Mendime
Eshref Ymeri: Kështjella e mashtrimit dhe e krimit shumëshekullor
E shtune, 30.07.2022, 07:48 PM
Kështjella e mashtrimit dhe e krimit shumëshekullor
(Rusia
cariste, sovjetike dhe neocariste)
Nga
Eshref Ymeri
Sulmin barbar
kundër Ukrainës, Kremlini, si kreu i mashtrimeve fashiste ruse, mundohet ta
propagandojë, duke deklaruar se Rusia, demek, është për paqen. Që prej vitit
2014, deri në ditët tona, në propagandën e Kremlinit ka mbizotëruar
kryegënjeshtra e madhe për “shpëtimin” në Ukrainë të njerëzve që “vuakan” nga
nacizmi dhe racizmi. Kështu ka ndodhur gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, që pas
shpërbërjes së ngrehinës perandorake sovjetike dhe sidomos pas ardhjes në krye
të Rusisë të kryekriminelit të Ukrainës Putin, por bota, çuditërisht, një gjë
të tillë nuk e pati vënë re. Vetëm kundërpërgjigjja e vendosur e ushtrisë
ukrainase ndaj sulmit të ushtrisë fashiste ruse, e bëri botën ta kuptojë që
është fjala jo për një konflikt të përmasave lokale, por për një luftë të
natyrës globale.
Fill pas sulmit të
ushtrisë fashiste ruse, në fjalorin e gjuhës ukrainase hyn menjëherë dy fjalë
të reja: roshist dhe roshizëm, të cilat shqiptohen rashist
(fashist rus) dhe rashizëm (fashizëm rus), meqenëse o-ja
paratheksore shqiptohet a.
Klika fashiste
ruse luftën e ka në gjak, pavarësisht se kjo sjell varfërimin e vazhdueshëm në
radhët e popullit.
Ekonomisti i njohur rus Vladislav
Zhukovski (1988), një vit e gjysmë më parë, ka pasë deklaruar:
“Si ngjarja më e rëndësishme
ekonomike në Rusi mund të merret ajo kur njerëzit janë ngopur deri në fyt me
premtime mashtruese. Kaq bukur dhe në mënyrë kaq të paturpshme ta mashtrosh
mbarë shoqërinë, popullin, dhe mandej t’i tërheqësh të gjitha premtimet e veta,
një gjë e tillë është e mundur vetëm në Rusi… Është bërë publik njoftimi se një
në tre rus nuk mund të blejë një palë këpucë sezonale, sepse nuk ka para.
Rezulton se 62% e rusëve, përgjithësisht, nuk kanë para të hequra mënjanë, ata
e shtyjnë jetën nga rroga në rrogë, nga pensioni në pension, pa pasur mundësi
të kursejnë për çdo të papritur që mund t’u ndodhë në jetë, sepse të gjitha
paratë i shpenzojnë për ushqime, për shërbime komunale, për ilaçe dhe udhëtime…
Ky është dënim për qytetarët” (Citohet sipas: “Vladislav Zhukovski: Vendin
tonë s’ka për ta shpëtuar asgjë - as nafta me 60 dollarë për fuçi, as
nafta me 500 dollarë për fuçi”. Faqja e internetit “Biznesonline”. 04
janar 2020).
Prandaj kishte shumë të drejtë një
qytetare ruse në moshë të re, e cila, e intervistuar në emisionin e lajmeve të
kanalit televiziv të Ukrainës “Unian”, të datës 21 qershor 2022, në dëshpërim e sipër, deklaroi:
“Ne kemi një aleat të vetëm besnik - urinë”.
Se çfarë ndodhi me
nivelin e varfërisë në Rusi gjatë
tremujorit të parë të vitit 2022, kur egërsirat ruse, si edhe tani, po
vazhdonin masakrat dhe shkatërrimet barbare në Ukrainë, dëshmohet fare qartë në
informacionin në vijim:
“Në vitin 2022, niveli i varfërisë në Rusi u rrit në
mënyrë të theksuar. Tani, poshtë nivelit të varfërisë, jeton një në shtatë
rusë, çka do të thotë një herë e gjysmë më shumë se në fund të vitit të kaluar.
Ky është një njoftim i DW, e cila u referohet të dhënave të shërbimit
statistikor të Federatës Ruse. Sipas të dhënave të këtij shërbimi, në
tremujorin e parë të vitit 2022, numri i rusëve me të ardhura poshtë nivelit të
varfërisë, pati arritur në 20,9 milionë banorë. Sipas këtij treguesi, në
krahasim me fundin e vitit 2021, kur numëroheshin 12,4 milionë banorë nën nivelin e varfërisë, në tremujorin e parë të
këtij viti numri i tyre u rrit me 69%” (Citohet sipas: “Në Rusi është rritur
në mënyrë të theksuar niveli i varfërisë”. Faqja e internetit “Sllovo i
djello”. 15 qershor 2022).
