Kerko: Resmi Osmani
Resmi Osmani: Kënga e fundit e mjellmës
E shtune, 24.10.2020, 06:41 PM
KËNGA E FUNDIT E MJELLMËS
Tregim nga Resmi Osmani
1
Dielli i gushtit kishte vënë
saçin e zjarrtë mbi luginën e Karpenisit. Qielli i kaltër pa një re. Asnjë
grimë flladi, ajri dridhej si në ethe nga përvëlimi i diellit. Mustafa pasha
Bushatlliu, i quajtur edhe Shkodrani, nuk po e duronte dot vapën mbytëse, po i
buiste djersa. Doli nga tenda madhështore, por edhe jashtë, nën hijen e
ullirit, të nxehtit ishte përvëlues dhe në hapësirë, drita e diellit verbuese.
Në çast ju gjendën përskaj Llesh Ziu dhe truproja e heshtur mirditore, në
pritje të urdhërave.
Pas marrjes me luftë në ecje
e sipër të Agrafës dhe pushtimit të qytezës së Karpenisit,
pashai e vendosi fushimin në rrafshultën e luginës së rrethuar me ullishta dhe
vreshta, dy sahat ecje më këmbë nga Mesollongji. Pashai hodhi sytë nga fusha që ishte e mbushur me qindrat e çadrave
që dukeshin si kërpudhat e mbira pas shiut vjeshtor. Më tej, në perëndim,
shquheshin kambanaret e bardha me kryqin dhe muret rrethuese të qytetit
kryengritës të Mesolongjit që, ai kishte
urdhër me ferman nga Porta e Lartë, ta merrte dhe t’i hapte udhën ushtrisë të
hidhej në More. Ca më tej, në të djathtë, ishte fushimi i Omer pasha Vrionit të
Beratit. Pritej që të mbrrinin edhe taborret e komanduara nga Hurshid pasha
Çekrezi që, s’dihej ku kishin mbetur e firasur udhës.Thoshin se i kishin parë
në Lepant. Nga deti qytetin e kishte rrethuar flota me gjemitë e luftës që i komandonte Isuf pasha që, i daroviste bujarisht të
rrethuarit me gjylet e topave dhe u bënte thirrje “dashamirëse” që të
dorzoheshin në mëshirën e tij. Gjith ‘e gjithë, bëheshin dymbëdhjetë mijë, dhe
me ato që priteshin të vinin do të bëheshin
njëzet mijë asqerë, këmbësorë e kalorës, me xhepane dhe topa. Qytetit i
ishte shtrënguar laku,mezi merrte frymë i sfilitur, ishin prerë furnizimet dhe
kishte nisur të vuante nga uria. Ose dorëzoheshin, ose vdisnin nga uria! Luftën
për këtë fortesë, ai e quante si luftë për jetën dhe nderin e tij.
Mustafa pasha, nuk e kishte
dashur këtë luftë, por thikës nuk i bihet me grusht, e kishte pranuar nga
zorbelaja dhe ishte detyruar të hynte në atë valle, nga frika e sulltan
Mahmutit II të cilin, sa herë e kujtonte, i fanepsej koka e prerë e Ali Pashait
të Janinës në kamaren e turpit të kryeqytetit dhe e zinin dridhmat. Ruajna Zot!
Nisi lajmëtarët për të
thirrur pashallarët dhe komandantët e taborreve në këshillin e luftës. Në
pritje të tyre, hyri në çadër dhe u ul në divanin e shtruar me lëkurë leopardi.
Llesh Ziu i shërbeu shurup të ftohtë trëndafili.Nuk mënoi dhe përjashta u
dëgjuan tringëllimat e patkonjve dhe shkrofëtimat e kuajve. I pari hyri Omer
Vrioni shtatlartë që zuri tërë hyrjen e çadrës, e përshëndeti me temena të thellë, me dorë në zemër dhe urimin
shqip: ”Allahu të shtoftë ymrin pasha i ndritur.” I bëri vend pranë vetes. Ai
nuk e donte dhe s’ia kish besën këtij pashait ambicioz, paburrëri e të pabesë,
tinzar e hileqar që, kish tradhëtuar Ali Pashën dhe që s’kishte mundur t’a
merrte Mesollongjin në rrethimin e një viti më parë, e që kishte marrë rrugët si qen i rrahur i
ndjekur nga Marko Boçari dhe suljotët e tij. Krah tyre u ulën edhe Isuf e
Çollak pasha. Yzbashët e bimbashët, zunë vend në divanët anësorë. Një nga
dylberët dhe Llesh Ziu u kujdesën që të shërbehej shurup trëndafili.
