Kerko: a
Fatmir Halimi: Sefer Tasholli - Lipjani me rrethinë
E premte, 12.06.2020, 12:22 PM
PËR LIBRIN MONOGRAFIK: “LIPJANI ME RRETHINË” – TË AUTORIT SEFER TASHOLLIT
Nga
Ma. Sc. Fatmir Halimi
Libri i autorit
Sefer Tashollit “Lipjani me rrethinë” është një monografi për qytetin e
Lipjanit, është një monografi për Lipjanin si komunë, pra për Lipjanin me
rrethinë.
Autori Sefer
Tasholli që për lipjanasit dhe më gjerë, është një emër i njohur së pari në
fushën e shkrimit e të krijimit letrar e publicistik, por është një emër i
njohur edhe në fushën e aktiviteteve politike për liri dhe çlirim të Atdheut.
Tasholli sot para
lexuesve të shumtë po sjell një libër monumental në fushën e historiografisë,
të llojit të monografisë, për një topos të caktuar me rrethinë. Them se libri ‘Lipjani
me rrethinë’ është libër monumental për disa arsye: së pari ky libër
për herë të parë ua sjell qytetin e Lipjanit me rrethinë në shumë dimensione,
si nga fusha e historisë, arsimit, kulturës, politikes, gjendjes sociale, e
angazhimit te te gjithë aktereve për liri dhe pavarësi të vendit, por edhe te
zhvillimit te vendit pas çlirimit, si dhe të ndërtimit të infrastrukturës
juridike, ekonomike, ligjore e arkivore.
Prandaj me plot
kuptimin e fjalës mund të them se Lipjanit, por edhe më gjerë, i ka munguar një
monografi e tillë, se i ka munguar lexuesit të tashëm që ta kenë ketë libër në
shtëpitë e tyre, pasi që aty pasqyrohet jeta e shqiptareve në të gjitha sferat
e saj.
Ky libër sot, por
edhe në të ardhmen, pra për brezat që do të vijnë do të ketë një rendësi të
madhe për historinë, për kulturën, për arsimin dhe për ekonomin tonë, pasi që
në këtë libër do t’i gjejmë të gjitha interesimet tona.
Tasholli
monografinë ‘Lipjani me rrethinë’
e ka konceptuar dhe e ka ndarë në pesë kapituj.
Shkurtimisht po
paraqes se në kapitullin e parë bëhet fjalë për të dhënat e Komunës së
Lipjanit, pozita gjeografike e Lipjanit, historiku i arsimit, duke filluar me
mësuesit e parë të shkollës shqipe e mandej duke vazhduar për secilën shkollë
veç e veç. Po në këtë kapitull flitet edhe për ekonominë dhe bizneset, ku na e
jep një strukturë të përgjithshme të zhvillimit të ekonomisë me theks të
veçantë të minierave, fabrikave, korporatave bujqësore dhe të bizneseve të
ndryshme.
Kapitulli i dytë
kryesisht ka të bëj me historinë e Lipjanit me rrethinë, vendosjen e parë të
shqiptareve muhaxhirë të dëbuar nga sanxhaku i Nishit dhe krahina e Toplices
prej forcave serbe nga viti 1878 e këndej. Mandej pushtimi i Lipjanit nga
armiku ynë i përbetuar serb dhe masakrat që zhvilluan ata mbi popullatën
shqiptare si në Bujan, Akllap, e në shumë vendbanime të tjera. Këtu nuk mbetet
anash as qëndresa heroike e popullit tonë dhe e heronjve të shumtë siç janë:
Sefer Kleçka. Kadri Beba, Nezir Buja, Hazir Selimi e shumë e shume të tjerë.
Kështu autori brenda këtij kapitulli ecë nder vite duke pasqyruar jetën dhe
vuajtjet e popullit tonë të robëruar deri te demonstrata e fuqishme të vitit
1968, 1981 dhe 1989, kur ndodh edhe suprimimi i autonomisë së Kosovës.
Kapitulli i tretë
përfshinë periudhën kohore të viteve të nëntëdhjeta, rezistencën e popullit
tonë kundër okupuesit më barbar që njeh historia, pra të okupimit nga
Milloseviqi, formimin e partive politike shqiptare dhe ndërtimin e sistemit
paralel të shtetësisë së Kosovës deri në zhvillimin e luftës së UÇK-së për
çlirim. Po në këtë kapitull paraqet të gjithë dëshmorët e Komunës së Lipjanit
të rënë për çlirimin e vendit.
Kapitulli i katërt
përfshinë djegiet, granatimet, shkatërrimet dhe plaçkitjet nga forcat ushtarake
serbe gjatë periudhës së luftës së fundit. Autori Tasholli në ketë kapitull me
radhë i ka paraqit të gjitha fshatrat që janë shkatërruar dhe masakruar nga
forcat serbe gjatë luftës.
Kurse te kapitulli
i pestë dhe i fundit autori e paraqet periudhën kohore1999 deri më 2019. Këtu
kemi të bëjmë me zhvillimet politike, ndërtimet në infrastrukturën si dhe
rimëkëmbjen ekonomike e sociale të
vendit, pra me theks të veçantë për komunën e Lipjanit. Në këtë kapitull
Tasholli e prezanton për mrekulli pluralizmin dhe formimin e partive politike
pas çlirimit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike në Lipjan deri te
zgjedhjet e fundit, që për kryetar ka Imri Ahmetin.
Si përfundim mund
të them se Sefer Tasholli para lexuesve sjell një qasje të re shkencore në
fushën e historiografisë sonë, një qasje më ndryshe edhe në trajtimin e temës.
Tasholli njëherit tregon edhe një kulturë të lartë intelektuale duke i paraqit
para neve si lexues të gjitha burimet që i ka shfrytëzuar për ndërtimin e kësaj
vepre madhore.
Autorit dhe mikut
tonë Sefer Tashollit i urojmë suksese në vazhdimësi dhe prurje të reja në
fushën e historisë dhe të publicistikës përgjithësisht.