Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Martin Luther King dhe Adem Demaçi, bartës të vlerave të përbashkëta të lirisë
E merkure, 05.08.2020, 10:10 PM
MARTIN LUTHER KINGU DHE ADEM DEMAÇI - BARTËS TË VLERAVE TË PËRBASHKËTA TË LIRISË
“Askujt
nuk i shërben urrejtja…” (Adem Demaçi)
Nga
Frank Shkreli
Ambasada
e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës kujton dy gjigantë të tjerë
drejtave të njeriut -- një shqiptar dhe një amerikan: Dr. Martin Luther King-un
dhe Adem Demaçin, si dy kampionë të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore
për të gjithë njerëzit, pa dallim dhe kudo. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në
Prishtinë ka filluar të botojë,
nepërmjet portalit të saj facebook, një seri të veçantë, për të kujtuar
personalitete të njohura të së kaluarës nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Kosova,
të cilët gjatë jetës dhe veprimtarisë së tyre kanë mbështetur vlerat e
përbashkëta të dy popujve, mbi të gjitha lirinë dhe demokracinë.
Në
njoftimin e dytë të kësaj serie, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
në Prishtinë ka vendosur të kujtojë ikonat e të drejtave të njeriut, Dr. Martin
Luther King-un nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disidentin e njohur
shqiptar, Adem Demaçin nga Kosova.
Javën
që kaloi, përfaqësia diplomatike amerikane në Prishtinë, e filloi këtë seri
njoftimesh të vlerave të përbashkëta duke kujtuar dhe duke krahasuar Dr.
Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Kosovës dhe kongresistin amerikan Xhon
Luis, i cili ndërroi jetë kohët e fundit, në moshën 80-vjeçare -- e të cilët u
përkujtuan si udhëheqës shembullorë me influencë dhe frymëzues të shoqërive, jo
vetëm në vendet ku ata kanë jetuar dhe vepruar, por edhe në mbarë botën. Ashtu
siç kam njoftuar edhe në shkrimin e javës së kaluar mbi këtë subjekt, kushtuar
Dr. Ibrahim Rugovës dhe Kongresistit John Lewis, duket se ky projekt ka për
qëllim, jo vetëm të theksojë vlerat e përbashkëta midis Kosovës dhe Shteteve të
Bashkuara, por edhe për të venë në dukje personalitetet nga të dy vendet, të
cilët kanë lënë pas këtë trashëgimi të pasur vlerash të përbashkëta lirie e
demokracie, por edhe si një mjet për të forcuar edhe mëtej marrëdhëniet tona,
nepërmjet këtyre vlerave dhe personave, të cilët sa ishin gjallë ishin bartësit
e këtyre vlerave kombëtare dhe universale.
Ambasada
amerikane jep një përshkrim të shkurtër të Dr. Martin Luther King-ut dhe Adem
Demaçit, këtyre dy burrave të dalluar të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, për
të shpjeguar, shkurtimisht, arsyen dhe meritat që i kanë dalluar ata, si dhe
vlerat për të cilat ata kanë luftuar, për veten dhe popullin që ata kanë përfaqësuar. Në epokën që ata jetuan e vepruan, këta dy
burra -- njëri amerikan e tjetri shqiptar -- u dalluan si heronjë dhe udhëheqës
me influencë në përpjekjet e tyre për sigurimin e të drejtave civile dhe të
drejtave bazë të njeriut -- njëri në Shtetet e Bashkuara, e tjetri në Kosovë,
por zëri i të cilëve u dëgjua edhe përtej kufijve ku ata jetonin e vepronin.
Për
të paraqitur Adem Demaçin, ikonën e të drejtave dhe lirive në Kosovë, Ambasada
amerikane në Prishtinë pasqyron një citim frymëzues të tij mbi rëndësinë që
kishte liria për të: “Nëse ne, vërtetë,
e duam lirinë, ne duhet të jemi vet krijuesit e lirisë sonë. Faktori i brendshëm është elementi parësor
për të fituar lirinë, ndërsa faktori i jashtëm është i dorës së dytë. Ky është ligji i jetës që nuk ndryshon dhe
nuk do të ndryshojë për hir të askujt, madje më pak për hir të vetes sonë.
