Kerko: a
Gjon Keka: Hyrja e Skënderbeut në histori
E diele, 22.03.2020, 07:56 PM
Hyrja e Skënderbeut në histori
Nga Gjon
Keka*
Zakonisht,
hyrja në histori e njerëzve të mëdhenj nuk ka qenë nga e njëjta derë apo nga e
njëjta udhë, por secili e ka shtruar dhe ndërtuar udhën e tij për ta përjetuar
veten para botës që vëzhgon. Koha shkruan dhe i regjistron ngjarjet historike
në analet e saj, nëpërmjet veprave të lavdishme që ata kanë bërë. Hyrja në
histori e njerëzve që kanë lënë gjurmë në historinë botërore ka qenë e para
shënuar, që ata të ecin asaj udhe lavdie për njerëzimin dhe botën.
Edhe
hyrja e Gjergj Kastriot Skënderbeut në histori ka qenë e para-shënuar, që ai
t’i kthehet atdheut të tij dhe ta bëjë atë me emër të madh, si dhe mbrojtës të
civilizimit mbanë europian. Me rikthimin e tij në Krujë, Skënderbeu tregoi atë
që ishte para shënuar, por sidomos e shfaqur në vizion të nënës së tij
Vojsavës, para se të lindte Dragoi i Arbërisë. Pikërisht Skënderbeu hyn
vrullshëm në histori me rikthimin e tij në Krujë për çlirimin e atdheut nga
barbarët turq. Këtu nis edhe shfaqja e tij e plotë si një strateg i madh,
vizionar, trim, burrështetas etj.
Po
të mos kthehej në Krujë, Skënderbeu do të kishte mbetur vetëm një Skënderbe pa
histori dhe lavdi, pra një Skënderbe brenda oborrit të Sulltanit dhe jo jashtë
tij, një Skënderbe i huaj për arbërorët dhe historinë e Arbërisë, Europës e
botës. Ndërkaq, hyrjen e tij në histori e kanë nënvizuar pothuajse të gjithë
kronistët, autorët e ndryshëm dhe historianët e mëdhenj europianë e botërorë.
Kjo për faktin se hyrja e tij në histori ishte kthesa më e madhe jo vetëm për
kombin arbëror, por edhe për vetë kontinentin europian. Ai ishte restauruesi,
lideri, mbreti, vizionari, mbrojtësi, atleti fizik dhe shpirtëror i kombit
arbëror dhe i besimit të përbashkët të kombeve europiane, strategu dhe
diplomati e politikani i urtë i përmasave jo vetëm europiane, por edhe të atyre
botërore.
Skënderbeu
ishte liberal, i moderuar, i guximshëm për kohën në të cilën jetonte, si dhe i
barabartë mes popullit të tij arbëror që e udhëhiqte me urtësi e vizion. Ai
ishte një hero i madh dhe një shtetar largpamës i formatit europian. Ai është i
ankoruar thellë në kujtesën e popullit shqiptar. Emri i tij është përdorur më
shumë se një eliksir për veprën kombëtare të Shqipërisë. Një mit i vërtetë e ka
rrethuar këtë emër. Ky ishte Skënderbeu, për të cilin gurët e Krujës flasin,
emri i të cilit mbeti gjallë brez pas brezi në memorie dhe në krenarinë e
popullit, pavarësisht katërqind vjetëve të sundimit turk.
Skënderbeu
i tejkalon të gjitha figurat në historinë e popullit shqiptar, i cili i ka
dhënë shumë njerëz të mëdhenj botës. Muret e Krujës panë fitoret e tij më
heroike, panë artin e vërtetë ushtarak, panë burra të pashëm kryelartë, trima
dhe bujarë, prandaj edhe qyteti malor në shpatin e Malit të Skënderbeut është
gjithashtu shenjtërorja e Shqipërisë. Pra jo rastësisht u bë Kruja shenjtore e
Shqipërisë, ndërsa pas vdekjes së Skënderbeut edhe Lezha, si vend i shenjtë për
arbërorët. Në këto dy qytete historike flet, më shumë se çdo gjë tjetër, vetë
vepra e Gjergjit të Madh dhe e kuvendarëve të tij, në Lezhë flet varri i
Skënderbeut pa mbishkrim, për shkak të mos përdhosjes nga otomanët barbarë,
thjesht aty flet vetë historia e vërtetë arbërore.
