Kerko: a
Thanas Gjika: Kulturat e shoqërisë shqiptare nuk mund të bashkëjetojnë përgjithmonë
E diele, 12.07.2020, 12:36 PM
KULTURAT E SHOQËRISË SHQIPTARE
NUK MUND TË
BASHKËJETOJNË PËRGJITHMONË
(Ese)
Nga
Thanas L. Gjika
Për
këtë temë nuk ka studime të posaçme, por unë po guxoj të hedh disa mendime duke
shpresuar se mund të tërheq vëmendjen e studiuesve të specializuar që merren e
do të merren me historinë e lëtërsisë, të artit e të gazetarisë shqiptare dhe
me historinë e shkencave shoqërore shqiptare të shekujve XVI-XXI. Me shkenca
shoqërore shqiptare kuptojmë studimet e historisë së popullit tonë, studimet
për historinë e letërsisë, të artit e të publicistikës, studimet në fushën e
filozofisë, si dhe hartimin e teksteve shkollore të historisë e të letërsisë
shqiptare.
Krijuesit
e artit, letërsisë, publicistikës, si dhe studiuesit e shkencave shoqërore e
marrin shtytjen e krijimtarisë së tyre të nxitur nga bindjet e tyre artistike,
letrare, shkencore, politike, filozofike, fetare, shoqërore, etj.
Kur
një krijues ka bindje demokratike, vepra e tij trajton probleme që u
interesojnë masave të gjera të popullit dhe i interpreton ato në përputhje me
interesat e këtyre masave. Këto vepra janë të mbushura me revoltë ndaj
padrejtësive të pushtetit e të pushtetarëve, kur interesat e pushtetit dhe të
pushtetarëve janë në konflikt me interesat e masave popullore. Këta krijues
kërkojnë ndryshimn e gjendjes ekzistuese. Vaprat e tyre janë jetëgjata si vetë
populli, të cilit i shërbejnë. Kur krijuesi ka bindje jo demokratike, vepra e
tij trajton probleme që lidhen me interesat e tij egoiste dhe në shërbim të
politikës së pushtetarëve të kohës. Këto vepra janë të mbushura me egoizëm,
servilizëm dhe propagandë. Ato kërkojë ruajtjen e statukuosë. Të tilla vepra
nuk mund të jenë universale dhe as të përjetshme, sepse në to nuk trajtohen
tema që interesojnë masat e gjera të lexuesve dhe nuk pasqyrohen me vërtetësi
ngjarjet dhe heronjtë. Trajtim me vërtetësi të ngjarjeve dhe herojnëe quajmë
shprehjen e qendrimit ideor dhe emocional të autorit në përkrahje të atyre
ngjarjeve dhe heronjve të cilëve u përket e ardhmja. Kurse vepra që u mungon
vërtetësia janë ato vepra ku autori shpreh qëndrimin e vet ideor dhe emocional
në përkrahje të ngjarjeve dhe heronjve regresivë, të cilëve nuk u përket e
ardhmja historike. Për ta konkretizuar mund të marrim çdo vepër të realizmit
socialist, ku heroi qëndror është një komunist ose një sekretar partie që jepet
si hero i së ardhmes në një kohë që dihet se sistemi shoqëror që e polli këtë
hero nuk kishte të ardhme, por shkonte drejt kapitullimit.
Shoqëria
njerëzore ka synuar gjithnjë për të siguruar sa më shumë të drejta për sa më
shumë anëtarë të saj. Hapi më i madh në këtë drejtim u krye me krijimin dhe
zbatimin e kushtetutës borgjeze të të drejtave të njeriut, të drejta, të cilat
gjatë shekujve XIX-XXI në vendet euroatlantike kanë ardhur duke u pasuruar,
forcuar e përsosur gjithnjë e më shumë. Në ato shtete ku këto të drejta
zbatohen me rigorozitet shohim se gjallon një kulturë e vetme kombëtare, e cila
krijohet prej intelektualëve krijues shkrimtarëve, gazetarëve, artistëve dhe
studiuesve të shkencave shoqërore, të cilët pavarësisht se mund të kenë bindje
të ndryshme politike, pra mund të bëjnë pjesë në parti të ndryshme politike,
ose mund të kenë bindje të ndryshme artistike e shkencore, pra mund të bëjnë
pjesë në shkolla e rryma letrare artistike, ose shkencore të ndryshme, ata
krijojnë së bashku një kulturë kombëtare, kulturën demokratike. Kjo kulturë i
shërben zhvillimit dhe emancipimit të masave të gjera të popullit të vendit të
vet dhe të popujve të mbarë botës.
