Kerko: a
Nikë Gashaj: Masakrat e popullësisë civile në Shqipëri, 1913
E diele, 28.06.2020, 05:25 PM
GJENOCIDI SERB MBI SHQIPTARËT
Masakrat e popullësisë civile në Shqipëri 1913
Nga
Nikë Gashaj
Në
maj 1913 Fuqitë e Mëdha u kërkuan trupave serbe e malazeze të tërhiqeshin nga
Shqipëria Qendrore dhe Veriore të pushtuara prej tyre. Serbia, nga zemërimi që
po humbte portet e Shkodrës dhe të Durrësit, la pas një vazhdë shkatërrimesh
gjatë tërheqjes së trupave të saj. Ashtu që në shtator 1913 shpërtheu një valë
e re mizorish. Më 20 shtator ushtria serbe mori me vete të gjithë gjedhët e
Malësisë së Dibrës. Barinjtë u munduan të mbroheshin dhe luftuan, por u vranë
të gjithë.
Serbët
vranë gjithashtu dy prijës të fisit të Lumës, Mehmet Ademin e Xhafer Elezin,
dhe nisën të plaçkitnin e të digjnin të gjithë fshatrat që hasnin gjatë
rrugës(dhjetë). Në të gjithë këta fshatra serbët kryen akte masakrash të
tmerrshme dhe dhunime grash, fëmijësh e pleqsh... Duke hyrë në fshatrin e
Porçasit, ushtria serbe i nxori të gjithë burrat jashtë fshatit dhe pastaj
dërgoi atje gratë që t’u merrnin para si shpërblim për lirimin e tyre; burrat e
gjorë i kishin mbyllur në xhami, të cilën e hodhën në erë me katër predha. Në
fshatin e Sulpit 73 shqiptarë pësuan një vdekje të tmerrshme , kurse 57 të
tjerë nga fshati Çolopek u vranë në mënyrë të shëmtuar. Prefekti i Krushevës i
kërkoi ushtrisë serbe haptas që të digjnin të gjitha fshatrat në ndodheshin
midis Krushevës dhe Ohrit.
Në
një letër të një ushtari serb , që u botua më 22 tetor të atij viti, thuhet:
Nuk kam kohë t’ju shkruaj gjatë, por do t’ju tregoj për gjërat e tmerrshme që
po ndodhin këtej. Jam tmerruar prej tyre dhe vazhdimisht pyes veten se si mund
të bëhet njeriu kaq barbar, sa të kryejë mizori të tilla. Është e tmerrshme.
Nuk ma mban të them më shumë, por mund t’ju them se Luma (një fshat shqiptar
anës lumit me të njëjtin emër), nuk
ekziston më. Nuk kanë mbetur veçse kufoma, pluhur e hi. Ka fshatra me 100, 150
dhe 200 shtëpi, ku nuk gjendet më këmbë njeriu. Njerëzit i mbledhim në tufa me
nga dyzet a pesëdhjetë vetë dhe pastaj i shpojmë me bajoneta deri tek i
fundit(Edwin Jacques: Historia e Popullit Shqiptar nga Lashtësia deri në ditët
sotme, Carolina, USA, 1995, f. 379).
Bie
erë plaçkitje gjithandej. Oficerët u thanë ushtarëve që të shkonin në Prizren e
të shisnin gjënë e vjedhur. Gazeta që botoi këtë letër shtonte: “Miku ynë na
tregon për gjëra më të frikshme se këto(!), mirëpo ato janë aq të
tmerrshme dhe sfilitëse, saqë preferojmë
të mos i botojmë”.
Atë
tetor një ushtri serbe prej 60.000 vetësh shkretoi krahinat e Dibrës, Strugës,
Liqenit të Ohrit dhe Gollobordës në Shqipërinë Qendrore, si edhe Gashin, Krasniqin e Valbonën në veri.
B.
Peel Uillet, një agjent i ndihmës amerikane, shkroi një raport rreth vëzhgimeve
të tij.
Në
Shqipërinë Veriore trupat serbe shkatërruan njëqind fshatra pa paralajmërim, pa
asnjë provokim dhe pa kurrfarë arsyeje...12.000 shtëpi u dogjën e u hodhën në
erë, 8.000 bujq u vranë ose u dogjën të gjallë, 125.000 mbetën të pastrehë. Të
gjithë bagtinë e rrëmbyen. Kështu bënë edhe
me drithërat e sapokorrura. Bujqit, si kafshë të përndjekura, merrnin
arratinë për në Elbasan, Tiranë, Shkodër e fshatra të largët. Tani sa jam
kthyer nga një udhëtim , përmes këtyre zonave të goditura. Pashë fshatra të
rrënuar dhe shtëpi të djegura ose të hedhura në erë. Pashë refugjatë të uritur.