Në një shënim të shkurtër, me titull “Servilët
politikë, këto pjella të pështira të diktaturave”, të botuar në internet në
fillim të korrikut, pata theksuar:
“U desh sulmi fashist i Rusisë kundër
Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti, që të vërtetohej konkretisht në sytë e mbarë botës se cila na qenkej
“madhështia” e forcës usharake ruse, se cili na qenkej ai “armatimi më i mirë
në botë”. Ai sulm nxori në shesh botërisht ndryshkun skandaloz, në të cilin
noton neocarizmi putinian, i cili s’qenka gjë tjetër, veçse një rezervuar
gjigand, i mbushur me mbeturina”.
Pas “leksioneve” të mira që Ukraina i ka dhënë dhe
po vazhdon t’i japë klikës fashiste ruse, Kremlini le të vazhdojë të mburret
para botës me paradat “madhëshore” që organizon çdo 9 maj në Sheshin e Kuq,
duke e reklamuar veten si shteti me ushtrinë dhe me armatimin më të mirë në
botë. Në të vërtetë, me ato parada, kasta fashiste e Kremlinit mundohet të
maskojë kalbëzimin e organizimit shtetëror, me pasoja, siç u theksua më lart,
zbritjen nën nivelin e varfërisë të 20,9 milionë rusëve
Sulmi kundër
Ukrainës zbuloi faqe botës se Rusia, tradicionalisht, ka qenë dhe vazhdon të
mbetet një shtet agresiv, një kështjellë e krimit. Kjo për arsye se kasta
sunduese ruse, që kryeherazi, ka pasë qenë e kapluar nga një ide fikse. Rusia,
si perandori deri në fillim të shek. XX dhe që më pas ia zuri vendin Bashkimi
Sovjetik, vazhdimisht, madje në heshtje deri në ditët tona, nuk ka hequr dorë
për asnjë çast nga ideja e marrë, sipas së cilës Moska “duhet të jetë Roma e
Tretë”. Paskëtaj kanë vijuar fabulat për qëllimet e saj gjoja krejtësisht
paqësore se ajo gjoja gjithmonë është mbrojtur nga të tjerët - të gjitha këto
kanë përbërë mitin e radhës.
Në Rusi kanë ditur
të thurin përralla që së lashti dhe, në këtë aspekt ajo ka qenë e shquar edhe
shumë larg kufijve të saj. Prandaj të thurje përrallën e radhës për qëllimet
paqësore të Bashkimit Sovjetik, propagandistëve të Kremlinit nuk u kushtonte
absolutisht asgjë, aq më tepër që ata e dinin shumë mirë se kush është
delepopulli rus, i mësuar gjatë shekujve t’i besonte carit. Pikërisht ai
delepopull i merrte për të vërteta të gjitha fabulat e sajuara nga kasta sunduese,
duke qenë i bindur plotësisht se qeveria popullin “nuk mund ta mashtrojë!”.
Dhe delepopulli e pranonte fabulën, për të ashtuquajturat qëllime paqësore, me
siguri jo vetëm sepse e kishte zakon t’i besonte pushtetit, por, për edhe shumë
arsye, sepse, i gjendur nën një shtypje të përhershme dhe vazhdimisht i
poshtëruar brenda vendit të vet, ndiente kënaqësi në mundësinë për ta
përjetuar, gjoja, madhështinë e vet fantazmagorike, si i pranishën në një të
fshehtë të madhe ushtarake.
Në Rusi, që në bankat e shkollës, ka pasë qenë e njohur
shprehja “Moska - Roma e Tretë”, e cila pati filluar të
qarkullonte në gjysmën e parë të shek. XVI. Ajo lidhej me konceptin filozofik
për zhvendosjen e “qendrës së botës” në kryeqytetin e shtetit rus. Si autor i
një koncepti të till, tradicionalisht, konsiderohet murgu i manastirit
Eleazarov të Pskovit, Fillofej (1465-1542). Në letrat e viteve
1523-1524, të cilat ua pati dërguar
dhjakut Mihail Munehin (gjysma e parë e shek. XV-1528) dhe
princit të madh të Moskës Vasili III (1479-1533), ai shkruante për rolin
e “Romës tokësore”, të cilin duhej ta merrte përsipër Moska. Sipas Fillofejit, “dy
Romat janë shuar, e treta nuk do të shuhet, por të katërt nuk do të ketë” (Citohet
sipas: “Rusia ka ndrmarrë 53 luftëra agresive”. Faqja e internetit “gazeta.ua”.
11 maj 2016).
Fillofej e kishte
fjalën për Perandorinë Romake të Perëndimit, e cila pushoi së ekzistuari në
vitin 476, dhe për Perandorinë Romake të Lindjes, e cila e pushoi ekzistencën e
vet në vitin 1453.
Kjo tezë, me
fjalë, i njihte Moskës statusin e kreut të fundit të botës së krishterë.
Pavarësisht nga absurditeti në dukje i një vetëshpalljeje të tillë, formulën “Moska
- Roma e Tretë” e përqafuan shumë njerëz.