Ndryshe
ndodh në shtetet ku këto të drejta nuk ekzistojnë, ose ekzistojnë me shkrim,
por nuk zbatohen në jetën e përditshme. Këto shtetete janë jo demokratike dhe
në jetën e tyre shoqërore gjallojnë dy kultura kombëtare, të cilat
bashkëjetojnë, konkurojnë midis tyre dhe shpesh herë luftojnë njëra tjetrën.
Qeveritë e vendeve jo demokratike ndihmojnë e përkrahin intelektualët krijues
që i shërbejnë e i servilosen pushtetit. Këta me veprat e tyre publicistike,
letrare, artistike dhe shkencore (në studime të historisë kombëtare, të
historisë së letërsisë, në studime filozofike, në kritika letrare dhe në tekste
mësimore të historisë dhe të letërsisë) përpiqen të përjetësojnë pushtetin e
klasës / kastës që është në pushtet. Kjo kulturë nuk është kulturë demokratike,
nuk i shërben zhvillimit dhe përparimit të popullit të vet dhe aq më pak
popujve të tjerë të botës. Në veprat që i përkasin kësaj kulture mbizotëron propaganda
si në letërsi, në arte dhe në shkencat shoqërore.
Kultura
tjetër, që konkuron me të është kultura demokratike, e cila gjallon përmes
veprave letrare, artistike dhe publicistike, si dhe veprave shkencore historike
e teksteve mësimore, ku nuk mbizotëron propaganda, por arti realist,
vërtetësia, kurse në studimet e shkencave shoqërore mbisundon jo propaganda,
por objektivizmi shkencor dhe historizmi. Kjo kulturë është kulturë demokratike
sepse i shërben zhvillimit dhe emancipimit të popullit të vendit të vet, si dhe
popujve të botës.
*
* *
Në
historinë e popullit shqiptar këto dy kultura kanë ekzistuar që në kohën e
pushtimit turk dhe vijojnë të ekzistojnë deri sot, sepse gjatë gjithë kësaj
kohe populli ynë nuk është qeverisur dhe nuk po qeveriset prej qeverish të
vërteta demokratike.
Në
jetën kulturore shqiptare, pra në letërsinë, artet, publicistikën dhe në
shkencat tona shoqërore, që nga koha e Rilindjes e deri sot kanë konkuruar dhe
konkurojnë dy kulturatë ndryshme që përfaqësohen nga veprat e dy grupeve
krijuesish dhe studiuesish. Gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në gazetarinë
dhe letërsinë e kohës u kristalizuan dy kultura, njëra që shprehte interesat
liridashëse të masave të gjera të popullit shqiptar dhe tjetra që shprehte
interesat e pushtuesit osman dhe të shtresës së nëpunësve shqiptarë që i
shërbenin këtij pushtuesi, ose interesave të qarqeve shoviniste të shteteve
fqinjë.
Shkrimtarët
e gazetarët e rrymës së parë propagandonin nevojën e lirisë, arsimin shqip dhe
përdorimin e alfabetit me shkronja të veçanta, ose latine. Kjo kulturë mori
formë me veprat e klerikëve katolikë të shek. XVI-XVII si Marin Beçikemi (alias
Marin Barleti), Gjon Buzuku, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani dhe u rigjallërua në
shek XIX-XX prej Naum Veqilharxhit e më pas prej vëllezërve Frashëri, Faik
Konicës, At' Gjergj Fishtës, A. Z. Çajupit, etj. Përfaqësuesit e saj luftuan
për nxjerrjen në dritë të identitetit kombëtar shqiptar, duke e shkruar gjuhën
shqipe me alfabet të veçantë ose latin, duke mbledhur dhe botuar krijimtarinë
popullore, duke himnizuar në letërsi, arte dhe gazetari figurën e Gjergj
Kastriotit Skënderbeut dhe bëmat e trimave kryengritës. Në veprat e këtyre
krijuesve shprehej hapur ose me nëntekst urrejtja ndaj pushtuesit, shovinizmit
fqinj dhe shërbëtorëve të tyre.
Kurse
kultura tjetër shprehte interesat e Portës së Lartë të Stambollit dhe
shërbëtorëve të saj bejlerë ose nëpunës të qeverisë osmane, ose interesat e
qarqeve shoviniste greke e sërbe. Përfaqësuesit e kësaj kulture nuk
propagandonin idenë e lirisë, ata nuk kërkonin hapjen e shkollave shqipe, por
kërkonin që gjuha shqipe të shkruhej me alfabetin arab, grek ose cirilik. Këtë
kulturë e përpunuan shumë pak veprimtarë, të cilët ishin në shërbim të
politikës së sunduesit osman ose të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë.
