Mendime
Gjokë Dabaj: Kohë për t’u zgjuar apo kohë për kllapi?!
E diele, 01.11.2020, 12:00 PM
KOHË PËR T’U ZGJUAR APO KOHË PËR KLLAPI*?!
NGA
GJOKË DABAJ
Emisioni “Koha
për t’u zgjuar” ka kuptim të dyfishtë:
1. Është mëngjesi,
kur njerëzit duhet të zgjohen dhe të fillojnë punët e ditës.
2. Është koha, periudha, epoka, kur populli duhet të zgjohet (nëse është në
gjumë) dhe të qartësohet, në mënyrë që jeta e tij, në këtë rast jeta e popullit
tonë, të mos jetë një ravgim nëpër ëndrra, një bredhje e verbër, duke mos ditur
as nga po vjen, as ku po shkon.
Ky është qëllimi
fisnik i këtij emisioni. Por, le t’ia bëjmë një analizë më të thelluar! Le të
shohim mjetin dhe mënyrën që po përdor ky emision për ta zgjuar popullin dhe
rezultatet që i ka arritur në kaq vite transmetim! Aq më tepër, kur të njëjtin
shabllon pune ka kohë që po e praktikojnë disa nga televizionet tanë, këtu në
Tiranë dhe jo vetëm në Tiranë.
Etapa e parë e
këtij emisioni (ose e këtyre emisioneve) është leximi i titujvet në faqet e
para të gazetavet.
Shikuesit
(dëgjuesit), doemos duhet t’i shkojë mendja te përmbajtja, te lënda që këto gazeta
i ofrojnë popullit të vet. Cila është tematika e gazetavet të sotme të
Tiranës?!
Për mua, si
shqiptar që e konceptoj Shqipërinë siç na e pat prurë historibërja deri në
Epokën e Rilindjes dhe deri te Shpallja e Pavarësisë, gazetat e Tiranës janë
gazeta thjeshtë lokale. Duke lexuar titujt e atyre gazetave, “Koha për
t’u zgjuar” nuk bën tjetër, veçse i vë në gjumë mendjet e
shqiptarëvet. Sigurisht, jo krejtësisht për faj të sajin, por për fajin e vetë
mjetit (kambanës) që ai emision e përdor për t’i zgjuar shqiptarët.
Për çfarë u flasin
shqiptarëvet gazetat e Tiranës?! Po i marr çështjet me radhë, duke e ditur që,
në fund të këtij shkrimi, do të mbeten edhe shumë gjëra të tjera pa u thënë.
Gazetat e Tiranës,
që na lexohen çdo mëngjes te “Koha për t’u zgjuar”, a u flasin
shqiptarëvet për krejt Shqipërisë, apo vetëm për një pjesë të Shqipërisë?!
Madje, a u flasin për krejt Republikën e Shqipërisë, apo kryesisht për
Tiranën?!
Le t’i marrim një
për një të gjitha gazetat e Tiranës, të cilat na i ka prezantuar rregullisht “Koha
për t’u zgjuar”! Sa njoftime ka aty për Republikën e Kosovës, për
shqiptarët që janë pjesë e Republikës së Maqedonisë Veriore, për shqiptarët që
janë në pjesën e Shqipërisë Jugore që e ka pushtuar Greqia qysh në gjysmën e
parë të shekullit XX, për shqiptarët jashtë Republikës së Kosovës që kanë
mbetur nën sundimin sërb dhe për shqiptarët që rrethanat historike dhe dobësia
jonë i kanë lënë nën sundimin malazias?!
Tirana
konsiderohet, me të drejtë, Metropoli i Shqipërisë dhe i Shqiptarëvet.
Është edhe Prishtina kryeqendër e njërit prej shtetevet shqiptarë, por ajo
kurrsesi nuk mund ta ketë dhe as në të ardhshmen nuk do ta ketë rolin e
metropolit tonë gjithkombëtar. (Një rol të tillë, në rrethana më fatlume,
ndoshta në të arshmen do të mund ta merrte Prizreni.)
Ku duket ky rrol i
Tiranës në shtypin që na e lexon ditë për ditë “Koha për t’u zgjuar”?
Sa njoftime në
ditë, në javë apo në muaj, botojnë këto gazeta, me përmbajtje nga jeta e
shqiptarëvet që jetojnë në Republikën e Turqisë? Në Republikën e Turqisë
jetojnë më shumë shqiptarë se në të dyja republikat shqiptare. Sa shkrime në
ditë, në javë apo në muaj, nxjerr shtypi i metropolit të shqiptarëvet
lidhur me jetën e asaj mase të madhe, të cilët, afërmendsh, kanë nevojë për t’u
zgjuar më shumë se shqiptarët e Tiranës? Kambana për t’u zgjuar shqiptarët,
duhet të bjerë në qendër! Në mos rëntë kurrfarë kambane në qendër, nuk
mund të presim që kombi ynë të zgjohet ndonjëherë për së mbari, siç është për
t’u zgjuar.