" (Adem Demaçi)
Në
faqen e rrjetit social Fejsbuk të Ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se
Adem Demaci ishte një aktivist, shkrimtar dhe veprimtar i shquar në mbështetje
të drejtave të njeriut. Ai kaloi 28 vjet
në burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë komuniste, si pasojë e mbrojtjes
pasionante të drejtave të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve. Mbi të gjitha, thuhet në atë njoftim, ai
mbeti kundërshtar i betuar i politikës së hakmarrjes dhe urrejtjes
kombëtare. Demaçi paraqitet si simbol i
ndarjes së vlerave të lirisë, së bashku me veprimtarin e njohur amerikan të
drejtave të njeriut dhe të drejtave të civile për afrikano-amerikanët dhe të
tjerë, Dr. Martin Luther King.
Në
portalin e ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se Martin Luther Kingu ishte
një nga mbështetësit më të njohur të shekullit XX për bërjen e ndryshimeve
shoqërore dhe politike, pa dhunë. Përmes
aktivizmit dhe fjalimeve të tij të zjarrta dhe frymëzuese, ai ka luajtur një
rol kryesor në dhënien fund të ndarjes ligjore të shtetasve afrikano-amerikanë
nga të bardhët dhe të padrejtësive të atij sistemi, këtu në Shtetet e
Bashkuara. Ai ishte gjithashtu edhe
arkitekti i Aktit të të Drejtave Civile, të vitit 1964 dhe Aktit për të Drejtat
e Votimit. "Kam një ëndërr që katër
fëmijët e mi të vegjël, një ditë do të jetojnë në një komb ku ata nuk do të
gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të
tyre." Ishte kjo një ëndërrë që u
realizua me votimin me shumicë të amerikanëve – të bardhë dhe
afrikano-amerikanë – të Presidentit Barak Obama (2009 to 2017) në detyrën më të
lartë të Shteteve të Bashkuara, por që ende mbetet shumë për tu bërë.
Martin
Luther King ka shkruar mbi lirinë, në "Letrën nga Burgu Birmingham"
në vitin 1963: "Ne jemi të vetdijshëm nga përvoja jonë e dhimbshme se
liria nuk jepet kurrë vullnetarisht nga shtypësi. Ajo duhet të kërkohet me këmbëngulje nga të
shtypurit", citohet të ketë shkruar nga burgu i qytetit Birmingham të
shtetit Alabama, Martin Luther Kingu, mbi vlerën dhe rëndësinë që ai i
kushtonte lirisë, për veten dhe për komunitetin që ai përfaqësonte dhe për të
drejtat e të cilit luftonte ditë e natë.
Amerikani
Martin Luther King dhe shqiptari nga Kosova, Adem Demaçi – të cilët mund të
konsiderohen edhe si dy ndërgjegje të dy popujve tanë -- ishin dy personalitete
që u pasqyruan nga Ambasada amerikane në Prishtinë, jo vetëm si shembuj bartës
të vlerave të përbashkëta midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës – por edhe si
ikona të lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë, të cilët do të mbahen mend
dhe do të kujtohen si personalitete me influencë dhe si frymëzues në mbrojtje
të lirisë dhe demokracisë së vërtetë edhe për të tjerët – madje edhe përtej kufijve
të vendeve të tyre.
Sa
ishte gjallë, Adem Demaçi kërkonte nga shqiptarët që të përpiqeshin të gjejnë
pikën e përbashkët: “Që të bashkojnë dijen, kulturën, arsimin dhe sidomos të
kultivojnë midis tyre frymën e tolerancës”.
“Askujt nuk i shërben urrjetja…”, ka këshilluar Adem Demaçi.
Martin
Luther King: “Jeta jonë fillon të marrë fund, kur heshtim për gjërat e
rëndësishme”, siç janë liria dhe demokracia e vërtetë, për të gjithë njerëzit
dhe pa dallim.
Martin
Luther King: “Më në fund, ne nuk do të mbajmë mend fjalët e armiqëve, por do të
kujtojmë gjithmonë heshtjen e miqëve tanë”, përballë shkeljes së këtyre të
drejtave për liri e demokraci.
Martin
Luther King: “Paqa e vërtetë nuk është, thjesht, mungesa e tensioneve, por
është prania e drejtësisë së vërtetë”, në një shoqëri.
Pa
drejtësi të vërtetë nuk ka paqë as harmoni!