Editorial
Ryzhdi Baloku: E vërteta shqiptare dhe gënjeshtrat serbe!
E marte, 29.09.2020, 09:24 PM
E VËRTETA SHQIPTARE DHE GËNJESHTRAT SERBE PËR "GJENOCIDIN E SHQIPTARËVE NDAJ SERBËVE"
Nga
Ryzhdi Baloku
Lidhur
me përmbajtjen e këtij shkrimi, në fillim u orientova që si temë të punimit ta
shtroj çështjen e cila do të bënte fjalë për të vërtetën dhe gënjeshtrën si
dukuri shoqërore, pa ndonjë prejudikim ndaj askujt. Mirëpo, këto ditë më
rastisi ta lexoj një publikim ku flitej për botimin e një libri nga kisha
serbe, me një emërtim më shumë se bombastik, të titulluar: "ŠIPTARSKI
GENOCID NAD SRBIMA u 20 veku? dokumenti", me konotacion përçmues
"šiptarski" e jo "albanski", i cili libër ishte përkthyer
edhe në gjuhën angleze nga Kosara Gavrilloviq, ku shkruante se ka 951 faqe. Pos
në serbisht, në të njëjtën kopertinë të librit të paraqitur, figuronte titulli
edhe në anglisht: "ALBANIAN GENOCIDE OF SERBS in the XXth century?
dokuments", që nga serbishtja në shqip mund të përkthehet: "GJENOCIDI
I SHQIPTARËVE NDAJ SERBËVE, në shekullin 20? dokumente", andaj u detyrova
që temën e nisur të këtij shkrimi ta ndryshoj dhe ta orientoj në raport me
gënjeshtrën serbe, për të cilën gjë me nxiti ky botim, i cili bazohej në
"dokumente nga arkivi i dioqezës Rashkë-Prizren", e ku figuronte emri
i redaktores, Sllavica Radomiroviq.
Për
ta kuptuar lexuesi gënjeshtrën serbe më mirë, do të vazhdoj me shkrim, mu ashtu
siç e kisha menduar temën që në fillim.
Është
interesant dhe shumë i çuditshëm rrugëtimi i gënjeshtrës në raport me të
vërtetën, e po ashtu edhe efekti i përhapjes së saj.
Nëse
me një kujdes të shtuar e analizojmë rrugëtimin e njërës dhe tjetrës, mund të
vërejmë se si gënjeshtra rrugëton në destinacionin e saj me një shpejtësi aq të
madhe, saqë arrin ta lerë të vërtetën në gjysmë të rrugës.
Edhe
pse e vërteta gjithmonë ecën në rrugë të drejtë, megjithatë ajo ngel mbrapa në
raport me gënjeshtrën, e cila gjatë rrugëtimit të saj dredhon duke u futur në
çdo skutë dhe përkundër shëtisë së saj, si për çudi, e para arrin në cakun e
synuar.
Një
fjalë e urtë thotë: "Fol e mbushma mendjen". Në këtë kontekst edhe
gënjeshtra sajohet, me qëllim që t'ia mbushë mendjen dëgjuesve apo lexuesve. Ka
raste kur ajo sajohet aq "kojshëm", saqë edhe autori i saj fillon t'i
besojë.
Me
qëllim që njerëzit t'i besojnë, gënjeshtra zbukurohet shumë, në mënyrë që ajo
me qenë sa më e pëlqyeshme nga marrësi i informatës, andaj të painformuarit më
shumë i besojnë gënjeshtrës së bukur, se sa të vërtetës reale.
Përhapja
e gënjeshtrës është e lehtë. Ajo i ngjan një thesi të mbushur me pupla, e cila
kur zbrazet, s'ka kush që mund t'i mbledhë pastaj ato. Në anën tjetër rrugëtimi
i të vërtetës është shumë më i vështirë dhe me shumë pengesa.
Arsyeja
pse e vërteta vonon në rrugëtimin e saj, është se gjatë rrugëtimit ajo has në
shumë vështirësi. Njëra prej tyre është demanti i gënjeshtrës, e cila i ngjan
mbledhjes së puplave nga thesi i zbrazur. Pra, duhet të mblidhen njëmijenjëqind
argumente për ta demantuar një gënjeshtër që brenda saj ka një sajesë të
thjeshtë.
Pra,
për të arritur në cakun e duhur, e vërteta duhet ta nisë ecjen para
gënjeshtrës, se përndryshe gjithmonë do mbetet mbrapa.
Mund
të themi se në këtë drejtim janë bërë një mori studimesh, që zakonisht e
shfrytëzojnë shtetet totalitare për qëllime të propagandës.
