Kulturë
Bardhyl Maliqi: Kontakti shpirtëror mes dy krahinave etnike - Çamërisë dhe Labërisë
E hene, 22.02.2021, 08:29 PM
KONTAKTI SHPIRTËROR MES DY KRAHINAVE ETNIKE: ÇAMËRISË DHE LABËRISË, I PARË NË RRJEDHAT E KËNGËS POPULLORE
(Fjala
e mbajtur në sesionin shkencor për këngët çame)
Nga
Dr. Bardhyl Maliqi
Dashuria
e dhimbja, malli e brenga, angushtia e rebelimi, përshkojnë brendinë e eposit
të madh oral të të dy krahinave etnike, Çamërisë e Labërisë, në të gjitha
rrjedhat e kohërave e rropatjet e historisë për gjallim e ekzistencë, pohim dhe
indetitet gjatë luftës dhe paqes, në dashuri dhe vdekje, që nga këngët e djepit
gjer në klithmat e vajeve, nga formulat e yshtjeve gjer te ritet e motmotit,
nga lirikat e punës në ato të mërgimit, nga duvaku i nuseve te kali ku hipën
meiti, nga përbetimi i besimeve pagane në breroren e perëndive antike, nga
Tempulli i Dodonës tek Ura në Drashovicë, nëpër krejt korpusin e lirikës së
mirfilltë, të baladave e legjendave, gjer në epikën heroike dhe historike të
djeshme e të sotme, shkruar në papiruset e kujtesës emocionale, gdhendur në
kokat e djepeve e gurët e varreve, në gojën e rapsodëve, me tingujt e fyellit e
të cules, të fizarmonikës e gërnetës. Është një shpirt i bukur që fluturon
nëpër kohëra dhe sa vjen e zbutet nga kreshtat dhe rrëpirat e Kurveleshit në
portokajtë e ullishtat e Çamërisë, ashtu si relievi i gëzimeve dhe brengave,
tronditës dhe i rrezikuar prej miqve të paktë e armiqve të shumtë në kalvaret e
kohërave dhe lumenjve të gjakut.
Një
kontakt shpirtëror i njëmentë, ku gjithçka të bashkon e asgjë s’të ndan, ku gjelbëron e rritet pema e dashurisë, fishken
e thahen gjembat e urrejtjes, si në fjalën e një luftëtari anonim që thotë:
“Ç’bën
kështu, a i vrarë?!/
S’kemi
gjë për të ndarë./
Jemi
një fis e një farë.”,
Ashtu
edhe pohimi brilant:
“Vatani
gurë mademi,/një baba, një nanë kemi,/ daleni, vëllezër, ku vemi?!”, nga klithmat e
mbijetesës së luanit vetmitar, Ali Pashë Barutit, gjer tek figura vibruese e
kapedanit suljot Marko Boçari: “Sulltani hordhitë i pruri, /digju ti, Janinë
nuri, / Lidharicën e mbuloi flaka, / ç’ish nuk trembet Ali Pasha,/natë e ditë luftën
e mbaka!/ S’e tremb kush AliPashanë,/se ka trima shqipëtarë,/ se ka lebër e ka
çamë,/mirditorë e kosovarë,/ Marko Sulë kapedanë!”; nga ankimi vajtues:
“Ç’ish të bi ivarfëri?”, gjer tek klithma kushtruese: “Sos për mua, sos
për vete,/ po për shtatë vilajete. / As për mua, as për ty, /po për gjithë
Shqipëri!”
