Kerko: a
Entela Binjaku: Vetëvrasja si akt i dëshpërimit qytetar!
E merkure, 29.04.2020, 05:50 PM
Vetëvrasja si akt i dëshpërimit qytetar!
Nga
Entela Binjaku
Kur
ende shoqëria shqiptare jeton kufizimet për shkak të pandemisë, kur lëvizja
lejohet për pak orë falë marrjes së lejes në një platformë digjitale, media
njoftoi opinionin për vrasje, plagosje, vetëvrasje. Të ndodhura në fare pak
orë, në disa zona të vendit, vëmendja u përqëndrua tek dy faktet e para e më
pak tek fakti i tretë. Një djalë rreth të 30-tave, i sapo bërë prind dhe një
mesoburrë, respektivisht nga një zonë e vogël urbane dhe nga një qytet të madh
në zemër të Shqipërisë, zgjodhën të njëjtën formë të dhënies fund të jetës. Me
këtë akt ata prodhuan jo pak traumë për familjet, të afërmit e të njohurit e
tyre. Për vetë profilin psikologjik të familjes shqiptare, lidhjet mes
pjestarëve janë shpirtërore ndaj dhe gjurmët që lë kjo traumë tek ata janë të
thella dhe të dhimbshme. Post-trauma që zgjat në kohë, lëndon shumë njerëz dhe
kjo do të kërkonte më shumë energji për t’u ardhur në ndihmë në përballjen me
të. Vetëvrasja godet si të rinjtë ashtu edhe të vjetrit, të pasurit e të
varfërit, gratë dhe burrat, të martuar ose jo, të divorcuar, të dobët e të
fortë, të zakonshëm apo dhe njerëz të veshur me pushtet, nëse jeton në fshat
apo në qytet etj. Në vendin tonë sipas burimeve zyrtare në periudhën 1 janar
-27 prill të këtij viti janë kryer 37 akte të vetëvrasje dhe 41 tentativa.
Kjo
është shifër është më e ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar ku u
realizuan 55 akte vetëflijimi dhe 43 tentativa.
Për
trajtimin e vetëvrasjes përveç faktorëve demografikë, pra moshës, gjinisë,
mjedisit ku jeton individi, duhen marrë në shqyrtim edhe faktorët e zhvillimit
psikik, biologjikë si dhe ato që lidhen me historikun e jetës së personit. Duke
i analizuar mund të gjejmë edhe forma për të parandaluar këtë dukuri. Sjellja
vetëvrasëse është e lidhur me disa karakteristika psikologjike që në
përgjithësi mësohen kur pyeten të afërm apo miq të personit që ka kryer këtë
akt. Prej tyre merren informacione që bëjnë të kuptosh disa simptoma të
periudhës që e paraprin këtë akt dhe që në përgjithësi flasin për një depresion
të vështirë dhe të gjatë, ankth, humbje të kontrollit, ndjesi të pamundësisë
për të ndryshuar situatën, çrregullime bipolare të humorit etj.
Vetëvrasja
është trajtuar gjerësisht nga sociologjia, fushë që i jep një rëndësi të madhe
zinxhirit shkakësor, ku shkaku i njërës ngjarje është pasoja e një ngjarjeje
tjetër. Një përkufizim i vetëvrasjes do ta qartësonte aktin: „vetëvrasja është
çdo rast vdekjeje që ndodh në mënyrë të
drejtëpërdrejtë ose jo të drejtëpërdrejtë i kryer nga vetë viktima që e di se
ç’rezultat do të prodhojë”. Vetëvrasja është akti i dëshpërimit të dikujt i
cili nuk dëshiron më të jetojë.
Themeluesi
i sociologjisë si disiplinë universitare dhe organizatori i shkollës franceze
së sociologjisë, Emil Dyrheim i kushtoi këtij akti veprën e tretë më të
rëndësishme të tij. Me largimin e këtij mendimtari nga jeta më 15 nëntor të
vitit 1917, u mbyll përkohësisht një etapë e një kapitulli shumë domethënës të
zhvillimit të sociologjisë. Rëndësia e
madhe e veprës së tij qëndron në trajtimin shkencor dhe me rigorozitet të një
dukurie shoqërore, siç ishte rritja e
numrit të vetëvrasjeve nga fundi i shekullit XIX. Një nga meritat kryesore të
kësaj vepre lidhet me hapjen e perspektivës së analizës sociologjike, duke
nxjerrë në dukje kushtëzimin shoqëror të gjykimeve morale. Në përgjigje të
kësaj dukurie Dyrheim pohonte nevojën e një autoriteti moral laik, i aftë të
nxiste ndërgjegjësimin mbi vlerën që ka bashkëjetesa qytetare; në gjendje të
dilte kundër cilësdo ideologjie që përçonte idenë se qëllimi i vetëm ku duhet
të synojë njeriu në jetë është përparësia ekonomike. Ky studiues me studimin e
kësaj dukurie kërkonte të provonte se “një akt që në dukje ka të bëjë me
vullnetin e individit, në fakt është i
lidhur ngushtësisht me realitetin shoqëror”. Sipas tij, edhe pse në shoqëri të
ndryshme përqindjet e rasteve ndryshojnë,
gjendet në to njëfarë rregullsie dhe thjesht grupimi i karaktereve
psikologjikë është i pamjaftueshëm për të dhënë natyrën dhe shkaqet e vërteta
të vetëvrasjeve.
