Kerko: a
Resmi Osmani: Udhëtim në tri kontinente (VI)
E enjte, 12.03.2020, 08:13 PM
TË GJITHA UDHËT MË KTHEJNË NË SHTËPI
Vijim-6
Udhëpërshkrim nga Resmi Osmani
Greqi,
1999-2003
Në
tokën greke kam shkelur tri herë.Të trija herët me dërgata shërbimi.I pari nga
Peloponezi në Janinë, i dyti në Athinë, në institutin “Benaki” dhe i treti në
Korfus, në Institutin e Ullirit” Mbresat nga këto vizita, do t’i përmbledh në
këtë shkrim, të pa ndara në vite, por si impresione tërësore.
* *
*
Sekretarja
e ministrit më telefonoi të paraqitesha në Kabinet. Aty ishte në pritje edhe
drejtori I mardhënieve me jashtë, Sali Metani . Ministri na vuri në dijeni, që
pala greke, kishte bërë ftesë për një
delegacion bujqësor, me objektiv njohjen
dhe funksionimin e Bashkësive Bujqësore. Ishin treguar dorëlëshuar, në
dërgatë mund të përfshiheshin 21 persona. Mu dha porosia të bëja gati listën me
pjesmarrësit, e cila duhet të ishte gjithpërfshirëse në aspektin gjeografik, në
nivel drejtoresh të drejtorive të bujqësisë së rretheve dhe specialist të
fushës. Kup[tohet edhe gra. Me përgatitjet protokollare do të merrej kolegu i
mardhënieve me jashtë.
Ishte
fundi i majit, kur përgatitjet përfunduan dhe ne u nisëm nga Rinasi me
aeroplanin e linjës “Olimpik” për në Athinë. Për disa, fluturimi dhe dalja
jashtë vendit ishte risi dhe ata e pritën me emocion. Në aeroportin e Athinës,që
mban emrin e politikanit Sofokli Venizelos, na priste autobuzi. Athina është 30
km larg, dhe përfaqësuesi i palës mikpritëse,z.Krustalis,që siç e mësuam më von
ishte punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtëme, i ngarkuar për mardhëniet me
Shqipërinë. Nuk na e tha, por e kuptuam që dinte shqip, por nuk e fliste. Kjo
na bëri të jemi të kujdesëshëm në biseda dhe opinione me njeri-tjetrin. Pasi
zum vend në hotel, pranë sheshit “Omonia” Pasdite dhe në mbrëmje, patëm kohë
për t’i hedhur një sy kalimthi Athinës. Sapo dola nga hoteli, hasa në trotuar
një shitës librash e gazetash.Ishte shqiptar.E përshëndeta dhe i thashë që jam
shqiptar dhe vij nga Tirana.Më priti ftohtë, ishte nervoz, dhe më dha të kuptoj
se s’donte të dinte për mua. Me siguri mendoj se unë isha ndonjë nëpunës i
qeverisë. Nuk kishte as gazeta as libra
shqip.Sheshi Omonia.Kisha dëgjuar të flitej aq shumë për të sa e mendoja si
diçka të veçantë e madhështore, por u çgënjeva,ishte një shesh I vogël, I rrethuar
nga ndërtea dhe hyrje-dalje të rrugëve nga qendra në periferi.Një shesh I
zakonshëm si ata që jot ë pakët i kemi në lagjet e Tiranës.Përfitojmë nga koha,
drejtohemi për në Akropol, që të takohemi me lashtësinë dhe mitet. Para
parlamentit, një ndertesë me arkitekturë klasike, mbi të cilën valëvitet
flamuri shtetëror, fasada me kollonada, kanë qëndruar turistët. Duket se diçka
presin. Qëndrojmë dhe ne.Pas pak një spektakël jo i zakonshëm, ndrrimi i
rojave, me veshje evzonësh: fustanella të shkurtëra, kalca të bardha lidhur me
gajtan me xhufka të zeza dhe këpucë me majë edhe ato me xhufka të kuqe dhe
pushkë të gjata. Hapa disi ceremonial por të pazakonshëm. Është një nga ritet
që duhet parë në Athinë si një spektakël. Kalojmë në lagjen Plaka, me emrin
shqiptar, lagja e arvanitëve, që së lashti e kanë banuar në shumicë Athinën.