Kontaktet
shpirtërore janë nga më të çuditshmet, ato vijnë e hollohen në ndjesitë e
ëmbla, marrin një trajtë më të plotë në perceptimin e kohëve të përgjakshme e
të hapësirave përfytyruese, kanë frymëmarrjen e një mendimi kombëtar dhe
vizionin e ardhmërisë, kalojnë turravrap nga dukuritë para psikologjike në
botën e vetëdijshmes dhe të etnosit, vijnë në trajtën e një fjale dialektore
apo në trokun e sintaksës popullore, ku fatin e theksave, të ritmeve e të
rimave e vendos fati i luftës a i paqes, ku plekset ëndrra me zhgjëndrrën, dhe realiteti me fantazinë. Dhe ndodh,që Ali Pashai që drodhi dhenë, të
martohet me një xhinde çame, me Vasiliqinë; që komisari i parë i çetës
partizane “Çamëria” gjatë Luftës së
Dytë botërore të ishte një lab, QazimKondi, që një nga heronjtë e popullit,
ndër më të dëgjuarit në Vlorë të bëhej një çam, Ali Demi. Dhe më tej, nga
zbulimet arkeologjike e linguistike, nga meditimet dhe deduksionet, nga metatezat
e fjalëve e trajtat dialektore të zbulosh se perënditë e Olimpit e të Dodonës,
të flasin shqip, që nga Zeusi (Zë është) zemërak te Afërdita (Afër dita) e
bukur, nga Prometeu parashikues e sfdant (Para më the) tek Po-s’e-do-ni idhnak.
Për t’u bindur se dy protagonistët e
Luftës së Trojës (shqip Truall), apo Iljonit (Ylli jon) janë dy prijës
iliro-pellazgë: prijësi i mirmidonëve (çamërve), i ati i Pirro Neoptolemit,
Akili (Ai kle ylli) dhe prijësi trojan Hektori (Hekur i tëri). Për të shkuar më
tej në tre emrat e tre qyteteve: Athinë (Ati ynë), Bukuresht (I bukur ësht’)
dhe Izmir (Isht i mir’). Dhe mbase për t’i dhënë një emër të artikuluar
burimisht në shqipe atdheut të mollosëve, kaonëve e thesprotëve, Epirit me
trajtën e vjetër çame të emrit të
shqipes, Ipe, që të tillë e gjejmë dhe në Labëri, e që na kujton ipet që
i shpëtojnë jetën prej ujqërve Pirros, në fshatin e tij të lindjes, në Ledheztë
Çamërisë. Vendi i Iperit e quan aedi
popullor, që me metatezë bën vendi i Epirit dhe na kujton dhe Shqipëri e Epërme
si asosacion duke ruajtur të njejtën orgjinë, por duke marrë kuptimin e
sipërme. Dhe kështu vijnë e bien nga madhështia e rreme pretendimet e megallomanisë edhe
egocentrizmit nacionalist. Pas lustrave helene fshihet thelbi pellazgjik, pas
ambalazheve kristjane e islame fshihet thelbi i vërtetë pagan për nga besimi
dhe pellazgo-ilirik për nga bijëria edhe për shumë festa, rite e këngë të
vjetra autoktone. Në të dy folkloret çame e labe, apo motërzimet folklorike
gjejmë kolendrat, këngët e ripërtëritjes së fuqisë së diellit më 24 dhjetor,
kjo duket që në emërtimin shqip Kershëndell apo Për- Shën-Djell, pra kemi të
bëjmë me festën e vjetër pagane të Shënjtit Diell, që më vonë u zëvendësua prej
kristjanëve me Krishtlindje. Vetëm në rrethin e Sarandës ka dy toponime me këtë
emër fshati mbi kodrën Shëndëlli pranë Butrintit antik dhe Mali Shëndëlli i
Nivicës. Kujtoni me këtë rast dy betimet e famshme të toskëve e gegëve: “Për
këtë diell!” dhe “Pasha hisen e diellit!” Ja se si vijnë në vargje
nëpër këngët labe e çame Kolendrat e kadenat ku ndihet forca e ripërtëritjes
diellore: “ Dil kadenez’ e shtëpisë,/hap derën e perëndisë,/nxirr kullakn e
zotërisë./Dil, moj dalç e bardhë,/gjer mot me një djalë./Dil, moj dalç e kuqe,/
gjer mot me një nuse.” Për të ndjerë pezmatimin fëmjëror në thirrjen: “Nënë,
moj nënë, erdhi dielli e s’të gjeti.” Tek një nga rosicat (këngët e kultit
të pleqve). Dhe po kështu në festat dhe këngët e Vitit të Ri (Shën Vasilit), të
14 marsit apo Ditës së Verës dhe Festës së Luleve, 25 marsit, Ditës së Pranverës
(Shën Vangjelizmoi) dhe Festa e Sulltan Nevruzit (persisht Mbretit
Pranveror), te 23 prilli (Shën Gjergji)
e 24 qershori (Shen Gjini), apo festa e luleve, bimësisë e të korrave, pyjeve e
të lashtave etj. të gjitha këto kanë
përfunduar në këngë fëmijësh e të rinjsh për diellin, hënën, lulet, dëborën,
pleqërinë, gjelbërimin, të korrat etj. Edhe kostumi fetar apo nacionalist duket
se u bie ngushtë:
“Manushaqe
shënd e jet’, / prit dëborën se u tret, /t’i bësh diellit me shëndet !”
