Kerko: a
Edison Ypi: Maratonomaku Rinush Idrizi
E premte, 07.03.2025, 07:55 PM
Maratonomaku
Rinush Idrizi
Nga
Edison Ypi
Mësuesi
i Letërsisë, Rinush Idrizi, hynte në klasë furishëm, me frymëmarrje të
shpejtuar, si dikush që vjen nga larg për të sjellë një haber të mirë, si
marotonomak, që haberin e mirë do ta sjelli gjallë a vdekur, dhe dilte nga
klasa si Sizif, i palumtur që shkëmbin e rëndë sa herë e ngrinte lart aq herë i
rrokullisej posht.
Rinush
Idrizin klasa e dëgjonte e nemitur.
Arratisjet
letrare të Rinush Idrizit përmes kërcimesh pindarike nga detajet më të imta të
prozës e poezisë së zgjedhur shqiptare dhe botërore, te bëmat e perëndive të
Olimpit ishin mahnitëse.
Rinushi
e niste me Nolin, e përfundonte me Danten. Fliste për Ndre Mjedën, dilte te
Shekspiri. I bënte me aq shkathtësi, aq natyrshëm, aq butë e bukur këto
kërcime, sa duke udhëtuar nëpër Letërsi na dukej sikur udhëtonim nëpër botë,
madje edhe nëpër kohë.
Rinush
Idrizi ishte një lloj magjistari që klasën e bënte të binte në jerm, në delir,
në ekstazë.
Rinush
Idrizi nuk zbatonte program mësimor nga Drejtoria, Ministria, Akademia, etj.
Leksionet
e Rinushit ishin një çakërrdisje e këndëshme e pangjajshme me asgjë pedagogjike
zyrtare, konvencionale.
Komitetet,
mbledhjet, hovin proletar, klasën puntore, punën vullnetare, Rinush Idrizi nuk
i përfillte.
Rinushi
na e çorrodiste mendjen me herezira.
Sipas
Rinushit, ata që thonë se Poeti i shkruan vargjet në momente frymëzimi,
gënjejnë.
Sipas
Rinushit, vargjet që lexohen ose recitohen me një frymë gjatë pak minutave,
janë dashur vite të shkruhen. Poeti dhe shkrimtari janë njerëz me ndjeshmëri të
lartë që nuk frymëzohen në çastet e të shkruarit, por gjatë një kohe të gjatë,
Poeti është supernjeri që lodhet shumë.
Rinushi
theksonte efektin që të shkruarit artistik ushtron mbi jetën e lexuesit. Sipas
tij, brenda këtij efekti, misteri i të cilit kurrë nuk do të zbulohet, ndryhet
sekreti i të shkruarit bukur.
Është
gjëja më absurde, thoshte Rinushi me nervozizëm, ta komentosh një tekst duke e
paragjykuar si analog, pra duke thënë se "me këtë ka dashur të thotë këtë,
me këtë tjetrën atë tjetrën, e kështu me rradhë".
Një
ditë Rinushi na rrëfeu se si në një universitet diku në Europë, pritej të vinte
një Profesor i famshëm që do komentonte një fragment nga Komedia Hyjnore.
Studentat mbushën Aulën. U bënë gati të merrnin shënime. Mprehën lapsat.
Përgatitën blloqet. Ra një heshtje sa dëgjoheshin frymëmarrjet. Profesori
erdhi. Me vete kishte Komedinë Hyjnore. Hodhi një sy rretheqark. Priti pak
çaste. E përplasi Komedinë Hyjnore mbi tavolinë. Tha me zë të lartë; Nuk mund
të komentohet ! Dhe iku.
I
kam të gjalla hyrjet e daljet e Rinush Idrizit nëpër vargjet e De Radës,
Mjedës, Serembes, si minatori brenda labirinteve nëntokësore të minierave të
floririt.
Rinushi
thoshte se autorët e vërtetë pasi e mbarojnë një vepër, i thonë turmës; U lodha
sa e mbarova. Deri tani ishte e imja. Prej tash është e juaja. Merreni.
Lexojeni. Griseni. Bëni ç'të doni.
Tregonte
pafund për madhështinë e Heminguejt. Veçanërisht për "Plaku dhe Deti"
përkthyer nga Ismail Kadare. Aq të mahnitëshme i bënte komentet, sa e gjithë
klasa, "Plaku dhe Deti" e mësuan pothuajse përmendësh.
Rinushi
thoshte se Poet të vërtetë kemi vetëm 1, Lasgush Poradecin. Të tjerët janë
profetë të rremë.
Kur
fliste për Prometeun dridhej sikur ta kishin lidhur atë vetë pas një shtylle
dhe i kishin vënë zjarrin.
Një
ditë Maratonomaku u fut vrullshëm në klasë me dëngun e fletoreve të hartimeve
të korigjuara. E përplasi dëngun mbi tavolinë pakashumë si profesori me mjekërr
Komedinë Hyjnore. Ngriti përpjetë duke e tundur njërën nga fletoret. Tha; Ky di
të shkruaj ! dhe shqiptoi emrin dhe mbiemrin e të nënëshkruarit.
Kaluan
vite. Unë që për gazetën Drita, revistën Nëntori, Zërin e Popullit, gazetën
Puna, dija vetëm se ekzistonin, nuk e mora vesh kurrë ku e internuan dhe si i
vajti filli. Më thanë se nga kjo jetë iku para kohe. S'mund të ndodhte ndryshe
me një Maratonomak si Rinush Idrizi.