Jozef
Gebels tashmë shumë i njohur si emër për publikun e botës, propagandën e ka
trajtuar si art. Ndërsa serbët nga ky aspekt, duke e ditur se gënjeshtra është
një armë shumë e fuqishme, e kanë trajtuar aq mirë, saqë ia kanë kaluar
Gebelsit në arritjen e qëllimit.
Në
mars të vitit 2017, në një intervistë për revistën "Vijenac", të
cilën e boton "Amza Kroate", presidentja e Komitetit të Helsinkit të
Serbisë, zonja Sonja Biserko, ka thënë: "E gjithë historia serbe është një
gënjeshtër e madhe ".
Nga
ky aspekt, akademiku Dobrica Qosiç, i njohur për publikun si "babai i
kombit serb", i cili një kohë ishte edhe kryetar i Jugosllavisë
post-Titiste, lidhur me gënjeshtrën serbe, ai pos tjerash thotë: Gënjejmë për
të mashtruar veten, për të ngushëlluar tjetrin; gënjejmë nga keqardhja,
gënjejmë nga turpi, për të inkurajuar, për të fshehur mjerimin tonë, gënjejmë
nga ndershmëria. Gënjejmë për shkakun e lirisë. Gënjeshtra është një formë e
patriotizmit serb dhe një konfirmim i inteligjencës sonë të lindur. Gënjejmë në
mënyrë krijuese, imagjinare dhe inventive. Gënjeshtra është në vetë qenien e
serbëve. Gënjeshtra është interesi serb i shtetit. Shumë herë në histori,
gënjeshtra i ka shpëtuar serbët. Në këtë vend, secila gënjeshtër bëhet e
vërtetë.
Edhe
te popujt tjerë kemi citate në trajtë të fjalëve të urta lidhur me gënjeshtrën,
si: "Kur e thua të vërtetën, përgatitu mirë, sepse të gjithë gënjeshtarët
do të bashkohen kundër teje", mandej: "Nëse një gënjeshtër përsëritet
njëqind herë, e njëjta bëhet e vërtetë", e që këtë thënie e dinë edhe
serbët, andaj gënjeshtrën e tyre ata e përsërisin duke e trumbetuar me mija
herë.
Është
për t'u çuditur se si edhe në Kosovë, në periudhën pasluftës së fundit, një
numër i konsiderueshëm i njerëzve që e kishin "mizën pas veshit"
filluan me nxitim të shkruajnë libra autobiografikë dhe biografikë, qëllimi i
të cilave ishte që ta shpërlajnë vetën, siç thotë Dobrica Qosiç: "Gënjejmë
që ta mashtrojmë vetveten, e ta ngushëllojmë tjetrin" etj.
Ka
raste kur i tërë qyteti apo fshati e ka ditur se personi i caktuar ka qenë
spiun i UDB-ës, ngase në "kohën e Rankoviçit" e ka mbajtur revolen
haptas, duke e ekspozuar që t'i shihet në brez, e që një veprim i tillë asokohe
kishte për qëllim që të krijonte autoritet duke i frikësuar njerëzit, sepse
dihej që armën me leje e mbanin vetëm ata që ishin të lidhur me pushtetin serb.
Tani pas luftës, të njëjtit na dalin me monografi, si atdhetarë të rrallë dhe
të pakrahasueshëm, madje me biografi më të pasur e më patriotë se shumë
atdhetarë tjerë që e kanë sakrifikuar edhe jetën.
Shikuar
nga ky këndvështrim mund të thuhet se këta njerëz me këto monografi,
respektivisht me këto autobiografi apo biografi të shkruara nga vetë ata, ose
të shkruara me porosi përmes njerëzve të penës që janë paguar goxha
"majmë", kryesisht janë përpiluar me fjalë odash, kafenesh e fjalë
rrugësh, si argumente të vetme për lavdërim e bajraktarizëm. Sipas mendimit
tim, librat si këta s'janë gjë tjetër veç një tentim që ta mashtrojmë vetveten,
e t'i ngushëllojnë familjarët e vet.
Pos
shembujve të cekur, paslufte kanë ndodhur edhe disa dukuri tjera të çuditshme.
Shpeshherë nëpër disa portale janë publikuar artikuj me burime shumë të
dyshimta informative, ku për qëllim kishin diskreditimin e personaliteteve të
caktuara. Në këtë drejtim ishte rasti me Mandelen e Kosovës, shkrimtarin Adem
Demaçin, i cili në listën e përpiluar me udbashë dhe spiunë të UDB-ës, ishte
renditur me numrin 20.
Pra,
në mesin e shumë të apostrofuarve, me qëllim e përmenda vetëm një, ngaqë është
i shquar si personalitet kombëtar që e njeh e gjithë shqiptaria, kudo që janë
në botë.