Historia
prej kohësh na e ka bërë të ditur se Gjergj Kastrioti hyri në histori si
triumfuesi i të gjitha betejave me pushtuesin turk, pasi misioni i tij ishte
mision në shërbim të atdheut, lirisë dhe pavarësisë së tij. Ashtu siç edhe vetë
historia na mëson, misioni më fisnik në historinë e personaliteteve që kanë
lënë gjurmë është misioni i lirisë dhe i të drejtës e pavarësisë së popullit të
tij. Emri i Skënderbeut ishte i pandashëm nga emri i fitoreve që arbërorët e
tij trima korrnin kudo ku luftonin. Skënderbeut i printe ushtrisë së trimave të
tij dhe kudo ku ai shkelte mbizotëronte siguria e popullit, ndërsa fitorja
ishte e qartë përballë armiku, kudo dhe në çdo vend beteje. Ai ishte strateg i
madh që i njihte udhët e gjarpëruara të perandorisë së errët otomane (turke),
sepse vetë ishte rritur në oborrin e sulltanit, i kishte mësuar dhe i kishte të
njohura pothuajse të gjitha sekretet e artit ushtarak otoman, si dhe planet e
zeza djallëzore të sulltanit ndaj popujve të tjerë e, aq më tepër ndaj popullit
arbëror. Prandaj ai me urtësi, strategji e vizion doli fitimtar i betejave
kundër armikut turk. Këto fitore ua shtuan besimin patriotëve shqiptarë te
fuqia dhe udhëheqja prej strategu të prijësit të tyre të shkëlqyer,
Skënderbeut, i cili tani ishte në vëmendje edhe jashtë Europës Juglindore.
Rezistenca e shqiptarëve e vonoi marshimin e gjysmëhënës në Vjenë, Venecia dhe
Romë.
Për
një çerek shekulli, Skënderbeu e udhëhoqi këtë rezistencë, e cila nuk iu
nënshtrua osmanëve, por që u mund nga sëmundja e përhapur në Shqipëri, nga
malaria e pabesë. Një nga fitoret më të spikatura të epokës së Skënderbeut padyshim
është mbrojtja kundër tre rrethimeve të kështjellës malore të Krujës. Në këtë
simbol të luftës për pavarësi, Perandoria Osmane përqendroi elitën e trupave të
saj. Ata dikur ishin udhëhequr nga Sulltan Murati II, më pas nga pasardhësi i
tij Mehmeti II, pushtuesi i Konstandinopojës. Por edhe angazhimi i tyre
(sulltanëve) personal nuk i ndihmoi armët turke për fitore, për sa kohë që
kishte një Gjergj Kastriot aty. Skënderbeu ishte shtylla kurrizore e luftës së
armatosur për pavarësinë e të gjithë shqiptarëve, aq më tepër edhe në zemër të
tyre. Historia i ka dhënë atij vendin e merituar si misionar i lirisë së
atdheut të tij dhe ideator i unitetit si brenda shtetit arbëror ashtu edhe të
vetë Europës së asaj kohe. Veprat e tij flisnin më tepër se lavdia, ai u bë
pjesë e historisë së fitoreve të mbretërve, jo pse ai e rimori mbretërinë e
Atit të tij, pasi u rikthye, porse u bë liberator i vendit të tij, pastaj si
hero i heronjve, u bë mbrojtësi i vetëm i kohës së tij jo vetëm në Gadishullin
Ilirik, por edhe i vetë kontinentit europian.