Idenë e periudhës mesjetare të
Fillofejit, komunistët sovjetikë, me në krye Leninin (1870-1924), e
përshtatën në kushtet e reja, me ardhjen e tyre në pushtet pas revolucionit të
tetorit të vitit 1917. Prandaj formulën “Moska - Roma e Tretë”, Lenini
e zëvendësoi me parullën e revolucionit botëror. Lenini ishte ideolog i revolucionit botëror dhe
asnjëherë nuk pati hequr dorë prej tij. Diktatura e proletariatit (një shprehje
kjo që shërbente si maskë për fshehjen e diktaturës së egër të partisë
komuniste) që u vendos në Rusi, sipas Leninit, duhej të shërbente si bazë e revolucionit
botëror të proletariatit, të luante rolin e mjetit dhe të katalizatorit të
progresit revolucionar. Fill pas revolucionit të tetorit, diktatura e
proletariatit në Rusi konsiderohej si kështjella e lëvizjes botërore kundër
rendit borgjez në mbarë botën. Asokohe Lenini pati deklaruar:
“Revolucioni
socialist në Evropë duhet të fillojë dhe do të fillojë. Të gjitha shpresat tona
për fitoren përfundimtare të socializmit janë të bazuara në këtë besim dhe në
këtë parashikim shkencor”
(Citohet sipas: “Lenini për revolucionin botëror”. Faqja e internetit “Live
Journal”. 10 nëntor 2019).
Është me të vëtetë e çuditshme kjo
deklaratë e Leninit, i cili kërkonte që revolucionin socialist, që nga Rusia,
ta eksportonte në Evropë! Dhe nga cila Rusi? Nga Rusia e pasrevolucionit të
tetorit, në të cilën popullsia fshatare përbënte 75.5% të popullsisë së mbarë
vendit, me një standard jetese të periudhës së mesjetës dhe përtej mesjetës.
Lenini dhe banda bolshevike rreth
tij, në rilindjen e perandorisë ruse, tashmë me uniformë komuniste, shikonin
mundësinë e hedhjes në dorë të pushtetit në mbarë botën. Një ide të tillë ata e
fshihnin nën maskën e revolucionit botëror
Dhe bolshevikët i hynë punës,
ndërmorën hapa konkretë për shpërthimin
e revolucionit në Evropë. Fillimisht ata shpërthyen luftën civile të
viteve 1918-1920, qëllimi kryesor i së cilës ishte për marrjen e trashëgimisë
së perandorisë ruse, për Romën e Tretë. Historianët sovjetikë, sipas një burimi
të internetit, “kanë fshehur me kujdes krimet e bolshevikëve gjatë luftës
civile, rebelimet e fshatarësisë dhe kryengritjet e tjera, të cilat qenë
shtypur me egërsi nga junta bolshevike, miliona njerëz qenë detyruar të
braktisin vendin, kurse 7.5 milionë qenë vrarë” (Citohet
sipas: “Miti për Rusinë paqësore”. Faqja e internetit “Journal Live”.
27 nëntor 2016).
Me perëndimin e Rusisë cariste pas revolucionit të
tetorit, Ukraina pati shpallur pavarësinë. Kur bolshevikët, me djallëzi, iu
turrën Ukrainës së pavarur, kjo iu drejtua për ndihmë popullit polak. Më 25
prill 1920, ushtria e bashkuar ukrainase dhe polake filloi luftimet për
çlirimin e Ukrainës dhe më 06 maj hyri në Kiev. Asokohe Moska nuk e
konsideronte Ukrainën si palë në konflikt, kurse Poloninë e vlerësonte vetëm si
një pikënisje për një sulm kundër Gjermanisë, në industrinë e rëndë të së cilës
mendonte të gjente çelësin për fitoren e
revolucionit socialist në mbarë Evropën Perëndimore. Prandaj me sulmin që
bolshevikët ndërmorën më 14 maj 1920, në
mesin e korrikut arritën në kufijtë e Polonisë. Por bolshevikët nuk e vlerësuan
rezistencën e polakëve dhe të ukrainasve, sepse synonin të arrinin në Berlin, çka e paguan shtrenjtë.
Bolshevikët patën parashikuar që Poloninë ta pushtonin me metoda standarde,
duke imituar shpërthimin brenda saj të një kryengritjeje popullore, dhe, me
forcat e tyre ushtarake, të shpallnin atje fitoren e pushtetit sovjetik. Prandaj ata lëshuan
thirrjen:
“Në Perëndim vendoset fati i
revolucionit botëror. Mbi kufomën e Polonisë së panëve të bardhë kalon rruga
drejt shpërthimit të zjarrit botëror. Me bajoneta do t’i çojmë lumturinë
njerëzimit punëdashës! Drejt Perëndimit!”
(po aty).
Dihet mirë se si përfundoi përpjekja e bolshevikëve për
t’i zhvendosur bajonetat e kuqe në thellësi të Evropës dhe, në këtë mënyrë, të
vinte në lëvizje proletariatin evropianoperëndimor, duke e nxitur të dilte në
përkrahje të revolucionit botëror.
