Kerko: a
Ilmi Veliu: 75 vjet - Masakra e Tivarit
E merkure, 01.04.2020, 01:58 PM
75 VJET - MASAKRA E TIVARIT
NGA DR.
SC. ILMI VELIU
Jugosllava e Titos,
me Tempo,Dushan Mugosha e Milladin Popovç, ishin projektantët e kësaj masakre
por edhe Enver Hoxha qëndronte pas tyre. Jugosllavija e pranoi këtë kasaphane
por shteti shqiptar ka heshtur, duke e mbuluar me harresë , aq më tepër që ky akt
tragjedisë kosovare kaloi nëpër territorin e nënës Shqipëri.
Ky pra ishte
vazhdimi i proektit të Vasa Çubrilloviç; Ti zhdukim ose t’i shpërngulim
shqiptarët. Pastaj të behet kolonizimi i trojeve shqiptare, me kolonët serbë të
sjellur nga Serbija. Ushtrisë serbo-jugosllave iu dha urdhër që të “vrisnin së
paku 50% të banorëve shqiptarë” (A Kos, F. OKKM k.10/29, 335 nr.1) PK
Jugosllave arsyetohej se luftonte “reaksionin shqiptaromadh”, “bashkëpunëtorët”
e nazifashizmit etj. Por, kjo luftë
ishte e vështirë për krerët e Serbisë, sepse populli i Kosovës, dhe i viseve
tjera shqiptare ishte ngritur më këmbë, i armatosur dhe i gatshëm për të
mbrojtur trojet shqiptare që Enveri i ja kishte dorzuar Titos. Plani u bë nga
Tempo, Milladin Popoviç e Dushan Mugosha, që gjatë luftës kishin qenë gjithë
kohën te Enveri dhe kishin deklaruar se ishin vëllezër të tij. Ata e detyruan
Titon, në cilësinë e komandantit të Ushtrisë NÇJ, ti kërkonte Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë
në Maqedoni, Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe
reaksionit” dmth kundër shqiptarëve që nuk donin ti nënshtroheshin
Serbisë. Kjo kërkesë u përsërit edhe në
emër të Kosovës, më 26 gusht 1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën e firmosur nga
komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha. (A. i FA, F.Sh. i Përgj.)
Enveri, pasi vrau
mijëra nacionalistë të Ballit, Legalitetit dhe krerëve të veriut përgjatë
luftës civile në Shqipëri (1943-1944), më 12 shtator 1944, i dha urdhër Korp-I
të niste 2 brigada për në Kosovë. (Dok.po aty, vol.II)
Po në këtë datë,
vëllau i Enverit-Milladini, i shkruante Liri Gegës: “Lajmëro Pavlen (Pavle
Joviçeviq) se dy brigadat e Shqipërisë së shpejti do të nisen për në Kosovë....(AQSH,
Fondi 14) Kjo u mbajtë fshehur edhe nga
britanikët, që ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën në Shqipëri e
Jugosllavi. Enveri porosiste Dali Ndreun, kom. i Korparmatës I:,,Të mos u
tregohet inglizëve objektivi brig.V-III, që do të shkojnë në Kosovë”(
AQSH, F.14)
Në Kosovë,Maqedoni e
Mal të Zi, ishin krijuar dhe vepronin organizata të fuqishme politike dhe
ushtarake nacionaliste si: Balli Kombëtar, Lëvizja Irridentiste, Lidhja e Dytë
e Prizrenit,Besa Kombëtare dhe Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare
(NDSH), që kishin me vehte thuajse gjithë popullin shqiptar që kishin mbetur
jashta Shqipërisë së Enverit. Me ata ishte edhe Muharrem Bajraktari dhe forcat
e tij kombëtare.
Pra ushtarët
shqiptarë të Enverit që i kërkoi Tito e Fadil Hoxha, kinse për të luftuar
armikun,u përdorën në luftën kundër
shqiptarëve të Kosovës,e që ishin ngritur kundër Titos, Fadil Hoxhës e Serbisë.