Në
këngët e djepit, nënat nga Njihuari e Paramithia (Vini re trajtat shqipe një
horë dhe para më the), nga Mursia, Nivica, e Saranda u këndojnë jo pa shije e humor
fëmijëve: “Bie shi e bie borë, / do vejë babai në Vlorë, / të blejë qipra e
këmborë, / të ja varim dhisë Florë, / Dhija Florë tringëlliti, zonja brenda
hingëlliti, / me shoqe haraboriti.” Ose “Të pastë nëna të pastë, / të
bëftë jelek me llastër, /qepur-ë në Gjirokastër. / More syri shkruar, /tas i
rrotulluar, / dhezur e pa shuar, / hidhe lart të rritet, /prite mos të vritet!”
Për të shkuar më tej në emrat e vendeve e ato të heronjve, ku aspirata
mbarëkombëtare ndjehet më thellë: “ Më rafshqingj e m’u ngrifsh dash, / me
mustaqet-ë një pashë / nusen në Prevezë e marrç. / daç në Prevezë a në Vlorë, /
dash i nanës me këmborë. / u bëfsh burrë si Selam Labi, / sojli si SmailQemali.
/ M’u bëfsh trim si Pirro Burri dhe si Markua ka Suli.” dhe më tej “De o
hoj, u bëfsh dre, / posi trimi Skënderbe. / Tëkeqen nana, ta marrça, / u bëfsh
trim si Ali Pasha!” Kështu atdheu i të miturve bëhet atdheu i heronjve për
të ngjizur në embrionin e rritjes
etnogjenezën intelektuale dhe ndjesitë emocionale si te gjumi i ëmbël i
përtëritjes tek fëmijët e Pargës e të Vlorës: “Këta ujt e rrëzave, / si
mishi i thëllënxave; / këta ujt’ e maleve, / si djathtë e staneve. / Gjumi i
ëmbël i Pargës, / portokajt e Nartës.” Veçoritë etnopsikologjike, bota e brendshme e djemve e vashave, e nuseve
e dhëndurrëve vjen e gatuhet me brumin e të dy krahinave: “Maro, moj
vetullgjilpërë, / fustani një fushë e tërë, / Maro, moj vetullkurorë, / hyrë në
klishë e merr naforë. / O prift, mos më nga me dorë, / se jam vajzë e
pakurorë…” dhe më tej vjen një ngjarje ku spikat e njëjta dukuri: shqiptari
lab apo çam qoftë, nuk të fal në nder: “Hoxha na zuri një grua, / nek lan
rrobat në përrua, /m’u ne portë e Abedinit, / ranë mjekërt e Selimit. / Moj
Qamo, moj pupulinë, / erdhi hoxha pullaqidhë…”
Nderi
dhe besa, trimëria dhe bujaria përbëjnë ato kulme të vyrtytit që u kalitën në
shkeuj si çeliku në kudhër. Ndër monumentet orale ku ato ngrihen më
kulmore janë këngët legjendare dhe
baladat, motërzimet e të cilave, ashtu si dhe origjinalet i gjejmë pikërisht në
këto treve: Këngët e Urës së Nartës dhe kënga e Urës së Artës, Kostandini e
Dhoqina, Ymer Aga e Ura e Qabesë, veç koloritit të veçantë dialektor, estetik e
leksikor, kanë edhe mjaft pika takimi që spjegohen pikërisht me kontaktet
shpirtërore, kulturore, gjuhësore e
historikemes dy krahinave brenda kontakteve shpirtërore mbarëkombëtare dhe që
realisht rrezatojnë më gjerë: “Kostandin, o bir, o djalë, / ç’ish më the kur
jeshe gjallë? / …Të jem vrarë e të jem prerë, / Dhoqinën s’e lë pa sjellë. /
Kostandin, djalë, ku je? Ku ishtë besa që më dhe?/ Besa jote nën dhé. / Latë
nanënkallogré…” dhe janë pikërisht këto vargje që janë hequr nga tekstet e
folklorit, ashtu siç janë hequr këngët dhe legjendat për Pirro Burrin, Këngët
për MusëArbanasin dheato për betejën e Fushë Kosovës. Është një heqje me
qëllime të mbrapshta, pasi është ky grupim këngësh që shpreh palcën tonë të ekzistencës
kombëtare dhe kështu ndodh kur tekstet folklorike shkollore të shqiptarëve për
ironi të tyre e shkruajnë shtetaz shqiptarë me kombësi të tjera. Por sot në
këtë çështje nuk do të zgjatem, pasi dua të flas për ato që na bashkojnë e jo
për ato që na ndajnë, qoftë edhe me grekët apo serbo-boshnjakët.