Forcat polakoukrainase, në gushtin e vitit 1920, u dhanë dërrmën bolshevikëve në rrethinat e
Varshavës. Si përfundim, katër nga pesë armata kacapësh (fjala kacap në
ukrainisht përdoret si nofkë thjeshtligjërimore fyese për përfaqësuesit e
kombësisë ruse) të frontit perëndimor qenë shfarosur plotësisht, kurse e vetmja
armatë që shpëtoi, u largua me vrap me bishtin ndër shalë. Ky ishte një dajak i
tmerrshën për bolshevikët, të cilët ia mbajtën vath në vesh edhe Ukrainës, edhe
Polonisë.
[Me
kolektivizimin e detyrueshëm dhe me grumbullimin e detyrueshëm të dridhit në
vitet 1928-1933, Stalini (1878-1953) i shkaktoi Ukrainës vdekjen
nga uria të 3 milionë e 941 mijë njerëzve.
Hakmarrja kundër Polonisë u krye 20 vjet më vonë. Në bazë
të Traktatit Molotov-Ribentrop, të nënshkruar më 23 gusht 1939, qe vendosur që
Polonia të ndahej midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë, çka u bë fakt i
kryer me sulmin gjerman kundër saj më 01 shtator dhe me sulmin bolshevik më 17
shtator. Si rezultat i atyre sulmeve, bolshevikët kapën robër qytetarë dhe
shumë oficerë. Pas vendimit kriminal që pati marrë byroja politike e Stalinit
më 05 mars 1940, në lokalitetin Katin, që ndodhet në perëndim të Rusisë, 20 km
larg qytetit të Smolenskut, në bazë të të dhënave arkivore, më 10 prill 1940, u
pushkatuan 21 857 oficerë polakë. Por hakmarrja kundër Polonisë u vulos edhe me
një tjetër krim të rëndë që u krye në Rusi 70 vjet më vonë, më 10 prill 2010,
në afërsi të aerodromit të qytetit të Smolenskut, ku u rrëzua avioni Tu-154 i
forcave ajrore polake. Në atë katastrofë vdiqën 96 veta, 88 pasagjerë dhe 8
antarë të ekuipazhit, përfshirë presidentin e Polonisë Leh Kaçinski, si edhe
politikanë të njohur, pothuajse e gjithë komanda e lartë ushtarake dhe
personalitete shoqërore dhe fetare. Ata po fluturonin në drejtim të Smolenskut
për të marrë pjesë në një aktivitet përkujtimor, me rastin e 70 vjetorit të
pushkatimeve staliniste në Katin. Moska nuk ia dorëzoi palës polake mbeturinat
e avionit dhe vetëregjistruesin e bortit për kryerjen e analizave për zbulimin
e shkaqeve të katastrofës, çka dëshmonte se avioni “... qe hedhur në erë dhe
se në këtë mes bëhej fjalë për një operacion të shërbimit federativ të
sigurimit rus, me qëllim zhdukjen e armikut të Rusisë Leh Kaçinskit dhe kalimin
e pushtetit në duart e një miku të Rusisë” (Citohet sipas: “Shpërthim në
kushtet e një mjegulle artificiale”. Faqja e internetit “Novaja gazeta”.
24 maj 2021.)]
Duke mos hequr dorë për asnjë çast nga ideja marroke për
fitoren e revolucionit socialist mbarëbotëror, gjatë luftës civile në Spanjë
(17 korrik 1936 - 01 prill 1939) midis Republikës së Dytë Spanjolle, të
përfaqësuar nga qeveria e Frontit Popullor Spanjoll, dhe diktaturës
opozitare ushtarake nacionaliste
spanjolle nën drejtimin e gjeneralit Françesko Franko (1892-1975),
bolshevikët menduan se ky ishte një “rast ideal” për shpërthimin e revolucionit
socialist në Evropën Perëndimore. Prandaj ata u sulën turravrap në ndihmë të Frontit Popullor dhe
nisën drejt Spanjës një ndihmë ushtarake të përmasave të jashëzakonshme, me
avionë, armatime dhe municione, të shoqëruara me 3 mijë ushtarë - vullnetarë-internacionalistë,
këshilltarë ushtarakë, pilotë, tankistë, marinarë dhe specialistë të tjerë.
Dihet se si përfundoi lufta civile në Spanjë dhe
shpenzimet kolosale ushtarake të bolshevikëve për fitoren e Frontit Popullor
atje shkuan për dhjamë qeni.
20 vjet më vonë, me fitoren e komunistëve kastroistë në
Kubë në vitin 1959, Moskës përsëri iu ngjallën “shpresat”, tashmë për fitoren e
revolucionit socialist në Amerikën Qendrore dhe në mbarë Amerikën Latine.
