Mendime
Xhemal Ahmeti: Kompromisi nga Washington-i në Bruksel
E diele, 13.09.2020, 10:20 AM
KOMPROMISI NGA WASHINGTON-I NË BRUKSEL
Nga
Xhemal Ahmeti
Aleatët
dhe (ish)miqtë e tyre u kërkojnë shqiptarëve ta gjejnë një kompromis me ish
robëruesit e tyre (që bënë etnocid). Disa prej tyre e kuptojnë kompromisin si
konsens (i orientuar komplet në nevojat e palëve konkrete), tjerët si win-win
(palët nuk fitojnë atë që duan por diçka përtej saj) e të tretët si formulë
precedente për botën dhe historinë. Nga leximet që u bëjmë retorikave politike
shqiptare mirëpo e kemi jashtëzakonisht rëndë të kuptojmë se si e perceptojnë
këto kompromisin. Se nuk e kuptojnë „demokracinë si ekonomi të kompromisit“
(Ron Kritzfeld) shihet ngase politikat e brendshme u prodhojnë për çdo stinë
një qeveri në rotacion dhe me figura të njejta. Se atë e operacionalizojnë
ashtu siç e përdorte Ciceroni dhe pastaj e Drejta Romake (compromissum=nënshtrimi
ndaj palës së tretë për të zgjedhur kontestin ndërmjet dy palëve në konflikt)
shihet: bëjnë sikur do të bëjnë (serbet qysh rrugës vepruan ndryshe) siç u
thonë BE, SHBA dhe çdokush që i thirr në biseda. Po si duket në praktikë ky
menaxhim disensi me serbët. Cila është strategjia dhe ekonomia e kompromisit
kosovar? Atë serben e dimë: priret nga maksima për të demantuar sa më bindshëm
nevojën për ekzistencën e shtetit të Kosovës nëpërmjet demonizimit të luftës që
jetësoi projektin „Kosova shtet i pavarur“. Serbia ka plan, strategji dhe me
sukses tashmë feston ca fitore ( - minishengenin). Si duket pra strategjia
kosovare krashi kërkesës europiane dhe asaj amerikane për kompromis? Vijat e
kuqe si „njohja dhe asgjë tjetër" janë parulla të zbrazta, ngase pala e
tretë që duhet ta vendos „drejtësinë“ dhe sjell kompromisin as vetë s’të njeh
(nuk tê trajton si shtet por vetëm si palë konflikti). Atëherë cila është? Nëse
bazohemi në veprimet konkrete ka shumë hapësirë për brengsoje serioze. Brukseli
nuk është si Washingtoni. Në laborët e kompromiseve refuzimi kokëfortë nuk të
ndihmon asgjë, por është zëvendësimi i ofertës me kushtin edhe më të dhimbshëm
për kundërshtarin ai që çon para, qoftë duke çuar procesion deri në absurd -
sidomos kur ke punë me mentalitetin serb që ende motivihet nga një shoevnizëm i
thellë dhe egologjik.
Qeveria
kosovare - me gjitha partitë bashkë - nuk do ulnin veten aspak nëse thirrin çdo
tru të derdhur brenda e botës për ta menduar këtë gjë mirë, para se të bëhet
vonë. Diplomacia nuk bëhet me celula patriotike që mbajnë mbledhje në zoom, as
me ministra të përshtatshëm për entertainment e jo serioz/ e, as me këshilltar
specialist të zorrës qorre, por bëhet
kur shteti përfshinë gjithçka në disponim brenda planit dhe strategemave të
tij. Serbet shihet se kanë mësuar shumë dhe nuk ecin më sipas motos
"fitues ne luftë e humbës në paqe", por duke futur të dyja këto
kategori në shërbim të asaj që u thoshte Çosiç - brenda gënjeshtrës , e cila
duhet mbrojtur si të vërtetë absolute - ata kanë shndrruar edhe BE në favor të
"kompromisit të dhimbshëm të tyre", duke kthyer në tavolinë atë që
moti e kanë humbur dhe gjithçka që mund të bëhet vetëm në një udhë çon:
rikthimin e saj qoftë edhe me këste (asociacioni, kishat ...). Këtë gabim fatal
nuk duhet ta bëjë asnjë qeveri.
