Kulturë
Anton Marku: Zonja nga Ballkoni
E hene, 18.05.2020, 03:24 PM
Zonja nga Ballkoni
(tregim)
Nga
Anton Marku
Edhe
sot, ashtu si dy javët e kaluara ajo e nisi ditën me lutje, të cilat edhe ashtu
i thoshte në mënyrën e saj, shkurt dhe qartë.
-‘‘Jeta
ime ka nevojë për një sistem të ri navigimi‘‘ - mendoi para se të mbushte mushkëritë
me ajër vjenez dhe lëkundë flokët ngjyrë gri, apo më mirë të thuhet flokëzat e
rralla që si fije të gjata ende i rrinin ngjitur për kokë.
Në
një libër të viteve të 60ta kishte lexuar se që kur u zbulua puthja njerëzit
marrin frymë më lehtë. Edhe sot i besonte kësaj teorie mu si në atë kohë kur
sheshet e qyteteve vërshoheshin çdo ditë nga të rinjët që kërkonin diçka e as
vetë nuk e dinin tamam se çka.
Adoloshenca
e saj ishte si arra. Ajo shpeshherë ka krimbin brenda, por këtë nuk e di as ai
që e jep e as ai që e merr. Kështu lindin së pari keqkuptimet e më pas
mospajtimet. E ditari i saj është i mbushur me të tilla.
-‘‘Eh
… unë kam gjuajtur shpesh gurë në lumenj pa u menduar shumë. Kam përjetuar edhe
kohërat kur në trend ishte ‘‘dashuri pa aftë skadence’’ e edhe shumëçka tjetër.
Çfarë të bësh. I tillë paska qenë fati im. Ai që pothuajse gjithmonë gjendej në
anën tjetër të urës’’. - pëshpëriti ngadalë sa për të pushuar pak.
Nuk
u martua asnjëherë dhe kishte vite që dashuria i ishtë bërë si një tatuazh, të
cilin njeriu e bartë në shpinë, por nuk e sheh. Në këtë fushë tashmë një dekadë
kishte hyrë në një pauzë kreative.
-‘‘Sytë
mbesin të rinj edhe kur gjithçka tjetër plaket’’ - vazhdoi mendimin e lënë
përgjysëm por nuk e vazhdoi më tutje pasi që nuk kishte vullnet që ta mundonte
kokën me pyetjen se çfarë do të mund të nënkuptonte ‘‘shumëçka’’.
E
kur përmendi sytë mendja i shkoi në ditën e parë kur kishte takuar heroin e saj aktual, zotin
Miller, që banonte në ndërtesën përballë. Kjo kishte ndodhur shtatë muaj më
parë dhe që nga atëherë në kokë i rrotullohehin mendime të përziera. Diçka nga brenda i thoshte se mbase ai do të
mund të ishte burri i vjeshtës të saj. Por, në këtë tregim kishte një problem:
vetmia i kishte humbur guximin dhe ajo ishte bërë shumë e tërhequr duke humbur
vetbesimin që kishte pasur dikur, atëherë kur nuk e nguronte fare që t’i shprehte ndjenjat e saj pa pritur që këtë ta
bënin ata, gjina më e fortë.
Filloi
të interesohej fshehurazi për të, ashtu me stil, pa rënë në sy, dhe kishte kuptuar
se ai kishte bashkëjetuar për shumë vite me një mjeke prej së cilës ishte ndarë
rishtaz. Sapo mendoi se ai tashmë ishte i lirë për tu ‘‘peshkuar’’ u trondit
kur dëgjoi fqinjët tek pëshpërsinin se tani zoti Miller kalonte natën me dy të
panjohura. Kjo e bëri xheloze, shumë xheloze. Vetëm pas disa javësh e mori vesh
se ai në të vërtetë ishte mësues i matematikës dhe se ajo që thuhej për të nuk
ishte e vërtetë, por shaka prej atyreve me shumë kripë.