Prandaj komunistët rusë vendosën ta “merrnin” situatën në dorë edhe në atë vend me mijëra e mijëra kilometra larg, duke
dërguar atje llojlloj armatimesh, deri edhe raketa, të pozicionuara në drejtim
të Shteteve të Bashkuara., të shoqëruara edhe me 40 mijë ushtarë. Por në vitin
1962 Presidenti Kenedi ua dogji letrat në dorë dhe ata u detyrua të merrnin
“rraqet” ushtarake që kishin sjellë aty dhe ia mbathën nga sytë këmbët.
Në vitin 2022, Ukrainës dhe mbarë botës së qytetëruar iu
paraqit rasti për t’u dhënë fund agresioneve ushtarake, të organizuara nga
banda kriminale e Kremlinit. Sepse “gjithçka, ku vë dorë Rusia në arenën
ndërkombëtare, shndërrohet në hi dhe në fatkeqësi të rënda, ndërkohë që
autoritetet ruse, ndërhyrjet e veta i quajnë “misione paqësore” dhe “operacione
speciale në mbrojtje të popullsisë rusishtfolëse ose ortodokse”” (Citohet
sipas: “Rusia ka ndërmarrë 53 luftëra agresive”. Faqja e internetit
“gazeta.ua”. 11 maj 2016).
Në një realitet të përfytyruar (virtual), të quajtur “bota
ruse”, ekzistojnë shumë parulla shurdhuese, marramendëse, si, fjala vjen “Gjyshërit
kanë luftuar”, të shoqëruar me shprehjen mashtruse “Rusia asnjëherë nuk
ka sulmuar ndonjë vend tjetër”. Me një pohim të tillë zbulohet enciklopedia
e gënjeshtrës dhe e mashtrimit të përmasave mitike, çka dëshmon shkoqur fare se
ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në themelin e politikës zyrtare ruse. Po
t’i hedhësh një sy hartës, vjen në përfundimin se si paska qenë e mundur që ky
“vend paqësor” paska arritur që gjatë 350 vjetëve ta zmadhojë territorin e vet
shtatë herë - nga 3 milionë km² në vitin 1547, deri në 21,8 milionë km² në
vitin 1914 dhe në 22 milionë km² kur u krijua Bashkimi Sovjetik në vitin 1922?
Një dukuri e tillë nuk është vënë re absolutisht në asnjë vend tjetër të
rruzullit tokësor.
Në bazë të fakteve hisorike, dëshmohet se që nga mesi i
shek. XVI deri në ditët tona, Moskovia-Rusia ka marrë pjesë, së paku, në 75
luftëra, konflikte dhe operacione ushtarake, 70% të të cilave i ka shkaktuar
pikërisht Rusia. Kjo do të thotë një luftë çdo 7-8 vjet mesatarisht.
Tani, kur “territori i Rusisë zë një sipërfaqe prej 17
milion km², udhëheqësit e saj dhe popullsia janë shumë të dëshpëruar. Se
udhëheqësit janë në kërkim të mënyrave të ndryshme për të “bashkuar paqësisht”
qoftë edhe një ngastër sipërfaqe të huaj, kurse popullsia është edhe më e
papërmbajtur në përkrahjen që u jep atyre” (sipas burimit të sipërcituar).
Vetvetiu shtrohet pyetja:
Ku e gjen mbështetjen kasta kriminale në krye të Rusisë,
e cila i shet për të vërteta mitet për politikën paqësore dhe artin e
mashtrimit e ka ngritur në shkallën më të lartë?
Së pari, në
këndvështrimin tim, kasta kriminale ruse e ka mbështetjen në natyrën prej
skllavi të popullit rus, të cilin, gjatë shekujve, e ka ushqyer me psikologjinë
e nënshntrimit absolut ndaj carit, sepse cari, sipas saj, ishte “zëdhënësi” i
Hyjnisë në Tokë. Për pasojë, pushtimi i territoreve të huaja është vënie në
jetë e një vullneti hyjnor për lartësimin dhe shenjtërimin e “madhështisë” së
Rusisë. Prandaj, para “madhështisë” së Rusisë, populli me shpirt të skllavëruar
e ndien veten pjesë të pandarë të kësaj “madhështie”. Kështu që shtypjen,
poshtërimin dhe varfërinë, ku e ka katandisur kasta sunduese ruse, i vlerëson si sakrifica “të shenjta në të mirë
të atdheut”. Dhe prindërit apo motrat e ushtarëve rusë, të rënë në luftëra
agresive në territore të huaja, lajmin për vrasjen e tyre e shoqërojnë me
shprehjen standarde:
“E dha jetën për atdheun”.
Pra, ja deri në ç’shkallë të lartë ka arritur mjeshtëria
e mashtrimit të kastës kriminale sunduese ruse, e cila luftërat agresive ia shet popullit si luftëra
në mbrojtje të vendit dhe shumica dërrmuese e delepopullit rus, mashtrimet i
merr për të vërteta të shenjtëruara.