Gjatë
viteve të shtetit shqiptar të pavarur (1912-1939) dy kulturat morën përmbajtje
të re. Kultura jo demokratike u vu në shërbim të pushtuesve të huaj gjatë
Luftës së Parë Botërore dhe gjatë viteve 1925-1939 në shërbim të Ahmet Zogut.
Kurse kultura demokratike që shprehte interesat e popullit ironizoi mendimet
dhe veprimet e gabuara të pushtetarëve të Qeverisë së Vlorës e asaj të
Durrësit. Për t'u përmendur janë këtu pamfletet, portretet dhe skicat e Mihal
Gramenos, ku pushtetarët turkoshakë u tallën me epitetin “Honxho-banxho”, kurse
zyrtarët gjoja perëndimorë me epitetin “Xhongo-rokë”. Kultura demokratike u
pasurua dhe me krijimtarinë satirike të At' Gjergj Fishtës, Gjergj Bubanit, me
artikujt, fjalimet dhe pamfletet e Fan Nolit, skicat e Nonda Bulkës, romanin
“Doktor Gjëlpëra...” të Faik Konicës, tregimet e Ernest Koliqit, të Migjenit,
si dhe me krijimtarinë e shumë këngëtarëve, muzikantëve, të Korit Lira të
Korcës dhe të disa piktorëve.
Gjatë
pushtimit fashist u punua për krijimin e kulturës profashiste me anën e disa
gazetave si “Tomorri”, Tomorri i Vogël”, etj, e cila ishte kulturë jo
demokratike. Kjo kulturë ishte thjesht propagandë gazetareske që u shoqërua me
shumë pak krijime letrare e artistike. Në kundërshtim me të u zhvillua kultura
antifashiste e cila pati dy krahë, krahun që përfaqësuan forcat nacionaliste
dhe udhëheqësit e organizatës patriotike “Balli Kombëtar”, dhe krahun që
krijuan forcat partizane komuniste. Të dy këto forca kishin buletine dhe
gazetat e veta. Populli u këndoi pa dallim luftëtarëve e dëshmorëve të çetave
partizane dhe të çetave patriotike nacionaliste, balliste (shumë prej këtyre
këngëve kushtuar luftëtarëve nacionalistë e ballistë u botuan në një vëllim më
2019). Kultura demokratike e krahut që krijuan forcat balliste dhe legaliste u
fashit pasi Enver Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes të 3 gushtit 1943
dhe u shpalli luftë Ballit Kombëtar e Legalitetit duke i shpallur ato “forca
tradhëtare”, me qëllim që në fund të luftës PKSh-ja të merrte pushtetin si
forcë e vetme politike antifashiste. Qëllim që e realizoi në fund të nëntorit
1944.
Marrja
e pushtetit politik prej Partisë Komuniste të Shqipërisë u shoqërua me forcimin
e propagandës proqeveritare, me mbylljen e gazetave dhe revistave që synonin
lirinë e shprehjes, me botimin vetëm të gazetave e revistave proqeveritare.
Intelektualë, shkrimtarë e klerikë që mendoheshin prej udhëheqjes së partisë
shtet se mund të kundërshtonin vijën e saj politike u vranë, u burgosën dhe u
dëbuan nëpër kampe pune në internim. Me anën e Radio Tiranës, Lidhjes së
Shkrimtarëve dhe Artistëve, Lidhjes së Gazetarëve, Kinostudios “Shqipëria e
Re”, Televizionit u forcua propaganda qeveritare në maksimum. Në letërsi dhe
arte u kërkua me ngulm që të krijohej sipas normave leniniste të realizmit
socialist, ku të dominonte figura e komunistit dhe e sekretarit të partisë si
hero pozitiv, model i shoqërisë së re socialiste. Shqipëria u shpall shteti më
demokratik në botë, ndonëse të drejtat e njeriut, e drejta e fjalës, e shtypit
të lirë, e pluralizmit, demostratave paqësore etj nuk ekzistonin fare.
