Speciale
36 llojet e torturave të tmerrshme që u përdorën gjatë diktaturës komuniste
E diele, 26.01.2020, 02:35 PM
Rrahje
me dru, shpim i mishit me tel të djegur, futja e kripës në mish, lënia në ujë
të ftohtë, lënia pa bukë deri në vdekje, varje me kokëposhtë, shtrëngimi i
gjinjve me pinca, maçoku në tumane, mbushja e gojës me kripë , futja e
jashtqitjes në gojë…
Kjo
listë e hartuar nga Instituti i
Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri, bazuar në një
dokumentacion të gjerë arkivor dhe dëshmi gojore nga ish të persekutuar,
cilësohet si lista zyrtare e torturave të përdorura gjatë regjimit komunist
nëpër qelitë e hetuesive, zyrat e ish Sigurimit të Shtetit dhe rrethana të
tjera represioni, gjatë viteve 1945-1991 në Shqipëri.
kujto.al
e sjell të plotë listën e torturave si më poshtë:
Llojet
e torturave
1-Rrahje me dru, deri në
shkaktimin e plagëve
Është
torturë klasike e përgjithshme e bërë në hetuesi nga oficerët e Sigurimit e
ndihmësit e tyre. Kjo torturë konsiston në goditjen me dru ose thupra (drunj të
vegjël) të të pandehurit në kokë ose pjesë të trupit. Është përdorur masivisht
kundër të gjithë të pandehurve apo personave të kapur sekret nga Sigurimi. Kjo
lloj torture konsiston në goditjen e drejtpërdrejtë e të menjëhershme me një
mjet të fortë. Ka qenë një torturë e “thjeshtë” që nuk kërkonte shumë kushte
apo mjete.
2-Kruarje e plagëve të qelbëzuara
me dru
Zhvillohej
kur kishte avancuar faza e torturës dhe kishin filluar të zinin kore. Nga kjo
torturë e rëndë ka vdekur në vitin 1947 Loni Adam, ish funksionar i ambasadës
amerikane, ndërsa trupin kishin filluar ta hanin krimbat. Kjo lloj torture mund
të kalonte deri në çmendjen e personit nga dhimbja e madhe.
3-Shpimi i mishit me tel
të djegur
Ka
qenë torturë barbare e përdorur sidomos vitet e para. Personit i ngulej një tel
i nxehur në mish e cila depërton lehtësisht mbi mish e nga kjo kalon drejtpërdrejt
në kockë. Prekja e kockës kishte pasoja të rënda sepse kalonte në humbjen e
jetës, ose pasoja të rënda në shëndet, por edhe në çmendje. Nga përdorimi i
kësaj torture ka vdekur avokat Muzafer Pipa në tetor 1946.
4-Përdorimi i rrymës
elektrike në veshë e në trup
Ka
qenë teknikë e përdorur nga Sigurimi dhe hetuesia. Përdorimi i madh i kësaj
metode ka çuar në çmendje shumë persona. Rryma elektrike kalonte në trupin e
personit të marrë të pandehur, në mënyrë që ai të thyhej për të pranuar
procesin ose treguar gjëra në kurriz të të tjerëve.
5-Futja e kripës në mish
Përdorej
për të acaruar gjendjen e të pandehurit. Kjo lloj torture përdorej në rastin
kur plagët kishin përparuar. Përdorimi i kësaj torture kishte efekte psikike të
forta, duke kaluar shpesh edhe në çmendje.
6-Lënia në ujë të ftohtë
apo në fuçi uji
Ishte
koha kur i pandehuri nuk pyetej. Trupi i lihej në një pellg me ujë në dimër në
mënyrë që të kishte pasoja në shëndet. Pasojat ishin në dobësim zemre, mushkëri
të sëmura, etj. Po ashtu personi vendosej në një fuçi uji. Kjo metodë përdorej
kryesisht kur ishte gati ta zinte gjumi si dhe në orën e gjumit.