Ja një fakt mjaft domethënës që lidhet me sulmin fashist
të Moskës kundër Çekosllovakisë në vitin
1968. Këtë fakt e kam nxjerrë nga kujtimet e zonjës Elena Bonner
(1923-2011), aktiviste në mbrojtje të të drejtave të njeriut, disidente dhe publiciste,
bashkëshorte e fizikanit të shquar, akademikut Andrea Saharov (1921-1989), njërit
nga krijuesit e së parës bombë me hidrogjen, kundërshtarit të pushtimit fashist
të Afganistanit në vitin 1979, për çka autoritetet e Kremlinit e dëbuan nga
Moska dhe e izoluan në qytetin Gorki.
Kur Gorbaçovi (1931) erdhi në pushtet, e riktheu në Moskë.
Ja çfarë shkruan zonja Bonner në kujtimet e veta:
“Është viti 1971. Po udhëtojmë me
taksi nëpër Moskë. Shoferi është një djalë i ri, i gojës, kuvendar. Na rrëfen
për jetën e vet. Për të na orientuar në ecurinë e ngjarjeve kronologjike që na
përshkruan nga jeta e vet, na thotë:
- Kjo ka ndodhur kur na sulmuan çekët.
Është fjala për gushtin e vitit 1968.
Saharovi ndërhyn për t’i saktësuar
gjërat:
- Për kë e keni fjalën që paska
sulmuar?
- E po, ju e mbani mend, çekët na
patën sulmuar. Në Pragë” (Citohet sipas: “Nga
kujtimet e bashkëshortes së dytë të akademikut Andrea Saharov, Elena Bonner”.
Faqja e internetit “Proza.ru”. 25 mars 2018).
Pra, propaganda mashtruese e Kremlinit, sulmin kundër
Çekosllovakisë ia shiste popullit si “vetëmbrojtje nga sulmi çek” dhe
delepopulli rus këtë mashtrim e hante si “qofte të gatshme”.
Zejen e mashtrimit
politika ruse e ka ngritur në art. Sekretari i
shtypit i Putinit, Dmitri Peskov (1967), pak ditë para sulmit kundër Ukrainës,
në televizionin shtetëror “Rusia 1”, deklaroi:
“Rusia,
gjatë tërë historisë së saj, kurrë nuk ka sulmuar ndokënd. Rusia, e cila ka
përjetuar kaq luftëra, është vendi i fundit në Evropë që do të dëshironte të
shqiptonte fjalën “luftë” (Citohet sipas: “Peskov: Rusia, gjatë tërë
historisë së saj, kurrë nuk ka sulmuar ndokënd. Faqja e internetit “Fontanka.ru”.
20 shkurt 2022)
Pjellat
e fidanishtes kriminale të shovinizmit rusomadh, si Dmitri Kiselov (1954),
Margarita Simonian (1980), Olga Skobejeva (1984), Vladimir Sollovjov (1963),
gazetarë këta dhe drejtues emisionesh televizive në televizionin shtetëror të
Moskës “Rusia 1”, gjithë kopeja e servilëve të tjerë në mjetet e
informimit masiv dhe politikanë në shërbim të kryekriminelit Putin, që, me gënjeshtrat dhe mashtrimet e tyre, në
bashkëpunim të ngushtë me gjithë kastën agresive të Kremlinit, në përkrahje të
barbarisë së ushtrisë fashiste ruse në Ukrainë, përbëjnë atë pjesë të shëmtuar
të elitës ruse, që ka zbritur në nivelin e shtresës së shthurur, me status të
ulët social, të zhveshur tërësisht nga vlerat morale. Të gjithë ata i bashkojnë
tiparet e antikulturës për hir të vetafirmimit me mënyra kriminale.
Në
mbështetje të hapur të politikës banditeske ruse, në kor me monstrat e
gazetarisë në shërbim të saj, rreshtohet patriarku i kishës ortodokse ruse,
Kirilli. Në vend që të merret me punët e fesë dhe me përhapjen e frymës së
bashkëjetesës paqësore midis popujve, ky patriark, pa u skuqur dhe pa u
zverdhur, në fillim të muajit maj, ngrihet dhe del para opinionit publik
me deklaratën mashtruese në vijim:
“Ne
nuk duam të luftojmë me askënd. Rusia kurrë nuk ka sulmuar ndokënd”. (Citohet sipas: “Kreu i kishës ortodokse ruse: Rusia kurrë nuk ka sulmuar ndokënd”. Faqja e internetit
e gazetës “The Moscow Times”. 03 maj 2022).
Pra,
gjithë ky arsenal mashtrimi i politikës shtetërore, i mjeteve të informimit
masiv dhe të fesë ortodokse në shërbim të saj, ka bërë që shumica dërrmuese e
delepopullit rus të jetë e infektuar rëndë nga një epidemi psikike dhe, në
masën 75%, të rreshtohet në përkrahje të Putinit. Pikërisht për shkak të kësaj
epidemie, ky delepopull nuk dëshiron ta kuptojë që vetëm në shek. XX, Rusia ka
kryer katër agresione pushtuese: kundër Finlandës më 30 nëntor 1939, kundër
Hungarisë më 24 tetor 1956, kundër Çekosllovakisë më 21 gusht 1968 dhe kundër
Afganistanit më 12 dhjetor 1979.