Sa njoftime në
ditë, në javë, në muaj, nxjerr shtypi i metropolit shqiptar lidhur me
jetën e asaj mase shqiptarësh që jetojnë në Republikën e Greqisë? Masë
shqiptarësh që jetojnë në pjesët e Shqipërisë të pushtuar prej Greqisë qysh në
gjysmën e parë shekullit XX, masë shqiptarësh që kanë shkuar në Republikën e
Greqisë mbas vitit 1990, një pjesë e të cilëvet janë efektivë edhe të ushtrisë
greke, masë mijërabanorëshe që quhen arvanitë, të cilët janë ndër
krijuesit edhe të historisë së shtetit grek.
Dua të them, kjo “kohë
për t’u zgjuar”, a ka të bëjë vetëm me tiranasit dhe me ne që jetojmë
këtu në Shijak, apo ka ndonjë kuptim më të gjërë?! Sepse po dëgjojmë çdo
mëngjes: “Koha për t’u zgjuar!”, “Koha për t’u zgjuar!”
Për ç’lloj zgjimi po bëhet fjalë?!
Sa njoftime, në
ditë, në javë, në muaj, po u sjell kjo “kambanë zgjimi”
shqiptarëvet që jetojnë në SHBA, në Australi, në Mbretërinë e Bashkuar, në
Gjermani, në Francë, në Itali, në Zvicër, në Suedi, në Norvegji, në Spanjë, në
Austri, në Kroaci, në Slloveni, në Bosnjë e Hercegovinë?! Në mos më shumë, të
paktën ta dimë sa shqiptarë jetojnë nëpër këta vende, ç’lloj punësh bëjnë, a ka
midis tyre të papunë, si i shkollojnë fëmijët, sa është kontributi i tyre
financiar e kulturor në 6 pjesët e Shqipërisë. Jo vetëm në 6 pjesët e
Shqipërisë, shpërndarë në 6 shtete, por edhe në Republikën e Turqisë, edhe në
ata vise të Republikës së Greqisë, ku shqiptarët janë imigrantë, të hershëm apo
të vonë.
Nëse është vërtet koha
për t’u zgjuar dhe jo koha për të mos u zgjuar, me këso
temash do të duhej të merrej shtypi ynë qendror? Nuk po them të gjitha gazetat
e Tiranës, por të paktën disa prej tyre dhe atëherë vetëm ato të lexoheshin te
emisioni “Koha për t’u zgjuar”.
Sa është
kontributi ekonomik, kulturor e politik i shqiptarëvet në vendet ku ata
jetojnë?! Kur është më efektiv dhe më i dukshëm kontributi i tyre, atëherë kur
ata i harrojnë gjuhën dhe përkatësinë e vet kombëtare, apo atëherë kur ata e
ruajnë identitetin e vet? Sigurisht, këto nuk janë punë të lehta për një
gazetari, por, nëse nuk i kryejnë dot, të mos nxirren te “Koha për t’u
zgjuar”!
Një fushë shumë e
domosdoshme për t’u trajtuar në gazetat tona të qendrës, dmth gazetat e
Tiranës-kryeqytet, është edhe pasqyrimi statistikor i dukurivet që, jo vetëm do
ta zgjonin shqiptarin prej gjumit, por do ta linin pa gjumë, deri sa,
bashkërisht, të gjendej një zgjidhje.
Sa fëmijë shqiptarë
nuk shkollohen as minimalisht në gjuhën shqipe?! Sa vajza shqiptare kanë mbetur
pa u martuar, brenda atdheut, dmth brenda 6 shtetevet ku shtrihen territoret e
Shqipërisë dhe jashtë atdheut? Sa pleq e plaka shqiptare kanë mbetur pa
kujdesin e bijvet e bijavet të veta dhe janë të detyruar ta ngrysin jetën të
vetmuar?!
Sa toka po mbeten
djerrë në krejt Shqipërinë, dmth në 6 shtetet ku shtrihen territoret e
Shqipërisë dhe pse po ndodh kështu?! Shqiptarët që po e mjellin tokën dhe po
vjelin prodhime, pse nuk po mund t’i shesin prodhimet e tyre as brenda, as
jashtë atdheut, por po konkurohen prej të huajvet?!