7-Lënia pa bukë deri në
vdekje
Është
një torturë e përdorur në hetuesi, por në raste speciale edhe në burgje. Ka
ndodhur p.sh. me ish kryeministrin Kostaq Kota që vdiq në burgun e Burrelit në
vitin 1948.
8-Lënia pa bukë për disa
kohë
Përdorej
në hetuesi dhe në izolim në burgje. Përdorimi i kësaj torture synonte thyerjen
e të pandehurit në mënyrë që ky të mendonte se jetën e kishte të shkurtër.
9-Lënia zhveshur në të
ftohtë
Përdorej
në hetuesi dhe pothuaj në burgje si masa disiplinore. Kjo lloj torture kishte
edhe efekte psikologjike për nga fotografimi i pamjes kur i dënuari lihej të
shikohej nga të burgosur të tjerë.
10-Jeleku
Përdorej
si mjet ndihmës për të rritur efektin e torturës. Muço Sali deklaronte: “Janë
vënë në jelek dhe me një dru në mes të duarve dhe të këmbëve vareshin në dy
stola, gjë që i bënte njerëzit si breshkë, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha”.
Jepej ideja sikur njeriu ishte vendosur në hell për t’u pjekur.
11-Dinamit në trup
Vendosja
e dinamitit në trup kishte efekt në zemër dhe në tru. I pandehuri kërcënohej se
do hidhej në erë. Oficeri i Sigurimit vazhdimisht mbante shkresën në dorë duke
dhënë përshtypjen se mund ta ndizte fitilin. Rriste stresin dhe ankthin me
shpejtësi të madhe, duke kontribuar në sëmundje të rënda e të pashërueshme.
12-Shtrëngim i gjinjve
me pinca
Një
torturë e përdorur te meshkujt, linte pasoja në lëkurën e mishit të personit që
torturohej. Përdorej sepse gjinjtë si gjëndra lëshonin efekt të fortë
dhimbjeje.
13-Futja e të pëgërëve
(jashtëqitjes) në gojë
Kryhej
shumë vitet e para sidomos ndaj klerikëve që mbanin mjekër. E kanë përdorur
ndaj Sheh Ibrahim Karbunarës. Jo vetëm që të shkaktonte dhimbje nga era e keqe,
por grumbullonte edhe mizat.
14-Varje me kokë poshtë
Është
përdorur rëndom ndaj personave të akuzuar për krime shumë të rënda politike. Ka
qenë ndër torturat më rraskapitëse e cila linte pasoja të mëdha mendore.
15-Lidhje me lin
Lidhja
me fijet e linit shkaktonte vija në trupin e një njeriu. Kjo lloj lidhje
shkaktonte deformime, të cilat i shiheshin personit gjatë gjithë jetës.
16-Lënie në diell
Përdorej
si torturë për të burgosurit e për të paraburgosurit, në degë të punëve të
brendshme ose në kampe pune. Nuk përdorej në burgje. Në kampe, i dënuari lihej
në diell, kryesisht muajt e verës, në vendet ku punohej. Kjo jo vetëm për t’i
shkaktuar torturë, por edhe për të shërbyer si shembull për të tjerët.
17-Maçoku në tumane
Përdorej
kryesisht ndaj femrave. Maçoku futej brenda tumaneve të femrës dhe pastaj
goditej me dru nga jashtë. Përpjekja e maçokut me thonjtë e tij për të dalë nga
kjo gjendje, shkaktonin dhimbje të mëdha te femra që kishte veshur tumanet.
18-Përgatitje e varrit
Përdorej
në dy forma: e para, para një varri të hapur ku bëhej gati improvizimi i
vrasjes së të dënuarit dhe e dyta, kur i pandehuri hapte vetë varrin ku
mendohej se do varrosej.
19-Arma në gojë
Mjet
presion që zhvillohej shpesh gjatë hetuesisë. I pandehuri kërcënohej se do
vritej nëse nuk tregonte.
