Mendime
Adil Fetahu: Ambasadori gjerman e fshikulloi Daçiqin
E hene, 26.10.2020, 09:07 PM
AMBASADORI GJERMAN E FSHIKULLOI DAÇIQIN
Nga
Adil FETAHU
Heusgen: “Miqtë tanë serbë po ia shkrepin vetës në këmbë… ata
flasin shumë për krimet e Shqiptarëve, por kurrë nuk
flasin për krimet që i kanë kryer
vetë: pastrimin etnik dhe deportimin masovik të Shqiptarëve, në
vitin 1998 dhe 1999”
*
Në video-seancën virtuale të Këshillit të Sigurimit të
Kombeve të Bashkuara, që u mbajt më 21 tetor, në të cilën u shqyrtua raporti
gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm, Guteresh, për punën e Misionit të KB
(UNMIK) në Kosovë në periudhën 16 mars deri më 15 shtator 2020,- për t’u mbajtur mend ishte një kritikë e ashpër e ministrit të punëve të jashtme të
Gjermanisë ndaj ministrit të Serbisë, por edhe ndaj ambasadorit të Rusisë në
KB, i cili këtë muaj ishte kryesues i Këshillit të Sigurimit.
Ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica
Daçiq, në stilin e tij të gënjeshtrave e
falsifikimeve, bëri një varg akuzash kundër Kosovës, duke theksuar se
“Prishtina” po e mashtron Serbinë dhe BE-në qe shtatë vjet pas nënshkrimit të
marrëveshjes për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, e nuk e ka
themeluar akoma atë bashkësi. Daçiqi lamentoi edhe për shumë çështje tjera: se
KFOR-i po bashkëpunon dhe po patrullon rreth “linjës administrative” bashkë me
policinë e Kosovës; se zyrtarët “e Prishtinës” kanë paralajmëruar zbatimin e
shërbimit të obligueshëm ushtarak në kohëzgjatje prej tre muajsh, gjë që është për
t’u brengosur dhe është në kundërshtim të Rezolutën 1244, pasi që vetëm KFOR-i
është strkturë legjitime ushtarake në “Krahinë”; se “Prishtina” po vazhdon fushatën e lobimit
për njohje, përkundër marrëveshjes për moratorium njëvjeçar që u nënshkrua
në Vashington më 4 shtator; se ka rritje
të numrit të incidenteve kundër
serbëve dhe personat e zhvendosur nuk
janë duke u kthyer në Kosovë “e Metohi”; se “Prishtina” po synon rishikimin e
historisë, duke u përpjekur të përvehtësojë kishat ortodokse,- ka thënë Daçiqi,
që është paraqitja e tij e fundit nga funksioni i diplomatit, pasi tash, pas
zgjedhjeve të fundit në Serbi, ai është zgjedhur kryesues i Kuvendit të
Serbisë.
Shefi i UNMIK-ut, Zahir
Tanin, ka folur për problemin e pandemisë Covid-19 dhe ndihmat që ka marrë
Kosova për përballjen e kësaj pandemie. Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë –
Serbi që po zhvillohet në Bruksel dhe për rezultatin e arritur në Vashington.
Seanca virtuale e KS ka
filluar punën me gjysëm ore vonesë, për
shkak se ambasadori rus, Vassily Nebenzia, i cili këtë muaj i kryeson mbledhjet
e Këshillit të Sigurimit, kërkoi largimin e simboleve (Flamurit) dhe të
përfaqësueses së Kosovës nga platforma e Seancës.
Megjithatë, përfaqësuesja e
Kosovës mori pjesë në seancën virtuale dhe që në fillim theksoi se duhet
kuptuar që Kosova është një shtet krejtësisht i pavarur dhe sovran, aspak më
ndryshe se shtetet e tjera dhe se ky realitet duhet të pranohet, sepse ky është
bazë për zgjidhjen e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo foli edhe për
krimet e forcave jugosllave-serbe dhe spastrimin etnik dhe theksoi se populli i
Kosovës kërkon drejtësi, kurse Serbia refuzon të bashkëpunojë me institucionet
e Kosovës për të luftuar krimin, për t’i
gjykuar kriminelët dhe për t’i gjetur të zhdukurit. Serbia po vazhdon fushatën kundër njohjes së
Kosovës dhe po e keqpërdor kishën ortodokse për të krijuar destabilitet, ka
thenë ministrja e Kosoves për punëe të jashtme dhe diasporë, Meliza
Haradinaj-Stublla.
Kryesuesi ia ndërpreu fjalën
përfaqësueses së Kosovës pa e përfunduar.
Më i drejtpërdrejt dhe më i
ashpër në diskutimin e tij ka qenë ministri i jashtëm i Gjermanisë Kristof
Heusgen (Cristoph Heusgen). Ai në fillim i bëri vërejtje kritike kryesusit të
seancës, ambasadorit rus Nebenzia, pse ia ndërpreu fjalën përfaqësueses së
Kosovës. Jepni shansen ta përfundojë
fjalën e saj, apeloi ambasadori gjerman.
Për këtë vërejtje, kryesuesi i seancës
“u arsyetua” se ka menduar që ajo e kishte përfunduar fjalën e saj dhe se
ekrani “ishte ngrirë”. Pas fjalimit të
ambasadorit gjerman, kryesuesi i seancës ia mundësoi përfaqësueses së Kosovës
vazhdimin e fjalës së saj. Ambasadori gjerman e kritikoi kryesuesin aktual të
Këshillit të Sigurimit, edhe për atë se
nuk e lejoi përfaqësuesin special të BE në procesin e dialogut midis Kosovës e
Serbisë, Mirosllav Lajçak, që t’i drejtohet KS me një fjalë rasti për këtë
proces.
