Mendime
Enver Bytyçi: Pyetje për z. Borrell dhe z. Lajçak
E hene, 14.08.2023, 05:57 PM
Pyetje për z. Borrell dhe z. Lajçak: Kush krijon precedent për secesion, pavarësia e Kosovës apo ndarja e saj?!
Nga
Enver Bytyçi
Nëse
vëmë re qëndrimin e Borrell, Lajçak e të tjerë të interesuar e angazhuar në
dialogun Kosovë-Serbi, duket qartë se këta duan një zgjidhje konflikti në favor
të Serbisë. Duan ta kafshojnë Kosovën, mundësisht në territor. Por së paku me
anën e një asociacioni që në veri të vendit shpall si mbret Radojçiqin, njeriun
më të dashur të Aleksandër Vuçiq në këtë pjesë të vendit.
Duke
konstatuar këtë fakt, më duhet të them se mos-njohja e pavarësisë së Kosovës
nga ana e Spanjës, Sllovakisë dhe tri vendeve të tjera nuk vjen për shkak të
precedentit të separatizmit në këto vende, siç ato pretendojnë. Vjen për shkaqe
historike dhe aleancash pro-serbe e për pasojë edhe pro-ruse. Vjen, sepse
rrënjët e propagandës dhe të aferave tjera me diplomatët e politikanët e këtyre
vendeve janë të thella. Vjen, sepse Franca është pas tyre. Vjen edhe për shkak
se SHBA, Gjermania e Britania e Madhe nuk duan të bëjnë presion ndaj këtyre
pesë vendeve mos-njohëse!
Pse
arrij në këto arsyetime? Sepse, kur Borrell, Lajçak e të tjerë diplomatë në
Evropë e SHBA duan ndarjen e Kosovës me apo pa Zajednicë, në fakt ndarja e saj
shkakton precedentin në këto vende mos-njohëse e mos-mirënjohëse për Kosovën.
Pse ndodh kjo? Po ja! Ia arritën që ta ndajnë territorin e Kosovës! Pjesa më e
vogël në sipërfaqe, por më e pasura e vendit, do t’i shkojë Serbisë. Pjesa
tjetër ose të qëndronte në opsionin e pavarësisë, ose do të bashkohej me
Shqipërinë. Por opsioni i dytë është më reali. Megjithatë, në të dy rastet do
shtohej barra për shkak të mungesës së resurseve tokësore.
Politikisht
dhe në të drejtën ndërkombëtare në këtë rast do të legjitimohej ndarja e një
territori, në një shtet të njohur nga mbi 100 vende të botës, GDP e të cilave
përbën mbi 70 përqind të GDP-së së planetit. Nëse do ndahej Kosova do të
krijonte precedent për ndarjen e Qipros së Veriut Madje në modelin e Kosovës, e
cila i bashkohet pjesërisht Serbisë e pjesërisht Shqipërisë, Qipro e Veriut
mund t’i bashkohet Turqisë dhe kjo të konsiderohet legjitime. Nëse ndahet
Kosova, atëherë Katalanja dhe baskët, grupe etnike jo - spanjolle këto, kanë të
drejtën të kërkojnë bazuar në këtë precedent, që të shkëputen nga sovraniteti
shtetëror spanjoll. Kur ndahet një vend me një minoritet serb, i cili përbën
vetëm 2-3 përqind të popullsisë së përgjithshme në territorin ndarës, pse të
mos ndahet Katalanja dhe baskët, ku jetojnë 25 përqind e popullsisë së shtetit
spanjoll! Edhe ndarja e Krimesë nga Ukraina do të motivohej nga ndarja e
Kosovës dhe jo nga pavarësia e saj.
Ndarja
e Kosovës u jep të njëjtat të drejta edhe pakicave në Rumani dhe në Sllovaki,
ndërkohë që ve në lëvizje mekanizma të së drejtës edhe për çështjen çame në
Greqi. Nëse ndahet Kosova, pse nuk do të duhej ndarë edhe Bosnja, Maqedonia e
Veriut, Mali i Zi dhe vende e shtete të tjera ku jetojnë pakica shqiptare e jo
shqiptare?! Pse nuk duhet ndarë vetë Serbia, ku jetojnë minoritete të shumta
kompakte si shqiptarët në Luginën e Preshevës, hungarezët në veri të vendit,
apo boshnjakët e muslimanët në perendim të tij?!
Dihet
tashmë se pavarësia e Kosovës është produkt i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe
sidomos produkt i gjenocidit serb kundër shqiptarëve. Sado që këtë shkakun
kryesor të shënuar si të dytë ta demantojnë në Beograd, nuk ka asnjë shans që e
vërteta të tjetërsohet. Sado që Serbia të thotë se “Kanë bërë krime edhe
shqiptarët”, e vërteta është në dritë të diellit. Një dyzinë serbësh të
hamendësuar si të vrarë nga shqiptarët nuk barazohen me 14 mijë shqiptarë të
pafajshëm të asgjësuar nga Serbia.
