Kerko: a
Florim Zeqa: "Rruga e Re" e dërgoi në theqafje LDK-në!
E merkure, 19.02.2025, 07:53 PM
"Rruga e Re" e dërgoi në theqafje LDK-në!
Dorëheqje kolektive e
drejtuesve partiakë
Nga zgjedhjet e vitit 2007 e deri më sot LDK-ja
i ka humbur shtatë palë zgjedhje rresht në zgjedhjet parlamentare, ka pësuar
humbjen më të thellë në vitin 2021, por kjo e fundit ështe më skandalozja në
historikun e saj!
Shkruan:
Florim Zeqa
Partia humbëse e të gjitha komunave në
zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk i bën nder asnjë lloj koalicioni
paszgjedhor për themelimin e qeverisë së re!
Edhe pse e renditur e treta, pa asnjë
Komunë të fituar, LDK nuk e meriton të jetë në qeverisjen e vendit!
Drejtuesit e këtij subjekti politik duhet
të respektojne verdiktin e popullit dhe të reflektojnë me dorëheqje para
elektoratit për imazhin e dëmtuar të LDK-së shtetformuese.
Çdo
tendencë për të kamufluar humbjen totale me ngritje të lehtë dhe parciale
(personale) do t'i kushtoj LDK-së me humbje akoma më të thellë në zgjedhjet
lokale të vjeshtës së këtij viti.
Elektorati Rugovian i LDK-së e ndeshkojë
rëndë me mos votim "Rrugen e Re" të klanit Riinvest, duke i bërë të
qartë kryetarit aktual dhe atij paraprak se nuk ka "Rrugë të Re" dhe
as "Lidhje të Re" për LDK-në perpos asaj Rugoviane.
Mospërmbushja e premtimit elektoral e
kryetarit Abdixhiku për fitore dhe vetëm fitore në zgjedhje dhe për qeverisje
të LDK-së, duhet të pasohet me aktin moral të dorëheqjes, në të kundërtën, me
asgjë nuk lahet turpi dhe dëmi i shkaktuar ndaj elektoratit rugovian, i cili që
nga shkuarja në amshim e liderit historik (Ibrahim Rugova) nuk e ka shijuar
asnjëherë kënaqësinë e fitores në zgjedhjet nacionale.
LDK duhet t'i harrojë koalicionet me
pushtetin dhe me opozitën, duhet t'i kthehet vetëvetes dhe të korrigjoj gabimet
serike të dy dekadave të kaluara dhe të gjejë rrugën e duhur për ringritjen e
madhe çfarë e dëshiron elektoratit pasiv, i pakënaqur me udhëheqjen e LDK-së post-rugoviane.
Sikurse në zgjedhjet e vitit 2021, edhe
në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 pati rrjedhje të votave nga "kazani" i
LDK-së në drejtim të LVV-së. Nga kush dhe si ndodhen rrjedhjet, u mbetet
drejtuesve të LDK-së që t'i riparojne rrjedhjet e brendshme nga të 'famshmit' e
partisë!
Deri në rezultatin përfundimtar të
zgjedhjeve nuk do të lëshohem në analizë më të detajuar të shkaqeve të humbjes
së LDK-së. Mirëpo, kjo nuk është pengesë për drejtuesit partiak që të
reflektojnë në menyrë imediate me dorëheqje kolektive.