Heshtje.Sytë i kishin mbi
pashanë. Në lule të moshës, shtatmesëm, hedhur mbi supe një pelerinë me tujet e
pashait, mbi krye turbanin që e zbukuronte një gur smeraldi sa një lajthi e që
lëshonte reflakse të gjelbërta dhe një pendë e bardhë. Fytyrëhequr,si presa e
thikës, i zeshkët, mjekra e plotë,e zezë me ca fije thinjash të argjendta, me
hundë si skifteri grabitqar,nën vetullat kaleshe sytë të zez si nata, depërtues
enigmatik e inatçor. Goja e vogël dhe buzët e holla e të shtrënguara. Në
silahun me pafka argjendi, kishte ngjeshur kamën me dorezën stolisur me rubin
dhe pisqollën.
Nën peshën e ankthit të
heshtjes, ata prisnin fjalën e pashait.Më në fund ai foli:
-Padishahu, Drita e Botës,
që Allahu i shtoftë ymrin e mos na lëntë pa mëshirën e tij, ka urdhëruar që nga
qyteti i mallkuar e i nëmur i Mesollongjit, ku janë kryengritur e trimëruar të
pabesët, t’i dërgojmë vetëm një grusht
hi.Vetëm atëhere do të gjejë prehje zemra e tij. Për këtë jemi këtu. Para dy
javësh, u dërgova haber dy kleftëve që, sillen rreth nesh si çakenj, Strugarës
dhe Karaiskaqit, që të bashkoheshin me ne, se do t’u falja mëkatet dhe do t’u
jepja gjithë të mirat.Nuk pranuan. Dergova një tabor për ndjekje. Sturnara nuk
u bë burrë, u tërhoq duke dredhuar në grykat e maleve pa dhënë betejë. Edhe
Karaiskaqi, kemi habere se është I sëmurë, i bishtnoi betejës. Ka mbetur vetëm Marko Boçari, i farës
shqiptare, çami suljot me të tijët, një grusht burra, të mbyllur në kasaba.
Sido që thonë se është trim i tërbuar e
zëmërasllan, me atë grusht njerëz, nuk
mund të na bëjë ballë. E dua ta zini të gjallë. Do ta dërgoj në Stamboll, të
mbyllur në kafaz, si një egërsirë, si plaçkën më të vyer të kësaj lufte.
Do të ndahemi në tri pjesë:
Isuf pasha dhe Çollak pasha, në ndjekje të kryengritësve në grykat e maleve.
Shtatë mijë asqerë, pa zënë shirat e vjeshtës, këmbësorë e suvarinj dhe
artilieria, nën hyqmën time, do të rrethojmë kasabanë, që të mos hyjë e dalë as
miza, do ta rrahim me topa sa të vidhisim muret e ta rrënojmë gur mbi gur.
Trupat e Omer pashait mbeteshin në rezervë……. Dha edhe porosi të tjera.
Filluan gatitjet që pas dy
ditësh, ushtria të soste përballë mureve
të qytetit.
2
Kapedan Marko Boçari, me
njëmijë e dyqind luftëtarë ,ndodhej në Katoçi midis Mesolongjit dhe Vonicës.
Sulmoi, vrau dhe zuri rob, një pjesë të forcave armike të Çollak pashës. Pa që
nga rruga tërë dredha ngrihej një vazhdë pluhuri, po vraponte një kalorës.Kur
mbrriti, i dha kapedanit një letër që ia dërgonte prefekti. Metaksai, i
shqetësuar, kërkonte që Marko Boçari të
kthehej në qytet.
Nga frika e rrethimit,
bombardimet nga deti, pakësimi i ushqimeve , kërcënimi i urisë dhe sëmundjeve,
banorët i kishte kapur paniku. Një dërgatë e parisë së qytetit, i kishte
kërkuar Prefektit që ta dorëzonte qytetin, se njëzet mijë asqerët e turkut edhe
me pështymë e mbysnin qytetin e rrethuar! Edhe te disa nga kapedanët suljotë, pas gradimit të
Markos gjeneral, dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë së Greqisë Veriperndimore,
dukej një qejfmbetje. Ata, po aq trima si Marko,që nuk kishin kursyer as jetën,
që kishin derdhur djersën e gjakun po si
ai, u dukej vetja si të lënë pasdore nga qeveria.