Aty ruhet edhe Harku i Adrianit, i kohës romake. Ngjitemi në akropol.Mbi
shkëmbin që ngrihet mbi Athinë, në pikën më të lartë kollonat e bardha të
Partenonit. Nuk hyjmë dot sepse është në rikonstruksion, por nga lartësia e
shkëmbit duket si në pëllëmbë të dorës Athina, sa e vjetër aq edhe e re e
bardhë, e ultë, e ndarë në blloqe dhe e përshkuar nga rrugët. Në kthim, sodisim
Akademinë, edhe ajo me stil klasik, me kolonada dhe pjesa e sipërme e fasadës
trekëndore dhje statuja mermeri. Ca më larg edhe vendi i Akademisë së
Aristotelit.
Në
Athinë ke çtë shohësh, por ne e kemi kohën të kufizuar. Ecim në një rrugë drejt
verilindjes së qytetit për të parë kopshtin botanik. Në një lulishte të vogël
bie në sy busti i Napoleon Zervës , gjeneralit të zi, kasapit të Çamërisë, hero
i nacionalistëve grekë, shovinistëve dhe sillogjeve vorioepirote. Qarqet
politike të fqinjëve tanë, duke nderuar atë person gjakatar, pranojnë
genocidin autor i të cilit ai ishte dhe
bëjnë deklarimin e dalë boje “Çështja çame nuk ekziston”.Më pas, Në Artë, pashë
Monumentin e tij, veshur si ushtar, me dorën drejtuar nga Çamëria.Këto pamje
dhe mbajtja në fuqi e ligjit të luftës, bën që të mos ndjehem si në një vend
mik dhe të jem i rezervuar në biseda dhe deklarime.
Udhëtojmë
me autobus nga Atika drejt jugut, vendmbrritja është qyteti Kyparisia në
jugperëndim të Peloponezit në krahinën e Mesinisë. Udha është e gjatë. Na jepet
rasti që të sodisim vendet nga kalojmë.Mbi kodrat e buta ngrihen fshatrat e bardha, si buqete lulesh, ne qender te tyre
lartohen kambanoret me kryq. Peisazhi mesdhetar, kodra të ulëta me ullinj, të
tjera djerrina me bimë të makies, prrenj
pa ujë me shtrete të tharë dhe dielli me ndriçim të fortë e qielli i kaltër.
Kur kaluam mbi kanalin e Korintit, qëndruam
në bregun tjetër për të soditur
kanalin që ishte hapur në shkëmbin e çarë dhe që lidhte detin Jon me detin Egje. Një
kafe ishte rasti për tu çlodhur.Pronari, burrë në mesmoshë, kur dëgjoi që
fjaloseshim shqip, u afrua dhe na përshëndeti shqip.E pam të habitur. Na tha se
ishte arvanit, dhe se gjysma e fshatrave në të dy anët e kanalit ishin
arvanitas të Moresë.Fliste një shqipe sit ë dialektit të çamërisë, port ë
përzier me fjalë të greqishtes, por na kuptonte mirë. Mu kujtua kënga e
arbëresheve të italisë “Moj e bukura more”. Ata e quanin morenë si atdhe të
tyre, pasi andej u shpërngulën për në brigjet italiane pas pushtimit turk. More
quhej nga venecianët Peleponezi, pasi në hartë kishte formën e gjethes së
manit. Përshkojmë Peleponezin dhe mbrëmanet sosim në Kiparisia. Qytet i vogël,
me 5100 banorë,buzë gjirit me të njëjtin emër të detit Jon dhe rrëzë kodrave,
me port dhe dy plazhe të bukur.Mbahet me aktivitete bujqësore. Edhe këtu,
vrejmë se shfrytëzohen më së miri kushtet mjedisore,toka bujqësore, klima e
butë, pranvera e hershme, ndriçimi i bollshëm diellor që kushtëzon hershmërinë
e prodhimeve. Vizituam bashkësitë bujqësore, specialiteti I tyre është
kultivimi I shalqirit për eksport, Lulet(trëndafilat) dhe vaji I ullirit. Një
bujqësi e industrializuar e vënë kryesisht në shërbim të eksportit. Ishte
qershor dhe kishte filluar eksporti i shalqirit, kryesisht në vendet e lindjes.