Enveri,që tu
ndihmonte Titos,Milladinit e Fadilit, si një vasal i bindur, urdhëroi brigadat
e Divizionit I: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët
shqiptarë, nëse gjinden brenda ose edhe jashta kufirit shqiptar, pa treguar
tolerancë.” (A.FA, dosja 45, v.1944) Në nëntor 44, në këtë luftë kundër kosovarëve
u angazhuan edhe Divizioni V, me Brigadat III, V dhe XXV, dhe Divizioni VI
(brigadat VI, VII, VIII dhe XXII). Ata ishin kthyer në Kosovë, nga Sanxhaku e
Bosnja, ku kishin luftuar kundër gjermanëve. Edhe Ramiz Alia,në një intervistë
të më vonëshme thotë se ka qenë në Bosnjë kur ka ndodhur masakra e Tivarit,e që
nuk eshtë e vertetë sepse ai dhe Divizioni V ndodheshin në Mitrovicë, e më vonë
në gjithë Kosovën. (Dok. 3.03.1945 i Sh.Përgjithshëm)
Urdhrat për të
luftuar kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, që refuzuan të
largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat e shqiptarëve në
Mitrovicë e Drenicë, i dhanë, më 1 shkurt dhe më 5 shkurt 1945, kolonel Fadil
Hoxha dhe komisari politik, nënkolonel Krsto Filipoviq. (A.h.i
Jugo.k.1411)
Tragjedija shqiptare
e Tivarit filloi me masakrat në Drenicë dhe zhbërja e Brigadës VII kosovare që
ishte nisur për në Frontin e Sremit. Divizionet shqiptare të UNÇ të Shqipërisë
u bënë pjesë e ushtrisë serbo jugosllave
për vendosjen e regjimit ushtarak në Kosovë dhe për shtypjen e rezistencës
kosovare, e që ishte ripushtimi serbë i
Kosovës dhe forcimi i pushtetit jugosllav. Ata qëndruan në Kosovë dhe
trevat tjera shqiptare edhe pasi ishin larguar gjermanët, qysh nga shkurti, e
deri në dhjetor 1945, pra për 10 muaj, derisa Kosova e viset e tjera shqiptare
u bënë pjesë e Jugosllavisë.
Dokumentat arkivore
na vërtetojnë se,pikërisht Divizionet V-VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë
përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i
popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat tjera shqiptare dhe kur u nisën kolonat
me rekrutë shqiptarë për në Tivar më 24 mars 1945. Bashkëpunimi i ngushtë i
Ushtrisë NÇ të Shqipërisë me ate te Serbo-Jugosllavisë për mobilizimin e
rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave, është i
vërtetë dhe i dokumentuar. Janë radiogramet e shtabit të Divizionit V-VI,
nënshkruar nga Ramiz Alia dhe komandantët Gjin Marku, Rahman Parllaku...
dërguar Komandës së Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 1945, si
edhe emrat e kosovarëve të arratisur, që u kishin ikur ushtarëve serbë dhe ata
ziheshin dhe dorëzoheshin përsëri te ushtria jugosllave për ti pushkatuar.
Ndodhte edhe ajo që komandantët e brigadave të Shqipërisë,u bënin thirrje
shqiptarëve të Kosovës që të bashkoheshin me ta, por që pabesisht,pastaj i dorëzonin te ushtria jugosllave. Ja urdhëri
i Hoxhës: “T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52
të Serbisë”.(AQSH, F.206, v.1945). Si rezultat i këtij
bashkëveprimi, të mobilizuarit shqiptar
të Kosovës, që besonin tek thirrjet e Komandës së Divizioneve V dhe VI të
Shqipërisë, u dorëzoheshin pabesisht Oznës dhe komandës Ushtarake Jugosllave
dhe përfundonin si mish për top, të cilët ushtria serbe i largonte nga Kosova
dhe i dërgonte për t’i asgjësuar në Tivar.