Së dyti,
duke u mbështetur fuqimisht në psikologjinë prej skllavi të delepopullit rus,
kasta sunduese e Moskës njeriun rus e konsideron si diçka pa kurrfarë vlere, si
material inert, si mish për top, sepse, sipas krerëve të kastës ushtarake, kur
ushtarët vriten në luftë, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar se gratë do të
pjellin djem të tjerë.
Ja një tjetër fakt, po me domethënie të thellë, nga fundi
i Luftës së Dytë Botërore:
Skenaristi i filmit “Shtrafbat” (batalion i përbërë
nga ushtarakë që kanë kryer krime), Eduard Volloradski (1941-2012), në një
intervistë të vitit 2004 për gazetën “Moskovski komsomolec” ka rrëfyer:
“Gjenerali Ajzenhauer (Dwight David Eisenhower - 1890-1969), në kujtimet e veta shkruan se si në
afërsi të Potsdamit kishte vënë re një fushë të madhe, të mbuluar me kufoma
ushtarësh rusë. Në zbatim të urdhrit të Zhukovit (1896-1974), ushtarët e patën
sulmuar qytetin ballas, nën një zjarr
kositës të gjermanëve. Pamja e asaj fushe e pati lënë pa mend Ajzenhauerin.
Atij se si i erdhi dhe i qe drejtuar Zhukovit me një pyetje;
- Ç’djallin patët me këtë Potsdamin? Ç’patët që
sakrifikuat kaq njerëz për të?
Në përgjigje, Zhukovi paskej buzëqeshur dhe i paska thënë (këto fjalë që
pati shqiptuar Ajzenhaueri i kujtoj me saktësi):
- S’ka gjë, femrat ruse do të pjellin të tjerë” (Citohet sipas: “A ka thënë Zhukovi: S’duhet të na
vijë keq për ushtarët, femrat do të pjellin të tjerë”? Faqja e internetit “Provereno”.
19 prill 2021).
Humbja e aq shumë ushtarëve rusë pas sulmit fashist
kundër Ukrainës, me të cilën klika kriminale e Kremlinit të Putinit kishte
llogaritur t’i lante hesapet brenda 2-3 ditëve, vërtetoi në praktikë se
psikologjia antinjerëzore në raport me trajtimin e qytetarit si mish për top,
ka qenë, është dhe do të vazhdojë të mbetet si yll karvani në politikën e
Rusisë, të kësaj kështjelle të mashtrimit dhe të krimit shumëshekullor.
Në emisionin e mbrëmjes të kanalit televiziv “Ukraina
24” të datës 22 qershor, ndoqa lajmet në youtube. Midis lajmeve të
transmetuara, u dha edhe njoftimi në vijim:
“Nëpër mortoret (morgët) e Ukrainës
gjenden kufomat e 1500 ushtarëve rusë, të cilat autoritetet e Moskës nuk
shkojnë t’i tërheqin dhe t’jua përcjellin familjeve përkatëse, duke i mashtruar
se “janë zhdukur pa lënë gjurmë”.
Pra, kasta agresive ruse në pushtet, qoftë e periudhës
cariste, qoftë e periudhës sovjetike, qoftë e periudhës neocariste, njeriun rus
e ka trajtuar dhe vazhdon ta trajtojë njëlloj, si mish për top. Megjithatë,
shumica dërrmuese e popullit rus nuk është e aftë ta kuptojë se në krye të pushtetit
gjithmonë ka pasur dhe vazhdon të ketë vetëm një kastë kriminale prej
egërsirash të tërbuara, të etura për gjak, për pushtime territoresh të huaja.
Sigurisht që kur një populli të tillë, të edukuar brez
pas brezi me frymën e nështrimit, kur kasta sunduese i fut në gjak vazhdimisht
psikologjinë e skllavit, ai vjen e shndërrohet në një masë të verbër, pa tru.
Shkencëtari, fizikani i shquar Sergej Kapica (1928-2012), i ndiente
pasojat e një mënyre të tillë udhëheqjeje të vendit, prandaj pati paralajmëruar
ministrat:
“Në qoftë se ju keni
për ta vazhduar një politikë të tillë, atëherë, si rezultat, do të keni një
vend budallenjsh. Një vend të tillë është e lehtë ta drejtosh, por ai nuk ka të
ardhme” (Citohet sipas: “Sergej Kapica:
Mënyra se si Rusinë po e shndërrojnë qëllimisht në një vend debilash”. Faqja
e internetit “Serpina”. 30 korrik 2021).
Kur kujton krimet
e përbindshme të fashistëve rusë në Ukrainë, shkatërrimet e përmasave mitike,
me pasoja viktima të shumta, përdhunimet e femrave dhe vrasjen e tyre në prani
të fëmijëve, gjuajtjet me raketa të ndërtesave të banimit, të objekteve të
edukimit, të kulturës, të tregtisë, vrasjet masive në mjedise publike, vetvetiu
të vijnë në kujtesë fjalët e arta të disa përfaqësuesve të shquar të letërsisë
ruse, të cilët po i rendis në vijim:
Maksim Gorki (1868-1936): “Tipari më i rëndësishëm i
suksesit të popullit rus është egërsia e tij prej sadisti” (Citohet sipas: “Citate
dhe aforizma për Rusinë dhe për rusët”. Faqja e internetit “Adskije
novosti”. 19 shkurt 2015).
