Kerko: a
Halil Gashi: 95 vjeçari nga Peja rrëfen për Masakrën e Tivarit
E enjte, 02.04.2020, 01:15 PM
Ramiz Brada
95 vjeçari nga Peja
rrëfen për Masakrën e Tivarit
Ekskluzive nga Halil Gashi
Ramiz
Brada- Baca Ramë, siç e quajnë Pejanët
ketë 95 vjeçar, është deshmitari i
fundit i gjallë i Brigadës plotësuese të
nisur nga Peja në janar të vitit vitin
1945 për në Tivar, që pau më sytë e vetë golgotën e Tivarit. Ai, me rekrutët e tjerë të mobilizuar dhunshëm nga autoritetet
ushtarake Jugosllave më mbi 50
veta te tjerë vetëm nga Peja arritën
në Tivar vetëm një ditë pas masakrës, ku
supozohet se u vranë në mënyrën më
barbare afro tre mijë shqiptarë. Ai, edhe sot pas afro 75 vitesh e kujton atë se çfarë pau të nesermën e masakrës. Në ajër ndihej era e gjakut
- kujton Baca Ramë, kurse në tokë në atë rrugë si lendinë ishin plloja gjaku,
opinga të shpërndara, plisa të larë në gjak, herrka (si
setra zhguni me kapulaqë) të ulura në gjak, shoka, tirqi, mintona që të gjitha në gjak. Ishte një arenë ku kishte ndodhë një tmerr, një masakër e tmerrshme, por kufoma nuk kemi
parë, kurse nga bregu kemi parë edhe plisa në detë. Pëshpëritej se aty ishin
vrarë mbi tre mijë shqiptarë kujton edhe sot pas afro 75 vitësh Baca Ramë në një rrëfim të tij ekskluziv për
75 vjetor.
Rrëfimi
i Ramiz Bradës apo siç e quajnë Pejanët Baca Ramë keto ditë në një rrëfim ekskluziv për 75
vjetor flet për golgotën e Tivarit të
cillën e përjetoi një ditë më vonë se
ajo ndodhi. Edhe pas pothuaj 75 vitesh
rrefimi i tijë të rrenqeth mishin, të bën
të ndihesh shumë keq për fatin e atyre shqiptarëve të pa fat, shqiptarëve
të mjerë të cilët autoritet
ushtarake Jugosllave antishqiptare i morën si tufë kopeje dhe i dërguan drejtë vdekjës, për të shfryer dufin e
nacionalizmave serbosllave të të gjitha ngjyrave, ndaj atyre djemve të rinjë
shqiptarë kinse të rekrutuar për ushtarë të Asaj armate mjerake Jugosllave.
Më
18 dhjetor 1944 në emër të mobilizimit për ushtri na tubuan neve shumë të rinjëve Pejanë, mbi 50 veta vetëm nga
qyteti dhe shumë të tjerë nga rrethi i Pejës, na grumbulluan në objektin e
Gjimnazit të Pejës dhe aty qëndruam më
shumë se një muaj deri sa erdhi nje brigadë ushtarake e quajtur ‘’Bokelska Brigada’’ të cilët pas disa ditëve na rreshtuan për
katër dhe u nisëm në këmbë ‘’në
rrugëtimin tonë drejtë ferrit’’ kujton
në fillim të rrëfimit të tij Baca Ramë.. Ndalesa e parë ishte Gjakova ku kemi
berë natën në një shkollë, nga aty te nesërmen kemi nisë rrugën për në Prizren,
aty jemi vendosur në një kazermë ushtarake
ku kemi kaluar disa ditë, nga ushqimi na kanë dhenë mish pa bukë e pa
kripë nga i cili shumë nga ne jemi sëmurur. Nga
papastërtia, rrobat e pa lara dhe morrat disa nga ne u sëmurëm edhe nga
Tifoja kujton baca Ramë. Ai, më pas kujton se nën përcjelljen e një Brigade
Maqedone ‘’ Makedonska Brigada’’ na kanë
nisur më këmbë drejtë Shkodrës. Kemi udhëtuar tre ditë e tre netë, ajo ishte ‘’rruga
e ferrit’’ ngase gjatë këtij udhëtimi nga ana e ushtarëve të asaj Brigade maqedonase janë vrarë shumë
shqiptarë, kushdo që lodhej e që nuk mund të ecte, ngase kishte shumë të sëmurë,
ata i ndanin në një anë dhe i pushkatonin
thotë Ramiz Brada. Ne ishim të paarmatosur
ngase me parë na i kishin marrë çdo gjë që kishim, as brisk nuk na kanë lënë të
mbajmë. Ne afro 50 sa ishim nga Peja për ta mbrojtë njëri tjetrin nga
pushkatimi morëm vendim që të mos e
lejojmë që askush te ngeli në rrugë, por t’i bartim më rradhë në shpindë, që të
mos lejomë vrasjen e tyre. I kemi bartë në shpindë Alush Kaliqanin e Haxhi
Botushën deri në Shkodër thotë ai. Askush nuk e di numërin e saktë të të vrarëve
gjatë këtij rrugëtimi tre ditor, por ai numër duhet të jetë i shumë i madh kujton edhe sot 95 vjeçari nga Peja Ramiz Brada.