Divizioni i 46-të
dhe një batalion i Brigadës 27 të Serbisë,
mandej Brigada X malazeze, ishin caktuar për ti përcjellur eshalonet
shqiptare te Kosoves e Maqedonisë, drejt kasaphanës së Tivarit dhe kjo tregon
se sa rëndësi i kishin kushtuar autoritetet jugosllave këtij marshimi, që duhej
të përfundonte në Varrin masiv të quajtur Tivar. Gjat mobilizimit të dhunshëm
të shqiptarëve me arsyetimin se duhej te shkonin në frontin e Adriatikut, mernin pjesë 13.323
rekrutë shqiptarë dhe asnjë serb,
malazez apo maqedonas. Përse? Pra ky ishte plani i Çubrilloviçit për zhdukjen e
shqiptarëve nga trojet e tyre nën Jugosllavinë. Përse i kaluan nëpër Shqipëri,
kur kishin rrugë tjera,që kalonin nëpër Malin e Zi drejt Tivarit..? Që turpi ti
mbetej Shqipërisë dhe Enverit sepse ata lejuan që kolonat e ushtrisë serbe të hynin
e të kalonin nëpër territorin shqiptar dhe të vepronin si t’ua donte interesi.
Pra, shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqësia
partiake dhe shtetërore e Shqipërisë. Raporti i shtabit të Kolonës IV të
Ar.Jugosllave, 8 prill 45 thotë se,“Shkuam mirë deri në Kukës.Aty ndodhi një
incident. Njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë, me ç’rast
u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rrëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10
vetash. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i
ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u
përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe
vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata
vdiqën.( A. i Luftës i Jugos.1411) Pra dokumentat arhivore na
vërtetojnë se, asgjësimi i rekrutëve të Kosovës, u krye në bashkëveprim të
forcave Jugosllave dhe atyre Shqiptare; brenda territorit të Shqipërisë së
Enverit. Dokumenti tjetër thotë; “Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë
pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto
masakra të popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit
1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi
oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare,
më tepër se 1500 kosovarë të pafajshëm” (Ark.Min.Jashtme, v.1949, D.191) Këtë
masakër brënda Shqipërisë, e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak,
Bedri Spahiu i cili thotë se: “Xhelatët e Rankoviqit, që janë shquar për krimet
e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar
këto masakra kundra tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në
Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo, një rrugë e përgjakshme e
kosovarëve brenda tokës sonë, deri në
Ulqin” ( B. Spahiu, Pretenca në gjyqin e K.Xoxes, 1949)
Zoi Themeli, shef i
Mbrojtjes-Shkodër, thotë se rekrutët e mobilizuar kosovarë, jugosllavët “i
vrisnin në rrugët e Shqipërisë, pa pasur faj” dhe rekrutët që iknin për të
shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit shqiptar, u ktheheshin
prapë komandove jugosllavë, prej të cilëve ata gjenin vdekjen. Zoi Themeli,
gjithashtu, pohon se dorëzimi i rekrutëve kosovarë tek autoritetet jugosllave,
bëhej me urdhër të krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, pa marrë parasysh
faktin se rekrutët ishin shqiptarë dhe nuk kishin bërë asnjë faj. Qeveritarët
e Shqipërisë, jo vetëm që nuk bënë gjë për të mbrojtur jetën e kosovarëve,jo që
nuk protestuan për vrasjet masive të shqiptarëve brenda kufijve të shtetit
shqiptar, por i dorëzuan te jugosllavët edhe ata bashkëkombës që përpiqeshin të
iknin nga kolonat e vdekjes. (Arkivi MB, D.1623)
Njeriu që i kishte
shpëtuar masakrës,Azem Hajdini, me gojë të vet kishte dëshmuar se ,,Kur hymë në
territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, duke menduar se tash e tutje do të
jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë, dhe se nuk do të
përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbë,
malazezë e maqedonas. Shumë shpejt u bindëm, kishte thënë ai, se as këtu nuk
kishte vënd për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej
me përpikmëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë,
përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh.”( A.Hajdini, Letër e
hapur)
Sipas të dhënave të
arkivave jugosllave, në Fushë-Arrëz u vranë 126 rekrutë shqiptarë në gjendje
agonie, kur ishin në gjumë. “Kur kaluam Pukën, i nxorën nga kolona tre të rinj
shqiptarë, të veshur me rroba kombëtare, dhe i pushkatuan para syve të kolonës
si edhe para një skuadre ushtarësh të Shqipërisë. Dhe, për çudi, derisa ne
qanim me dënesje, ushtarët e skuadrës së Shqipërisë e përcollën pushkatimin e
tyre me duartrokitje!”tregon Hajdini (A.Hajdini, Masakra e Tivarit .Në
Gomsiqe ranë në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë dhe 14 u
plagosën. E njëjta gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin
Buna dhe në Shkodër; gjetën vdekjen qindra rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një
numër i madh të plagosurish. Në kazermat e Shkodrës u pushkatuan 11 shqiptarë,
ndërsa në kalimin e Bunës, 18 të tjerë. Para plot 75 vitesh, në mesditën e
datës 31 mars 1945, në qytetin e vogël të Tivarit ishte ngritur kurthi, për
asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë të sjellur nga Kosova. Në hyrje të
Tivarit filloi masakra dhe arriti kulmin
në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Vrasësit ishin ushtarët
e Brigadës X malazeze, të komanduar nga
krimineli Markoviq. Ka shumë të vrarë edhe nga kolonat e tjera me shqiptarë të
mobilizuar nga viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës,
Kërçovës,Strugës, dhe Shkupit,që marshuan
nëpër Shqipëri e i gjeti i njëjti fat.