Nuk kishte tjetër burrë veç
Markos, arsyetonte prefekti që, t’i qetësonte dhe tu ngjallte besimin në
fitore.
Ishte ditë e ethshme, kur
duhet të merreshin vendime për jetë a vdekje. Marko, i tendosur e si në ethe, u
kujtua se kishte marrë një letër nga një lord i fisëm anglez që quhej Bajron
dhe që gjëndej në Qefaloni. Kishte letër rekomandimi nga Imzot Ignati, në
Ankona, që të vinte në Mesollongj.Vetë lordi i shkruante se kishte formuar një
gardë me dyzet suliotë trima nën komandën e Xhavellës dhe se donte të ishte
njëri nga ushtarët e tij dhe po të duhej, të luftonte e jepte jetën për liri.
I duhej kthyer përgjigje.
Thirri sekretarin, Vasil
Gudën dhe i diktoi këtë letër: “Shkëlqesia e juaj,lord Bajron, është pikërisht
njeriu i shpresës, për të cilin kemi nevojë këto dit të rënda. Asgjë nuk duhet
të bëhet pengesë për ardhjen tuaj në këtë vend të greqisë. Një ushtri e
panumërt po na kërcënon…sonte kam në plan të bëj diçka kundër një trupe prej
shtatë mijë vetash që janë rreshtuar afër këtij vendi.Pasnesër do të vij të
takoj shkëlqesinë tuaj. Mos u vononi shumë. Ju falnderoj për përshtypjen e mirë
që keni për atdhetarët e mi dhe shpresoj se ata do të justifikojnë besimin
tuaj. Ju falnderoj për kujdesin që tregoni për ta”
Juaji me besë,
Marko Boçari.
E firmosi dhe dha porosi ta
nisnin menjëherë.
Në sallonin e madh të njerës
nga shtëpitë e arhondëve,që llapste nga e bardha e gëlqeres rrezet e dritës që, hynin nga dritaret e
larta, bënin të dukeshin hallakatjet e thërmijëzave të ndritura të pluhurit, Marko thirri në kuvend treqind
luftëtraët dhe kapedanët suljotë. Qëndronin më këmbë, të heshtur, në pritje.
Marko, bashkë me prefektin Metaksa, u doli përballë. Kishte kaq gjëra për t’u
thënë! Koha s’priste. Duhet t’i prekte në sedër, tu ngjallte trimërinë, t’i
bashkonte si gishtat e dorës në një grusht të fortë, dërrmues.
U foli shqip, në gjuhën e
mëmës.Sekretari, vangjel Doga i përktheu Metaksait.
-Vëllezërit e mi, kapedanë
trima suljotë.Unë jam vëllai juaj, një nga ju, që kemi ndarë bashkë mundimet e
luftës gëzimet e fitoreve dhe hidhërimin e humbjeve, i kemi lidhur plagët
njerjatërit. Nuk jemi ndarë as në të mirë e as në të keq. Më kanë ardhur fjalë
se dikush është qejfprishur qe mua qeveria më gradoi gjeneral e komandant. Unë,
ma di Zoti që është një, s’kam punuar e luftuar për grada e nderime. Gradën ma
ka dhënë populli im, që më quan Kapedan Marko Boçari. Ja se ç’i bëj unë gradës
së gjeneralit- mori nga duart e Vangjelit diplomën e gjeneralit, e grisi në
katër copa dhe e flaku përdhe. U dëgjua një “Ah” dhe mërmërimë habije- tani
jemi të barabartë. Vëllezër: kapedanë Xhavella, Fotomara, Zerva, Dangëlliu dhe
ju trima të tjerë, që jeni bij dhe nipër etërish e stërgjyshër të lavdishëm,
armikun e kemi te pragu i derës. Ne mund të fitojmë po të jemi të bashkuar,
treqind si një i vëtëm, me një zemër me një mendje.
Një nga ju më
pyeti:”Ç’kërkojmë ne në këtë luftë?” Është e ditur,me grekët kemi një besë, i
falemi Zotit në të njëjtat kasha, por ne
jemi suljotë, arbërorë, farë shqiptare, s’kemi lidhje gjaku e nuk flasim gjuhën
e grekëve, por gjendemi këtu për t’i ndihur, sepse luftojmë kundër të njëjtit
armik, që ka pushtuar edhe vendin tone, ndaj edhe jemi shpërndarë si zogjtë e korbit! Çlirim i
greqisë do të sjellë edhe fillimin e çlirimit të vendit tonë, prandaj kjo është
edhe lufta jonë. Mos harroni që Kollokotroni, kapedan Odhise Andruco,
Karaiskaqi, Bubulina, Mijauli, Mavrokordato, hidriotët e speciotët, e të tjerë
që janë vënë në krye të revolucionit, janë të gjakut arbëror. Si thoni?
