionale dhe dialog
politik, sidomos parlamentar, që më shumë se debat substacial dhe politikë
biofilike, është katandisur në luftë me akuza, shpifje ndërtuar me slogane të
vjetra, primitive.
-Si e
parashikon fushatën për zgjedhjet e 11 majit? Çfarë fushate duket deri tashmë?
Politika në fushatë
natyrshëm duke qënë kompeticion elektoral do jetë e fortë, por qytetarët në
këto muaj deri në 11 Maj, nuk presin vetëm konflikt bilateral si "kryqëzim
shpatash" apo si qëllim në vetvete, as negacion si qëndrim nihilist për
gjithçka. Është shprehje e kulturës së dobët, fakti që politikanët akoma nuk
kuptojnë (apo më sakt nuk ju intereson të kuptojnë", se në fushatën
elektorale nuk është vetëm konflikti që i jep substancë dialogut në raportet
pozitë-opozitë. Sa herë që bëj sondazhe verbale, apo vlerësoj sociologjikisht
reflektimet në vëzhgimet mediatike të opinionit të qytetarëve, fare kollaj
duket që ata janë mërzitur me këtë politikë, ontologjikisht konfliktuale
dhe me tone të vrazhdëta armiqësore. U bënë tre dekada e gjysëm, që për fat të
keq shqiptarët përballen me këtë lloj "teatri politik absurd", që
vazhdimisht dhe si qëllim në vetvete dhe për synime të spektakolaritetit dhe
atraksionit elektoral, është realizuar vetëm me "kryqëzim shpatash".
Politika shqiptare gjithnjë ka qënë e polarizuar in extremis, një patologji që
ushqen herë një lloj "injorance" elektorale dhe herë të tjera,
shoqërimin e saj me demagogji sociale.
-Të vijmë
tek qytetarët që do votojnë. Çfarë duan qytetarët nga politika në këtë fushatë?
Qytetarët shqiptarë në
zgjedhjet e 11 Majit, nuk janë të interesuar për të parë përsëri një teatër
politik të neveritshëm, me skena të padurueshme, të luajtura keq nga
"aktorët" politikë, të inskenuara në mënyrë butaforike, për efekte të
jashtme mediokre nga "regjisorët" e njohur, apo si mjet për të
siguruar votat e fitores. Ajo që duan qytetarët është krejt tjetër, nga ajo që
mendon dhe bën politika. Ata duan një debat politik biofilik, i cili duhet
përqëndruar në gatishmërinë e pozitës dhe opozitës, për të shpalosur strategji,
politika, plane veprimi, premtime të dobishme, realiste, të realizueshme për të
forcuar jo individë e interesa të shtresave të kufizuara, por për të forcuar të
mirën publike, që është e dobishme për të gjithë dhe që mund të votohen nga
qytetarët. Personalisht mendoj se nuk është tregues i sigurt superioriteti apo
shenjë e epërsisë elektorale, zhvillimi i një fushate vetëm konfliktuale si
qëllim në vetvete apo si "mjet përdorimi" me synime pragmatiste e
makiaveliste. Ca më keq me një "audiencë fjalësh", herë kaotike e të
pakuptueshme e herë banale, që nuk dëgjohen, nuk vlerësohen nga publiku.
Politika duhet ta kuptojë dhe të ndërgjegjësohet se qytetarët, niveli i tyre
kulturor dhe civil ka pësuar progres, ndoshta më të shpejtë se klasa politike.
Ata nuk kanë nevojë për fushatë boshe apo për spektakle politike të bëra me
"kryqëzim shpatash". Ata presin tjetër gjë dhe prandaj, janë në
momente të një "vigjilence sociale", të intonuar për të gjykuar dhe
vlerësuar narrativat dhe diskurse të vërteta, substanciale gjatë fushatës. Në
këtë kontekst, nuk është koherente dhe rezultative propaganda elektorale e bërë
si qëllim në vetvete, pa marrë në konsideratë strukturën sociale,
"nevojat boshtore" ekonomike e sociale të shoqërisë, të cilat
patjetër që janë të lidhura dhe determinante për rezultatin e pritshëm zgjedhor.
-Jemi në
pragfushate apo në hapat e parë. Ke vënë re ndonjë risi apo do të ketë ndonjë
risi kjo fushatë?
