Kerko: a
Enver Bytyçi: Cili është roli i Hashim Thaçit për krijimin e frymës së përçarjes në Kosovë?
E diele, 15.03.2020, 02:47 PM
Cili është roli i Hashim Thaçit për krijimin e frymës së përçarjes në Kosovë?
Nga
Enver Bytyçi
Albin
Kurti nuk i është bindur ende presionit të Grenell për heqjen pa kushte të
taksës ndaj mallrave serbe që hyjnë në Kosovë. Ai thotë se nëse heqim taksën pa
kushtet e reciprocitetit, atëherë Thaçi dhe Vuçiq do ta nënshkruajnë menjëherë
marrëveshjen me Serbinë, por të dëmshme për Kosovën. Edhe paraardhësi i tij,
Haradinaj, vijon të këmbëngulë se heqja e taksës shkon në favor të Serbisë dhe
ve në rrezik integritetin territorial e shtetëror të Kosovës. Në parlamentin e
Kosovës u paraqit të mërkurën një rezolutë, e cila shpreh gatishmëri për
dialog, por kërkon që të ruhet sovraniteti shtetëror dhe karakteri unitar i
shtetit, si dhe dialogun, bazuar në vendimin e gjykatës kushtetuese, ta
kryesojë kryeministri.
Në
kontekstin e këtyre qëndrimeve ata që disa herë iu kundërvunë SHBA-ve, pra
Thaçi me kompaninë e tij të PRONTO-s, kanë mundur ta bindin një pjesë të mirë
të publikut se “Albin Kurti është anti-amerikan”! Dhe e gjitha kjo situatë në
pamjen e saj të parë duket e pakëndshme, madje absurde. Si është e mundur që dy
kryeministrat njëri pas tjetrit t’i “kundërvihen” kërkesave të SHBA-ve për
heqjen e taksës, ndërkohë që ai që luante “k...qe” me amerikanët, Hashim Thaçi,
të na shfaqet më amerikan se amerikanët?!
Kryeministri
Kurti vërtet ka kundërshtuar kërkesën arrogante të një ose dy personaliteteve
amerikane për heqjen pa kushte të taksës me Serbinë. Por ai asnjëherë nuk ka
bërë ndonjë deklaratë kundër amerikanëve. Thjesht ka sqaruar se taksa duhet
shoqëruar me reciprocitet dhe reciprocitetin nuk e ka kërkuar nga amerikanët,
por nga serbët. Nuk e di ku është antiamerikanizmi i Albin Kurtit në kërkesën e
tij për sjellje korrekte të Serbisë ndaj Kosovës?! Eshtë vërtet absurde të
besohet se dikush na qenka anti-amerikan, pse ai kërkon të drejtën e vet e të
kombit të vet për t’u trajtuar në mënyrë të barabartë me partnerin në bisedime,
Beogradin!
Albin
Kurti ka kërkuar gjithashtu që bisedimet t’i drejtojë kryeministri. Ky nuk
është vullnet i tij. Është vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, madje në
përgjigje të një kërkese për shqyrtim, të cilën e kërkoi Thaçi. Nuk e kuptoj
çfarë anti-amerikanizmi gjendet te kërkesa për zbatimin e kushtetutës së
vendit?” Kosova ka një kushtetutë të hartuar nga amerikanët. Hashim Thaçi u bë
anti-amerikan disa herë gjatë procesit të ngritjes dhe iniciativës së tij për
zhbërjen e Gjykatës Speciale dhe nuk u sulmua me artileri propagande si kjo.
Ndërkaq
Hashim Thaçi ka vendosur disa lidhje specifike në Shtëpinë e Bardhë me elementë
që kanë kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe marrëdhënien e ngushtë me këta ua
shet shqiptarëve si “pro-amerikanizëm”! Nga ana tjetër ai shpreh kritika të
ashpra deri në fyerje për Bashkimin Europian, për Gjermaninë, Britaninë e
Madhe, Francën etj. Hashimi u kthye para dhjetë ditësh në Kosovë, pas një
qëndrimi njëjavor në Uashington. Shkoi në SHBA, u takua edhe me Aleksandër
Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë dhe nuk u konsultua me askënd në Prishtinë për këtë
veprimtari të tijën anti-kushtetuese. Gjatë kësaj vizite ai e paraqiti Albin
Kurtin si anti-amerikan. Nga disa burime kam mësuar se partnerëve amerikanë
Thaçi u ka thënë se “Kurti gjatë qëndrimit të tij në burgjet serbe është
rekrutuar nga shërbimet serbe e ruse”!
Ndërkaq
ai vetë është vënë në veprime të hapura për realizimin e projekteve serbe në
Kosovë. Aq shumë e ka armiqësuar presidenti kryeministrin e vendit të tij me
dy-tre amerikanë në Shtëpinë e Bardhë, sa këta dy – tre eksponentë nuk lenë të
kalojë një ditë pa shkruar statuse anti-Albin në Twiter. Ndërsa si në simfoni,
të njëjtin reagim e përsërisin Aleksandër Vuçiq në Beograd hde Hashim Thaçi në
Prishtinë. Kurse Edi Rama është i zënë me koronavirusin, por nuk harroi të
mbyllë kufijtë me Kosovën e painfektuar dhe t’i mbajë ata hapur me Greqinë,
Maqedoninë e përmes saj me Serbinë, të tri këto vende me disa raste të
koronavitusit!
Në
fakt, skenaristi dhe regjisori i gjithë kësaj skeme përçarëse dhe shkatërruese
për Kosovën është presidenti dhe qeveria e Beogradit. Hashimi është në rolin
kryesor në këtë dramë të vendit të tij. Investimi për realizimin e kësaj drame
anti-shqiptare është shumë i madh, më i madh se çdo lloj investimi tjetër në
150 vitet e fundit të Serbisë kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve. Presidenti i
Kosovës me këtë bashkëpunim me Serbinë për përçarjen e Kosovës dhe faktorit
politik të saj ka shkel kushtetutën e vendit të tij, sepse me kushtetutë ai
është e duhet të jetë unifikues dhe autoriteti kryesor i unitetit kombëtar!
Atëherë pse ai përçan? Kush ia ka vënë këtë detyrë?
Ka
ardhur koha që Parlamenti i Kosovës jo vetëm ta miratojë atë rezolutë, me të
cilën i kërkohet Hashim Thaçit të largohet nga bisedimet me Serbinë, por edhe
të hetohet ai për shkelje të rënda kushtetuese. Ndryshe presidenti i Kosovës do
ta vazhdojë ta përçajë faktorin politik të vendit të tij, duke realizuar kështu
ëndrrën e përhershme serbe për t’i sunduar shqiptarët përmes kësaj përçarjeje.
Fatkeqësisht
kësaj radhe përçarja është ngjit në shkallët e interesit strategjik të Kosovës
me nxitjen e konfliktit me kë duhet të jetë ajo: Me Amerikën apo me Europën!
Kjo strategemë u shpik nga Serbia dhe po implementohet në Kosovë përmes rolit
pro-serb të Hashim Thaçit, jo të Albin Kurtit. Kush i ndjek çdo ditë qëndrimet
dhe deklarimet e dy liderëve kryesorë të Kosovës, ai kupton lehtë se
kryeministri është në ekuilibër, ndërkohë që presidenti i vendit është
ç’ekuilibruar!