20-Tentativë për çnderim
të vajzës
I
bëhej drejtpërdrejtë personit të
pandehur ose shërbente si mjet presioni ndaj tij, kur i sillnin një femër të
familjes si gruan, vajzën, etj.
21-Djegia e organeve
seksuale
Përdorej
djegia me benzinë, e provuar ndaj Alfred Ashikut nga oficeri Cole Bashari.
22-Rrahja me kamxhik
Përdorej
me kamxhikët e kafshëve. Kamxhiku i lëshohej në qafë të pandehurit në formën e
një gjarpri që mblidhet shpejt rreth një peme. Por përdorimi i kamxhikut
përdorej edhe si rrahje e drejtpërdrejtë në vend të drurit. Pasojat ishin të
mëdha si, dëmtim i mishit, i enëve të gjakut, etj.
23-Lëshimi i pikës së
ujit në kokë
I
pandehuri lidhej në një tavolinë dhe nga tavani i lëshonin periodikisht pika të
forta uji që binin rëndë në kokë.
24-Vendosja e mangallit
në vapën e gushtit
I
futej në qeli të pandehurit në kulmin e vapës, në temperatura të larta të verës
(dëshmi e Xhevat Xhafës). Kjo lloj torture i shkaktonte të burgosurit një
siklet të madh, djersë pa fund e dobësim të mëtejshëm.
25-Lënia në këmbë
Përdorej
për të lodhur e sëmurë të pandehurit. Shkaktonte sëmundjet e kockave, mesit,
etj.
26-Lënia për të fjetur
mbi çimento
Përdorej
në hetuesi dhe në biruca gjatë vuajtjes së masës disiplinore.
27-Shkaktimi i etjes dhe
mbushja e gojës me kripë
Përdorur
nga hetues Irakli Kocani.
28-Lidhja me hekura në
mur e lënia për disa ditë ashtu
Është
përdorur nëpër qeli ndaj të paraburgosurve. Ka shkaktuar dhimbje kockash e
organesh të brendshme.
29-Detyrimi për të
kënduar natën
Vendosej
muzika për të zhdukur zhurmat ose shumë të pandehur detyroheshin të këndonin
natën.
“Detyroheshin
të këndonin si gjela dhe të kakarisnin si pula, siç i është bërë Islam
Radovickës, nga Sigurimi i ushtrisë”.
30-Futja në biruca të
errëta
Dëshmi:
“Futnin nëpër biruca të errëta nga një njeri dhe në mesin e natës një tjetër
ishte porositur të bënte si qen, të ulërinte dhe të kafshonte të burgosurin
tjetër”.
31-Lyerja me marmelatë
Dëshmi:
“Janë lyer me marmelatë në sy, veshë e hundë dhe kanë vënë një tjetër për t’i
lëpirë”.
32-Shurdhimi
Vënia
në stres të përgjithshëm, duke shkaktuar zhurma të pandërprera. Kjo torturë
është provuar e kryer në burgun e Burrelit.
33-Përdorja e tymit
brenda qelive
Shkaktohej
nga djegia e materialeve të ndryshme e futja e tymit të tyre nëpër qeli.
Provuar e kryer në burgun e Burrelit.
34-Futja në arkivol
Mjet
presioni për të pranuar procesverbalin e hetuesisë. I pandehuri mbyllej brenda
arkivolit për disa minuta ose orë, duke i krijuar përshtypjen e vdekjes.
35-Goditja me pëllëmbë e
me shqelma
Ka
qenë tortura më e përhapur dhe fillestare. Ajo ushtrohej nga hetuesit si fazë e
parë e torturës psikologjike. Hetuesi e përdorte për të thyer të pandehurit e
dobët, në mënyrë që të pranonin sa më shpejt procesin.
36-Hedhja nga lartësia
Torturë
e përdorur shpesh në hetuesi, sidomos ndaj moshave të thyera. Shpesh herë prej
kësaj torture, të proceduarit kanë vdekur.
Për më shumë vizitoni: kujto.al