Kerko: a
Nexhmedin Saqipi: Kriza e vetëdijes së shoqërisë shqiptare në kohën e pandemisë
E marte, 26.05.2020, 09:55 AM
Kriza e vetëdijes së shoqërisë shqiptare në kohën e pandemisë
Nga
Nexhmedin Saqipi
Që nga koha e
paraqitjes së viruseve me karakter botëror siç është ai i Koronës dhe Kovid -
19, shoqërinë njerëzore e në veçanti atë shqiptare e përfshiu një valë e re e
krizës më shumë mendore se sa shëndetësore.
Kur themi kështu,
kemi parasysh rrethanat kur u paraqit epidemia e një virusi të padukshëm dhe
shumë të rrezikshëm për shëndetin e njerëzve, shtetet ku janë të përqendruar
shqiptarët, nuk ishin të përgatitur për t'u ballafaquar me një fenomen të tillë.
Në Shqipëri
epidemia erdhi menjëherë pas tërmeteve të njëpasnjëshme, që mbollën vdekje dhe
lanë trauma te shqiptarët, të cilët nga shteti kërkonin të largoheshin nga shtëpia
për shkak rrezikut për jetën e njerëzve, ku një numër i madh i tyre mbeti pa
kulm në kokë. Pa u shëruar mirë plagët nga një katastrofë humanitare u paraqit
virusi Korona, shteti përsëri reagoi, kësaj radhe me sloganin "Rrini në
shtëpi!", "Keni kujdes!", "Mbajeni distancën!" etj.
Fenomenet
E këtyre
fenomeneve kur i shtohen edhe probleme të tjera të natyrës politike si betejat
e pakompromis midis pozitës dhe opozitës, si ato që po ndodhin rreth protestave
rrugore, janë treguesit e qartë se shoqëria shqiptare në "shtetin e
shqipeve", nuk ndjehet mirë nga kriza e vetëdijes, e cila pa dëshirën e
tyre ka mbingarkesë, që shkakton strese, defetizëm dhe defekte të tjera shëndetësore.
Kjo dukuri vlen
edhe për shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, Kosovën e taksirateve e cila që
nga paraqitja e pandemisë, në këtë shtet nuk ka rehati së pari rreth zgjedhjes
së Qeverisë së re dhe së dyti rreth betejës kundër Koronavirusit. Lufta mes krerëve
institucional dhe liderëve partiakë është më e ashpër se lufta kundër virusit vdekjeprurës,
të cilat së bashku paraqesin një defekt në jetën e shoqërisë shqiptare, së cilës
nga shpina nuk iu hoqën kurrë gazepet.
Shoqëritë
shqiptare në këto dy shtete dhe në ato të tjerat të shtrira në Maqedoninë e
Veriut, në Mal të Zi, Serbi (Lugina e Preshevës) dhe diasporë, po kalojnë një
fazë të jetës, nga më të rëndat, që nga periudha e komunizmit e këndej.
Nuk mund të gjesh
të paktën një shtet, krahinë, apo rajon ku shqiptarët janë në rregull! Pse
ndodh kështu dhe ku qëndron problemi?
Rehabilitimi
Pa u lodhur shumë
në kërkim të një përgjigje të saktë, problemi qëndron në vetëdijen tonë e cila,
pavarësisht dukurive negative të cekura më lart, është për një analizë dhe
rehabilitim gradual, duke mos shkaktuar edhe vatra të tjera të krizës mendore,
shpirtërore dhe fizike.
Kriza e vetëdijes
të shoqërisë shqiptare i ka rrënjë e thella, duke filluar nga lufta për
pushtet, famë e privilegje e deri te betejat e provincilaizmit të mentalitetit
ballkanik: Bajraktarizmat, lokalizmat e ...izma të tjerë të demoduar dhe banal.
Kjo krizë vetëdijesore
nuk mund të gjej shpëtim për deri sa ne si shoqëri shqiptare nuk e gjejmë një
model se si të lirohemi nga mentalitetet e mbrapshta, të cilat na shoqërojnë në
çdo hap, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.
Ndoshta kjo ka
ndikuar se shqiptarët historikisht dhe politikisht kemi qenë një popull i ndarë
e i përçarë në shumë principata, krahina, shtete e rajone, ku fuqitë e mëdha na
kanë sunduar dhe vazhdojnë të ndikojnë në fatin tonë politik.
Sfidat
Kjo krizë e vetëdijes
së shoqërisë shqiptare, mund të flaket, të mënjanohet, të evitohet, madje edhe
të shërohet, sikur ne shqiptarët të fillojmë të kuptohemi së pari si shqiptarë
në mes veti, pastaj të kërkojmë edhe ndihmën e miqve tanë të sinqertë, ajo të
atyre që na kanë ndarë me shekuj.
Me një mobilizim të
përbashkët në të gjitha drejtimet e aspektet, kriza jonë e vetëdijes së shoqërisë
shqiptare do të lokalizohet, të shërohet dhe rehabilitohet gradualisht, duke
pasur parasysh ngritjen e vetëdijes dhe dashurisë, mirësisë dhe vëllazërisë
shqiptare, kudo qoftë ajo edhe përtej Atlantikut.
(Autori është kryetar i Shoqatës së
Gazetarëve "Etika" nga Lugina e Preshevës)