Kerko: a
Nikë Gashaj: Kërkesa e Serbisë për daljen në detin Adriatik në Shqipëri
E merkure, 03.06.2020, 01:30 PM
KËRKESA E SERBISË PËR DALJEN NË DETIN ADRIATIK NË SHQIPËRI
Nga
Nikë Gashaj
Serbia donte të
plotësonte ëndërrën e saj të vjetër, daljen në detin Adriatik nëpërmjet trojeve
të shtetit shqiptar. Mirëpo, fuqitë e Antantës nuk e pranuan kërkesën e
Beogradit për të hyrë ushtarakisht në Shqipëri, as në muajt e parë të
konfliktit botëror dhe as në fillim të vitit 1915. Megjithatë, qeveria e
Beogradit vendosi t’i shtinte në dorë këto territore dhe të dilte në Durrës,
duke synuar të forconte këtu edhe pozitat shumë të tronditura të aleatit të
vet, të Esat Toptanit.
Për përgatitjen e këtij agresioni qeveritarët serbë nisën
të grumbullonin në fillim të muajit maj forca të shumta në Prizren dhe akoma më
shumë në sektorët e Ohrit e të Dibrës, prej nga mësynë në Shqipërinë e Mesme. Pas
disa përleshjesh të armatosura thyen forcat kryengritëse të Haxhi Qamilit dhe
arritën deri në afërsitë e Durrësit, duke e shpëtuar E. Toptanin nga rrethimi
disamujor. Për shkak të protestave energjike të Italisë forcat serbe nuk hynë
breda në Durrës. Në këtë rast qeveria e Beogradit duket se iu përmbajt
marrëveshjes me qeverinë e Athinës të majit 1913, sipas së cilës vija e
kufirit, që ato kishin caktuar në Shqipëri, do të ishte pikërisht lumi
Shkumbin. Forcat serbe që hynë nga ana e Prizrenit arritën deri në Orosh, ku
masakruan patriotin Ded Gjo Lulin dhe u dhanë mundësi forcave esatiste të
ndërmerrnin një ekspeditë policore në krahinën e Mirditës.
Agresioni serb i qershorit 1915 u krye në kundërshtim me
udhëzimet e Fuqive të Antantës, të cilat, në shenjë mospajtimi, përgatitën edhe
një not kolektive për t’ia dorëzuar qeverisë së Beogradit, por, për arsye të
kontradiktave që lindën, nuk arritën t’ia paraqitnin asaj.
Qendrim i Austro-Hungarisë ka qenë pro Pavarësisë së Shqipërisë
në vjeshtën e 1912.
Qeveria e Austro-Hungareze doli hapur kundra depërtimit
të thellë të ushtrisë së aleancës ballkanike në tokat shqiptare dhe ndarjes së
Shqipërisë midis tyre. Meqenëse, Vjena kishte shumë vite që kishte projektuar
krijimin e shtetit shqiptar në rast të prishjes së status quo-së në Ballkan dhe
tashmë qe erdhi momenti ajo nuk mund të lëjonte fuqitë ballkanike të hidhnin në
erë gjithë interesat e saj në këtë rajon. Prandaj, Vjena filloi nga përgatitjet
për krijimin e shtetit shqiptar dhe për caktimin e territorit të tij. Për këtë
arsye u mbajt në Vjenë, më 16-19 tetor 1912, një konferencë me lloje të
ndryshëm ekspertësh, ku u diskutua për Shqipërinë. Aty u diskutuan territoret e
shtetit të ardhshëm shqiptar.
Në një vendim sekret të Ministrisë së Punëve të Jashtme
të Austro-Hungarisë të nëntorit të 1912 në lidhje me statusin e shtetit të
ardhshëm shqiptar dhe territorit të tij u vendos që” Paraqitet e dëshirueshme
formimi i një Shqipërie autonome ose pas pushimit të sovranitetit turk një
Shqipëri e pavarur. Kufijtë territorialë të këtij shteti të ri duhet të
sigurojnë interesin, vitalitetin dhe stabilitetin dhe do të përfshinin, nëse
është e mundur, të gjithë shqiptarët që jetojnë në Perandorinë Osmane dhe qe
kishin kufij natyral. Fatkeqësisht kjo dëshirë nuk do të mbahet lehtë për shkak
të situatës etnografike të komplikuar në Vilajetet e Kosovës, Manastirit dhe
Janinës dhe suksesit ushtarak të Ligës
Ballkanike.
