Kerko: a
Gjekë Gjonaj: Bashkimi i shqiptarëve në Mal të Zi, mision i pamundur
E diele, 19.07.2020, 03:46 PM
Bashkimi i shqiptarëve në Mal të Zi, mision i pamundur
Nga
Gjekë Gjonaj
Kanë
mbetur më pak se një muaj e gjysmë deri në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi
të shpallura për më 30 gusht, ndërkohë është e qartë se nuk do të kemi një platformë
të unifikuar politike të shqiptarëve
karshi këtij shteti. Partitë shqiptare nuk morën mësim nga zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të
Zi në tetor 2016 të cilat u karakterizuan nga një rënie e theksuar e
përfaqësimit parlamentar si pasojë e përçarjes së tyre. Ato po e përsërisin të
njëjtin gabim katër vite më pas dhe në zgjedhjet e ardhshme nuk do të dalin të
bashkuara në një listë të vetme zgjedhore, por do t’i ndajnë votat si çdoherë
më parë , duke garuar më së paku në dy
lista zgjedhore rivale, duke minimizuar numrin e mandateve. Bazuar në përvojën
e hidhur të viteve më parë, kur pak ditë
para mbarimit të afatit të regjistrimit
në Komision Qendror të Zgjedhjeve, me ç’
rast të gjithë mendonin se shqiptarët do
të garonin vetëm në dy lista, u regjistrua një koalicion i tretë, ndonëse kjo
për momentin duket më pak e besueshme.
Domethënë, përfaqësuesit e partive që tubojnë shqiptarë as pas tridhjetë
vitesh të sistemit pluralist nuk arritën
t’i kapërcejnë mospajtimet , ndarjet e përçarjet e ndërsjella.
Liderët
e partive shqiptare nuk u bashkuan, sepse nuk e kanë kuptuar ose nuk duan ta
kuptojnë që tek bashkimi qëndron shpresa dhe hapet rruga e ndryshimit që do t’u
sjellë mirëqenie dhe stabilitet. Nuk u bashkuan sepse nuk u pajtuan për çështje
të rëndësishme. Secila parti synonte të
merrte vendin e parë apo të dytë, kështu që nuk u morën parasysh disa kritere,
por çdonjëra në mënyrën e saj përpiqej të vendoste interesin e vet. Pra,
mrekullia shqiptare edhe kësaj herë nuk
ndodhi. Unifikimi i faktorëve politikë shqiptarë u tregua i pamundur.
Shpresa
e shqiptarëve në Mal të Zi që partitë shqiptare
për herë të parë të dalin në zgjedhje parlamentare të bashkuara, duke
pretenduar të sigurojnë së paku dy vende
në parlamentin malazez dështoi. Po ashtu ndjeshëm u shua, apo më mirë të
themi u zbe, edhe fryma e bashkimit të
shqiptarëve të cilën e filloi Malësia në marsin e vitit 2019 e cila u dëshmua se ishte rruga më e mirë dhe
e vetme për arritjen e synimeve politike dhe integrimin e shqiptarëve kudo që
jetojnë e veprojnë.
Ftesat
e elitës politike që subjektet politike shqiptare të reflektojnë dhe të
bashkohen pa kushte ishin deklarative
dhe të pasinqerta. Bisedimet e deritashme të kryetarëve të partive shqiptare që në këto zgjedhje të
dalin në një listë të përbashkët
dështuan, sepse unifikimi dhe
bashkëpunimi i gjerë brenda partive shqiptare ishte i pamundur.
Në
interesin e përbashkët të tyre nuk duket të jetë aspak e mira e përbashkët e
shqiptarëve. As edhe për një fije të vetme. Përndryshe, arsyeja përgjegjësia,
korrektësia dhe sinqeriteti do t’ bënin
të veponin ndryshe. Politikanët tanë “ vizionarë” as kësaj herë nuk arritën të vendosin një gurë të fortë themeli i cili do
të ishte risi e këndshme e shumëpritur dhe e nevojshme në politikën shqiptare.
Shqiptarët në Mal të Zi edhe në këto
zgjedhje do të ecin të pasigurt, pasi lëshuan rastin e mirë të jenë të bashkuar
dhe me tërë kapacitetin e vet të mobilizojnë trupin votues për të votuar në
masë të madhe të zgjedhurit e tyre në Kuvend. Parakusht për këtë fitore do të
ishte bashkimi. Lista e bashkuar e shqiptarëve do të nxirrte më shumë qytetarë
në kutitë e votimit. Njëherëdo të
ngrite besimin brenda subjekteve
politike dhe do të forconte dialogun dhe unitetin e munguar. Me bashkimin
politik të shqiptarëve zëri i qytetareve dhe qytetarëve shqiptarë do të ishte
më i fortë.
Nga
ana tjetër, me këtë veprim të nxituar dhe të pamenduar mirë subjektet nacionale
shqiptare treguan për të satën herë se
vazhdojnë të vuajnë nga mosbesimi kronik i cili si virusi ka gjetur strehë në
radhët e tyre. Përveç mosbesimit fjala është edhe për liderizmin. Ajo që i
ndanë krerët e partive politike shqiptare është edhe “ kokëfortësia” politike,
mllefi, inati dhe hatërmbetja. E të gjitha këto nuk kanë qenë faktor i shëndetshëm i
bashkimit.