Ndërkohë
kemi një koncept të ndryshëm në analizën e së drejtës ndërkombëtare lidhur me
krimet e luftës. Krimet dhe gjenocidi serb në Kosovë me vrasje, shpërngulje të
dhunshme të gati një milion shqiptarëve etj, u kryen sipas një projekti të
përcaktuar nga qeveria dhe politika e Beogradit, ku rol të dorës së parë kishin
edhe presidenti i sotëm serb, Vuçiq dhe ministri i Jashtëm Daçiq. Ndonjë krim
ende i supozuar i shqiptarëve kundër serbëve ishte spontan dhe në shenjë
hakmarrjeje për tmerrin që shkaktuan serbët në Kosovë. Nuk ishte i planifikuar dhe
projektuar nga asnjë strukturë politike e shtetërore të shqiptarëve.
Nëse
pranojmë se gjenocidi serb është arsyeja kryesore e pavarësisë së Kosovës,
atëherë Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro e kanë shumë më të lehtë
të pranojnë pavarësinë e Kosovës në kufijtë e saj aktualë, sesa ndarjen e saj.
Në fund të fundit janë shkaqet ato që krijojnë situate të reja, në rastin
konkret shtetësinë e Kosovës. Genocidi hitlerian kundër hebrejve ishte shkaku
themelor i krijimit nga hiçi të shtetit të Izraelit. Ndërsa ndarja e Kosovës
nuk mund të motivohet ndryshe, veçse me dëshirën për të realizuar Serbinë e
Madhe. Por kjo nuk e bën asnjërin prej këtyre vendeve mos-njohëse të Kosovës
një vend të madh. Përkundrazi, ndarja e Kosovës i bën këto vende të përjetojnë
të njëjtin precedent, të cilit ato i frikësohen me pavarësimin e Kosovës.
___________
A do ta vizitojë
kryeministri Rama veriun e Kosovës?!
Eksponentët
e Listës Srpska kanë reaguar me falenderime për kryeministrin e Shqipërisë, Edi
Ramën, pasi ky i fundit bëri përgjegjës për krizën dhe zgjidhjen e saj në veri
të Kosovës qeverinë e kryeministrit Kurti.
Përveç
falenderimeve me superlativa, Lista Srpska ka ftuar shefin e ekzekutivit të
Shqipërisë që të shkojë për vizitë në komunat e veriut të Mitrovicës, me qëllim
që, siç thonë ata, zoti Rama "Të shohë me sytë e tij se si
"persekutohen" serbët në këto komuna me shumicë serbe"!
Në
kushtet kur ministria e Jashtme e Kosovës nuk i jep leje presidentit të Serbisë
të hyjë në Kosovë, Lista Srpska ka gjetur një mundësi të artë që ta ftojë
kryeministrin Rama për të kompensuar mungesën fizike të presidentit Vuçiç në
këtë rajon!
___________
Gabriel Partosh, ze i
njohur ne BBC, gazetari qe ka deshifruar gjithmone Angline per Ballkanin/
Jo
per korrupsion por per politika anti-serbe eshte shpall “non grata” Sali
Berisha!
Ja
cfare thote gazetari i BBC qe ka qene dhe eshte gjithmone kritik me Sali
Berishen:
“Mendoj
se nuk e kemi diskutuar kete me heret dhe besoj se eshte nje pike shume e
rendesishme. Perse te dy vendet kane marr nje vendim te tille!? Mendoj se
arsyeja nuk eshte se z. Berisha eshte apo jo i perfshire ne korrupsion
domethenes 10 vite me pare kur ishte Kryeminister. Mendoj se ata e shohin ate
si nje force destruktive. Ate qe keto qeveri deshirojne si Britania dhe SHBA
eshte stabilitet ne Shqiperi dhe ne mbare Ballkanin Perendimor, sidomos ne nje
kohe gjeopolitike te tensionuar me pushtimin e Ukraines nga Rusia, apo
influenca ruse dhe mundesisht edhe ajo kineze ne mbare Ballkanin. Pra gjeja e
fundit qe ata deshirojne eshte destabiliteti dhe kjo ka qene e lidhur gjithmone
me zotin Berisha. Mbeshtetesit e tij sulmuan edhe seline e Partise Demokratike
ne Janar, patine e tij, kur … (nuk kuptohet…me gjasa thote:)… u perjashtua, nuk
kishte te drejte ta bente nje gje te tille. Ai ka qene kunder iniciatives se
“Ballkanit te Hapur” dhe ne menyre qe vazhdueshme ka ndermarre politika
anti-serbe”!