Eshtë e pa mundur
dhe shumë e vështirë që të thuhet një numër përafërsisht i sakët i shqiptarëve
të vrarë në këtë masakër. Nuk është berë ndonjë evidencë dhe nuk janë shenuar
emra gjatë pushkatimeve e vrasjeve të shumta edhe gjatë rrugës drejt Tivarit
dhe eshtë e pa mundur që te ju besojmë të dhenave qe na japin burimet
jugosllave po dhe ata shqiptare. Ata thonë se në këtë masakër jan zhdukur 2.947
– 3.447 shqiptarë të pafajshëm, por numri eshtë shumë më i madh. Dëshmitarët
kan thënë se numri do te duhet te ketë qenë mbi 4.000 të vrarë. Sipas Arkivave
të Shqipërisë, mbi 1000 shqiptarë të Kosovës u vranë përgjatë rrugës nga Kukësi
në Shkodër. Sipas dëshmitarit Azem Hajdini, dhe dëshmitarëve të tjerë, thuhet
se nëpër territorin e Shqipërisë u vranë dhe u zhdukën mbi 1500 shqiptarë të
Kosovës kurse numri i të vrarëve në Tivar mund të ketë arritur edhe mbi 15 mijë
shqiptarë. Në Tivar jeton edhe popullatë shqiptare vëndase. Në verën e vitit
2008 unë dhe bashkëvendasi im Xhemo Osmani i bëmë një vizitë Tivarit. Kërkuam
të shihnim se ku mund te kishte qenë ndërtesa me emrin ,,Monopoli i Duhanit,,
por nuk gjetëm njeri të na e tregonte. Një miku i Xhemës,që e takuam në Ulqin
na tregoi ate që kishte dëgjuar nga gjyshi i tij, se pasi kishin përfunduar
pushkatimet te Monopoli i Duhanit,të nesërmen, ashtë dukur sipërfaqeja e detit
Adriatik, krejt e bardhë,e që kan qenë kësulat (çeleshet) e bardha kosovare dhe
ata kësula jan dukur aty për gjatë kohë,dersa eshtë prishur moti dhe dallgët e
detit i kan marrë dhe futur në brëndi të detit. Nga kjo eshtë kuptuar se
njerëzit e pushkatuar janë hedhur në det ku i kanë ngrënë peshqit kurse kësulat
e tyre kan notuar mbi ujë disa muaj me rradhë. Politikanët e sotëm të Kosovës
nuk nuk i përmendin dhe nuk kan njohuri as për kosovarët që u zunë robë nga
ushtrija bullgare dhe u sollën në malin Bukoçë të Kërçovës për ta ndërtuar
hekurudhën e parë 1915-1918; e as për Masakrën e kosovarëve në Tivar, sepse nuk
kan njohuri për këta ngjarje të dhimbëshme. Ata lexojnë e mësojnë vetëm për
politikë.....!!!
*(Literatura dhe fusnotat gjinden në materijalin që eshtë
përgatitur dhe duhet të dalë nga shtypi).