Sipas
mendimit tim, këto apostrofime e kanë burimin në kuzhinën e shërbimeve
inteligjente të Serbisë, e ndoshta edhe të Rusisë, të cilat pastaj, njerëzit
naivë dhe të padijshëm i pranojnë ato si informata të sakta, e po ashtu edhe
portalet që i shpërndajnë të njëjtat, pa asnjë verifikim të besueshmërisë së
tyre.
A
ka ma marri se ta konsiderosh "spiun të Serbisë", njeriun që i ka
vuajtur 25 vjet burg për çështjen kombëtare shqiptare, e për të cilin të gjitha
aktakuzat janë ngritur nga serbët ?! Andaj konsideroj, se veprimet e tilla
shpërfaqin turpin që nuk na falet, si për ata që i kanë shpërndarë ato shpifje,
po ashtu edhe për ata që i kanë besuar asaj.
Deri
më tash, serbët dhe Serbia nuk janë kënaqur e ndalur vetëm me kaq. Ata kanë
shkruar shumë libra, por jo monografi personale e familjare, si te na në
Kosovë. Librat e tyre janë shkruar kryesisht për qëllime kombëtare dhe
shtetërore. Një nga ato botime është edhe libri "GJENOCIDI I SHQIPTARËVE
NDAJ SERBËVE, në shekullin 20? dokumente", të cilin e kam përmendur dhe
potencuar që në hyrje të këtij shkrimi, ku në mesin e shumë rrenave të shkruara
në të, thuhet si vijon: "...kolonizimi i tokave serbe nga shqiptarët ka
filluar që në shekullin e XVII", kur edhe kinse në atë kohë nisin
"plaçkitjet dhe dhuna e përgjakur ndaj serbëve", për çfarë abati
"Serafidin Ristiq, në fillim të vitit 1859 e ka lutur carin rus
Aleksandrin e II që ta mbrojë manastirin e Deçanit nga shqiptarët e egër dhe të
pamëshirshëm, të cilët nuk i frikohen Zotit, ndërsa urdhrat e mbretërve turq
nuk i përfillin. Abati Serafidin, po ashtu, në vitin 1860 ia ka proceduar
sulltanit Abdul Aziz dhe fuqive evropiane memorandumin e gjerë, ku deklaron
shumë shembuj të dhunës së shqiptarëve myslimanë, të cilat në vitin 1864 janë
publikuar në broshurën » Pla? Stare Srbije« (Vaji i e Serbisë së Vjetër)".
Përkundrazi,
edhe pse shqiptarët ishin konvertuar nga feja krishtere në atë myslimane,
megjithatë kishat dhe manastiret e tyre nuk i harruan aq lehtë, andaj tërë
kohën i kanë mbrojtur dhe janë përkujdesur për to deri vonë.
Vlen
për ta përmendur se në periudhën e cekur më lart, Rusia Cariste ishte në
ekspansion, ku për synim kishte rrënimin e Perandorisë Otomane. Nën pretekstin
e kujdesit ndaj popujve të besimit ortodoks, ajo vazhdimisht i bënte presion
Perandorisë, duke i nxitur popujt e atij besimi që të bëjnë ankesa të
vazhdueshme.
Nga
frika prej Rusisë, çdo ankesë e serbëve dhe grekëve, te pushtetarët turq e
reflektonte dhunën shtetërore ndaj popullatës shqiptare. Shqiptarët ishin i
vetmi popull nën Perandori që me dekret iu ishte ndaluar përdorimi i gjuhës
amtare, madje edhe në predikimet fetare, si myslimanëve ashtu edhe katolikëve
dhe ortodoksëve.
Dëshmitë
e cekura në këtë libër përmes dokumenteve nga arkivat e dioqezës
"Rashkë-Prizren", pos që janë subjektive, ato janë burim i njëanshëm,
pa ndonjë peshë të veçantë shkencore për historiografinë, sepse qëllimi i
serbëve të asaj kohe ishte që bashkësia ndërkombëtare t’i përkrahë pretendimet
e tyre për shkëputje nga Perandoria, përmes kryengritjeve që vazhdimisht i nxiste
Rusia.
Në
periudhat kohore që këta i përmendin në atë libër si zullume ndaj serbëve etj.,
përkundrazi mu asokohe shqiptarët pësonin më së shumti. Shqiptarët ortodoksë
asimiloheshin në serbë, malazezë e grekë, myslimanët në boshnjakë e turq,
ndërsa katolikët emigronin në Kroaci e gjetiu, ku pastaj asimiloheshin
gradualisht. Pra, që nga ajo kohë e deri me dje, shqiptarët s'kanë pasur fuqi,
as t'ia prishin "tymin e duhanit" dikujt, e lëre më të bëjnë
gjenocide mbi të tjerët.