Përgjigja qe një “Po” e
fortë dhe”Prina kapedan Marko.”
Në një odë tjetër,Marko mblodhi
këshillin e luftës. Kapedanët suljotë dhe të vullnetarëve të Etolo-Akarnanisë,
Thesalisë dhe të nisive të Jonit. U kërkoi mendim sesi duhej të vepronin,
përball këtij armiku prej njëzet mijë trupash.
U dhanë dy mendime:
I pari; të dilej nga qyteti,
të ziheshin grykat dhe qafat e maleve dhe prej andej të sulmohej armiku,
pjesë-pjesë.
I dyti.Të qëndronin të
ndryrë në qytet e që aty t’i bëhej ballë furisë së armikut që do të sulmonte.
Marko nuk miratoi
asnjërin.”Në rastin e parë- tha ai- hordhitë e armikut do ta gjenin rrugën të
hapur dhe, do të hidheshin në Peleponez për të shtypur kryengritjen. Gjithë ç’ishte arritur dhe gjaku I derdhur do
të shkonte dëm. Për mendimin tjetër: po të rrinin të ndryrë në qytet, nuk
kishin as forcat, as armët e mjaftueshme dhe as ushqimet për të përballuar
rrethimin dhe do të vdisnin të gjithë! Qyteti do të binte, do t’i vihej flaka
dhe njerëzit, pa dallim do të masakroheshin pa mëshirë. E si mund t’a lejonin
këtë?
Ç’farë propozonte ai? Një
veprim të jashtzakonshëm, për një situatë të jashtzakonshme. Si shumë herë të
tjera, armiku do të sulmohej natën, në befasi, do të vriste Mustafa Pashën dhe
pashallarët e tjerë. Ushtria osmane do të mbetej si trup pa kokë dhe do të
shpërbëhej e merrte arratinë. Kjo taktikë u kishte dhënë fitoren edhe në
luftërat e tjera.Për këtë ata ishin dëshmitarë.
Pati që e kundërshtuan, e
panë si të pamundur dhe vdekjeprurës këtë aksion. Por ai i kundërshtoi.
-E vërtetë që ata janë
mizëri, po mos harroni që çdo një nga ju vlen sa dhjetra armiq.Ne nuk do te
sulmojmë ballazi, ditën më drake, por natën në befasi, në çadrën e pashait.
Tekefundit,Ju nuk jeni të detyruar, mund të bëni si ta
shihni më mirë, por unë do të bëj këtë që thashë dhe jo më vonë, por
sonte.Pritja është vdekje.Kjo është luftë e shenjtë, për liri, por që mund të
paguhet edhe me jetë. Kush është gati të
luftojë e vdesë tok me mua të dalë mënjanë.
Thirrjes iu përgjegjën të
treqind suljotët, por edhe shumë vullnetarë. ”Edhe ne do të luftojmë e vdesim
me Marko Boçarin”,”Jo,-tha ai- nuk do të vdesim, se Perëndia është me ne.
Sulmi do të bëhej duke u
gdhirë 21 gushti 1823,në mesnatë, në errësirë. Markua me pesëqind luftëtarë do
të sulmonte në befasi krahun e majtë të kundërshtarëve të shumtë, atje ku ishte
ndënjia e pashallarëve, do hynte në
çadër dhe do të vriste apo zinte të gjallë Mustafa pash Bushatin, kurse Kiço
Xhavella me katerqind vetë do të sulmonte krahun e djathtë, për tu bashkuar në
qendër. Njëmijë e dyqind të tjerë, do të qëndronin më larg, në pritje të
zhvillimit të luftimëve. Po të kishte sukses sulmi, ata do të hynin në luftë
dhe të peërfundonin atë që kishte nisur Marko, në mos sukses, kishin kohë të
tërhiqeshin pa u dëmtuar.
Parrulla do të ishte
shqip”Kush je ti?”, ”Jam hekuri”
Kur Vangjel Guda i paraqiti
planin e luftës prefektit Metaksa, ai tha i habitur.”Ky njeri i ka hedhur të
gjithë zaret” dhe nuk shtoi më asnjë fjalë.