Vizituam një qendër të prodhimit të fidanave të shalqirit nëpërmjet shartimit
mbi kungullin e egër, për të shmangur infeksionin nga trakeomikoza, një
sëmundje kërpudhore që merret nga toka, bllokon enët përçese dhe than bimën.Në
tryezat e punës, punonin gra, të shumtat shqiptare.U përshëndetëm. U gëzuan që
na panë.Këtë teknologji e futëm edhe ne në Divjakë. Në ditët në vijim, vizituam
një fabrikë të madhe vaji në Koroni,një shpellë në nivelin e detit, me bukuri
fantastike me stalagtite,të ndriçuar me llamba elektrike, që e përshkuam me
varka.Ditën tjetër shkuam në Kallamata, qyteti fundor I Peleponezit, që nga
lart ngjante me Vlorën.Kallamata është e dëgjuar për ullirin e tryezës dhe
fiqtë e thatë……
Shumë
nga shokët tanë, shfrytëzuan ditët e bukura, u rrezitën në
diell dhe notuan në plazh. Një
pasdite, agronomi vendës që na shoqëronte,Antonis Parasqevopulos, na ftoi për
një kafe në belvedern mbi qytet.Mora
gratë që ishin pjesë e grupit dhe përkthyesin tonë të greqishtes. Antoni,Kishte
marrë edhe zonjën e tij.E re, e hijshme
dhe me veshje korrekte. Na e prezantoi me emrin
Besa. U habitëm. I tham se ky ishte emër shqiptar. Po tha ai, zonja
kishte lindur në një fshat ku kishte edhe arvanitë dhe kumbari i kishte vënë
atë emër!Bëm sikur e besuam, por nga zhvillimi i bisedës vura re që Besa
kuptonte shqipen, por nuk e tha që ishte arvanite.Ndryshe nga greket zeshkane,
ajo ishte bardhoshe bukuroshe. Porositëm akullore. Pas disa dit shoqërimi ishte
rasti për një bisedëmë të afërt njohëse.
Në fillim biseda nuk po ecte. Zgjodha si temë
ato që dija për historinë, artin, filozofinë dhe gjithë sa dija për
Greqinë. E nisa me mitologjinë pstaj me Homerin, Iliadën dhe Odisenë, tragjikët
Eskilin, Sofokliun,Spartën dhe spartanët, për filozofët Sokratin,Aristotelin,
Platonin, Termopilet, heroizmin e Leonidës , për rolin dhe heroizmin e
arvanitëve ne luftën për pavarësinë e Greqisë: Marko Boçarin, Miaulin,
Kollokotronin, Bubulinën.Thashë se veç lashtësisë, tek ne njiheshin edhe
artistët dhe poetët e kohëve tona: nobelistet Seferis dhe Elitis, se janë
përkthyer poetë të njohur dhe prozatorë si Kazanzaqis, Ludemis. Aktorja Irena
Papas,partnere e bekim Fehmiut në rolin e Penelopës te Ulisi, Melina Merkuri,
muzika e Teodorakis etj. Zoti Parasqevopulos, dëgjonte paksa me habi, ka të
ngjarë që ca gjëra i dëgjonte për herë të parë prej nesh. Kur unë mbarova
bisedën, ai buzëqeshi si i zënë në faj. Më përgëzoi për dijet e mia por më
kërkoi falje që ai nuk kishte njohje dhe thuajse nuk dinte asgjë për vendin
tonë.Mungesën e njohurive për vendin tonë e vrejta dhe herë të tjera në takimet
që patëm në udhëtimin tonë.Megjithse vende fqinj, ata dinin vetëm emrin Alvania
për Shqipërinë dhe alvanos,për shqipëtarë dhe kaq! Kjo e bëri atë të mendojë se
unë duhet të isha ndonjë nëpunës i Ministrisë së Jashtme,ose të inteligjencës,
që isha vënë në krye të grupit dhe që hiqesha si agronom! Këtë dyshim ja
shprehu përkthyesit tonë, i cili ja hoqi ato dyshime.