Në
të gjitha veprat letrare artistike dhe në veprat e shkencave shoqërore dukuritë
e jetës duhej të interpretoheshin në përputhje me politikën e partisë shtet. Ky
detyrim sillte shpesh herë shtrembërimin e së vërtetës historike. Konkretisht
duke qenë se partia kërkonte që Lufta Antifashiste të trajtohej vetëm si luftë
e Partisë Komuniste, në asnjë vepër letrare, vepër arti, ose film artistik nuk
u trajtua rezistenca e 7 prillit 1939 dhe nuk u përmendën dëshmorët e saj. Po
ashtu u mohuan Lufta Antifashiste e çetave nacionaliste e çetave të Ballit e të
Legalitetit. Intelektualët me formim borgjez perëndimor dhe kleri, sidomos ai
katolik, u paraqitën si forca reaksionare, kur dihet se intelektualë, mësues,
ingjinierë, mjekë të formuar në botën perëndimore dhe klerikë si At' Gjergj
Fishta, At' Shtjefën Gjeçovi, Dom Ndre Mjeda me shokë kishin luajtur rol
përparimtar në jetën dhe historinë tonë kombëtare. Të tilla shtrembërime të
realitetit në veprat letrare e artistike dhe në shkencat shoqërore në fakt
ishin pjesë e krimeve të sistemit komunist.
Shkrimtarët
që kishin krijuar para luftës sipas parimit realist, pas vitit 1944 me dashje a
padashje, filluan të krijonin vepra të reja sipas parimeve të realizmit
socialist. Në këtë rrugë filluan të ecin dhe shkrimtarë e artistë të rinj që e
nisën krijimtarinë e tyre pas vitit 1945. U stimulua krijimi i veprave të
realizmit socialist me dhënie lejësh krijuese dhe çmimesh të ndryshme, me
dërgime jashtë shtetit, me përkthimin e veprave në gjuhë të huaja, etj.
Në
rrugë të gabuar ecën edhe shkencat shoqërore. Filozofia marksiste nuk e
vlerësoi moralin e krijuar gjatë përvojës së gjatë njerëzore. Filozofia
marksiste ashtu si letërsia u përpoq ta edukonte shoqërinë përmes modelit të
njeriut robot, një heroi si Leifen-i kinez, që ecën drejt përsosjes duke
zbatuar mësimet e partisë dhe parimin marksist sipas të cilit njeriu i ri i
socializmit duhej të luftonte në radhë të parë për interesin e përgjithshëm e
pastaj për interesin personal. Harrohej se njeriu nga natyra është qenie
interesi dhe në jetë ai lufton para së gjithash për interesin personal e
familjar e pastaj për shoqërinë, mjafton që të mos bjerë ndesh me ligjet e
shtetit dhe normat morale të shoqërisë. Pra morali që kërkohej në veprat e
realizmit socialist dhe në filozofinë marksiste ishte një moral jashtë
karakterit njerëzor, moral fals, moral jo i shëndoshë. Njeriu i ri i
socializmit, heroi pozitiv i letërsisë dhe arteve, nuk e kishte flakën e
brendshme për ndryshimin e shoqërisë përmes luftës së të kundërtave duke
pranuar mendimin ndryshe për të arrirë tek e përsosura. Nuk përkrahej, madje
luftohej, njeriu i formuar me normat e moralit të shëndoshë që ishte krijuar
gjatë shekujve. Kërkohej me ngulm krijimi i njeriut të ri të formuar vetëm
sipas normave të moralit komunist, që ishte një moral fals. Kjo solli
shkatërrimin e moralit të vërtetë te njeriu i socializmit. Në shërbim të kësaj
pune u vunë krahas propagandës së përditshme të shtypit dhe Radio-Televiaizionit
edhe të gjithë tekstet mësimore të historisë e të letërsisë. Kështu u krijua
një armatë krijuesish të rinj që e njihnin me mungesa të mëdha historinë,
letërsinë shqiptare dhe atë botërore, filozofinë, moralin njerëzor, armatë e
cila u bë propagandiste e politikës së partisë shtet në arte, letërsi e
shkencat shoqëroe.
Mirëpo
figura e komunistit dhe e sekretarit të partisë si model i heroit pozitiv nuk
mund të krijohej e të vihej në qendër edhe në veprat që trajtonin tema
historike, pra në vepra ku pasqyrohej jeta shqiptare para krijimit të partisë
komuniste. Të tilla vepra ku viheshin në dukje traditat patriotike të popullit
tonë nuk mund të ndaloheshin me ligj. Kështu që partia shtet u detyrua të
lejonte që krahas veprave ku pasqyrohej jeta socilaiste me hero pozitiv edhe
hartimin e veprave me heronj të së kaluarës që nuk ishin komunistë, si Gjergj
Kastrioti Skënderbeu, rilindës të ndryshëm, luftëtarë që kishin dhënë jetën për
liri kundër zgjedhës turke, italiane (para nëntorit 1941), etj. Heroi pozitiv,
njeriu që mishëronte normat e moralit komunist nuk mund të sajohej si hero në
veprat historike para formimit të PKSh-së, por as edhe në veprat humoristike,
ku kritikoheshin veset e dobësitë njerëzore, dhe as në veprat lirike ku i
këndohej ndjenjave të holla dashurore të njeriut.