Austria përballohej me problemet nga Serbia, e cila
kërkonte të sfidonte Austro-Hungarinë në Ballkanë. Ajo kërkonte coptimin e
Shqipërisë midis saj dhe Greqisë. Serbët ishin të mëndimit se populli shqiptar
nuk është një element që të formoj një shtet se Shqipëria e Veriut është serbe,
se një Shqipëri e pavarur ne fakt nuk ka ekzistuar kurrë se vetëm ata ruajnë të
drejtat e trashëguara mbi Shqipërinë. Për Pashiqin, një Shqipëri e pavarur nuk
është e dëshirueshme, por as është e mundur. Ish kryeministri i Serbisë, Vladan
Georgeviq, që njihet për argumentimin e famshëm se shqiptarët ishin me bisht si
dhe për planin e tij të detajuar për zhdukjen e shqiptarëve në lidhje me
Shqipërinë autonome mendon se”do të ishte një shtet muhamedan në Evropë një
anakronik për kulturën dhe idetë e Evropës moderne”.
Problemi më i madh që kishte Austria në nëntor të 1912
ishte çështja e portit serb. Serbia kërkonte me patjetër një port shqiptar nën
sovranitetin e saj të plotë. Nëse një gjë e tillë do të ndodhte, ndoshta do ti jepte fund ekzistencës
së një shteti shqiptar i aftë për të jetuar, respektivisht atëherë do të
minohej tërësisht plani i Vjenës për një Shqipëri të pavarur.
Më 8 nëntor 1912, Vjena i bën të ditur Beogradit
qëndrimin e saj për krijimin e Shqipërisë së pavarur në tokat që Serbia
kërkonte t’i aneksonte. Po ashtu ministri i jashtëm gjerman i kishte deklaruar
ambasadorit serb se, Austria dhe Italia janë kundra daljes në Adriatik të
Serbisë, sepse kjo do ta ndante Shqipërinë, i ngarkuari me punë i Serbisë i
ishte përgjigjur që Serbia kërkonte të gjithë Shqipërinë. Ministri i jashtëm
gjerman vë në dijeni Anglinë për
pretendimet e Serbisë. Sipas tij”Serbia kërkon gjithë Shqipërinë me
përjashtim të një cope të vogël në jug që do ta marr Greqia. Pra Serbia jo
vetëm që nuk e diskuton çështjen e portit por do të ketë gjithë Shqipërinë.
Sipas historianes Elena Kocaqi Levanti, Bogiqeviqi ambasadori
serb në Berlin ju ankua Kiderlenit kancelarit Gjerman, se sipas opinionit në
gazeta të Vjenës:”Austro-Hungaria nuk do të durojë që Serbia të shkel tokën shqiptare, as qe të ngulet ajo në breg të Adriatikut”. Sipas tij ”nëse kjo gjë ishte
e vërtet atëherë puna është edhe më keq, duke qene se të katërta shtetet
ballkanike që janë në luftë paskan rënë në një marrëveshje, sipas së cilës,
pothuajse e tërë toka shqiptare do t’i binte Serbisë... këtë punë e dika edhe
Rusia dhe e pëlqyeka plotësisht... në rast se Austro-Hungaria do ta ndalojë me
armë në këtë punë Serbinë, atëherë Rusia do t’i shpallka luftë
Austro-Hungarisë”. Përgjigja e Kiderlenit ishte po aq kërcënuese sa ajo e
Bogiqeviqit se “Po të jenë të vërteta fjalët e tij dhe në dashtë luftë jo vetëm
Serbia, por edhe Rusia, atëherë urdhëroni, veçse atëherë do të jenë krah për krah me Austro-Hungarinë
me forcat e tyre jo vetëm Gjermania por dhe Italia.
Në Vjenë ishin shumë të vendosur që të zgjidhnin luftën,
nëse do të ishte e nevojshme për të ndaluar daljen e Serbisë në bregdetin
shqiptar. Pasi u vu në dijeni për
pretendimet serbe, në 3 nëntor 1912, Austria iu drejtua Rusisë duke i shpehur
mos aprovimin e saj në lidhje me portin serb. Austria shprehet, se ajo nuk mund
të japi votën kurrsesi që të lidhet Serbia me Adriatikun nëpërmjet tokës
shqiptare.
