Mendime
Enver Bytyçi: Jo Bashkimi Europian, por Rama dhe Soreca duhet “të shkojnë në djall”!
E premte, 16.07.2021, 07:52 PM
Jo Bashkimi Europian, por Rama dhe Soreca duhet “të shkojnë në djall”!
Nga
Enver Bytyçi
Edi
Rama dje nga Greqia sulmoi edhe njëherë Bashkimin Europian. “Në djall Europa”,
tha! As aleatja më e ngushtë e Rusisë në Ballkan, pra as Serbia nuk është
deklaruar kurrë me këtë gjuhë perverse! Rama dëshmoi për të disatën herë se
“dasma u mblodh dy herë, por nusja nuk erdhi”! Veten e tij e shpalli „dhëndër“
e Europën “nusen” e tij. Në fakt „nusja“ nuk erdhi, sepse dhëndëri është bërë
„nuse“ për Beogradin! Flirton edhe me Ankaranë. Gjithnjë kundër Bashkimit
Europian. E këtij anti-europiani i ndihëmon pa rezerva i dërguari i BE-së në
Tiranë, Luigi Soreca!
Ndërsa
zëdhënësi i Komisionerit për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Europë, Peter
Stano, nga Brukseli shkroi në Twiter qëndrimin për kritikat dhe padinë e
Aleancës për Teatrin në Tiranë kundër shefit të misionit Luigi Soreca. Në
përmbajtjen e deklarimit të tij vihen re dy elementë:
Së
pari, mohimi dhe përgenjështrimi i akuzave që i kanë shkuar SPAK nga kjo
aleancë për zotin Soreca. Më pas vjen paragjykimi ose kundër akuza. Sipas
Stane, në Shqipëri paska forca të caktuara anti-europiane, të cilat kritikojnë
pa të drejtë, ose shpifin ndaj përfaqësuesit të tij në Tiranë. Kjo mund të
trajtohet si presion ndaj drejtësisë gjithashtu, edhe pse mundet që diplomatët
nuk mund të hetohen.
Ai
shënim në Tëiter më ngjau identik me pafytyrësinë e politikës shqiptare. M’u
duk sikur arrogance e qeverisë Rama dhe Bashkisë së Veliajt është transferuar
të zëdhënësi i BE-së! Dhe kjo është një arsye më shumë për t’u zhgënjyer nga
burokracia e Brukselit. Që në fillim do të them se Bashkimi Europian është një
projekt i mrekullueshëm, sikur atë të mos e cënonin në identitet dhe
konstruktin e vet burokratët e këtij Bashkimi. Aq negativisht ndikojnë këta
burokratë sa edhe populistët europianë. Në fakt edhe populistët anti-BE të vendeve
europiane përdorin si lëndë të parë burokracinë e Brukselit për të nxit
skepticizmin në kontinent.
Por
është mirë që deklaratën e zëdhënësit të Borrell ta analizojmë në të dy
dimensioned e mësipërme.
Stano
merr përsipër të mohojë pretendimet e Aleancës për Teatrin pa bërë asnjë
investigim, asnjë hetim dhe asnjë përpjekje për ta sqaruar situatën në Tiranë.
Kjo është tipike burokraci arrogante e qeverisjeve jo demokratike. Ndërkaq BE
shihet nga cdokush si modeli i demokracisë në botë. Por burokrati Stano,
sigurisht në emër të burokratit tjetër - Borrell, merr përsipër rolin e Zeusit,
të vendimmarrësit për ta përcaktuar të vërtetën dhe për ta shprehur realitetin
në Tiranë.
Nëse
nisemi nga e vërteta dhe ndodhitë e Tiranës e raportin që ka Sorenca me këtë të
vërtetë, atëherë duhet lajmëruar zoti Borrel përmes zotit Stano se Luigi
Sorenca nuk sillet si diplomat europian në kryeqytetin shqiptar. Ai duhet ta
dijë se shefi i misionit të BE-së në Tiranë mbështet pa kushte kryetarin e
Bashkisë së Tiranës e kryeministrin e Shqipërisë dhe mban një distancë të
pakuptueshme me opozitën dhe zërat kritikë ndaj zotit Rama e zotit Veliaj.
Madje ai u vjen në ndihmë këtyre dy protoganiztëve të prishjes së
kundraligjshme të teatrit kombëtar.
Ndërsa
ditën që Gjykata Kushtetuese do të shqyrtonte dhe merrte vendimin për
kushtetutshmërinë e vendimmarrjes së Ramës e Veliajt për prishjen e Teatrit
Kombëtar, Luigi Soreca ka hyrë në këtë gjykatë dhe ka takuar kryetaren e saj.
Ky takim nuk ishte bërë i ditur në axhendën e ditës, nuk u njoftua me një
komunikatë për media. Asnjëra palë nuk tha asgjë pse ndodhi takimi pikërisht në
këtë ditë e pak orë më parë se të mblidhje Gjykata Kushtetuese. Ndërkaq Luigi
doli nga dera e pasme e godinës, duke iu shmangur syrit të publikut.