Sa është numri i
shqiptarëvet të burgosur jashtë atdheut dhe sa është numri i shqiptarëvet të
burgosur brenda atdheut?! Vetëkuptohet, përfshirë këtu jo vetëm Republikën e
Shqipërisë, por krejt Shqipërinë. Këto pasqyra statistikore, shtypi ynë qendror
kombëtar do të duhej t’i trajtonte të paktën periodikisht, për shembull njëherë
në vit, në mënyrë që të shihet: Jemi zgjuar ndopak dhe sa jemi zgjuar,
si komb?! Këto shifra shqiptarësh të kapur, dënuar e burgosur, të krahasohen
(me raste dhe proporcionalisht) edhe me numrin e të burgosurvet shqiptarë në
kohën e sundimit të Ahmet Zogut 1925-1939, në kohën e sundimit të Enver Hoxhës
në vitet 1944-1985, si dhe në dy apo në tri kohët e sundimit të sllavëvet dhe
grekëvet në ato pjesë të Shqipërisë që i kishin, apo që i mbajnë ende të
pushtuara sllavët edhe grekët.
Dihet që këto janë
tema të cilat u takojnë studiuesvet të ndryshëm. Por, kur shohim që gazetat
tona të Tiranës botojnë me dhjetëra faqe listash emërore të personavet që u
“shtohen” pensionet apo të personavet që u kompensohen pronat, s’ka pse të
themi që këto statistika nuk u takojnë gazetavet.
Mund të thotë
dikush që shtypi i Tiranës merret me ato tema që i interesojnë lexuesit të
sotëm të Tiranës. (Për shembull, duke botuar çdo ditë në çdo faqe të parë nga
një femër gjysmë lakuriq.) Nëse është vërtet kështu, nëse vërtet lexuesit të
Tiranës nuk i interesojnë informacionet që lidhen me krejt kombin, atëherë le
të mos quhet Tirana kryeqytet shqiptar. Le të quhet kryeqendër e njërës
nga provincat e Shqipërisë dhe, kur të thuhet “koha për t’u zgjuar”,
të shtohet aty dhe të theksohet: “për tiranasit dhe për shqiptarët që
jetojnë rrotull Tiranës”! Le të zgjohen pensionistët e Tiranës! Le të
zgjohen ata tiranas, të cilëvet u është kthyer apo rirrëmbyer prona Te Vorri i
Bamit! Le të zgjohen dhe le të marrin vesh: tiranasit, durrësakët, shkodranët,
fierakët dhe vlonjatët, sa djem vranë njëri-tjetrin dhe sa të tjerë iu sakatuan
nëpër aksidentet rrugorë, brenda ditës apo brenda javës! Dhe me kaq, të marrim
çantat e të nisemi për punë, shekullisht jo të zgjuar, por të
trullosur!
Si është e mundur
të konceptohen kështu detyrat e një gazetarie, veçanërisht asaj qendrore?! Si
është e mundur të ngushtohet kaq kretenisht diapazoni publicistik i një
kryeqyteti të një kombi, të cilit i kanë mbetur kaq shumë punë pa i kryer?!
Mua më vjen keq,
por jam i detyruar ta them: Asnjë gazetar i sotëm shqiptar nuk e përdor
ashtu si duhet emrin Shqipëri! Në vend të shprehjes Republika
e Shqipërisë, ata përdorin abuzivisht emrin Shqipëri dhe
as që u shkon mendja se në këtë mënyrë i kanë mohuar dy të tretat e Shqipërisë!
Për çfarë zgjimi
po u flet Bashkim Hoxha mëngjes për mëngjes shqiptarëvet, kur gazetarët, pjesa
më e informuar e kombit, për 30 vjet nuk kanë mësuar të dallojnë konceptin shtet
prej konceptit atdhe?!
* *
*
Pjesa e dytë e
emisionit “Koha për t’u zgjuar” është ajo e bashkëbisedimit me
shikuesit (dëgjuesit). Ajo është aq e parezultatshme, sa, drejtuesi i
emisionit, çdo mëngjes, në çdo tridhjetë minuta, detyrohet të thotë mbi 20 herë
“Ule zërin e televizorit”. Do të mjaftonte vetëm kjo, për
të kuptuar, sa dhe si po arrijmë t’i zgjojmë, veten tonë dhe popullin
tonë, në këtë kohë, qëllimisht ose jo qëllimisht, gjumënxitëse.
*kllapi: Gjendja e një
njeriu që e ka humbur vetëdijen.
Gjokë Dabaj
17 tetor 2020