3
Errësirë, mjegull si e tymtë
që teptis nga deti në luginë e grykat e maleve.Nata që fsheh në shkrumbin e saj
të zi mistere, të fshehta, pusi dhe
ngjall makthe në ëndërrat e atyre që flenë në çadrat e fushimit të asqerëve
dhe, besim shpresë e guxim te sulmuesit
që dalin nga portat e qytetit dhe i thith sfungjeri i natës së errët.
Duhen dy orë ecje deri në
fushimin e armikut.Deri atëhere, nga majëmalet do të pikojë drita e zbehtë e
vëngjillës e në atë gjysmëerrësirë, kur armiku bën gjumin e thellë, do të
shpërthejë mbi ta shtërgata e zjarrtë e
vdekjes.
Nën dritën e zbehtë të yjeve,
në qiellin mbi qytet, u pa të fluturonte një luzmë zogjsh, që u ngrit nga deti,
në formën e shkronjës “V”, në krye u printe një mjellmë e bardhë. Drejtimi i
tyre ishte veriperëndimi.
Marko i vërejti dhe i mori
si fatsjellëse. Kishte dëgjuar të thoshin se Mjellma para vdekjes këndonte
këngën e saj të fundit. I rrahu përkëdhelshëm vithet doriut, i rregulloi
mëgojzën, shtrëngoi qenglën , forcoi shalën dhe yzengjitë. Thundrat e kuajve i
veshën me rrecka që të mos dëgjohet zhurma e potkonjve. Me një të hovur gjëndet
mbi shalë. Doriu shkrofëtin dhe rreh truallin me këmbën e parë.Marko i fërkon
jelet që ta qetsojë.Erdhi koha.Liri a vdekje!
-Kush je ti?
-Jam hekuri!
Parrulla pëshpëritet
ngadalë.Markua ia liron mëgojzën doriut dhe ai niset.Pas tij pesëqind trima.Të
heshtur, që lëvizin si hije, tërë sy e veshë.Secili e di detyrën e tij. Bëjnë
kujdes që edhe armët të mos tringëllijnë. Qetësi, fshehtësi e befasi.Kur të
sulen mbi fushimin armik, kur ata të zgjohen nga gjumi e të përmenden, le t’i pandehin
fantazma, si ca shpirtëra që i ka pjellë errësira dhe të tmerrohen.
Marko me dyzet luftëtarë që
ua ka provuar trimërinë, arrin fushimin. Të tjerët të shpërndarë në grupe të
vegjël, depërtojnë në anën e majtë të fushimit atje ku janë çadrat e
pashallarëve. Rojet e kapur në befasi vriten me shpata e bajoneta, por thirrjet
e tyre të lebetitura: “Allah,Allah”, i
zgjojnë të tjerët që dalin të hutuar nga çadrat pa ditur se çfarë po ndodhte.
Atëhere Markua, qëllon me pisqollë dhe jep shenjën e fillimit të sulmit.Mbi
armikun në panik e të zënë në befasi bëhet plojë e madhe. Markua që vringëllin
shpatën dhe prêt koka, në vrullin e luftës, ka një synim: çadrën e pashajt, ta
vrasë apo zerë të gjallë. Asqerët grumbullohen dhe i dalin ballas. Dëgjohet thirrja”Zot
o zot”.Janë shqiptarë. Markua me zë
bubullues u drejton shqip pyetjen: “Ku është Pashai?”Para çadrave të
pashallarëve gardhohet garda e tyre personale. Luftohet fyta-fyt, egërsisht,
trualli mbulohet me të vrarë e të plagosur.Garda si bën dot ballë furisë së
suljotëve, atëhere asaj i vijnë në ndihmë dhjetra e dhjetra asqerë.
Po agon.Fushimi turk i
zgjuar nga gjumi dhe i lemerisur nga shtrëgata e sulmuesve, ishte në rrëmujë të
plotë, ngado dëgjoheshin të thirrura, të bërtitura, vringëllima të shpatave dhe
shkrehje të pushkëve dhe kobureve. Në mugëtirën e agimit nisin të dallohen
trupat e sulmuesve. Markua, me vringëllimin e shpatës hap udhën drejt çadrës së
pashait.Pas i vijnë trimat që imbrojnë krahët. Edhe pak, edhe pak, mbahu Marko,
pashai është yti. Sytë i lëshojnë flakë, zemra rreh furishëm.”Më prit
pasha”sokëllin ai shqip, që pashai ta dëgjojë dhe tmerrohet. Porn ë atë vrull,
atë e merr plumbi në supin e djathtë.Trimat e tërheqin, ai I kundërshton, plaga
akoma është e nxehtë dhe ai se ndjen dhembjen. Ja lidhin shpejt e shpejt. Ai
mbi kalë sulet sërish përpara,shpata e tij si vetëtimë vret e prêt majtas e
djathtas.