Si
pasojë ndodhi që disa shkrimtarë, piktorë, muzikantë, skulptorë, skenaristë,
regjisorë të krijonin vepra të realizmit socialist, kur trajtonin tema nga jeta
bashkëkohore dhe vepra thjesht realiste, kur trajtonin tema nga e kaluara
historike, ose tema homoristike a lirike. Kështu që brenda kulturës shqiptare
në vitet e diktarurës komuniste mbizotëroi kultura servile proqeveritare, por
krahas saj gjalloi dhe një kulturë jo servile, që përbëhej prej veprash letrare
e artistike realiste të krijuara jo sipas parimeve të letërsisë dhe artit të
realizmit socilaist. Këtu hyjnë edhe shumë përkthime veprash nga letërsia
përparimtare botërore të sjella mjeshtërisht shqip prej përkthyesish të
talentuar si Lazgush Poradeci, Skënder Luarasi, Zef Simoni, Robert Shvarc, etj.
Midis veprave origjinale realiste mund të përmendim tregimet e Mitrush Kutelit,
ciklin e romaneve “Rilindasit” të Sterio Spasses, romanin “Skënderbeu” të Sabri
Godos, romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” bashkë me gjithë korpusin
romanor me temë nga koha e Perandorisë Osmane të Ismail Kadaresë, romanin
“Lëndina e lotëve” të Teodor Laços, etj; filma si “Nëntori i Dytë” e “Gjeneral
Gramafoni” të Viktor Gjikës, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” e “Përrallë nga e
kaluara” të Dhimitër Anagnostit, “Mësonjëtorja” i Muharrem Fejzos, “Kohë e
largët” e Spartak Pecanit, “Udha e shkronjave” i Vladimir Priftit, “Ja vdekje,
ja liri” i regjisorëve I. Muça e K. Mitro, “Balada e Kurbinit” i Kujtim
Çashkut, etj. Përmendim këtu dhe vepra satirike si komedia “Karnavalet e
Korçës” e Spiro Çomorës, romani humoristik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”
i Dritëro Agollit, shumë skica humoristike në revistën “Hosteni”, etj, si dhe
shumë poezi lirike nga Vehbi Skënderi, D. Agolli, këngë lirike dhe këngë
popullore lirike, ku nuk mund të sajohej një hero pozitiv si e donte partia
shtet. Edhe në kinematografi u realizuan disa filma humoristikë si filmi
“Karnavalet” i regjisorit I. Zhabiaku sipas komedisë “Karnavalet e Korçës të S.
Çomorës, si dhe komeditë me temë aktuale “Kapedani” prej Fehmi Oshafit e M.
Fejzos dhe “Dy herë mat” prej Bujar Kapexhiut, etj. Po ashtu pati realizime
realiste në piktura dhe skulptura me temë nga e kaluar historike si tablotë
murale të Zef Shoshit në Muzeu Historik i Krujës, “Beteja e Albulenës” e Lek
Pervizit, etj dhe në skulpturë “Monumenti i Skënderbeut” i Janaq Paços në Krujë
dhe ai i Odise Paskalit në Tiranë, “Monumenti i Pavarësisë” në Vlorë, etj.
Me
dashje ose pa dashje partia shtet, sponsorizoi edhe këto vepra dhe të tjera, që
nuk po i përmendim, të cilat janë vepra që i përkasin kulturës demokratike dhe
që kanë vlera të qëndrueshme artistike që nderojnë artin dhe kulturën
shqiptare. Në këto vepra u zbatuan parimet e artit realist dhe jo normat e
realizmit socialist, prandaj ato bëjnë pjesë në thesarin e kulturës sonë që do
të jetojë përgjithmonë.
Po
ashtu dhe në fushën e shkencave shoqërore pati studime të qëndrueshme lidhur me
historinë e së kaluarës, pra të periudhës së Antikitetit, Mesjetës dhe
Rilindjes, si dhe të historisë së letërsisë shqiptare të para vitit 1944.
Ndihmesë të vyer këtu dhanë dhe shumë studiues të ish-Jugosllavisë si Femi
Agani, Ali Hadri, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Ali Aliu, Zekiria Cana e shumë
të tjerë që punonin e krijonin në Krahinën Autonome të Kosovës.
Shumë
e rëndësishme ka qenë gjatë viteve të diktaturës komuniste krijimtaria e disa
poetëve, porozatorëve dhe piktorëve që krijuan brenda burgjeve të asaj kohe.