Nëse
nisemi nga principi i transparencës, të cilën ne e kemi njohur nga statuti ose
kushtetuta europiane, të gjitha këto veprime të përfaqësuesit të Borrell-it në
Tiranë, trashëguar nga Mogherini, rezultojnë jo transparente. Mos-transparenca
është irracionale. Ata që fshihen dhe nuk tregohen transparentë, ata fshehin
dicka ose shumëcka në veprimtarinë e tyre politike, diplomatike apo në një
fushë tjetër. Luigji Soreca fsheh të vërtetën para publikut, ndaj duhen hetime
e investigime për këtë.
Në
fakt, kur është fjala për gjyqësorin dhe qëndrimin ndaj tij, nuk vlen as fjala
transparencë. Asnjë ambasador, ndër ta dhe Luigi Soreca, nuk kanë tagër të
takohen me gjyqtarët e një vendi sovran, sepse ndryshe kjo do të konsiderohej
në secilin rast ndërhyrje në punët e gjyqësorit. Përse përfaqësuesi i misionit
të BE-së apo ndonjë ambasador tjetër duhet të takohen vetëm për vetëm e jashtë
kamerave dhe syrit të publikut me një kryetar gjykate ose me një gjyqtar apo
prokuror?! Ligji ndalon ndërhyrjen në punën e gjykatave të politikës. Ndalon
kontaktet e gjyqtarëve dhe prokurorëve me kriminelë ose njerëz të tjerë jashtë
rrethit të tyre. E gjitha kjo është vendosur në respekt të punës së pavarur dhe
mos-ndikimin e gjyqësorit. Kontaktet me ambasadorë e ndikojnë secilin gjyqtar e
prokuror e për këtë arsye padrejtësia mund të jetë produkti i vendimmarrjes së
tyre. Pse atëherë diplomatët paskan të drejtë të kontaktojnë me gjyqtarët e
Gjykatës Kushtetuese?! A nuk është kjo ndërhyrje në punët e saj?! Kush, cili
ligj e cila kushtetutë ua jep këtë të drejtë diplomatëve europianë apo të
vendeve të tjera?! Qoftë dhe për këtë arsye, Peter Stano duhej të reflektonte,
në vend që të akuzonte!
Kur
nuk ka transparencë dhe kur dikush shkel etikën duke u takuar personalisht
vetëm me një gjyqtar ose prokuror, lind e drejta legjitime për dyshime në
kërkim të së vërtetës. Aleanca për Teatrin ka shfaqur dyshimet e saj dhe i ka
kërkuar SPAK të hetojë për këtë ceshtje. Kërkesa publike e Aleancës për Teatrin
për ta sqaruar këtë raport të Sorencës me zonjën Tusha është e drejtë qytetare
e patjetërsueshme.
Pse
atëherë zëdhënësi i zotit Borrell i akuzoi shqiptarët që I rezistojnë Sorencas,
Ramës dhe Veliajt i trajton si konspiracionistë anti-europianë?! Nëse ai mendon
se morali i BE-së vlen sa perversiteti i Sorencës, atëherë gabon. Për
shqiptarët Sorenca është anti-vlerë, ndërsa BE është destinacion i tyre për
shkak të vlerave që ajo ka. Për shqiptarët Sorenca është përkrahës i arrogancës
dhe anti-ligjit të qeverisë shqiptare dhe Bashkisë së Tiranës, ndërkohë që
vlerat europiane lidhen me mbështetjen e kritikëve të qeverisë dhe të
qeverisjes qendrore e lokale në këtë rast.
Te
shqiptarët nuk ka anti-europianizëm dhe këtë e dinë në Bruksel. Ndaj mund të
arsyetojmë se kritika për grupe të caktuara anti-europiane e zotit Stano është
një lloj presioni psikologjik i veshur me arrogancë. Kjo arrogancë e tij
drejtohet kundër Aleancës për Teatrin dhe grupeve kritike ndaj qeverisë e për
pasojë është një qasje anti-demokratike. Në demokraci mbështetet e drejta, jo
interesi për të mbrojtur një përfaqësues diplomatik të diskredituar, si
Sorenca. E drejta është me Aleancën për Teatrin dhe jo me Luigin e Fredrica
Mogherinit.
Për
këtë arsye në Tiranë ka një shqetësim që lidhet me anësinë e shefit të misionit
diplomatik europian në mbështetje të arrogancës së qeevrisjes së Tiranës. Tani
ky shqetësim është përforcuar edhe më shumë nga reagimi i zëdhënësit të BE-së
Peter Stano! Nuk është Aleanca për Teatrin anti-europiane, por të tillë janë
Rama e Soreca. Këta të dy duhet “të shkojnë në djall”, derisa i janë kundërvënë
së bashku Bashkimit Europian!