U
nisëm nga Kiparisia drejt veriut.Udhës ishte Olimpia e lashtësisë ku
zhvilloheshin lojrat olimpike. Qëndruam dhe e soditëm.Stadiumi, statuja,
kollona mermeri. Aty fliste lashtësia.I thirra imagjinatës dhe përfytyrimit, e
mbusha stadiumin plot me atletë, midis tyre edhe ilirë. Objekti ishte i
vizitueshëm nga turistët, gjetëm aty edhe të tjerë. Blem një komplet
kartolinash me pamje të Olimpias dhe vijuam udhëtimin për të mbrritur në
Kavallë. Udhës, në një pllajë mali binte në sy një shtatore me përmasa të
mëdha.Pyetëm z.Krustalis se e kujt ishte ajo shtatore. Ishte e Kollokotronit. I
tham se Kollokotroni(Bythëguri) ishte arvanit, shqiptar. Nuk e di, u përgegj ai
–dhe pas pak shtoi, ku ta dish edhe ndoshta. Me aq mbeti përgjigja. Nuk u vjen
mirë të dëgjojnë që arvanitët janë shqiptarë. Të lodhur nga udha, mbrrijmë në
Kavallë qëndër e grumbullimit dhe përpunimit të duhanit. Qëndruam një ditë,
vizituam qëndrat e depozitimit të duhanit dhe fabrikat që prodhonin cigaret
Karelia, me të cilat ishte i mbytur edhe tregu ynë. Kultivimi i duhanit tek ne
u katandis në hiç, kurse fabrikat e cigareve u shkatrruan, dhe tregu mbeti i
hapur për prodhimet e huaja, në shumicë greke.
Të
nesërmen, udhëtojmë për në janinë, që do të jetë ndalesa jonë e fundit. Në
patra, morëm tragetin që do të na hidhte në bregun tjetër, atëhere s’ishte
ndërtuar ende ura që do të lidhte dy brigjet. Po hynim në Epir. Në Mesolongj,
hasëm përmendoren e Marko Boçarit, çamit suliot, marko trimit,heroit, emri i të
cilit është kthyer në legjendë. Përpara kemi Artën. Ajo çfaqet pas gjelbërimit
të baçeve me agrume:portokalle, limona, mandarina.Qyteza është rrëzë kodrës,
nën kala. Rruga e përshkon mespërmes dhe e ndan qytetin në dy pjesë.Në kala
ngrihett një kullë katrore e lartë. Qyteti ka 27 mijë banorë. Ky qytet ka bërë
histori dhe ka hyrë në historinë tonë. Kryeqytet i Pirros së Epirit. Thonë se
pushtuesit romakë, morën prej aty dhe i nisën në romë 1000 statuja! Arta , tokë
shqiptare kryeqëndër e princit shqiptar Gjin Bua Shpata. U aneksua nga shteti
grek në vitin1881. Ky ishte fillimi i zbatimit të megalidesë në veri, drejt
tokave shqiptare. Qëndrojmë për një kafe. Në tryeza ulur vendës të moshuar, me
kapela dhe mustaqe të plota, që më kujtojnë pleqtë tanë. Kur dëgjojnë bisedat
tona shqip, bëhen sy e veshë.Me siguri
janë çam ortodoksë, që kuptojnë e flasin shqip ,por që nuk guxojnë. Mbi lumin,
që grekët e quajnë Arakthos, ngrihet ura legjendare e Artës, në themelet e së
cilës ,legjenda thotë se u muros njera nga nuset e urëndërtuesve dhe se ende dëgjohen rënkimet e
saj. E di atë baladë dhe qëndroj e sodis urën. Ajo ruhet por nuk përdoret më,
ca më larg saj është ndërtuar ura e re.Këto mbresa mi trubullon pamja e statujës
së Napoleon Zervës, me veshje ushtari,kapotë të gjatë, fytyrën mbuluar nga
mjekra, me dorën drejtuar nga veriu, për në Çamëri, ku ai bëri atë masakër
rrënqethëse që s’ka për tu harruar asnjëherë.