Për këtë krijimtari partia shtet nuk foli kurrë dhe nuk pranoi se ekzistonte
një kulturë e tillë demokratike krejt e pastër, kultura e burgut, që
përfaqësohej prej krijimeve të të dënuarit e ndërgjegjes. Për nderin e kulturës
demokratike shqiptare të atyre viteve të vështira, u shquan disa nga
shkrimtarët e piktorët e burgosur, ose të internuar në kampe pune si piktori e
rapsodi Lek Pervizi, poetët Frederik Reshpja, Pano Taçi, Trifon Xhagjika, Visar
Zhiti, Pano Tasi, piktori Maks Velo, romancieri Kasëm Trebeshina, Pjetër
Arbnori, Lazër e Jozef Radi, Gulilm Deda (përkthyes), Mid'hat Aranitasi
(përkthyes), Eugjen Merlika, etj. Keta krijuan ose përkthyen me rrezik koke
vepra realiste me përmbajtje kundër shtypjes brenda mureve të burgjeve ferr e
të kampeve të internimit. Krijimtaria e këtyre njerëzve përbën aspektin heroik
të kulturës sonë demokratike që u zhvillua në vitet e vështira të diktaturës.
Këtyre
veprave të shëndosha duhet t'u shtojmë edhe veprat e shkrimtarëve, poetëve dhe
studiuesve që krijuan në diasporë pas arratisjes së tyre nga Shqipëria
diktatoriale. Të tillë janë shkodranët e shquar Ernest Koliqi, Martin Camaj,
Arshi Pipa, Lec Shllaku dhe Sami Repishti, vlonjati Isuf Luzaj, gjirokastriti
Xhevat Kallajxhi, çami Bilal Xhaferri, korçarët Dhimitr Berati, Stavro Skendi e
Vasil Germenji, krutanët Musatafa Merlika e Idriz Lamaj, beratasi Namik Resuli,
dibrani Isa Elez Ndreu, lumjani Essad Bilali, etj.
Ndërrimi
i regjimit dhe botimi i veprave letrare dhe artistike realiste të krijuara në
burgje, në kampe internimi dhe në arrati treguan se letërsia e realizmit
socialist ishte një mish i huaj në procesin historiko letrar e artistik
shqiptar. Pikërisht veprat letrare dhe artistike që u krijuan në burgje bashkë
me veprat realiste që përmendëm më lart përbënë kulturën demokratike shqiptare
në vitet e sundimit të diktaturës komuniste. Kjo krijimtari përbën hallkën
lidhëse midis letërsisë dhe artit shqiptar demokratik të Rilindjes e të kohës
së pavarësisë me letërsinë dhe artin shqiptar demokratik të ditëve tona e të së
ardhmes.
Veprat
letrare artistike që u krijuan gjatë kohës së diktaturës sipas normave të
realizmit socialist, mbas ndërrimit të regjimit diktatorial ndjehen të
vjetëruara dhe askush nuk krijon më sipas atyre modeleve. Sot, të dënuarit e
nërgjegjes dhe shumë njerëz të mirëformuar si Agron Tufa, Çelo Hoxha, Kastriot
Dervishi etj kërkojnë që veprat artistike letrare ku është shtrembëruar e
vërteta historik të mos pranohen si vepra të vlefshme arti, sidomos filmat
socrealistë të mos trasmetohen në gjithë stacionet televizivë, por vetëm në një
stacion dhe të shoqëruar me komente prej specialistëve.
Në
Shqipëri pas ndërrimit të regjimit diktatorial duhej të arrihej krijimi i një
kulture të vetme demokratike, por fatkeqësisht vijuan të gjallojnë ende dy
kultura. Njëra demokratike dhe tjetra kultura servile e pushtetit, kultura jo
demokratike. Kjo ndodhi sepse para ndërrimit të regjimit, udhëheqja e PKSh-së
hartoi variantin shqiptar të planit Katovica që sajoi Mikail Gorbaçovi për
sabotimin e procesit të ecurisë demokratike përmes pluralizmit partiak. Pas
nërrimit të regjimit u futën me urdhër të klanit Hoxha në partitë e reja
politike shqiptare ish-komunistë, ish-sigurimsa dhe shërbëtorë të tjerë të
regjimit diktatorial, për të degjeneruar proceset demokratike.
Zbarimi
i planit Katovica në Shqipëri solli si pasojë krijimin e një klase politike me
njerëz të korruptuar që shkelin lirinë e fjalës dhe kanë krijuar një shtyp e
media që i shërben kryesisht interesave të saj. Tek ne pushtetin politik dhe
pasuritë e vendit vijuan t'i gëzojnë edhe pas ndërrimit të regjimit besnikët e
klanit Hoxha. Kjo situatë ka lejuar që në publicistikë, letërsi, arte dhe
shkencat shoqërore propagandohet politika e kastës sunduese të shpërndarë në
partitë e mëdha politike si Partia Socialiste, Partia Demokratike, Partia
Republikane, Partia Lidhja Socialiste për Integrim, etj.