Më
ka tërhequr veçanërisht vemendjen Kënga e
Urës së Qabesë e njohur ndryshe si kënga “Mbeçë, more shokë, mbeçë”. Hulumtimet
e deritanishme në këtë këngë janë të shumta dhe të larmishme. Me të janë marrë
personalitete prestigjioze të kulturës
kombëtare, si Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi etj., por edhe
autorë të tjerë më pak të zëshëm. Megjithatë ka mbetur një gjë e rëndësishme pa
u thënë. Kjo është thelbësore për të kuptuar brendinë e dyfishtë të kësaj
kënge, kumtin tragjik dhe heroik të saj, pasi është tragjike të zevendësosh
jetën me vdekjen, por është heroike ta shpërfillësh atë duke përmendur martesën
në vend të saj. Kjo do të thotë të kesh sensin e ardhmërisë dhe jo brengën e së
shkuarës. Kjo mund të bëhet kur hulumton karakterin e këngëve origjinale e jo
të motërzimeve dhe unë këmbëngul se jo varjanti i njohur i Përmetit, as ai i
Fushëbardhës së Gjirokastrës, por kënga çame e Grykëhuarit dhe e Gumenicës
është varjanti origjinal. Elementi thelbësor që na çon në këtë zgjedhje dhe na
e formëson bindjen shkencore e jo subjektive është Kodi Eufemik i
këngës. Dyzimi i mesazhit, zbutja e
tragjedisë përmes dhëndërzimit të meitit, këmbimi i luftës me paqen dhe vdekjes
me jetën. Në këngën çame ky kod është i gjallë, i paprishur. Vetëm në fund të
këngës ne e marrim vesh të vërtetën, e kuptojmë greminën e vërtetë të ngjarjes
përmes aludimt. Megjithëse kënga shpirtërisht na përgatit për këtë, veçanërisht
në pjesën e dytë të saj dhe në vargjet mbështetëse. Në këtë kod bëhet fjalë për
Martesën me një astrit pikalua, për veshjen me një këmishë pa mëngë, për për
kalërimin në një kalë pa këmbë, për futjen e dhëndërit në një odëz të thellë,
pa dritare e pa derë. Në këngën çame aludohet deri në fund kur thuhet se në pyestë nëna se ç’krushq i vanë, jepet
përgjigjja se mjaltin grenxat e hanë.
Në motërzimin përmetar dhe atë lab kodi eufemik zbërthehet për të thënë të
vërtetën rrënqethëse: nizami mori për grua tre plumba në kraharuar dhe krushqit
që i vanë janë korbat e sorrat që e hanë trupin e mbetur tej Urës së Qabesë.
Duke hulumtuar në shkaqet e zbërthimit të Kodit Eufemik të këngës duhet
thënë se trevat e Thesprotisë, janë më afër Qabesë tragjike dhe autori i parë
anonim i këngës që s’është çudi të jetë nizami i shqiptar që lë amanetet e
fundit në pragvdekjen e tij të sigurtë, por pasi rrezikon që ky mesazh të mos
kuptohet, këngëtari i dytë anonim , në këtë rast ai që e përcjell mesazhin më
tej e zbërthen kodin. Por gjykoj se ka
një arsye të dytë po kaq të fortë. Kjo ka të bëjë me relievin e temperamenteve
njerëzore që është në harmoni me relievin gjeografik të Çamërisë dhe Labërisë.