Dita
është e bukur, e kthiellët dhe me dritë, më duket si një ndriçim i veçantë i
tjetërsojtë, ndjehem mirë dhe i emocionuar, ca më tej janë viset e
Çamërisë(Thesprotisë), ku janë rrënjët e mia.Po të shkel në truallin e saj, më
duket se do të marr forcë si Anteu. Mbrrijmë në Janinë, dikur kryeqëndër e vilajetit
me të njejtin emër.Vendosemi për të bujtur në hotel “Pirro”, në qëndër të
qytetit, anës rrugës qëndrore që shërben edhe si boulevard ku janinjotët
shëtisin mbrëmjeve, si ne dikur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Janina ra
nën pushtimin grek në mars të vitit 1913.Në Bezhan, pesë mijë vullnetarë çam
dhe të Lumit të Vlorës,perballuan rrethimin në kushte të vështira pesë muaj.Aty
ra dëshmor gjyshi im Osmani. Këto vise janë larë me gjak shqiptar.
Në
ditët vijuese, erdhën profesorë të ekonomisë nga Universiteti I Janinës dhe
zhvilluan tema mbi ekonominë e tregut dhe rolin e bashkësive kooperuese.
Organizuan për ne edhe dy ekskursione, njeri për të parë kanionet e malësisë së
Pogonit dhe tjetri në Kacika ku ishte qëndra e përpunimit të qumshtit dhe djathit
të bardhë, per të cilin greqia ka marrë të drejtën ekskluzive për ta quajtur
“Feta”, por që s’ka gjë të veçantë nga djathi ynë i bardhë.
Patëm
kohë për të vizituar qytetin. Shëtitëm buzë liqenit, shkuam në ishullin e Shënpandalejmonit, ku Ali Pashait i prenë
kokën dhe ja nisën në Stamboll si thotë ajo këmga e njohur ndër ne:”Koka në
stamboll e trupi në Janinë”. Vizituam edhe muzeun kushtuar pashait
zulmëmadh,Brenda mureve të kalasë, ku gjenden edhe varret dhe xhamia, por
thuajse në një lartësi me minaren, arrin shtiza e flamurit ku valvitet një
flamur I madh i shtetit grek, për ti treguar vizitorit se aty është tokë
greke!. Kemi durim dhe dëgjojmë spjegimet e folëses, në të cilat dëgjojmë ca të
pavërteta. I themi se Ali Pasha ishte shqiptar nga Tepelena dhe se në oborrin e
tij u rritën dhe u formuan disa nga drejtuesit e revolucionit grek. Atë si ta
kishte pickuar gjarpëri, kundërshtoi dhe tha se ai ishte një pasha turk, që i
doli i pabesë sulltanit të tij. Brënda muzeut, ishte një statujë e Vasiliqisë,
gruas së pashait që i ngjante më shumë një manekini. Edhe për të i thashë se
ishte vajzë çame nga fshati Pleshavicë dhe quhej Vasilikë. Ajo më kundërshtoi:
në Thesproti nuk ka patur ortodoks
alvanos, por vetëm grekë,sa për myslymanët, dihet, ata ishin turq dhe se
Epiri, që kur e njeh historia është tokë greke! Ishte e kotë. Për të fjala
Çamëri dhe Shqipëri ishin alergjike. Për këtë qëndrim, patëm edhe raste të