Në
Shkodër kemi qëndruar tre ditë dhe nuk jemi mirëpritë nga popullata vendore, dy
nga ne patën ikur nga ajo Brigadë e jona
siç e quanin ‘’Brigada plotësuese’’ dhe brenda një ore i kanë kapë
autoritetet shqiptare dhe i kanë rrasë në burg ku i kanë torturuar rendë, ndërsa
një epror ushtarak shqiptar në Shkoder mbi
një kalë të bardhë kahdo që sillej na quante trathtarë kujton edhe sot
Baca Ramë.
Pas
tre ditësh në një vezhgim të rreptë na ka përcjellë nga Shkodra për në Tivar serish Brigada Maqedone dhe në këtë
rrugëtim sërish kanë vrarë disa nga ne. Pas një ditë rrugëtimi nga Shkodra kemi mbërritur në
Tivar. Në ajër ndihej era e gjakut, në
një rrugë të gjerë si një lëndinë me një
krua në nje anë, kemi parë plloja gjaku,
opinga të shpërndara anë e kënd, plisa të larë në gjak, mintona, herrka (lloj
setrash zhguni me kapulota) shoka, tirqi, këmisha të lyera me gjakë, shumë
plisa të bardhë edhe një ditë pas asaj masakre notonin në portin e Tivarit,
ishte një llahtar i madh, ishim të frikësuar deri në palcë se edhe neve do të pësonim
të njejtin fat. Askush nuk dinte saktë se çfarë kishte ndodhë, pëshpëritej si në
ajër se paska ndodhë një tmerr, një masakër ku siç mësova më vonë në një
qytet „ Sushak“ ku pas disa javëve na u
bashku njëri i cili kishte përjetuar atë masaker. Sipa atij deshmitari okular,
një ditë pa mbërritur ne aty, në
Tivar kishin mbërritur afro tre mijë
djem të rinjë shqiptarë të rekrutuar për armatë dhe njeri nga ta ka dalë nga rradha për te
pirë ujë, të cilin e kishin vrarë ushtarët, aty kishte pelcit sherri dhe sipas
një skenari të para përgatitur kishin
filluar të shtënat në masë nga të katër anët,
sipas atij dëshmitari okular, në turmë kishte shtënë edhe popullata
vëndore duke ditur se ata ishin shqiptarë.
Unë
kam vetëm katër vite shkollë, por për mua është e pa kuptueshme pse atë ditë e
sot, nga terë ky alamet shkollarësh që kemi kendej e andej kufirit, nuk u
zbarrdhë në tërësi Masakra e Tivarit,
kurse sot formojmë gjykata të ndryshme për të gjyku ketë apo atë se kinse paska
vrarë apo keqtrajtu aty ketu gjatë luftës ndonjë armik thotë Ramiz Brada dhe shton se atë që unë e pash e kanë parë edhe shumë
bashkëqytetarë të mijë që ishim bashkë siç janë: Ramë Kondiqi, Ragip
Shoshi,Ragip Muhaxheri,, Lami i Muratagës, Tefik Karagjyzi, Bajram Shalani,
Shaban Jevriqi, Shaip Muhaxheri, Ahmet
Smajli i Mullamusve, Rexhep Zenuni, Tafë Rrustemi,Smajl Bushati e Shaban Sadiku
nga Lybeniqi, Bilall Rrustemi nga Strellci, Zymer Binaku i Morines e të tjerë që
nuk po e kujtohen thotë ai.
Nga
Tivari kemi shku në Dubrovnik, ku na ka marrë nën mbikqyrje një Brigadë
Dalmatine, ‘’Dalmatinska Brigada’’ nga ai moment ndaj nesh ka pushur dhuna . Në
pushimoren ‘’Divule’’ të Dubrovnikut na i
kanë dhënë uniformat ushtarake,
uniforma angleze dhe prej Dubrovnikut kemi udhëtuar në kembë deri në Rijekë,
prej nga më kanë dërguar në Postojne si ushtar prej nga kam shkuar në Lublanë
Maribir etj. kujton rrugëtimin e tij për tre vjet e dy muaj e 15 ditë. Afro një
vit familjarët e mij nuk kanë dijtë a jam gjallë a kam vdekë kujton Ramiz Brada.
Masakra
e Tivarit me ka përcjellë edhe pasi jam kthyer në shtëpi, njerëz të sigurimit të
armatës më kanë thirrë në biseda për të kuptuar tërthorazi nga unë se çfarë dijë nga ato ditë
të ferrit që i përjetova. Këtë e kanë berë edhe hetues të shërbimit
policor të cilët pesë herë më kanë marrë
në biseda informative. Por asnjëherë nuk ju dhash të kuptojnë se vërtetë çfarë
pash në Tivar, kurse për vrasjet e bëra nga Brigada Maqedone ju kam folë haptas
thotë Baca Ramë i cili tani në moshën 95 vjeçare evokon keto kujtime. Si në
mahi me thotë nuk dua ta marr me vehte pa e thënë ketë rrëfim timin edhe permes mediave, të
cilat i falenderon për mundësinë e dhenë që ta publikojë këtë rrëfim për këta
breza të sotit.