Pejsazhi dhe temperamentet nga të buta e lirike, me një dhimbje më shumë të
brendshme, vjen e thyhet e ashpërsohet, egërsohet dhe shpallet së jashtmi. Këtë
fenomen e vërejmë dhe në polifoni, në valle dhe në muzikë, etnografi e zakone,
por është një dukuri graduale që shquhet në ekstremitetet e veta, një dukuri që
më tepër thekson të përbashkëtat se sa dallimet. Të përbashkëtat theksojnë
autoktoninë dhe unitetin shpirtëror, dallimet individualitetin e çdo krahine.
Më bukur se kudo kjo duket tek gratë. Labet të ashpra e të mësuara me punë
krahu, të rritura në male e skërka duke ruajtur dhitë e duke kapur yjet e
ëndrrave me krrabën e tyre; çamet të bukura e nikoqire, vezulluese si ari i
portokalleve nën dritën e agullimit.
Në
vizionet dhe përfytyrimet e të dy krahinave dhëndurrët dhe nuset kanë përqasje
të habitshme : “Ngreu, o moj Lame ngreu, / një çikë në valle zeu, / vallja
jote më pëlqeu, / e luan si Mehmet beu, / si siMehmet beu ka Vlora, / që mban
cariqe të holla,/ …moj e rritura jetime, / pse nuk vjen në gunën time?” dhe
më tej silueta vezulluese e lëvizëse e vetullzezës pisë, mespurtekargjentë,
shtat ibërshimtë si jatagan i florimtë, që shkon në dhromin para shtëpisë e që
bën që djalit t’i merret gola, t’i thahet dora për ta prekur, t’i mpihet këma
për ta ndjekur e të mos e shqisë nga mendja
as natë as ditë, derisa artikulon lutjen: “Aman, moj, në je e urtë, /
thuajm’ ku do t’i bëç drutë? / Mbi
shtëpi, ne Prroi i Butë. / Thuajmë, moj mollë e bahçesë, / vashë e vetme e
nënesë.” Por në këto lloj këngësh janë të natyrshëm edhe humori e qesëndia:
“Botile e Korfuzit, qafënë të glatë, /…kur i hipe shkallët, pet e pet si
patë, /… hape ferexhenë se u dogje vapë.” Apo: “Lule e lejmonit të
bardhë, / del në shkallë e laj surranë, / asaman mori dhaskallë.” E më tej:
“Hani bukë, moj zonjëza, / hani bukë e turp mos kini, / thela xhepeve mos vini / dhe lugët mos i
lëpini!”, për të vazhduar me ironizimin e martesave me diferencë të
theksuar moshe, ku djali e plaku rivalizojnë për të marrë një çupë, e ku plaku
justifikohet se dhëmë e dhëmballë ja shqelmoi pelë e bardhë, kaptoi drizën e
shpella i zuri kurrizin, se fryti era e drekës e i ra mielli mjekrës…
Diku
kam shkruar për një këngë dasme që nuk këndohet vetëm në vendlindjen e saj, në
Konispol, por edhe në Zagori e Labëri. Atje kam thënë se kjo këngë vjen
padashur tek unë vjen si një gulç përmallimi nga fëmijëria: “Dola në breg të
qershisë, / shkon bejk’e moskovolisë, / vet’e bardh’e rrobat pisë, / të vret me
cep të shamisë. / Me gjoks e supe të vret / dallgë-dallgë por si det. / Moj
bejka konispolite, / në gjerdan treqind mexhite. / në beson Kristonë hiqe.
/Treqind mexhite i kam, / vajzë zagorite jam, / shoqe përmbi vete s’kam!”
Nuk hyj në interpretime, veç po theksoj harmoninë ndërkrahinore, ndërfetare dhe
polivalencën e vlerave kulturore dhe estetike të kësaj kënge dasme.