Deri tani pragfushata nuk duket se do të ketë ndonjë risi, në
raport me ato tradicionale pararendëse. Shenjat deri tani nuk janë të mira,
sepse që tani kanë filluar të shfaqen dukuri banale dhe realitete sociale me
shqetësim permanent, të shprehura në shfaqjen e dukurisë së kondensimit të
pasioneve politike kundërshtare, në grindje personale, urrejtjeje politike
reciproke pa mbarim. Herë në formë të përgjithshme grupore e shumë herë në
trajta individuale, të margjinalizuara midis politikanëve nominalisht. E
maskuar kjo pas sintagmës se debati, konfliktualiteti në një shoqëri
demokratike janë pjesë e natyrshme e lojës politike. Kjo është arsyeja, pse
edhe në këto ditë kur duhej sa më shumë politikë konstruktive dhe zgjidhje
konsensuale për problematikat zgjedhore, në Parlament është zhvilluar më shumë
retorikë politike, e përkthyer në modulet e njohura të "fajësimit
reciprok" midis pozitës dhe opozitës. Më duket se nuk do i largohet
politika stereotipit të vjetër dikotomik, as në këtë betejë elektorale të 11
Majit. Kjo do të thotë se më shumë se luftë politike konstruktive, ndërtuese,
me argumenta alternativë, do kemi një luftë politike të shoqëruar me beteja
statike llogoresh të kundërta, që nuk kanë vlerë. Është bërë e neveritshme
politika dhe statura e disa politikanëve në fushatë, duke e reduktuar atë
thjesht në betejë akuzash empirike, pa patur asnjë bazament teorik që i dallon
programet, alternativat, zgjidhjet. Koha dhe niveli i elektoratit nuk kërkon
fushatë bazuar në empirizëm banal, por dëshiron të njohë alternativat
konkuruese, pse jo edhe raportet e kundërta të bazës së teorisë politike, të
majtë apo të djathtë.
Edhe diçka tjetër. Kjo
fushatë herë pas here shfaq nuanca populizmi, sidomos në sulmin e partive të
reja ndaj "kastës së vjetër" të politikanëve tradicionalë. Pa mohuar
vlerën e kritikës së tyre, për të gjithë mëkatet dhe përgjegjësitë e klasës
politike të dy krahëve, unë besoj se edhe manikeizmi mekanik elektoral, kthyer
si betejë midis "popullit të pastër" dhe "klasës politike të
korruptuar", apo dëshira për të asgjësuar tërë estabilishmentin politik
aktual në emër të politikanëve të rinj, nuk është normale. Besoj se ky
"kalë beteje" i partive të reja, ka vlerë kur artikulohet drejt, me
vend, me sens mase. Ndryshe ky manikeizëm politik mund të kthehet në bumerang
për to. Por edhe e kundërta e këtij qëndrimi nga politikanët tradicionalë, që
kanë filluar "sulmin" dhe ankohen për influencat e reja politike,
duke qënë të shqetësuar për mundësinë e fluktuacioneve të natyrshme
elektorale të qytetarëve nuk është normale për këtë fazë të nevojave të
ngushtshme të përmirësimit të "skemës bipolar" të pluralizmit
politik. Herë e thonë direkt, me zë të lartë e herë nën "surdinë",
duke synuar të mos bërë "autogol elektoral".
-Çfarë
sheh të sigurtë në këtë fushatë dhe në këto zgjedhje?
Një gjë është e sigurt,
politika është mirë të shikojë problemet endemike brenda saj, të cilat do
reflektohen në rezultatet e zgjedhjeve të 11 Majit. Elektorati ky është. Me atë
do "gatuhen" zgjedhjet. Këtu është me vend të sjellim
"shakanë" politike të Brehtit, sipas të cilit "...elitat
politke, të pakënaqura me popullin e tyre, e kishin zgjidhur problemin duke e
shpërndarë atë dhe duke caktuar një tjetër për ta zëvendësuar". Douglas Murray, "Vetëvrasja e
Europës", f. 334. Dhe për ta mbyllur, disa gjëra edhe për gjuhën
politike, johumanitetin, kulturën e përdorimit të saj si "kryqëzim verbal
shpatash" gjatë fushatës elektorale. Problemi i gjuhës politike nuk është
thjesht problem kulturor apo puritanizëm lingustik. Fjalët banale, të kota, pa
bukë politike e substancë kulturore, nuk kanë vlerë, nëse ajo nuk bazohet dhe
mbështet në argument dhe obligimin e natyrshëm për ta vënë kundërshtarin
politik në "pozitë të vështirë". Sa herë dëgjoj ligjërime të
cunguara, të shoqëruara me argumente të përcipta, "artikulime sakate"
nga disa politikanë të vjetër e të rinj, të "kalçifikuar" apo
"rishtarë", që synojnë karrierë politike profesioniste, duket se nuk
kanë kuptuar atë që është alfa e çështjes: politika është diçka shumë serioze,
jo "teatër ordiner" apo "lojë aktoreske" e diktuar nga
"regjizorët", por pa aftësitë e duhura personale për ta luajtur atë.