Por
shumë kombe europiane, princër e mbretër e kuptuan thirrjen e tij me afshin e
zemrës, për bashkim të forcave të kombeve europiane, vetëm pasi ai kishte
vdekur dhe rreziku turk po u trokiste atyre në dyer. Por tanimë ishte tepër
vonë. Megjithatë, ende në disa kombe të Europës kishte shpirt liberatori,
trimi, vizionari e shpëtimtari, ashtu sikurse ishte Princi Eugen. Ndërsa
Arbëria mbeti fushë, e cila tanimë ishte djegur e shkrumbuar nga dora e
demonizuar e pushtuesit turk dhe e sulltanëve tiranë.
Arbëria
u fut në zgjedhën e rëndë të perandorisë barbare otomane dhe në këtë zgjedhë
ajo u bë ferrë turku, sepse gjaku i pafajshëm arbëror rridhte pa u ndalur. Edhe
në këto kushte aq të rënda për jetën e vështirë, populli nuk dëshironte të
pranonte heqjen dorë nga identitetit i vet arbëror, nuk donte ta mohonte
besimin e krishterë dhe t’i nënshtrohej skllavërimit nën këmbën barbare të
tiranit turk. Populli shqiptar gjatë shekujve të ardhshëm nuk e ndërpreu luftën
e tij kundra pushtuesve dhe, në këngët e tregimet e tij e ruajti portretin e
falshëm të udhëheqësit popullor, të komandantit ushtarak e të vizionit politik
të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Vendosmëria, guximi dhe vetëmohimi ishin bërë
më se imperative, ishin bërë frymë dhe, si njeriu që pa frymë asfiksohet, po
ashtu edhe shqiptari pa këto virtyte moralisht ishte i pajetë. Këto virtyte
Skënderbeu i çmonte në vleftën e tyre të vërtetë shpirtërore dhe morale e në
luftën e tij të madhe çlirimtare. Faktikisht, shtëpia e Kastriotëve ka qenë e
bekuar nga Providenca e Hyjit për të qeverisur mbi popullin arbëror, dhe kjo
qeverisje apo mbretërim i tij ishte plotësisht i natyrshëm. Ata ishin fisi më
frytdhënës i kombit, që nxori të madhin dhe të pavdekshmin Gjergj Kastriot
Skënderbeun. Gjithmonë me fat kundër këtyre armiqve të emrit të krishterë,
Skënderbeu i mundi duke i detyruar që ta braktisnin me turp rrethimin. Arbëria,
e mbrojtur nga një hero dhe nga ushtarët që besonin në paprekshmërinë e trojeve
të tyre, e poshtëroi krenarinë e Sulltan Mehmetit çdo ditë. I bindur se nuk
mund ta kapërcente atë, ai u përpoq ta vriste Skënderbeun pas shpine (me anë të
spiunëve të dërguar të tij), por kur kjo pabesi u zbulua, vrasësit e dërguar
nga sulltani barbar pësuan vuajtjen e tyre të fundit. Skënderbeu i pamposhtur i
vetëm u mbijetoj edhe këtyre përpjekje djallëzore të demonit sulltan turk.
Ashtu si Goffredo di Buglione, Skënderbeu kishte një fuqi të jashtëzakonshme.
Ata përmendin fakte që janë pothuajse të pabesueshme, porse ishin vepra
mrekullie që dilnin nga ai. Megjithëse Kruja ishte kryeqyteti i shtetit
Arbëror, edhe pse Skënderbeu rrallë qëndroi atje, në asnjë vendbanim të
qëndrueshëm, por duke e gjetur veten kudo ku prania e tij ishte e nevojshme. Në
frontin e armikut ai ishte ditë e natë mbi kalë, herë për të zbuluar lëvizjet e
armikut, herë në fushën e tij për të vizituar të gjitha lagjet dhe për të
siguruar saktësinë e shërbimit; gjithmonë i pari në beteja, gjithmonë i fundit
kthehej nga betejat. Edhe pse ishte prijës e komandant, si dhe burrë shteti i
Arbërit, ai luftoi si një ushtar i thjeshtë. Shfaqja dhe veprat e tij, si një
njeri i thjeshtë, kudo ku këmba e tij shkelte, ka qenë ndoshta për të nxitur
guximin te populli i tij. E gjithë kjo strategji që si zotëronte, të gjitha
këto cilësi prej strategu, e bënë atë një udhëheqës të shkëlqyer kombëtar. Por
Skënderbeu është njohur nga bashkëkombësit edhe si njeri që kishte disiplinë të
rreptë, ndërsa popullariteti, bamirësia dhe bujaria e bënë atë të jetë idhull
për ushtarët e tij, si dhe për shumë mbretër e princër të kombeve europiane.