Është
me interes të vërehet se në të gjithë ciklin e këngëve epike, veçanërisht në
ato të epikës historike, folklori i të dy krahinave konvergon njëzëshëm dhe
ndaj atyre figurave apo periudhave historike që në të vërtetë janë problematike
dhe ende të pastudiuara mirë nga historiografia jonë. Të tillë janë për
shembull figura e Ali Pashës dhe ajo e Pirro Burrit, figura të mbështjella me
mjegullën e legjendaritetit, pavarësisht se janë figura historike. E tillë është legjenda për ipet që u bëjnë
hije e fresk atyre në gjumë, për zanat që i mëkojnë me qumështin e gjirit për
t’i bërë ill (yll) me dritë. Megjithë kontradiktat mes Aliut dhe bejlerëve të Konispolit e
kapedanëve të Sulit, kënga popullore tregon një transparencë dhe realizëm të
mirfilltë. Këto këngë nuk kanë asnjë lloj kompleksi: “Ditën e Shënmitrit
dola, / dola në udhë të takoja, / poqa nuset e Moresë, / të bardha si cipë e
vezë, /…lajnë këmishët me vesë. / Ca na
klajnë e ca vajtojnë, / për ata trimat që shkojnë. / Ç’ bëni, o burra
hazillarë, / që u kërdisët me të vrarë / për botë e për Korfuz-kalanë?” në
këtë këngë veç të vërtetës historike për betejën e vitit 1716 mes venetikasve e
turqve duket edhe gërshetimi i elementit lirik me atë epik, edhe loja e fjalëve
plot finesë “vezë-vesë” një paronimi
e mrekullueshme si dhe qëndrimi realist. Këto këngë historike janë përgjithësisht
bërthama ku mishërohet mendimi sintetik i këngëtarit popullor, por ajo që të
habit është largpamësia dhe vizioni. Për shqiptarët kjo ishte një luftë e huaj,
nuk ja vlente gjaku i derdhur për të. Po ndalem edhe në një prej këtyre
bërthamave që rrezatojnë: “ Medet për Vezir Alinë, / që kur s’e dëgjoji
Boçarinë, / të mblidhej me Bushatllinë, / për ta bërë Shqipërinë. / Marko
Boçari i tha: /-Dëgjomë, Ali Pasha, / po s’u bëmë me ata, / Shqipëri për ne nuk
ka, / do ‘ grihemi lakëra, / do ‘ këndojë qiqeja.” E vërteta historike
dihet, egoizmi nuk e la Ali Pashën të dëgjonte, se ndryshe Shqipëria do të qe
bërë. Por veç figurave historike të Marko Boçarit e Ali Pashës në këto këngë
ravijëzohen portrete historike të dhjetëra luftëtarëve, kaçakëve dhe kapedanëve
të të dyja trevave e më gjerë: Hasan e Lul Çapari, Feim Çami e Ali Farmaku,
ÇeloMezani e AbedinMadani, Musa e Rexhep Demi, Sami Preveza e Osman Taka,
DaijeSeko e Minushe Ismaili, Alush Taka e MuharremRushiti; ZenelGjoleka,
ÇeloPicari, HodoNivica, RrapoHekali, TafilBuzi, ÇerçizTopulli, IsmailQemali,
Selam Musai, KananMazja, e dhjetra luftëtarë të tjerë, patriotë të pushkës e të
penës, si: Elena Gjika, AbdylFrashëri e Faik Konica. Asnjë dallim në hierarkinë e vlerave. Kjo
vërehet edhe në këngët e mëvonshme për dëshmorët e Luftës Antifashiste
Nacional-Çlirimtare: “Dëshmorët e Shqipërisë, / të mirë ishin të gjithë, / i
dhanë gjakun lirisë!”. Ja se ç’thotë një këngë e viteve 1890-1910, e kohës
së klubeve e shkollave shqipe: “Mëmëdhetarët
venë e vinë, / me abetare në gji, /në Kurvelesh e Delvinë, /Gjirokastër
e Çamëri…”, ku si për çudi, këngëtari popullor mes morisë së luftës, të
klithmave të të shpërngulurve, të gjakut dhe gërhamave gjen momentin të
pikturojë me lirizëm: “Ne ulliri në Sihor, frin një erë e bie një borë, /
shkon një trim vetullahollë, /me martinëzë në dorë.” Është një djalë nga
Gardhiqi apo Paramithia, një dëshmor anonim i luftës për liri, e ky portret
forcohet e burrërohet kur vjen fjala për ZenelGjolekënqë i ngrin palla në
dorë, për RrapoHekalinqë sokëllin sa tundet mali, apo
MuharremRushitinçapgjatëqë kalëron malet dhe gëzon luftëtarët që i
rendin pas: “ Mbahu, mbahu, Kurvelesh, / se të vjen ndihmë petriti, / vjen
me grekun shesh më shesh, / plaku MuharremRushiti!”
