Kerko: a
Jahja Drançolli: Gëzuar Ditëlindjen Romë!
E marte, 21.04.2020, 03:03 PM
Gëzuar Ditëlindjen Romë: Sot më 21 prill 2020, Qyteti i Amshueshëm shënon 2773 vjetorin e themelimit-MMDCCLXXIII Dies Romana!
Nga
Jahja Drançolli
Megjithë
pandeminë që është duke dominuar Italinë, Roma, ende feston 21 prillin duke
respektuar kështu traditën e themelimit të qytetit nga Romuli (Romulus),
pikërisht në këtë ditë të vitit 753 para erës tonë. Ditëlindja e Romës u kujtua
që në kohëra të lashta nga banorët e saj me një aheng të quajtur ‘Palilia’.
Legjenda që qëndron pas kësaj feste u popullarizua nga Marco Terenzio Varrone,
shkrimtar i Romës së lashtë, i cili tregoi sesi Romuli themeloi qytetin më 21
prill 753 para erës tonë, një datë në të cilën miku i tij Lucius Tarutius
arriti përmes llogaritjeve të ndërlikuara astrologjike. Për një kohë të gjatë,
kronologjia romake varej pikërisht nga data e themelimit, e cila shënoi vitet
përmes frazës latine “Ab Urbe Condita” (“Themeli i qytetit”).
Ditëlindja
e Romës vazhdon të jetë ende një datë simbolike për romakët, si dhe entuziastët
pushtues të historisë, të magjepsur nga origjina e saj legjendare.
Të
tërheqë vëmendjen fakti se historianët grekë (edhe pse të vetëdijshëm për
ekzistencën e Romës shumë kohë më parë), ata nuk shkruanin me përkushtim për
Romën deri në kohën e Luftës Pyrrike. Në përputhje me zakonin e tyre për të
shpjeguar origjinën e popujve të huaj që ata hasën duke i lidhur ato me
bredhjet e një prej heronjve të tyre mitikë, si, Jason dhe Argonautët, Herkuli,
ose Odiseu, historianët grekë nga shekulli 5 para erës tonë kanë shpikur të
paktën 25 mite të ndryshme për të dhënë llogari për themelin e Romës. Në një
nga rrëfimet më të hershme ndeshim te Hellanicus i Lesbos-it (480- rreth 395
para erës sonë), një historian grek, vepra e të cilit shënon një përparim në
zhvillimin e historiografisë. Sipas veprës së tij “Hiereiai tes Heras en Argei”
(“Priftërinjtë e Herës në Argos”), është pohuar se, heroi trojan Enea dhe disa
ndjekës i shpëtuan shkatërrimit grek të Trojës, dhe, pasi bredhin nëpër Mesdhe
për disa vjet, ata u vendosën në Italinë qendrore, ku u martuan me popullsinë
vendase dhe u bënë latinë.
Analet
romake ndërkaq lidhin themelet e Romës me ardhjen e trojanëve (të udhëhequr nga
Enea) të shoqëruar me themelimin e Alba Longa, qytet i lashtë në Latium. Nëse
përjashtohen elementë të legjendës, mbetet fakti se vendbanimet e para në
kodrat përgjatë bregut të lumit Tiber u themeluan nga fise nomade nga Kodrat
Albani (Colli Albani), qysh në epokën e hershme të hekurit. Sipas zbulimit të
mbetjeve të kasolleve eliptike dhe drejtkëndëshe nga fundi i shekullit IX dhe
fillimi i shekullit VIII para erës tonë, kodra më e hershme e banuar ishte
Palatin. Ajo përmbante vendbanimin më të vjetër në Romë (quadrata Roma), e
cila, sipas traditës, u themelua nga Romulus në vitin 753 (p. e.s.), si dhe
faltoret më të vjetra romake: Luperkal, ku, sipas traditës, ujku ushqen
vëllezërit binjak Romulus dhe Remus, shtëpinë e Romulus-it, faltoren e
perëndeshës Pales, etj. Rrafshina në rrëzë të Palatinës jashtë qytetit, e
quajtur foris, shërbeu që nga fillimi për djegien dhe varrosjen e të vdekurve,
dhe më vonë si sheshi kryesor romak (Forum Romanum, Forum). Nga viti 650 (p. e.
s.), ishte nën sundimin e etruskëve. Gjatë mbretërimit të mbretërve etruskë,
gjithashtu u banuan kodrat fqinje, dhe në mesin e shekullit V (p. e. s.) aty
ishte përfshi edhe Aventina.
Megjithëse
lidhja midis Romës dhe Trojës është e natyrës legjendare, romakët e kohërave të
mëvonshme u kënaqën aq shumë nga kjo gjenealogji mitike, saqë ata e pranuan me
lehtësi dhe e futën atë në folklorin e tyre rreth fillimit të qytetit të tyre.
Historianët Romakë e dinin se republika kishte filluar rreth vitit 500 para
erës tonë. Para kësaj kohe, ata menduan se me Romën kishin udhëhequr shtatë
mbretër radhazi. Duke përdorur metodat greke të llogaritjes gjenealogjike, ata
vlerësuan se shtatë mbretërit do të kishin sunduar rreth 250 vjet, duke bërë
kështu që periudha mbretërore e Romës të fillonte në mesin e shekullit VIII
para erës tonë. Historianët e lashtë fillimisht kishin mendime të ndryshme në
lidhje me datën e saktë të themelimit të Romës. Në fund të republikës,
përgjithësisht u pranua se Roma ishte themeluar në vitin 753 para erës tonë,
dhe se republika kishte filluar në vitin 509 para erës tonë.
Është
e pamundur të mos jesh i magjepsur nga miti historik i themelimit të Romës që u
zhvillua ç’prej themeluesit Romulus, pasardhës nga ana e djalit të Eneut,
heroit Trojan që mbërriti në Lazio pas rënies së Trojës. Një mister i madh më
pas rrethon vetë emrin e qytetit: Plutarku një historian i madh romak me
origjinë greke (Plutarchos, Plutarchus, 46-119 të erës sonë), në Jetët paralele
vepër monumentale të tij, fillimisht pretendoi se emri i qytetit rridhte nga
njerëzit që themeluan qytetin, Pellazgët, të cilët donin t’i jepnin një emër që
kujtonte trimërinë e tyre në armë (Rhome), dhe më pas propozoi një rindërtim
tjetër, sipas të cilit, refugjatët trojan, të udhëhequr nga Enea, arritën në
bregdetin e Lazio dhe themeluan një qytet në kodrën Palatino, duke i dhënë
emrin e njërës prej grave të tyre, saktësisht Rhome; të tjerë pohojnë se vjen
nga termi etrusk Ruma, pasi etimologjia indo-europiane mungon dhe gjuha etruske
ishte e vetmja gjuhë jo indo-europiane në Apenin.