Mendime
Kastriot Myftaraj: Një mësim historik nga Sekretari Bejker
E diele, 06.06.2021, 01:09 PM
Një mësim historik nga Sekretari Bejker i cili 30 vjet më parë, në qershor 1991, në Tiranë i bëri vërejtje Ramiz Alisë për yllin sovjetik ende në flamurin shqiptar
Nga
Kastriot Myftaraj
Ka
një skenë kuptimplotë në vizitën e Sekretarit të Departamentit Amerikan të
Shtetit, James Baker në Shqipëri, në 22 qershor 1991, tre muaj pas zgjedhjeve
të para shumëpartiake në vend. Në takimin me Presidentin Ramiz Alia,
ish-Sekretarin e Parë të Partisë së Punës (komuniste), ndërsa ky i fundit po i
thonte se në vend ishin kryer ndryshime rrënjësore politike, se ishte
shfuqizuar Kushtetuta e vjetër e vitit 1976 dhe ishte miratuar një ligj i ri
kushtetues (Dispozitat Kryesore Kushtetuese), se PPSH nuk ishte më një parti
komuniste por kishte ndryshuar emrin dhe tashmë ishte parti e majtë sipas
modelit perëndimor, Baker i hidhte sytë sa nga bashkëbiseduesi te ylli sovjetik
në flamurin shqiptar që gjendej anash tij krahas atij amerikan.
Kur në prill 1991, pas zgjedhjeve të para
shumëpartiake, Kuvendi i ri, nën presionin e deputetëve të opozitës (PD) ishte
shfuqizuar Kushtetuta komuniste e vitit 1976, deputetët e shumicës (PPSH) e
cila dy muaj më pas do të ndryshonte emrin në PS nuk pranuan të përcaktohej në ligjin
kushtetues flamuri shtetëror kombëtar, siç ndodh në çdo vend të botës. Shumica
parlamentare e PPSH bëri një dispozitë kushtetuese sipas së cilës flamuri
shtetëror kombëtar shqiptar do të përcaktohej me ligj të veçantë. Që kjo gjë u
bë për të mbrojtur yllin sovjetik në flamur, kjo u kuptua nga fakti se PPSH
(PS) nuk e bëri këtë ligj gjatë dhjetë muajve që kishte shumicën parlamentare.
Kështu që flamuri shtetëror shqiptar mbeti zyrtarisht edhe më tutje me yllin
sovjetik të Leninit mbi shqiponjën e Skënderbeut.
Ylli
sovjetik u hoq nga flamuri shtetëror kombëtar shqiptar vetëm në prill 1992 pas
fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 22 marsit dhe deputetët e PS nuk
morën pjesë në votim.
Ajo
kqyrje domethënëse e flamurit nga ana e Sekretarit Baker në bisedën me Ramiz
Alinë, të cilin e kemi parë në pamjet televizive, ka hyrë në historinë politike
të Shqipërisë. Me atë kqyrje Baker zhvlerësoi gënjeshtrat politike të
diktatorit të fundit komunist të vetëstilizuar si President jokomunist. Por sot
na del një pasardhës i z. Baker në Departamentin e Shtetit 30 vjet më vonë, z.
Blinken i cili rishkruan historinë politike të Shqipërisë duke e tjetërsuar atë
në mënyrën që amerikanët e quajnë “pervertion of history”.
Në
tekstin e urimit të z. Blinken për Edi Ramën me rastin e zgjedhjeve të 25
prillit kishte një frazë shumë interesante. Z. Blinken iu referohej zgjedhjeve
të 25 prillit në Shqipëri si “10th national elections since the fall of
communism”. Që në shqip do të thotë “zgjedhjet e dhjeta parlamentare që nga
rënia e komunizmit”.
Zgjedhjet
e 25 prillit ishin zgjedhjet e dhjeta të mbajtura në Shqipëri që nga viti 1991.
Sipas llogarisë së z. Blinken del se zgjedhjet e para shumëpartiake në
Shqipëri, ato të 31 marsit 1991 janë mbajtur pas rënies së komunizmit.
Sot
në botë ka një pajtueshmëri mendimesh për atë se kur ka rënë formalisht
komunizmi në vendet ish-komuniste, sepse nëse ka rënë ose jo në realitet për
këtë gjë nuk ka pajtueshmëri mendimesh. Komunizmi ka rënë formalisht kur janë
shfuqizuar kushtetutat komuniste që e shpallnin marksizëm-leninizmin ideologji
sunduese të shtetit dhe shoqërisë përkatëse, e përcaktonin diktaturën e
proletariatit si formë të regjimit shtetëror, si dhe sanksiononin sundimin e
partisë komuministe.
Në
Shqipëri kushtetuta e fundit komuniste ishte miratuar në 1976 dhe ishte në fuqi
kur u bënë zgjedhjet e 31 marsit 1991. Kjo kushtetutë u shfuqizua vetëm në 30
prill 1991, pra pas zgjedhjeve të para shumëpartiake, gjë që i bën këto
zgjedhjet më të çuditshme në historinë e politikës botërore. Kjo për arsye
sepse u mbajtën zgjedhje shumëpartiake në një vend ku me ligjin themelor të
shtetit ishte përcaktuar sundimi i një partie. E thënë më thjeshtë, edhe nëse
opozita fitonte në zgjedhjet e 31 marsit, ajo nuk mund të vinte në pushtet sepse
këtë gjë ia ndalonte Kushtetuta në fuqi!/Kastriot Myftaraj
Në
vendet e tjera komuniste para se të bëheshin zgjedhjet e para shumëpartiake u
shfuqizua dispozita kushtetuese e monopolit të pushtetit të partisë komuniste.
Në Shqipëri jo. Ndërsa data e rënies faktike të komunizmit mbetet një çështje e
hapur për diskutim, data e rënies formale të komunizmit në Shqipëri është 30
prilli i vitit 1991.
Në
pikëpamjen formale, pas datës 30 prill, mbeti si symbol komunist ylli sovjetik
në flamur që u hoq në 9 prill 1992 nga Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 22
marsit, ku shumicën parlamentare e kishte Partia Demokratike. Në çdo rast
zgjedhjet e 31 marsit 1991 nuk janë zgjedhjet e para pas rënies së komunizmit.
Ndërsa zgjedhjet e 22 marsit 1992 janë ato pas të cilave partia fituese bëri si
veprim të parë heqjen e simbolit të fundit komunist zyrtar shtetëror.
Nuk
mund të mos vihet re dhe shënohet që një njeri i cili i përket një familjeje të
mbijetuarish të Holokaustit si z. Blinken thotë një gënjeshtër që prek ata të cilët
kanë vuajtur në një diktaturë komuniste.