Të
gjitha këto burime serbe nga libri i cekur na përkujtojnë "Jogurt
Revolucionin" e viteve të 90-ta nga koha e Sllobodan Millosheviqit, kur
popullata serbe e vërshonte Beogradin me telegrame e dëshmi të inskenuara, për
kinse "dhunën e shqiptarëve që ua bënin serbëve", siç ishte rasti i
njohur me shishen e birrës i "biseksualit Martinoviq", ose të
deklaratave të ndonjë vejushe serbe, të cilën pushtetarët lokalë e detyronin që
ta akuzonte shqiptarin, të cilin ajo e kishte komshi apo kolegë pune etj.
Tashmë
dihet që serbët janë të njohur për inskenime. Ata janë në gjendje t'i
sakrifikojnë edhe fëmijët e tyre, vetëm që ta arrijnë qëllimin, siç ka ndodhur
me rastin "Panda" në Pejë, ku vetë i kanë vrarë të rinjtë serbë, me
pretendim që para bashkësisë ndërkombëtare ta legjitimojnë vrasjen masive të
shqiptarëve.
Shqiptarët
gjatë historisë së tyre, asnjëherë s'kanë tentuar të hartojnë plane për
zhdukjen e ndonjë populli. Përkundër kësaj, serbët dhe politika e tyre zyrtare,
vazhdimisht ka punuar në këtë drejtim:
-
Në vitin 1844, Ilija Garashanin përpilon programin ekspansionist të quajtur
projekti i madh "Naçertanije" ,
-
Në vitin 1881, Serbia harton programin për dalje në det,
-
Në vitin 1908, Vlladan Gjeorgjeviq harton programin për reformën agrare dhe
kolonizimin e trojeve shqiptare,
-
Në vitin 1920, Serbia harton programin për likuidimin e shqiptarëve,
-
Në vitin 1937, Vasa Çubrilloviç harton elaboratin për zhdukjen e shqiptarëve me
dhunë dhe terror,
-
Në vitin 1939, Ivo Andriç (fitues i çmimit "Nobel") harton programin
për shpërnguljen e shqiptarëve, zhbërjen e Shqipërisë dhe kolonizimin e trojeve
shqiptare,
-
Në vitin 1941, kemi programin e Stefan Moleviçit, në të cilin parashihet
zhdukja e Shqipërisë nga harta gjeografike dhe zhdukjen e shqiptarëve,
-
Në vitin 1942, kemi programin e Drazha Mihajlloviçit për zhdukjen e shqiptarëve
dhe boshnjakëve të sanxhakut.
-
Në vitin 1944, Vasa Çubrilloviç harton përsëri edhe një program për zhdukjen e
shqiptarëve dhe kolonizimin e Kosovës,
-
Në vitin 1945, kemi "Masakrën e Tivarit",
-
Në vitin 1950, kemi programin jugosllav për shpërnguljen e shqiptarëve me
dhunë,
-
Në vitin 1986, kemi Memorandumin e Akademisë serbe për "Kosovën
serbe",
-
Në vitin 1998-1999, kemi gjenocidin e pandëshkuar të Serbisë kundër shqiptarëve
gjatë luftës në Kosovë.
Sipas
librit "Akuza që ulërijnë" të dijetarit austriak Leo Freundlich,
vetëm në veriun e Shqipërisë, gjatë vitit 1912 u vranë në mënyrën më mizore
rreth 250.000 shqiptarë nga pushtuesit serbë dhe malazezë, me ç'rast shtypi
perëndimor i kohës shkruante se Luma nuk ekziston më, ndërsa gjatë periudhës së
viteve 1912-1913, kur aleanca ballkanike i kishte sulmuar trojet shqiptare, u
vranë dhe u masakruan rreth 500.000 shqiptarë.
Si
përfundim mund të them: Përkundër të gjitha vështirësive, ndoshta edhe me vonesë,
por më në fund e vërteta zakonisht triumfon, sepse siç thotë një fjalë e urtë
"Me rrenë nuk shkohet në parajsë", ngase mjetet më të forta kundër
gënjeshtrave janë argumentet, andaj kundër këtij libri ishte dashur të
organizohet një konferencë shkencore me pjesëmarrje ndërkombëtare, në të cilën
do të demantohej ky libër me përmbajtje propagande për shpifjen e gjenocidit të
shqiptarëve ndaj serbëve, ndërsa Ministria për Kulturë e Republikës së Kosovës,
ishte dashur që menjëherë ta përgatisë padinë për t'ia dorëzuar UNESKO-s,
kundër dioqezës "Rashkë-Prizren", për fshehjen apo zhdukjen e
figurave të trashëgimisë shqiptare nëpër freskat e kishave të Kosovës.