Pashë gra e fëmijë që vdisnin nga uria.
Komisioni Karnegi
përmblodhi vëzhgimet e tij si më poshtë:
Trupat
e rregullta serbe nuk lanë gjë pa bërë, që nga dita e parë kur pushtuan
Shqipërinë, me qëllim që t’i detyronin banorët të linin kombësinë e tyre ose të
shtypnin me egërsi racën shqiptare. Shtëpi e fshatra të tërë u bënë shkrumb e
hi, popullsia e pafajshme dhe e paarmatosur u masakrua në masë, u kryen akte të
shëmtuara dhune, plaçkitje dhe mizorie, - të tilla ishin mjetet që përdorën dhe
vazhdojnë të përdorin ushtarët serbë, me qëllim që të transformojnë rrënjësisht
karakterin etnik të rajoneve të banuara dikur vetëm nga shqiptarë.
Kjo
luftë shfarosëse e sërbëve përgjatë kufirit verior të Shqipërisë u përshkrua
edhe nga Edit Durham, bamirësja britanike që kaloi vite të shumta midis fiseve
të malësisë.
Një
shqiptar, të cilit i ra rruga nga Podgorica, deklaroi se në vilajetin e Kosovës
në shumë vende toka ishte mbuluar me trupat e grave e të fëmijve dhe se kishte
parë një gjymtyrë që ende përpëlitej mbi tokë.
Një
oficer serb ishte mburrur gjithë gëzim: “ Fisin e Lumës e shfarosëm. “ Pastaj
ai përshkroi masakrën e paparë të burrave, grave e fëmijëve, si edhe djegjen e
fshatrave. Oficerët serbë kishin rënë në ujdi që “kur vendi të bëhet sërish i
yni, nuk do të ketë më asnjë këmbë myslimani”.
Mirëpo,
më 7 nëntor 1913 Austria dhe Italia u kërkuan serbëve që të evakuonin tokat
shqiptare të pushtuara, kështu që ata, pa dëshirë, u tërhoqën në kufijtë e
përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës. Disa muaj më vonë, më 28
qershor 1914, një nacionalist serb e shfryu zhgënjimin e tij të thellë duke
vrarë Princin Austriak, Franc Jozefin, në Sarajevë. Kështu, falë ngathtësisë së
Evropës në trajtimin e çështjes shqiptare, fuçia e barutit në Ballkan shpërtheu
në një Luftë Botërore.
Viktimat e luftës në
Kosovë 1998 – 1999
Regjimi
shtetëror politik i Serbisë, respektivisht i RFJ nuk ka pas aftësi, as forcë që
me matricën e paqës të zgjidhi konfliktet e brendëshsme dhe pëçarjet, në
veçanti ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Forcat
ushtarake-policore dhe formacionet paraushtarake të Serbisë/ RFJ, gjatë luftës
në Kosovë 1998-1999. kanë bë krime të mëdha. Ato kanë bër vrasje masive,
masakra, shfarosje dhe persekutime të popullsisë shqiptare nga Kosova me qëllim
të spastrimit etnik. Për atë dëshmojnë dhe të dhënat vijuese: rreth 12000
pjesëtarë të nacionalitetit shqiptarë janë vra, masakrua dhe përndjekur. Nga ai
numër janë 1741 gra dhe 1396 fëmijë. Në Kosovë ka 660 varresa me shumicë nga
ajo luftë. Gjithasht janë përdhunua rreth 20.000 gra. Më tutje, janë
persekutuar më shumë se një milion shqiptarë nga Kosova. Përveç, vrasjeve,
masakrave dhe përndjekjeve të qytetarëve nga shtëpit e tyre, janë shkatërrua
një numër i madh i objekteve për banim, si dhe objektet fetare, arsimore,
kulturore dhe ekonomike(Burimet:Agjencia arkivore shtetërore e Kosovës, Tubimi
i shqyrtimit të viktimave në luftë në Kosovë 1998-1999, e mbajtur në Prishtinë,
më 24.02.2017, si dhe të dhënat statistikore nga UNHCR).