Llesh Ziu, roje personale e
pashait, me pushkë në dorë, kishte zënë pusi para derës së çadrës, pa u përzier
në luftim dhe ia kishte qepur sytë pa ja ndarë kalorësit që sulmonte e bënte
kërdinë. Mori shenjë në kokë dhe kur u sigurua, shkrehu armën. Kalorësi u anua
dhe u gremis mbi kalë. Markon e kishte marrë plumbi në ballë. Atje ku vriten
trimat. Shokët e zbritën nga kali. Ai arriti vetëm të thotë ”Vëllezër, mermani
hakën” dhe dha shpirt. Mbi të u derdhën mizëri armiqtë që ta merrnin trupin e
trimit si trofe lufte. U luftua egërsisht, dhemb për dhemb. Rreth trupit të
Markos u bë një pirg me të vrarë. Midis qindra armiqve për kapedanin e tyre
dhanë jetën njëzet e dy luftëtarë suliotë, por trupin e kapedanit nuk ja lanë
armikut. Në ndihmë u erdhën edhe luftëtarët e Xhavellës dhe trupat e të vrarëve
dhe të plagosurve, që të gjithë, u tërhoqën dhe u nxorën jashtë fushës së
luftimit.
Zbardhi dita.Edhe drita
dukej e përgjakur.
Luftëtarët, të dërrmuar e
shpirtvraë,të heshtur e të përlotur u kthyen në qytet. Printe tabuti i
kapedanit, mbuluar me pelerinën e kuqe, që e mbanin mbi supe gjashtë kapedanë suliotë.
Lajmi i kobshëm hyri në çdo
shtëpi.
Kambanat e tërë kishave ranë
me tinguj të përzishëm.Napa e përzishme e pikëllimit ra mbi qytet.
Marko Boçari sulioti nga
Çamëria, vdiq ashtu siç kishte jetuar: si hero, luftëtar i lirisë për të
ndritur si pishtar e për të mbetur i pavdekshëm , për t’u kujtuar brez pas
brezi.
Kjo luftë ishte kënga e
fundit e mjellmës.Ishte kënga e lirisë, klithma e jetës heroike, kënga e përjetësisë, kënga e të vdekurit që mbetet i pavdekshëm. A mos
vdekja është vetëm dëshpërim?
Ishte tridhjet e tre vjeç.
Vdekja e Markos qe e ndritur, si një britmë lamtumire, që ua drejtonte atyre që
mbeteshin: duajeni jetën, duajeni lirinë…..
Epilog.
Në këtë luftë, suliotët
patën gjashtedhjet të vdekur, dyzet e dy të plagosur. Armiku tetëqind të
vrarë.U kap plaçkë lufte: 4 flamurë,1600 pushkë,1800 kobure,1200 kuaj…Por kjo
fitore, sado e shkelqyer, u pagua shumë
shtrenjtë, me jetën e kapedan Marko Boçarit.
Pas kësaj beteje, që ishte
si goditje vdekjeprurëse në zemrën e ushtrisë së pashallarëve turq, Mustafa
pash Bushatlliu, nuk e mori dot veten.Ai e rrethoi Mesollongjin, por nuk mundi
ta thyejë qëndresën e Suliotëve që tashmë u printe Kosta Boçari, vëllai I
heroit. Kur zunë shirat e vjeshtës, në fushim ra murtaja që po bënte kërdinë.
Pashai, e gjeti si shkak, ngriti fushimin dhe u nis në rrugën e gjatë për në Shkodër. Gjysma e
taborrëve, nga uria dhe sëmundjet i mbeti udhës. Ishte i bindur se Sulltan
Mahmuti II ,nuk do t’ia falte disfatën.
Me heroizmin e tij të
pashoq, Marko Boçari e shpëtoi edhe një herë Mesollongjin dhe nuk lejoi kalimin
e forcave perandorake në Peleponez.
Tre vjet më pas, më 1826,
qyteti u pushtua nga forcat e Ibrahim pashës së Egjyptit.Këtë humbje e vajtoi
gjithë Greqia.
Mesollongj 2004-Tiranë, tetor 2020.