Ajo
ishte një tip i veçantë, ndryshe nga të tjerët. Gjithmonë kishte qenë e tillë.
Edhe tash kur njerëzit i kishte kapluar frika e infektimit nga virusi i
padukshëm, ajo refuzonte të barte maskë. Edhe atëherë kur për një të tillë në
njërën nga barnatoret në ‘‘Mariahilf.’’ kërkoheshin 20 euro e edhe më vonë kur
ato filluan të shpërndaheshin falas nëpër supermarkete. Thjeshtë e adhuronte
fytyrën e saj, ashtu siç ishte, me ndonjë rrudhë aty-këtu, dhe nuk donte ta
fshihte atë. Për asnjë çmim.
*****
Shikoi
nga dritarja, pastaj në kutinë e varur në mur. Po afrohej ora tetëmbdhjetë dhe
ajo, pasi që kishte kaluar minuta të tërë para pasqyrës, tashmë ishte e gatshme
për të dalë në ballkon dhe filluar, bashkë me miliona të tjerë në tërë botën,
ritualin e duartokitjeve.
Njerëzit
kishin dalur jashtë dhe po bashkonin duart pa ndonjë ritëm të caktuar. Ata që
po ecnin poshtë ndërtesave kthehnin kokat lart dhe bënin me dorë në drejtim të
tyre, duke i dhënë njëri-tjetrit kurajo. Asaj iu duk se këtë radhë zoti Miller
u vonua pak, por u qetësua kur pa se pas një lëvizje të perdeve, ai u duk në
ballkonin e tij. Zemra filloi t’i rrahë më shpesh dhe diçka i dridhi trupin.
Nuk ishte era. Ishte aroma e parfumit të tij, që i dukej se kishte kaluar
rrugën dhe e kishte prekur diku në qafë.
Sot
iu duk edhe më i bukur se herave të tjera. Edhe pse nga fletët e mëdha të
luleve nuk po shihej i tëri, pantollonat e kaftë, kombinuar me këmishë të
kaltër dhe kravatë të kuqe i rrinin për mrekulli. Vetëm po priste që ai ta
kthente kokën drejt saj dhe t’i thoshte atë që kishte mësuar përmendësh dhe përsëritur
pesëdhjetë herë në ditë, që nga e diela, ditën kur vendosi që, pasi nga ai nuk
po merrte ndonjë sinjal, më në fund do të ishte ajo e cila do të bëj hapin e
parë.
Dhe,
tash ishte rasti i duhur t’i bënte një compliment, sa për ngrohje. Mblodhi tërë
muskujt e trupit, nxori dritë nga sytë, u besoi buzëve, mori guximin që i
kishte munguar deri më tash dhe tha butë, por mjaftueshëm që ai të mund ta
dëgjonte:
-Rrobat
po ju rrinë shumë mirë zoti Miller!
Ai
ktheu sytë nga ajo. E shikoi disi hutueshëm, mendoi pak më gjatë se sa burrat e
zakonshëm të këtij qyteti, dhe ia ktheu:
-Po
përshtaten më shumë me trup apo me ftyrë?
-Për
fat të keq timin, trupin nuk po ua shoh të tërin. Mbase po u afruat edhe pak
drejt ballkonit tim do të mund të ju jap një vlerësim më objektiv dhe më të
saktë. - tha ajo me një zë që po i ikte.
Ai
e hapi gojën. Dukej se ishte gati të thoshte diçka. Por e mbylli sërisht dhe
nuk tha asgjë.
-Ju
po bëheni secilën ditë më i ri, zoti Miller! - tha dhe citoi një frazë tjetër
nga ato që kishte mësuar duke i ulur pak syzet që i kishte blerë gjatë
pushimeve verën e kaluar në Shqipëri.
-Faleminderit
zonjë e nderuar! - u përgjigj ai ngadalë me një tundje koke në shenjë respekti.