Skënderbeu ishte tmerri i turqve, pasi kishte fituar për njëzet e pesë vjet në
më shumë se njëzet e dy beteja. Pikërisht në kohën kur Europa u drodh para
otomanëve barbarë, këto fitore dhe fuqi absolute të tij treguan se fuqia e
Skënderbeut duket se ishte hyjnore, se vinte nga lart. Si një komandant i
patrembur, siç ishte heroi arbëror, ai do ta kishte penguar rënien e
Konstandinopojës dhe vendosjen e dhunës së pushtuesit otoman, në qoftë se
venedikasit e, veçanërisht fuqitë e krishtera të kombeve europiane, do ta
kishin ndihmuar atë me ushtarë dhe thesaret atyre të nevojshme. Gjergj
Kastrioti ishte udhëheqësi i pamposhtur i ushtrisë arbërore, edhe pse ndaj tij
u mësynë shumë ekspedita, mashtrime e tradhti. Porse turqit pushtues nuk
arritën ta pushtojnë tokën që e kishte nën mbretërim dhe nën autoritetin e tij
ky Atlet i Krishtit, i quajtur nga Papa Kaliksti.
Shumë
vende europiane, princër, perandorë e mbretër e shikonin me admirim dhe shpresë
luftën e princit të palëkundur arbëror, por fatkeqësisht mbështetja financiare
apo ushtarake nuk iu ofrua, edhe pse ai kishte vite që me anë të diplomacisë së
tij aktive i njoftonte ata për kërcënimin turk në Europë – duke dërguar letra
për mbështetje. Edhe pse i vetëm, përpara fuqisë më të madhe të kohës,
Skënderbeu asnjëherë nuk e hoqi shpatën nga dora, por luftoi vetëm me një
mbështetje të vogël të trupave të dërguara nga Papa apo venedikasit. Fitorja më
e madhe e Skënderbeut, megjithëse më e përgjakshmja, ishte beteja në Shqipërinë
Jugore, në tokën e Tomoricës, në vitin 1457. Ai arriti papritur në malet e
kampit të ushtrisë turke, e cila u shkatërrua pothuajse nën këmbët e tij. Mbi
15.000 ushtarë turq mbetën të vrarë dhe 1500 të tjerë u burgosën. Skënderbeu
gjithashtu mori disa armë dhe plaçkë të tjera lufte nga armiku që kishin
mbetur, të cilat në mënyrë të konsiderueshme e forconin ushtrinë arbërore
financiarisht.
Me
talentin e rrallë të intelektit, por edhe me forcën dhe harmoninë e trupit dhe
shpirtit, si dhe guximin e pamposhtur, Skënderbeu i shpejtë dhe i qartë qëndroi
midis furtunave të ndryshme gjithmonë i palëkundshëm, duke e frenuar tërbimin e
perandorisë otomane pushtuese. Në kuadër të gjithë kësaj, duhet nënvizuar edhe
se Gjergj Kastrioti ishte tepër vigjilent. I lindur me dhuntinë e zgjuarsisë,
të nuhatjes së situatave që mund të ndodhnin papritur e pa kujtuar, ai ishte
edhe shumë i fortë fizikisht. Skënderbeu nuk hyri në histori si një
personalitet i përgjumur, por si një engjëll mbrojtës që rri zgjuar për t’u kujdesur
për popullin dhe shtetin e tij. Përgjegjësia që ai mbante mbi vete e bëri atë
që sytë e tij të mos e njihnin gjumin, por të jenë syçelë e të gatshëm për të
vëzhguar natë e ditë, madje edhe për ta ndjerë pulsin e vendit, duke mos e lënë
atë pa frymën mbrojtëse në luftën kundër armikut turk. Kështu ai u bë
frymëmarrja dhe mburoja, pa të cilën Arbëria nuk mund të mbrohej e të jetonte.