Dhe
më tej nëpër këngët e të dyja krahinave evidencohen përpjekjet për ekzistencë,
për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë kombëtare, për rezistencë ndaj hordhive
andarte, reprezaljet e të cilave çuan në masakrat dhe shpërnguljen e
përdhunshme të popullsisë autoktone çame, shpërngulje të cilat u intesifikuan
me masakrat e Napolon Zervës gjatë viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Këto kronika të përgjakshme i përshkruan kënga e të dyja krahinave nga beteja
për Kalanë e Lëkurësit më 1878, ku luftuan vllezërisht kundër korfjatëve dhe
moraitëve lebër e çamë, bij nga Kurveleshi e Konispoli, Borshi e Fterra,
Gjashta e Delvina, Markati e Zhulati, gjer tek këngët e Filatit e Paramithisë
që japin të plota tablotë e masakrave të 27 qershorit 1944, ditë të cilën me
dhimbje e përkujtojmë sot e përherë: “E shkreta Paramithi, / të lig e more
haberë, / ditë e zezë erdhi për ti, / katërqind e ca t’u therë. / Moj e shkretë
ç’ish besove, / i dhe besë të pabesit, / Zervës, Llakës e Kamarës, / kulçedrave
të EDHES-it? / Vrasje, therje e çnderime, / të pënoijezitia, / që nuk harrohen
në jetë, / i ka shkruar historia!” Janë pikërisht ato forca që nën hundën e
gjermanëve, me lejen e tyre e në bashkëpunim me ta, që pas kryerjes së
masakrës, falcifikuan historinë duke akuzuar si bashkëpunëtorë të gjermanëve
popullsinë e pambrojtur e të pafajshme shqiptare të gjithë fshatrave myslimane
të krahinës së Çamërisë, që nuk ditën të kërkojnë as ndjesë, as falje, që edhe
sot e kësaj dite nuk i njohin as të drejtat më legjitime, të gjuhës, kombësisë,
pronësisë dhe riatdhesimit popullatës së shpërngulur në mënyrë barbare. Dhe për
më tej nuk njohin as minoritetet arvanitase që për Greqinë janë shtetformuese
(Kujto Kollokotronin, Bubulinën, Kanarin, Boçarin e qindra arvanitas të tjerë)
dhe as të drejtat legjitime të çamërve ortodoksë, që vetëm nën zë, brenda
mureve të shtëpive dhe nën një terror të pashembullt policesk, fizik e
psikologjik e flasin gjuhën e tyre të perëndishme. Këta politikanë për pakicat
e tyre nëpër botë kanë dyzet gojë për të molepsur e ndotur atmosferën me
shpifje, megjithëse në raport me të drejtat e shqiptarëve në Greqi, grekët e
Shqipërisë i kanë të gjitha të drejtat: gjuhë, kulturë, parti parlamentare,
media, politikë, ekonomi etj. E pra, lebërit dhe çamët e Shqipërisë sillen
vllazërisht me minoritetet, veçanërisht me minoritetin grek, i cili nuk ka
asnjë faj dhe si i tillë s’mund të ngarkohet me përgjegjësinë e politikanëve të
papërgjegjshëm grekë, të cilët realisht janë kampionë të cinizmit, pasi
demokracinë e vërtetë e kanë vetëm fasadë. Po të qe ndryshe në Greqinë e
epërme, pikërisht në trojet shqiptare të Çamërisë ku sot lulëzon shkretimi, do
të kishte gjallëri, jetë dhe investime, por është e kundërta, nuk është ka
asgjë, vetëm gërmadha, varre dhe ullinj të përlotur. Asnjë shenjë jete, rifreskimi
dhe restaurimi të monumenteve natyrore, arkeologjike dhe historike nuk ka në
të. Dhe kjo nuk është rastësi. Grekët i tremben historisë, i bren ndërgjegjja e
vrarë, por nuk kanë forcë të pendohen, nuk kanë ndërgjegje morale dhe kjo është
e turpshme dhe brengosëse.