Dyrheimi
arriti në përfundimin se arsyet e vetëvrasjeve duhet t’i kërkojmë tek “mungesa
e orientimit, dobësimi i marrëdhënieve shoqërore, humbja e ndjesisë së
kolektivizmit, “degjenerimi moral”, besimi fetar në rënie. Rrënjët e kësaj
dukurie nuk janë vështirësitë e jetës; njerëzit i japin fund ditëve sepse ata
nuk dinë ku ndalen nevojat e tyre si dhe
cili është qëllimi i vërtetë i veprimeve të tyre”.
Për
mjaft studiues realiteti shoqëror është objekt studimi i lëvizshëm dhe dinamik.
Për hir të kompleksitetit që ka, ky realitet analizohet dhe interpretohet edhe
me ndihmën e disiplinave të tjera, që kanë në qendër njeriun dhe me
ndërveprimet e tij me të tjerët.
Raymond
Budon pohonte se “individi nuk jeton i ndarë nga faktorët e jashtëm që e
kushtëzojnë atë”. Pra kushtëzimet kulturore dhe institucionale marrin një peshë
shumë të madhe në shpjegimin e prejardhjes dhe të motivimit të veprimit
individual siç është edhe në rastin tonë vetëvrasja.
Indiferenca
e shoqërisë, dobësimi i fuqisë morale në këto vite, ndryshimet që kanë pësuar
strukturat e shoqërisë sonë, bëjnë që shkaqet që çojnë në vetëvrasje të
mbeten shpesh të pa trajtuara.Vështirësitë në komunikimin midis brezave,
mungesa e empatisë, individualizimi i jetës shoqërore, humbja e referencave të
vlerave, mënjanimi, tëhuajësimi i individit,
kriza e identitetit etj., janë disa prej
dukurive që mund të trajtohen të
lidhura me tiparet e shoqërisë së këtij shekulli.
Duke
shqyrtuar rastet e ndodhura veçanërisht së fundmi, mund të pohojmë se
vetëvrasja ndodh në situata krizash, papunësie apo varfërimi. Nuk është
varfëria në vetëvete, por varfërimi si proces, humbja e një statusi të caktuar
ekonomik që rrit prirjen për vetëvrasje.
Në
shoqërinë moderne specialistët diskutojnë për vetëvrasjen që lidhet me mungesën
ose humbjen e ekuilibrit ekonomik, me humbjen e vlerave të referencës, me
lëkundjen te vlerat e moralit, tipare të cilat e përshkojnë gjerësisht
shoqërinë tonë.
Stabiliteti
i lëkundur i institucionit të familjes, konkurenca e ekzagjeruar në raportet
shoqërore, humbja e qetësisë e shkaktuar nga e ardhmja e pasigurtë, prirja për
ta lënë mënjanë individin, marrëdhëniet gjithmonë e më shumë të kufizuara, të
gjitha këto mund të favorizojnë vendimin e një individi për t’i dhënë fund
jetës.
Sipas
Luhmann “në shoqëritë moderne nuk janë individët protagonistët e vërtetë të
procesit të komunikimit, por janë rolet dhe funksionet, sistemet shoqërore dhe
mjediset ku ata veprojnë”. Duke u mbështetur në këtë pohim mund të themi se në
kushtet kur mjedisi nuk është mbështetës dhe as mirëkuptues, kur nuk ka
ngritjen e duhur kulturore për të ardhur në ndihmë, kur rolet që individët
kryejnë tronditen dhe funksionet humbasin, kur sistemi shoqëror është në një
kaos të vazhdueshëm dhe të pandërprerë, ku sistemi i vlerave as nuk të
shpërblen dhe as nuk të nxit, edhe përpjekjet për të parandaluar këtë dukuri
duhet të shumëfishohen dhe të gjejnë angazhim të të gjithë faktorëve të lidhur
me të.
Hapja
e qendrave të këshillimit në komunitet, shtimi i institucioneve të kujdesit të
shëndetit mendor, politikat për rritjen e integrimit të individit në familje e
në grupin shoqëror ku ai jeton, përkrahja e vlerave të solidaritetit njerëzor,
përcjellja e vlerave që ka komunikimi ndërpersonal, vendosja e numrave pa
pagesë apo platformave digjitale në shërbim të njerëzve në rrezik për këtë akt,
organizimi i fushatave kombëtare në parandalim të kësaj dukurie, shërbimi
psikoterapist si shërbim miqësor dhe jo autoritar dhe stepës, do të ishin disa
mënyra që së paku do të ndihmonin në uljen numrin e rasteve të qytetarëve që i
japin fund jetës.
Nëse
nuk bëhet asgjë në ndihmë të parandalimit, do të duhet shumë energji e
shpenzuar në dobi të lehtësimit të dramave që shkakton një dukuri e tillë. Por
ku ndodhet kjo energji? Sa energji ka
kjo shoqëri tashmë e drobitur nga varfëria, skamja e tejzgjatur,
indiferenca, humbja e besimit tek autoritetet, që komunikon çdo ditë e më pak
horizontalisht, të rrisë kahun e presionit qytetar vertikalisht për më shumë
shërbime dhe vëmendje ndaj qytetarëve më të dëshpëruar?
Nëse
ajo nuk lëvron mundësitë që ka krijuar, edhe opinioni do të vijojë të jetë
shpërfillës ndaj çdo njoftimi që i jepet përciptazi dhe ndaj çdo jete që
ndërpritet diku, si akt i dëshpërimit qytetar!