Kerko: a
Agron Tufa: Gjaku i tim biri
E premte, 12.06.2020, 03:17 PM
GJAKU I TIM BIRI
(sipas
rrëfimi të regjistruar të një nëne)
Nga
Agron Tufa
-
Të kërkon kryetarja e Komitetit të Partisë së Beratit, shoqja Jemine Guri, - më
tha polici. Me tim bir në krahë, Arturin e vogël që sa qe ngritur në këmbë, ai
na shoqëroi nga fshati i internimit deri në hollin e Komitetit.
-
Djalin lërja sportelistes, - tha polici. – Nuk mund të hysh në zyrën e shoqes
Jeminé me djalin përdore... pesë minuta... mbaron punë dhe e merr.
Sportelistja,
një grua e re me përparëse të kaltër, i buzëqeshi ëmbël Arturit të vogël me
kaçurrela të arta, por ai u ngjesh pas meje. Për të kapërdirë parandjenjën e
errët që më kaploi, nxora një kallamsheqeri dhe ia dhashë. I bënë përshtypje
vijat e kuqe, bardhë e blu
dhe
u gënjye. Polici me futi në një derë të katit të parë dhe vetë u largua. Brenda
më prisnin dy gra dhe një mesoburrë me kostum gri.
-
Ti ke një djalë, apo jo? – filloi burri.
-
Po, - i thashë, - është i mitur. Përse më pyesni?
-
Ne, Partia, nuk do të lejojmë, që djali yt të rritet nga një reaksionare si
ti... – tha, dhe pauzën që pasoi e mbushi me të trokitura thoi mbi siprinën e
tavolinës. - Nuk do ta lëmë gjakun e shokut tonë
partizan,
besnikut të Partisë, të bastardohet nga një nënë reaksionare, bijë bejlerësh
gjakpirës! Dëgjon?
Ndaj
ne...
Mësyva
derën fishek e dola jashtë.
As
djalin, as gruan me përparëse të kaltër s’i pashë kund.
-
Ku ma çuat djalin? Djalin! – piskata fort.Burri me dy gratë kishin dalë në
holl. Renda në oborr. Askund, asnjë shenjë e djalit tim.
-
Kot e kërkon, - foli burri me kostum gri. – Ai ndodhet larg tashmë... nuk e
arrin.
Pas
kësaj rashë në koma. Pas 5 muajsh u përmenda, por nuk mund të lëvizja. Paraliza
më mbërtheu gjatë në shtrat. Vetëm nënën pata te kryet. Herë-
herë
vinte dhe im shoq. I shkatërruar. Vetëm një fjali ia përsërisja vazhdimisht:
“Shko, gjeje djalin tonë!”.
Ai
vetëm qante. Kaloi paraliza dhe më dërguan fill në internim. Pastaj burg prapë,
e prapë internim. Me radhë. Vinin oficerët e sigurimit papandehur. Bastisnin
kasollen dhe ulërinin: “Ku i ke fshehur poezitë!”Derisa ra diktatura. Nisa
kërkimin e Arturit tim. "A do të më njohë?” Deri kur, një ditë të mjegullt
vjeshte të vitit 1991, një grua e panjohur trokiti në portën e kasolles sime.
-
Barie, - më foli. – Ti nuk më njeh. Unë jam Afërdita nga Përmeti, një kushërirë
e dytë e dajove të tu. Kam ardhur të të them diçka, e cila duhet të groposet
midis nesh. Përndryshe, po ma nxore emrin, unë bashkë me burrin e fëmijët e mi
jemi të vdekur brenda ditës. Kam ardhur të të them mos e kërko më djalin tënd,
Arturin. Bëhu e fortë dhe mos ushqe iluzione. Djali yt ka vdekur. Që kur është
rrëmbyer, është mbajtur në një shtëpi të fshehtë në Tiranë, bashkë me disa
fëmijë të tjerë të mitur. Aty i ushqenin mirë dhe një herë në javë, u merrnin
gjak. U merrnin gjak për Udhëheqësin. Në një nga këto raste, fill pasi i morën
gjakun, Arturi... nuk u përmend më. E kam parë me sytë e mi. Vdiq, si shumë
vogëlushë të tjerë, që zëvendësoheshin me të tjerë...
I
gjori im bir!
-
Mos e kërko më... Bëhu e fortë, - tha gruaja dhe vrapoi në mjegull, duke më
lënë të shituar në prag.
-
As varrin mos ia kërko! – erdhi zëri i saj, tashmë nga mjegulla. – Janë sekrete
që nuk hapen kurrë, - shtoi për herë të fundit gruaja, që kishte kohë e tretur
në mjegull. Nuk e pashë më në jetë atë grua. Ua kishte thënë edhe dajave të mi.
Po atë natë qe larguar
familjarisht
në Greqi.
Në
verën e vitit 1997 im shoq më thirri të shkoj për të pastruar tek shtëpia e
prindërve të tij, në Vlorë. Në dhomën e vjehrrit që më pati urryer, gjeta dy
blloqe të trashë. Në njërin ai kishte shkruar kujtimet e jetës së tij, ndërsa
blloku tjetër ishte ditar. Nisa ta shfletoj e të
lexoj
pavullnetshëm, derisa u ndala, duke kërkuar, në shënimin “29 mars 198...”:
“Gjithçka
është ujdisur me kujdes... Plani që bëmë me shokët Vjollca Meçe, Zamir Shtylla
dhe Ahmet Toporaku, s’ka pse të mos funksionojë. Djali i B... Artur S..., do të
rrëmbehet në Komitetin e Partisë së Beratit... Do ta shlyejmë dhe këtë njollë
biofrafie... më në fund....”
Më
shungullonin veshët. Si kështu!? Vjollca Meçe ishte kushërira e vjehrrit tim!
Perëndi, gjëmën ma paskan kurdisur të mitë, mendova dhe ndjeva se po më binte
zali. A e ka ditur vallë gjyshi enverist se ku po e çonte gjakun e nipit të tij
të mitur? Si ta pyes, tani që ka vdekur?
Do
të shkoj t’i ulem mbi varr, t’i piskas... deri sa të ngrihet... të më japë
përgjigje!