Kerko: a
Brunilda Zllami: Po po, do ia dalim!
E hene, 30.03.2020, 08:00 PM
PO PO, DO IA DALIM!
-Ne
do ia dalim!
Do
i mbijetojmë këtij virusi dhe dalëngadalë do kthehemi në atë që konsiderojmë
realitetin normal-
Nga
Dr. Brunilda Zllami, Tirane
Po
a ishte normal?
Prej
kohësh ia dorëzuam veten teknologjisë. Zbuluam dritaren e fshehtë dhe në dukje
të lirë të komunikimit. Takuam njerëz që i kishim harruar dhe njohëm të tjerë
që as e dinim që ekzistonin. Bota dikur e madhe u zvogëlua në një ekran
telefoni. Dhe këtu filluam të harronim botën e vërtetë. Zbuluam egon e heshtur
që vizualizohej në foto të gjithçkaje që bënim. Me dhjetëra shkrepje për foton
perfekte që merr “like”, me filtra që heqin shenjat e moshës dhe identitetin,
me forma jo normale të shprehive, të qënies. Askush nuk gëzonte një shëtitje pa
një foto në rrjetet sociale, askush nuk ndihej i plotë pa marrë “like” që të
përkëdhelte sedrën.
Ne
sot na mungojnë njerëzit me të cilët takoheshim, natyra, rrezet e diellit,
lulet e pranverës. Po sa i kemi shijuar më përpara? A ju kujtohet kur dilnim me
miqtë dhe sytë i kishim te telefoni? Jeta jonë ishte e lidhur me tubat e
padukshëm ku merrte iluzionin dhe griste kohën.
Tani
ndihemi të burgosur se nuk dalim dot, se na mungon ajo rutina e përditshme, kur
në të vërtetë kishim humbur kohë më përpara lidhjen me njëri-tjetrin, me
natyrën, me ato vlera që dikur na gdhendën si njerëz. Edhe tani shoh njerëz që
kërkojnë dëshpërimisht vëmendjen e munguar dhe fasadën që kishin krijuar me aq
mund!
A
ishim në një realitet normal para se të vinte një virus i padukshëm që na hoqi
gjithçka kishim lënë në harresë? Apo kishim krijuar një realitet virtual ku
ishim të gjithë të bukur, të përsosur, shumë gjykues për të tjerët dhe
tërësisht të dashuruar me imazhin e krijuar për veten?
A
na mori ky virus lirinë, apo e kishim humbur me kohë?
Ne
do ta kalojmë këtë, do ia dalim! Po a do gjejmë vetveten?
A
do dimë të gjejmë vlerat, të duam tjetrin ashtu siç është pa filtra, pa buzët e
fryra, vetullat e vizatuara dhe pa botoks? A do iu japim fjalën
profesionistëve, apo do vazhdojmë të dëgjojmë gjithologët? A do jemi më të
vërtetë, apo do vazhdojmë të krijojmë avatarët tonë virtualë? A do ta shijojmë
një kafe me miqtë, një shëtitje në natyrë, zhurmën e valëve të detit, apo do
harxhojmë orë për të krijuar imazhin e përsosur për “miqtë” virtualë? A do dimë
të vështrojmë yjet e të ëndërrojmë? A do jetojmë sërisht në botën e
Kardashianëve, apo në botën ku do lindë një Anjshtajn?
A
do përqafojmë prindërit e gjyshërit, a do ju japim kohë nga jeta jonë? A dimë
të jemi më të përulur, më të thjeshtë? A do kemi mësuar diçka nga kjo që po na
ndodh?
Një
ditë do mundemi të dalim dhe të takojmë njëri-tjetrin pa ruajtur distancën, por
nuk duhet të harrojmë se distancën e kishim krijuar pak nga pak shumë kohë më
parë!
Një
ditë do jemi të lirë, po a do jemi ndryshe?
-Ekskluzivisht
per revisten Zemrashqiptare ne Londer, nga Tirana 30 Mars 2020-