Mihail Bullgakov (1891-1940): “Nuk
është popull, por kafshë, është një hordhi e egër gjakësorësh, keqbërësish” (po
aty).
Aleksej Tolstoi (1883-1845): “Moskovia është një Rusi tajgore, mongole, e egër,
shtazarake” (po aty).
Ivan Shmelov (1873-1950): “Rusët
janë një popull që e urren lirinë dhe hyjnizon skllavërinë, i ka qejf
prangat në duart dhe në këmbët e veta, i do despotët e vet gjakatarë, nuk ka
ndjesi për kurrfarë bukurie, është i pistë fizikisht dhe moralisht, gjatë
qindravjeçarëve jeton në errësirë, në obskurantizëm dhe nuk ka marrë as
mundimin më të vogël për diçka njerëzore, por ama gjithmonë është i gatshëm t’i
skllavërojë, t’i shtypë të gjithë pa përjashtim, mbarë botën. Ky nuk është
popull, por një mallkim historik i njerëzimit”
(po aty).
Të
vërtetat tragjike që kanë pasë deklaruar katër shkrimtarët e mësipërm,
mbështeten edhe nga intelektualë-bashkëkohës, çka dëshmon më së miri për
mjerimin e formimit psikologjik të shumicës dërrmuese të delepopullit rus, i
cili nuk është çliruar kurrë nga natyra e tij shoviniste, në përkrahje të
kastave kriminale në krye të pushtetit. Në vijim po rendis edhe emrat e tre
intelektualëve të njohur.
Aleksandër Nazarov (1958), gazetar,
drejtues i emisioneve televizive, regjisor, skenarist dhe producent:
“Dihet që publikut rus i pëlqen shumë kur Rusia pushton
dikë, kur e nënshtron dhe kur e bombardon. Gjëra të tilla atë e entuziazmojnë.
Sa më i ulët është niveli intelektual i njeriut, aq më shumë atij i pëlqen t’i
përkasë një kopeje të madhe, të tmerrshme, të tërbuar” (po aty).
“Rusët nuk e duan demokracinë, atyre u pëlqen jeta nën
skllavërinë e shtetit dhe të kishës, në shumicën dërrmuese rusët janë armiq të
rrezikshëm dhe të hapur dhe përbëjnë kërcënimin më serioz, përgjithësisht, për
mbarë botën” (po
aty).
Këto
dy citate tronditëse të këtij përfaqësuesi të kulturës ruse, i dëgjova vetë ng
goja e tij, të transmetuara në Twitter Web Client më 16 mars 2018, sipas
linkut vidos.top/v/1802291.
Mark Fejgin (1971), politikan rus, avokat i njohur, ish-deputet i parlamentit, i
intervistuar në emisionin e lajmeve në kanalin
televiziv të Ukrainës “Unian” më 29 qershor 2022, deklaroi:
“Mos prisni revolucion në Federatën Ruse, ajo është një kamp përqendrimi”.
Ai, gjithashtu,
për ushtarët e vrarë në Ukrainë, deklaroi:
“Sasia e ushtarëve të vrarë të Federatës Ruse nuk ka të numëruar”.
Natan Sharanski (1948), inxhinier-matematikan sovjetik, përkthyes,
aktivist i mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të lëvizjes hebraike në
Bashkimin Sovjetik, disident, i atdhesuar në Izrael në vitin 1986, para do
kohësh ka deklaruar:
“Një hordhi egërsirash, që ka ardhur nga mesjeta, merret me dhunime dhe
shfarosje në qendër të Evropës” (Citohet sipas: “Sharanski: Rusia, si një hordhi
egërsirash, merret me dhunime dhe shfarosje në qendër të Evropës”. Faqja e
internetit “Gordon.ua”. 01 korrik
2022).
Vetvetiu lind pyetja:
Po ç’bëhet me njeriun e ndershëm rus, ç’qëndrim mban ndaj
tij kasta diktatoriale në pushtet?
Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjesh me fjalët e
shkrimtarit të madh Anton Çehov (1860-1904), të cilat, edhe sot e kësaj
dite, kanë një tingëllim mjaft aktual:
“Në Rusi njeriu i
ndershëm është si puna e atij pastruesit të oxhaqeve, me të cilin dadot trembin
fëmijët e vegjël” (Citohet sipas: “Anton
Çehovi në kujtimet e Gorkit”. Faqja e internetit “VK”. 29 janar
2020).
Federatën Ruse pikërisht të tilla kasta diktatoriale kanë
për ta qeverisur, deri asokohe kur ajo të shpërbëhet përfundimisht në disa
shtete.
Feniks,
Arizona
29
korrik 2022