Ish-krijues
të veprave letrare e artistike të realizmit socialist, duke mos dashur të
kërkojnë falje për veprat që krijuan gjatë regjimit diktatorial, vijojnë t'i
mbrojnë ato vepra, si vepra me vlera edukative, duke mos kuptuar se ky
justifikim është një krim i ri, sepse ndihmon në ruajtjen e nostalgjisë ndaj
diktaturës dhe enverizmit. Sot në krijimtarinë e tyre letrare dhe artistike
këta krijues janë larguar nga kriteret e socrealizmit dhe përpiqen të krijojnë
vepra të reja në përputhje me normat e realizmit botëror. Përpiqen t'u ngjajnë
shkrimtarëve përparimtarë botërorë, duke i cituar e përmendur. Merren me
trajtim temash filozofike, erotike, sociologjike, por gjithnjë duke mos i
trajtuar, ose duke i trajtuar sipërfaqshëm plagëve që shkaktoi regjimi komunist.
Për t'u dukur modernë trajtojnë tema dashurie e filozofike, por nuk dënojnë
krimet e kohës së komunizmit dhe përpiqen të minimizojnë vlerat e letërsisë së
shëndoshë demokratike që u krijua në burgjet shqiptare, në diasporë dhe brenda
Shqipërisë diktatoriale prej krijuesve të guximshëm që krijuan e vijojnë të
krijojnë edhe sot bashkë me krijues të rinj që i dënojnë krimet e komunizmit.
Krijuesit e sotëm të kulturës jo demokratike që vijnë nga koha e diktaturës,
ose bijtë e kuadrove të përkëdhelur të diktaturës, nga njëra anë përpiqen të
nënvlerësojnë krijuesit e kulturës demokratike që krijuan në ato vite të
vështira duke sjellë të dhëna biografike që ua njollosin karakterin e moralin
këtyre krijuesve, kurse nga ana tjetër përpiqen të dëshmojnë se ata vetë kanë
qenë përndjekur (ata ose prindërit e tyre) nga diktatura sepse u ishte
kritikuar a hequr ndonjë poezi a tregim nga një vëllim poetik, ose përmbledhje
me tregime.
Në
rrugë edhe më të gabuar kanë ecur dhe ecin historianët që shkruan Historinë e
Shqipërisë të shekullit të XX. Këta e ripunuan “Historinë e popullit shqiptar”
të viteve 1912-1939 dhe të 1939-1991 dhe e botuan në vëllimet III dhe IV, botim
i Akademisë së Shkencave, si dhe “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” edhe ky botim
akademik i vitit 2008-2009. Në këto vepra për hartimin e të cilave morën rrogën
dhjetra kuadro akademikë më shumë se dhjetë vjet, shumë dukuri, ngjarje dhe
figura historike i interpretuan dhe i vlerësuan si më parë. Në këto vepra
krimet e komunizmit nuk janë dënuar, madje nuk përmenden. Kjo tregon se klani
Hoxha ka ende fuqi për të komanduar kuadrin shkencor të Akademisë së Shkencave
të RSh-së, si dhe shumë krijues të artit e letrarsisë së sotme.
E thënë ndryshe, edhe sot në jetën shqiptare gjallon dykulturësia. Nga njëra anë gjallon kultura jo demokratike, e cila justifikon klasën politike dhe nuk i dënon krimet e komunizmit. Nga ana tjetët gjallon kultura demokratike që krijohet prej ish-të përndjekurve të ndërgjegjes dhe krijuesve të vjetër e të rinj, që kanë kurojo qytetare dhe i dënojnë krimet e komunizmit. Këta trajtojnë në veprat e tyre letrare, publicistike, artistike dhe shkencore probleme thelbësore të jetës shoqërore përmes realizmit si metodë krijuese, kurse në veprat shkencore zbatojnë me objektivitet parimet e historizmit shkencor. Për fat të keq kjo kulturë sot lëvrohet shumë pak brenda vendit për shkak se aty autorët e vërtetë demokratë nuk gëzojnë liri të plotë. Këta mund të botojnë libra në shtëpi botuese dhe shtypshkronja, por librat e tyre nuk popullarizohen dhe nuk vlerësohen si e meritojnë. Media aty është kryesisht në shërbim të klasës politike që i shërbën klanit Hoxha, prandaj kultura e vërtetë demokratike lëvrohet kryesisht në diasporë prej shkrimtarësh e gazetarësh të talentuar si Vehbi Bajrami, Dalip Greca, Ruben Avxhiu, Lek Pervizi, Jozef Radi, Beqir Sina, Elida dhe Skender Buçpapaj, Fatmir Topçiu, Frank Shkreli, Astrit Lulushi, Roland Gjoza, Visar Zhiti, Anton Cefa, Ramiz Gjini, Andon Dede, Fritz Radovani, Ilir Lëvonja, Eshref Ymeri, Pëllumb Lamaj, etj të cilët botojnë kryesisht në gaztat “Dielli” e Illyria” ( Nju Jork) dhe në website “Kuq e Zi” (Bruksel), “Radiandradi.com” (Itali), “VOAL.Ch” (Zvicër), “Fjala e Lirë” (Londër), “Zemra Shqiptare” e Gëzim Markut, “Albemigrant” e Ajet Nuros dhe Paul Tedeskinit, etj.
