Kerko: a
Jahja Drançolli: Dedikimet artistike të Viktor Karpaçit dhe Cikli i Arbërve në vitet 1502-1504/8, Venedik!
E shtune, 11.04.2020, 01:46 PM
Të gjithë besimtarëve të krishterë, Me Sh’net Pashkët:
Dedikimet artistike të
Viktor Karpaçit (Vittore Carpaccio) dhe Cikli i Arbërve në vitet 1502-1504/8,
Venedik!
Nga
Jahja Drançolli
Pa
dyshim, njëri ndër burrat më të mëdhenj të Shkollës së Arbërve në Venedik qe
Viktor Karpaçi, një piktor me origjinë arbërore, i cili sipas talentit të tij
të rrallë, u ngritë në piramidën e piktorëve më të njohur të Renesansës. Lindi
midis viteve 1455-1465 dhe vdiq në fund të vitit 1525 apo në fillim të vitit
1526. Ajo që tërheqë më tepër vëmendjen është ajo se, Viktor Karpaçi qe bashkëkohës
dhe bashkëpuntor i afërt me artistët e mëdhenjë të artit të Renesansës italiane
Gentile Bellini (1429-1507) dhe Giovanni Bellini (1430-1516). I pari medohet se
ka punuar drejtpërdrejt skicat e portretit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut,
kur Fatosi ynë qe në Itali. Karpaçi e konsideronte Gentile Bellini-n edhe si
mësuesin e vet të nderuar.
Opusi
i Viktor Karpaçit është shumë i pasur, ai përfshinte më se 100 tablo. Nga ky
opus janë ruajtur vetëm gjashtë tablo, të cilat i punoi gjatë viteve 1502-1504/8
për Shkollën e Arbërve. I punoi këto në kohën kur ishte në kulmin e pjekurisë
së tij si artist. Dy piktura, nga Cikli i Arbërve, me rastin e pushtimit të
Republikës së Venedikut nga austriakët, u dërguan sipas urdhrit të princit
austriak Meternikut më 1838 në Vjenë. Është fjala këtu për tablon Vdekja e
Mërisë dhe tablon Festa e Mërisë. Ndërkaq tablo të tjera nga Cikli i Arbërve
mbetën në Itali, por jo përherë, meqë dy prej tyre ruhen në Karlsruhe dhe
Lisbon.
Për
Ciklin e Arbërve Karapaçi nuk zotëronte ndonjë burim të drejtpërdrejtë vizuel.
Dihet mirëfilli se ai për shkaqe të njohura ishte larg nga atdheu i tij i
robëruar nga osmanët. Përkundrazi, gjenialiteti i tij diti të krijonte vepra
origjinale dhe të pavarura nga çfarëdo shkolle. Padyshim se natyra ishte
mjeshtri i tij kryesor. Të shumta janë pikturat, tablotë me përpjestime të
mëdha ku gërshetoheshin temat midis arkitektit të antikitetit të Atdheut të tij
madhështor dhe Atdheut të dytë, Venedikut, me arkitekturën e tij fanstastike,
me procesionet e tij pompoze e me veshje të pasura senatorësh. Në zjarrin që
kishte kapluar pallatin dukal në Venedik janë asgjësuar pothuaj shumë copë që
prezentonin festa ceremoniale dhe piktura të mjeshtërve të ndryshëm, që do të
mund të na ofronin shpjegime se cilët mjeshtër të tjerë kanë ndikuar në te dhe
për zhvillimin e artit të Karpaçit. Për fat të mirë janë ruajtur në shkollën e
Shën Gjon Ungjillorit disa kampionë kryesorë, si, për shembull Gentile Bellini,
të cilët, nëse kanë ndonjë ngjashmëri në trajtimin e subjekteve, janë bukur
larg për të treguar talentin e gjallë të tregimtarit Karpaçi. Së këtejmi, me
plot gojën mund të shtrohet pyetja se përveç ciklit të jetës së Mërisë Zojës së
Arbërve, a ka pasur cikle të tjera kushtuar jetës së Zojës së Virgjër nga artistët
e tjerë që vepronin në Venedik? Pikërisht kjo temë u realizua në terrësi në
ciklin e arbërve, përkatësisht i tërë ky cikël është paraqitur në pjesën e
majtë të lokaleve të Shkollës së Arbërve. Aty janë pikturuar këto piktura:
“Nascita della Vergine” (“Lindja e Virgjëreshës”), “Presentazione di Maria
Vergine al Tempio” (“Paraqitja e Virgjëreshës Mari në Tempull”), “Madonna con
il Bambino tra i Santi Caterina e Gerolamo” (“Zoja Mëri me fëmijën midis
Shenjtorëve Katarina dhe Jeronimi”), “Sposalizio di Maria Virgine” (“Kurorizimi
i Mërisë Virgjër”), “L’ Annunciazione” (“Festa e Mërisë së Virgjër”), “La
Visitazione” (“Vizita e Zojës Maria Elezabeta”), dhe “La morte della Virgine”
(“Vdekja e Mërisë së Virgjër”).
Piktura
“Lindja e Mërisë së Virgjër” (format 126 x 129 cm), e cila sot ruhet në
galerinë Accademia Carrara në Bergamo, është kryevepra e tij. Kjo është një
pikë e referimit kronologjik. Është konstruktuar nga Nunciati në Ca d`Oro, mbi
të cilën lexojmë: “IN TEMPO DE ZUAN DE NIGOLO ZIMADOR E SOI COMPAGNI MCCCCCIIII”.