Dhe kjo u pa e u vërtetua menjëherë pas vdekjes së tij, kur vendi mbeti pa të
zotin dhe pa engjëllin mbrojtës.
Ky
është Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili ka hyrë në histori për të mos vdekur
kurrë. Edhe nëse ne nuk do të flisnim e shkruanim për këtë figurë monumentale
legjendare mbarë botërore, do të fliste vepra, do të shprehej qielli, do ta
kujtonte Kruja, Lezha, do të dokumentonin betejat dhe fitoret, do të rrëfenin
malet, gurët dhe e gjithë gjithësia shqiptare.
Gjergj
Kastriot Skënderbeu deri në fund të jetës së tij prej trimi i shërbeu atdheut
dhe të mirës së tij të përgjithshme; ai kurrë nuk e bëri vëlla armikun e tij,
edhe pse rininë dhe edukimin e kaloi dhe i mori në oborrin e tij, por e ruajti
identitetin si dhe vlerat e kombit të vet arbëror europian. Ai hyri në histori
si një Çlirues i madh i atdheut të tij dhe mbeti në histori si një Hero i madh
i Shqipërisë dhe Europës. Skënderbeu nuk luftoi ekskluzivisht për fe, por për
lirinë dhe pavarësinë e atdheut të tij. Ai në fakt iu rikthye fesë që mbante
Ati i tij, familja e tij, populli arbëror në përgjithësi, dhe me rikthimin e
tij në shtëpinë ku lindi, në atë të arbërorëve, ai nuk bëri mëkat, por iu
rikthye folesë së atdheut dhe fesë së popullit të tij. Ai bëri luftë të drejtë
në mbrojtje të lirisë e të pavarësisë së vendit të tij, ai nuk iu rikthye
Krujës si pushtues i saj, por si çlirues; thjesht, me anë të veprave të tij, ai
iu kthye atdheut të tij për ta restauruar atë dhe për ta vendosur atë në udhën
e mbarë të suksesit dhe të famës. Rikthimi i tij në Krujë me fjalët “Lirinë nuk
ua solla unë, por e gjeta në mesin tuaj”, tregon qartë se për çfarë ishte
rikthyer Skënderbeu në atdheun e tij. Ai nuk u tha bashkëqytetarëve të tij
“Fenë nuk ua solla unë, por atë e gjeta në mesin tuaj”, por përmendi fjalën e
shenjtë për çdo njeri të gjallë të kësaj toke, fjalën Liri. Lirinë që popullit
i mungonte, dhe me këtë liri sigurisht që nënkuptojmë lirinë shpirtërore dhe
atë fizike të vendit.
Në
fakt, në ditët e sotme Skënderbeu jo vetëm që është i gjallë ndër arbërorët,
por edhe i vetmi që duhet ndjekur. Aq më tepër në ditët e sotme Gjergj
Kastrioti ka nevojë më tepër për dishepuj sesa për fjalët tona të mëdha për të.
Kombi ynë ka nevojë të ecë në udhën që ai trasoi, udhë kjo që na shpie drejt
unitetit brenda kombëtar dhe rikthimit me trup e shpirt në familjen tonë të
kombeve të qytetëruara e demokratike europiane dhe botërore.
*(Shkëputur nga libri i autorit me titull: ”Autoriteti dhe
fama e Skënderbeut (Dorëshkrime të papublikuara më parë nga arkivat dhe
bibliotekat) ”ShB Lena Graphic, Prishtinë 2019)