Kurse Adem Belliu, Këze Kozeta Zylo, etj. kanë hapur stacione
televizive në ShBA, etj. Disa të tjerë publikojnë shkrimet e veta në face-book
personal dhe në libra me shpenzimet e veta, si politologët Shinasi Rama e Grid
Rroi, pelazgologu Mathieu Aref, shkrimtarë e poetë si Rudolf Marku, Ylli
Demneri, Kristaq Turtulli, Petraq Risto, Gëzim Basha, Luan Rama, Arben
Kallamata, Vangjush Ziko, Perparim Kapllani, etj.
Kësaj
kulture demokratike i përket e ardhmja, kurse kulturës servile proqeveritare do
t'i vijë fundi shumë shpejt mbas krijimit të shtetit ligjor, kur Shqipëria do
të hyjë në Bashkimin Europian. Në këtë bashkësi popujsh nuk do të jetë më i
nevojshëm dhe as do të pranohet lëvrimi i kulturës servile ndaj pushtetit.
Pushteti do të jetë pushtet demokratik i vërtetë dhe si i tillë do të stimulojë
jo servilizmin dhe propagandën proqeveritare në media, art, letërsi, shkenca
shoqërore e tekste shkollore, por lulëzimin e kulturës demokratike si kulturë e
vetme në shërbim të mbarë shoqërisë shqiptare dhe europiane.
E
parë në plan tipologjik (përsëritja e tipareve të një dukurie) dykulrutësia
shqiptare mund të themi se paraqitet nga njëra si rrjedha së një lumi me ujra
të kulluar që rrjedhin drejt detit dhe nga ana tjetër një tërësi moçalesh me
ujra të ndenjura që nuk rrjedhin e qëndrojnë në vend ku qelben. Kultura
demokratike shqiptare, që u ka shërbyer interesave të popullit / kombit, përbën
ujin e kulluar i lumit që shkon drejt detit. Kjo kulturë ka vijimësi gjatë
shekujve XVI-XXI. Ajo është përpjekur të zhvillohet në harmoni me përparimin
shoqëror me aspiratat e popullit dhe të interesit mbarëkombëtar shqiptar. Kjo
pasuri vlerash kulturore ka për t'u derdhur në thesarin e kulturës së
përbashkët europiane.
Kurse
kultura jo demokratike, kultura proqeveritare që u ka shërbyer klasave /
kastave në fuqi, që ka kërkuar të ruajë statukuonë e të sundojë si hegjemoni
kulturore e nomenklaturave politike,përbën ujrat moçalore, që nuk kanë pasur e
nuk kanë rrjedhje e vijimësi nga një kohë në tjetrën. Kjo lloj kulture është
tharë e zhdukur gjithnjë. Kështu u tha e u zhduk kultura që mbështeti pushtetin
perandorak turk, kultura që mbështeti shovinizmin fqinj, monarkinë Zogiste,
fashizmin dhe diktaturën komuniste. Kështu do të thahet si ujrat e moçalit edhe
kultura e sotme jo demokratike që i shëben kastës në fuqi për ruajtjen e
statukuosë. Kjo kulturë nuk ka të ardhme, nuk mund të bashkohet në thesarin e
përbashkët të kulturës europiane.
Ecuria
e sotme e kulturës demokratike shqiptare brenda Shqipërisë e në mbarë Ballkanin
Perëndoimor dhe në diasporë tregon se populli ynë është popull krijues i
shëndetshëm dhe pas formimit të shtetit kombëtar do të shpërthejnë edhe më
fuqishëm energjitë e tij krijuese.