tjera: hym në një shitore.Pronari, kur dëgjoi që flisnim shqip, na u afrua dhe
me një të folme të pastër të Çamërisë, na ftoi të blinim sepse ai kishte mallra
të mira e të lira, mund të na bënte dhe ulje. Je çam kristian, e pyeta. Bah
ç’është ajo fjalë, jam grek.Po si e flet kaq mirë shqipen? Po ja e kam mësuar
ca nga ti, ca nga një tjetër, ashtu, copa copa, se ma kërkon zanati. Jo, e
kundërshtova, kjo që flet ti është gjuhë mëme. Ai u mendua pastaj mu kthye: jam
nga fshatrat e Pindit. Në behar vinin vllehët nga Çamëria që flisnin shqip dhe
e mësova edhe nga ata. Nuk e zgjata më.Ishte e kotë. Frikësohen të deklarojnë
kombësinë dhe u ruhen pasojave që mund të kenë. Dihet, edhe pse i ka, Greqia
nuk i njeh minoritetet.
Mbrëmanet,
shëtisnim edhe ne në bulevardin qëndror që shkëlqente nga dritat. Anash ishin
me dhjetra shitore dhe punishte argjendarie. Stolitë, e argjendta, të vendosura
mbi kadife të zezë, rrëzëllenin nën ndriçimin e neonit.Më bëri përshtypje
bukuria e vajzave në shëtitore, shtat hedhura,belholla, bardhoshe,qafa si e
mjellmave. Para do kohësh, kisha lexuar librin e Kazanzaqisit ”Letër el
Grekos”, ku dhjetra faqe i kushtoheshin Helenës spartanes së famshme,që u quajt
e Trojës. Shkrimtari, me emfazë dhe frymëzim e trajton jo vetëm si bukuri, por edhe si frymë
dashurie, e kudogjendur në femrat e tokës greke. Por të jem i sinqertë, në
gjithë atë udhëtim, nuk hasa ndonjë “Helenë”. Në Janinë vashat ndrinin nga
bukuria dhe hijeshia. Me takt, ja shpreha këtë z. Krustalis.”Ç’është gjithë kjo
bukuri?” Ai buzëqeshi “Janë epirote, është bukuria çame, studente në
universitetin e këtushëm”.
Udhëtimit
i erdhi fundi. E bukur Greqia, por mua më ushtonin në vetëdije fjalët dhe
melodia e këngës së njohur ”O ku ka si ti,
o Shqipëria ime”.Në aeroportin “Mbreti Pirro”,(edhe pse ne e kemi tonin
mbretin Pirro, nuk i kemi ngritur asnjë përmendore apo ti përkujtojmë
emrin,grekët po, që ta bëjnë të tyrin.) Morëm një aeroplan të vogël të linjave
të brendshme që na zbriti në aeroportin e Athinës, e një Boeing i Olimpikut do
të na çonte në Tiranë.Kur hyri në qiellin shqiptar, aeroplani psoi një difekt,
nuk zbriti në Rinas, por mori anëdetin dhe u drejtua për në jugë. U shqetsuam
dhe pyetëm çpo ndodhte. Ekuipazhi dhe stjuardesat na thanë se ishte një problem
pa rrezik dhe se do të zbrisnim përkohësisht në Korfus. Ashtu u bë. Qëndruam dy
orë atje, deri sa u riparua difekti, u bë furnizimi me karburant dhe u nisëm e
mbrritëm në Rinas.
Tiranë,më
10 mars të motit 2020.