-‘‘uaaau
... çfarë zëri simpatik! Dhe më tha dhe zonjë e nderuar’’ – u ngallëzye ajo dhe
ndjeu se si arteriet e zemrës po i zgjeroheshin. Por, në çastin tjetër do të
pësonte tronditeje emocionale kur zoti Miller vazhdoi fjalinë e nisur po me atë
ngadalësi:
-
Nuk jeni e vetmja ju që e thoni kështu. Këtë e bëjnë edhe të gjitha
pensionistet e bllokut tim.
-‘‘...
dhe çfarë do të thotë ai me këtë ... ndadalë, ngadalë ... më duhet ta analizoj
domethënien e kësaj që sapo dëgjova … hë … e si ka mundësi që këtë kompliment
të ja bëjnë edhe të tjerat. Athua sa janë ato në ndërtesën e tij? ... mbase
janë shumë sepse mu duk se ngrit pak zërin kur tha ‘‘të gjitha’’ ... hëëëë ...
athua i ka të gjitha dashnore? ... jo, jo, nuk
e besoj, nuk ka mundësi, nuk mund të jetë e vërtetë, nuk guxon të jetë e
vërtetë ... ’’ - nisi të bluante në kokë ajo dhe hetoi se si ca pika djerse të
ftohtë i rrëshqitën poshtë faqeve.
U
përpoq të mbante vetën nën kontoll. U përtyp dhe skuq kur e shiko prapë, dhe
përsëri iu duk i bukur, tmerrësiht i bukur. Për një çast, përderisa të tjerët
ende po duartrokisnin nëpër ballkonet e tyre, i shkoi mendja që të shkruante
numrin e saj të telefonit në një letër të madhe dhe ta mbante për minuta të
tërë para vetes, me shpresë se ai do ta kuptojë porosinë e saj dhe do ta thërras
sapo të bie terri. Por hoqi dorë nga kjo ide e çmendur sapo mendoi se do të
mund ta shihte Ruza, fqinja e saj e parë në të majtë, e pastaj do ta përgojonte
aq fort saqë do të bëhej objekt talljeje në tërë katin e pestë e ndoshta dhe në
tërë lagjen.
Deri
këtu iu duk se fati po ia hapte derën me një dorë, por pas kësaj pati
përshtypjen se ai ia përplasi atë për
fytyrë me të dyjat, pasi që derisa ajo po mendonte strategjinë dalëse nga kjo
situatë e papritur, pra po merrej me ‘‘Brexit-in’’ e saj, njerëzit ishin
larguar nga ballkonet dhe tashmë ishin kthyer nëpër dhomat e tyre të ditës. Mes
tyre edhe zoti Miller.
-‘‘Epo
nuk mund të ecet rrugëve të reja me këpucë të vjetra’’ - tha me zë të lartë dhe
instiktivisht hoqi këpucët e bardha me taka të larta që me vetëdije i kishte
mbathur edhe këtë herë vetëm e vetëm që para tij të dukej më e gjatë se sa në
të vërtetë ishte.
*****
-‘‘Vdekja
duhet të ketë sy të bukur’’ - mendoi ajo para se ta zinte gjumi. Një çast më
vonë iu dorëzua ëndrrës. Asaj që e priste. Atë që po shihte po ndodhte diku
larg, në një vend që nuk kishte emër. Nuk ishte vetëm. Me të ishte dhe ai.
Të
nesërmen trupi nuk e dëgjoi që të ngritet nga krevati. Saktësisht në ora
tetëmbëdhjetë e mori lemza disa herë. Duke se dikush po e përmendte emrin e
saj. Se kush nuk e dinte, por e dinte se thellë në shpirti do të donte të ishte
fqinji i saj përballë rrugës, zoti Miller.
Prillin
ende nuk e kishte shlyer nga kalendari.
Vjenë, 17 maj 2020