Vjena ishte e vendosur që të mos e lëjonte Serbinë në
bregdetin shqiptar edhe me koston e një lufte Evropiane dhe Botërore. Mirëpo,
Serbia e injoronte kërcënimin e saj. Kjo sepse Serbia donte të nxiste një luftë
Evropiane dhe me anën e Antantës me në krye Rusinë të shkatërronte Austrinë dhe
ti merrte asaj tokat. Andaj, Serbia synonte të kapte portin e Shëngjinit dhe të
Durrësit sa më parë me qëllim që ta bënte marrjen e tyre fakt të kryer përpara
opinionit publik ndërkombëtar.
Në anën tjetër, Ministri i jashtëm i Rusisë Sazanov,
ishte i mendimit se ”Serbia dëshiron të provokojë, me çdo kusht, një luftë
evropiane duke varur shpresën në përkrahjen e Rusisë, por atë nuk do ta ketë
kurrë, sepse ajo nuk do luftë.
Kur u pa se qëndrimi i Vjenës në lidhje me kërkesën mbi
portin ishte i palëkundur dhe mund ta çonte çështjen deri në luftë, Fuqitë e
Antantës filluan të reflektonin dhe të mbanin një qëndrim të moderuar për të
shmangur luftën me Austrinë. Kështu, më 12 nëntor, Sazanov i shfaq diplomacisë
franceze qëndrimin e qeverisë ruse ndaj Serbisë. Sipas tij”qeveria perandorake
i deklaron kategorisht Serbisë se ajo nuk duhet të shpresojë të tërheqë Rusinë,
e cila është e vendosur të mos shkojë deri në luftë të armatosur për një port
serb në Adriatik... Kështu Sazanov, përfundimisht e konsideroi daljen e Serbisë
në det një çështje të humbur..... Më tutje ministri i jashtëm i Rusisë, Sazanov
porositi Pashiqin për vetëpërmbajtje me qëllim që të mos hynë në luftë me
Vjenën. Në qoftë se do të vazhdoni të kërkoni Durrësin do të humbni edhe
Beogradin. Kini kujdes. Vjena e ka humbur durimin. Pashiqi i mbetur pa
përkrahjen e aleatëve kryesore u përkul para këshillave kërcënuese të Rusisë.
Përfundim: Austria i bindi Fuqitë e Mëdha ku me diplomaci dhe ku me kërcnim për
luftë që çështja e portit serb në Adriatik nuk pajtohet në asnjë mënyrë me
ekzistencën e Shqipërisë si dhe politikën e jashtme austriake. Kjo ishte
fitorja e madhe për diplomacinë vjeneze por edhe për të ardhmen e Shqipërisë.
Andaj, më 23 dhjetor Pashiqi komentoj se kjo disfatë e Serbisë”ishte për shkak
të kërcnimit të Austro-Hungarisë me luftë të madhe”.Gazetat serbe”fajsonin
Rusinë duke thënë se qëndrimi i Rusisë ishte jashtëzakonisht i keq dhe është
një tradhti e vërtet ndaj Serbisë”.
Më tutje, historiania e njohur serbe, Llatinka Peroviq,
ndër të tjerat, thotë: “Serbinë e kanë lodhur luftat për territore të huaja.
Gjatë 125 viteve, ajo ka luftua për çdo 14 vite... Sot kur një orientim i tillë
i ka ardhur fundi, kur është zbraz një model politik, bëhet e qartë se duhet
për ta ndërrua atë që quhet mentalitet. Mirëpo, në lidhje me të parashtrohet
pyetja, A është e mundur? E pranoj, dhe vet shpeshherë ndalemi para asaj
pyetje, meqenëse nuk kam përgjigje”. Në anën tjetër, ka autorë shqiptarë të
cilët konstatojnë, se ajo ka qenë kohë e vjetër, se atëherë kanë qenë tjerë serbë,
ndërsa sot janë tjerë serbë. Mirëpo, ata sikur duket nuk i njohin mirë serbët,
respektivisht mentalitetin e tyre, psikologjin dhe historinë e tyre. Po ashtu,
ata nuk kanë njohje të duhura nga gjenetika- shkenca e trashëgimisë. Ndërkaq, në
filozofinë popullore, thuhet: “gjaku nuk bëhet ujë”, ose” Ujku qimen e ndërron,
por vesin nuk e ndërron”. Atë e ka vertetua dhe praktika konkrete. Prandaj,
mentaliteti serb për okupumin e tokave të huaja akoma mbetet aktual!
(Autori
është politolog)