__________
KUKULLAT QË KRIJOJMË NE
Popujt
që kanë jetuar shumë gjatë në robëri, kur çlirohen i kap stresi i
vetëkompensimit, i rreshtimit sa më të shpejtë me ato shoqëri, të cilat ia kanë
dalur shumë më herët të konsolidohen si kombe, kultura, shtete. Ky stres rëndom
manifestohet me psikozën e mbytjes sa më të shpejtë të atyre që përbënin të
djeshmen dhe me fabrikimin sa më masiv të figurave publike e politike që
besojnë se ua bëjnë tashmërinë. Në këtë e sipër, nga ky stres dhe nga kjo
paranojë për progres, shoqëritë e tilla de facto shembin urën nëpërmjet së
cilës mund të kalojnë nga një stad në tjetrin. Veç pasi kalojnë lumin, pasi t’i
kenë mbytur ata që njihnin udhët nga pervoja, kuptojnë se fabrikatet e tyre nuk
dinë se në cilin drejtim është lindja, në cilin perëndimi, ka shkohet për në
det e kah për në qiell. Çasti mirëpo kur e kuptojnë këtë gabim fatal i rras
edhe më shumë në psikozë se sa gjithë shekujt e robërisë bashkë. Nuk zhgënjehen
gjithaq me zombit e zbrazur që kanë krijuar por më shumë përdhosen me veten nga
inati se u iku edhe treni i radhës i historisë. Nuk investohet në iluzione dhe
paranoja. Paranoja e progresit shqiptar zhveshet si regres më pasoja të rënda e
që mund madje ta personifikonim me emra konkret. Reformën mund ta bëjnë vetëm
ata që dinë se si u bë X forma. Tjerët mund t’ia nisin nga fillimi por me një
kusht: nëse s’janë produkt i iluzioneve tona.
__________
FUQIA E PERJASHTIMIT
Për
William Faulkner-in historia ishte e njejtë si për Nietzschen. Sipas tij
asnjëherë nuk ndodhë diçka e re, porse çka përherë ngjanë është përjetimi i
rrëfimeve të vjetra nga gjeneratat e reja dhe asgjë më shumë. Pra: kthimi i
përhershëm i së njëjtës, e cila inskenohet nga figura që duken ndryshe nga ato
të para një shekulli. Diçka nuk shkon në këto teza. Megjithatë bota dhe jeta
nuk janë ato që ishin dje. Dhe një histori me siguri nuk u përsërit më
asnjëherë: majmunet nuk pollën kurrë më njerëz! Prandaj ky përjetim nuk u
përsërit dhe e njejta nuk u kthye më. Gabimi i Faulkner dhe Nietzsches ishte se
nuk ia dolën të kapin fuqinë magjike të përjashtimit, që është poaq i
rëndësishëm sa historia vetë. Majmunët pas përvojës si duket vendosën ndryshe
dhe ky përjashtim hipotetik është ai që e asgjëson çdo rrëfim pasues tonin mbi
historitë.
__________
NJERIU ME ÇIFTEN NË
SHPINÊ
Si
ai që fyhet kur i thonë çka përzihesh ti nga diaspora si ai që manifeston këtë
refuzim janë për keqardhje. Tipa të kategorisë nuk kanë mbrri në postmodernë.
Nga perspektiva ime të dytë kanë ngecur në epokën kur ende nuk kishte as aparat
për telegrame e as trena. Ose të atillë që më në fund kanë vendosur ta
lexojnë, „À la recherche du temps perdu“
(në kërkim të kohës së humbur) të Marcel Proust-it dhe janë bllokuar që në fletat
e para. Është kështu ngase ata ende nuk kanë dëgjuar për proceset që janë bërë
tiparet kryesore të kësaj epoke si: nomadizmi global, demokracia
transnacionale, nacionalizimi atopik, kufijt që shkrihen në simbole reliktuoze
kohësh që nuk kthehen më dhe .(…) ata nuk kanë kuptuar se mbijetesa nuk
sigurohet më duke mbrojtur katundin me çiften e Mahmutit të Pollogut apo
Muçivërcës në shpinë por duke ditur të navigosh rrjeteve globale që janë bërë edhe
më të shpejta se vetë koha.