Mbi autografinë e pikturave kritika është shprehur përherë duke treguar
bashkëpunimin apo ndihmën evidente dhe kualitative me pikturat e ciklit të Shën
Gjergjit të dalmatëve. Pas largimit të Napoleonit nga Venediku, kjo pikturë në
vitin 1811 bartet në Pinakotekën e Brerës në Milano (Brera di Milano); prej
koleksionit Lechi në Brescia më pastaj bartet në Lochia de Bergamo, e që më në
fund arrinë në selinë aktuale, përkatësisht në Accademia Carrara në Bergamo.
Pjesa e brendshme e pikturës, e thjeshtë dhe nga jeta e përditshme, përbëhet
nga një varg dhomash në drejtim të portës së fundit. Piktura ka trajtim
gjeometrik, por vërehen edhe natyra të vdekura. Vepra “Annunciazione” (“Festa e
Mërisë së Virgjër”), është si të thuash, kuadri kryesor i ciklit, si rezulton
nga interpretimi e përshkrimi i studiuesit Mengardi. Paraqitja e vdekjes së
Mërisë së Virgjër: në të majt të korit të engjëjve janë portretet e donatorëve,
të gastaldit Gjon Nikollë Zimadorit, të famullitarit Ndre Pjetrit, te një
Skrivani, e një shoku tjetër arbër. Këte temë, Karpaçi e paraqiti edhe një herë
në veprën Vdekja e Mërisë së Virgjër mbi dërrasë të drurit të gjerë 14 cm, e
lartë gati dyfish, e cila ruhet në batisterinë e Shën Mërisë të Vados në
Ferrara, e më vonë në muzeun e këtij qyteti. Kuadri është tejet i përsosur e me
ngjyrë të shndritshme. Në një kartelë është shkruar: “Victor Carpathius Venetus
MDVIII”. Kompozicioni i kësaj pikture pothuaj është i ngjashëm me atë të ciklit
të arbërve. Vetëm se mungojnë kori e engjëjve dhe portretet e donatorëve. Po
ashtu, ndryshon shumë në figura, në arkitekturë e në peisazh. Duke vërejtur me
kujdes këte kuadër mund të konstatohet se, në tablon e ciklit të arbërve, sikur
provon kritiku i artit Edwards, Karpaçi ka pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë,
piktorë nga Shkolla e Arbërve.
“Paraqitja
e Virgjëreshës Mari në Tempull”, sikurse edhe vepra kushtuar “Lindjes së Mërisë
së Virgjër” qe transferuar në vitin 1808 nga selia ëmë në pinakotekën e Brerës,
ku ruhet edhe sot. Në një pjesë të pikturës shihet kulla me orë në Sheshin e
Bujarëve në Padova. Episodi i fëmijës që mban një drenushë, i kthyer për të
folur, tërësisht i habitur nga ngjarja kryesore, sikur konstatonte Sandra
Caporali, sugjerohet lidhmëria “Il cantico dei Cantici” (“Kënga e këngëvet”) ku
drenusha, sipas interpretimit të Bernardo Chiaravalle, është simbol i Zanës së
Virgjër. Dhjetë shkallët e tempullit (e jo 15 sipas legjendës së artë), ndoshta
do të jetë një aluzion për dhjetë urdhëresat.
Piktura
Zoja Mëri me fëmij midis shenjtorëve Katarina e Jeronimi e punuar në teknikën
vaj në pëlhurë, në madhësi 66,5 X 85,5 cm, për një kohë është mbajtur se është
punim i të birit të Viktor Karpaçit, Benedikt Karapaçit. Mirëpo, studiuesit
G.Ludwig - P. Molmenti me plotë të drejtë kanë konstatuar se është fjala për
veprën e t`et. Kritika ka provuar se, vepra në fjalë është pikturuar para vitit
1507. Nëse studiohen me kujdes veprat e artistit Giovanni Bellini, njërit ndër
piktorët më të njohur të Renesansës, bashkëkohës i Viktor Karpaçit e të
piktorëve të tjerë të kohës, shihet se, veprat rinore të tyre janë ndikuar nga
ligjërimi i ndonjë mjeshtri apo shkolle, për çka mbetën të pavarur në pjekuri,
të dobët në pleqëri për shkak të dekadencës natyrore. Përkundrazi, te Karpaçi
nuk vërehet një gjë e këtillë; që në fillim të karrierës së tij shohim në të
mjeshtrinë e përsosur, e që në vazhdim, në moshë 30-vjeçare, vlerat artistike,
origjinaliteti i stilit të tij, mbahet gjithnjë në nivel të lartë.
Nga
gjithë ajo që u tha më sipër mund të konstatojmë se, në krijimtarinë e pasur
artistike të V. Karpaçit vërehen tema fetare dhe jofetare, gjë që ishte
karakteristike edhe për piktorët e tjerë të kohës. Por arti i piktorit Karpaçi,
pavarësisht nga tematika, është njerëzor dhe i mrekullueshëm. Ai është i
fillimeve të shekullit të artë në pikturë. Në këte aspekt, emri tij përmendet
me nderim të veçantë në të gjitha botimet e historisë së artit të Renesansës,
në enciklopedi të artit dhe enciklopedi të përgjithshme. Tablo të tij, ndërkaq,
janë riprodhuar si modele të artit të përparuar realist të Renesansës.
Ilustrimi:
“Presentazione di Maria Vergine al Tempio” (“Paraqitja e Virgjëreshës Mari në
Tempull”)!