Duke reaguar ndaj fjalimit
të Daçiqit, ambasadori gjerman u shpreh se: “Përfaqësusit e Serbisë flasin
shumë për krimet e Shqiptarëve, por kurrë nuk ka dëgjaur prej tyre të
flasin për krimet që janë kryer kundër
Shqiptarëve në vitin 1998 dhe 1999, kur bënë pastrimin etnik dhe deportimin
masovik të Shqiptarëve. Kur dëgjoj fjalimin
e përfaqësuesit të Serbisë, kam përshtypjen se është “copy paste” (kopje) e
fjalimit të tij të mëparshëm”. Duke folur për fushatën serbe kundër
njohjeve të pavarësisë së Kosovës, ambasadori gjerman tha: “Miqtë tanë serbë
po ia shkrepin vetes në këmbë. Sepse, nëse ata duan të hyjnë në Bashkimin
European, duhet ( bile edhe vet,v.j.) të mundohen që Kosova të njihet prej të
tjerëve dhe vet ata ta njohin, sepse njohja e Kosovës është kusht që Serbia të
pranohet në BE. Moszgjidhja e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë mbetet burim
tensioni jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për gjithë rajonin”, ka
theksuar ambasadori gjerman, Kristof. Ai foli edhe për Gjykaten Speciale, si segment i rëndësishëm i
sundimit të së drejtës dhe përfundimit të mosndëshkimi, dhe përshëndeti
vazhdimin e dialogut midis Kosovës e Serbisë, nën patronatin e BE.
Në atë seancë virtuale të
Këshillit të Sigurimit është folur edhe për çështje tjera, me theks të veçantë
për problemin e pandemicë Covid-19,por edhe për Kosovën dhe marrëdhëniet me
Serbinë.
Përfaqësuesi I Britanisë së
Madhe,, Thomas Phipps ka kërkuar të rishqyrtohet roli i UNMIK-ut në Kosovë,
sepse situata tash është krejt ndryshe kundrejt asaj të vitit 1999, kur e ka
filluar mandatin. Ai përkrahu vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, nën
patronatin e BE-së dhe e ka përshëndetur përparimin e të dy palëve, të arritur në Vashington.
Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është vendimtar për
stabilitet dhe përparim, ka thënë përfaqësuesi britanik dhe ka kërkuar që
zyrtarët e të dy palëve të përmbahën nga retorika e cila i fyen familjet e
viktimave të luftës. Ai përkrahu fuqishëm sundimin e së drejtës dhe punën e
Gjykatës Speciale.
Përfaqësuesja
e ShBA-ve, zëvendësja e ambassadorit amerikan në ShBA, Çerit Norman e ka
vlerësuar si ditë historike kur kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, dhe
kryetari I Serbisë Aleksandar Vuçiq,
nënshkruan në Vashington marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve
ekonomike dhe i lavdëroi të dy për guximin e treguar. Ka thënë se ShBA-të do të vazhdojnë t’i
kurajojnë të dy palët që të arrijnë marrëveshjen për stabilizimin e
marrëdhënieve, që është me rëndësi kyçe për rajonin. Normalizimi i plotë i
marredhënieve është qëllim i përbashkët
i ShBA-ve dhe BE-së. Ka shprehur besim të plotë ndaj Gjykatës Speciale. Ndërsa për
UNMIK-u, ka thënë se e ka kaluar
rolin e tij origjinal, si mision i
ruajtjes së paqes në Kosovë dhe në rajon,
dhe i ka propozuar Këshillit të
Sigurimit ta rishqyrtojë atë dhe resurset e kufizuara paqëruajtëse t’i
orientojë atje ku janë më të nevojshme.
Ajo gjithashtu bëri apel që Këshilli i Sigurimit ta rishqyrtojë rolin e UNMK-ut në Kosovë dhe të merr hapa
në këtë drejtim.
Edhe
ambasadorja e Francës ka vlerësuar se njënga
sfidat kryesor të Kosovës është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.
Marrëveshja përfundimtare dhe gjithpërfshirëse, juridikisht e obligueshme,
është parakusht që Serbia dhe Kosova t’i bashkangjitën BE-së. Ajo e ka përshëndetur vazhdimin e
dialogut midis Prishtinës e Beogradit, me porosinë se Franca është e bindur se të dy palët kanë të ardhme të përbashkët europiane.
Përfaqësuesi
i Rusisë dhe ai i Kinës konsiderojnë se roli i uNMIK-ut për ruajtjen e paqes në
Kosovë është i pazëvendësueshëm!
Kështu,
këtë muaj sa e kryesoi Këshilin e Sigurimit përfaqësuesi i Rusisë, Daçiqi për
herë të fundit në atë forum shfryu kundër Kosovës dhe Shqiptarëve, por mori një
goditje fshikullimi nga ambasadori gjerman, Heusgen, që do ta mbajë mend për
një kohë të gjatë.
Ne mediat
serbe, komentues të shumtë shprehen në mënyrën më vullgare dhe fyese edhe
kundër ambasadorit gjerman, por akoma më
tepër kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Bie në sy, se jo vetem mediat dhe
komenteuesit e shumtë, por edhe vet zyrtarët e Serbisë, kur flasin për
Kosovën, kurrë nuk mund t’i “përbijnë”
termat adekuate, por i përdorin: “Prishtina”, “Krahina”, “Kosovë e Metohia”, “e
ashtuquajtura Kosova”, e të tjera si këto, nga frika se po ta quanin Kosovën me
emrin e saj zyrtar, të njohur ndërkombëtarisht, mos po e pranojnë si shtet!