Mendime
Enver Bytyçi: Pse teza e Lubonjës për aksionet e NATO-s në Kosovë është joreale?!
E hene, 09.03.2020, 07:47 PM
Pse teza e Lubonjës për aksionet e NATO-s në Kosovë është joreale?!
Nga
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi
Fatos
Lubonja ka leçit një koment analizë të tij në gazetën “Panorama”, në të cilën
ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë e trajton si një “luftë për interesat amerikane”!
Ai shkruan se “Ka shumë të dhëna që tregojnë se, përtej retorikës humanitare,
bombardimet u kryen më së pari dhe kryesisht për interesa amerikane”. Ndërkohë
arrin në këtë konkluzion bazuar në të dhëna të njëanshme, të cilat i merr nga
një libër i autorit Naom Chomsky, të cilin e quan inteketualin më të madh të
kohës, qëllimisht që t’i jape vlerë mbështetëse konkluzionit të tij të gabuar
dhe joreal.
Në
fakt nuk është vetëm Lubonja ai që bombardimet e NATO-s për Kosovën i vlerëson
nga pikëpamja e interesit amerikan. Ka plot autorë të tjerë perendimorë, të
cilët mbrojnë të tilla pikëpamje. P.sh Tania Noctiummes dhe Jean Pierre Page i
quajtën aksionet ushtarake të NATO-s në Kosovë si “Luftë imperialiste për
vendosjen e rregullit të ri botëror”, si “të parin agresion të NATO-s kundër
një vendi sovran” dhe i lidhën këto aksione me “qëllimet amerikane për të
shtrirë sundimin e SHBA-ve në të gjithë globin”. Këta dy autorë abuzonin me
Doktrinën Clinton të vitit 1993, doktrine e cila sipas Këshilltarit të Sigurisë
Kombëtare Amerikane, Anthony Lake, synon të përhapë demokracinë dhe ekonominë e
tregut në të gjithë botën.
Po
kështu Sami Amin shkon më tej kur shkruante se “Washingtoni me këto bombardime
dëshironte të terrorizonte gjithë botën…”.Ndërsa Noctuimes dhe Pierre i
përmbahen tezës se caqet serbe të ushtrisë e policisë u bombarduan për shkak të
shtrirjes së influencës amerikane deri në vendet e Kaukazit, Amin shkon më tej,
duke e konsideruar ndërhyrjen në Kosovë të pranverës së vitit 1999 si luftë
imperialiste.
Fatos
Lubonja i referohet një literature si kjo, kur citon majtistin Naom Chomsky.
Dhe këtë tezë ai e përdor për t’u bërë thirrje shqiptarëve të heqin dorë nga
mirënjohja e shqiptarëve për amerikanët, duke nxit madje një lloj
antiamerikanizmi të papërligjur tek ata. Ajo që dua të them ka të bëjë me
faktin se analistë të formatit të Lubonjës nuk gabojnë rastësisht. Pa dashur të
linçoj aspak konceptet, teoritë, tezat, pikëpamjet, idetë që zoti Lubonja
trajton në punimet e tij analitike, më duhet të ndërhyj në këtë rast, sepse
shqiptarët nuk e meritojnë keqinformimin.
Më
duhet të dëshmoj me fakte lajthitjet e Fatos Lubonjës në atë shkrim, janë të
dëmshme. Dhe cilat janë lajthitjet e tij në këtë rast?
Së
pari, nuk është e vërtetë se bombardimet e NATO-s ndodhën kryesisht për shkak
të interesave amerikane. Për këtë Lubonja duhej të konsultohej me burime dhe të
dhëna të tjera, përveç preferencave të tij të njëanshme. Presidenti Bill
Clinton në fjalimin e tij para kombit amerikan të dates 24 mars, kur filluan bombardimet,
theksoi tre objektiva: 1. Që NATO të dëshmojë se është kundër agresionit të
Milosheviçit dhe synon paqen, 2. Se Milosheviçit i duhet bërë me dije se duhet
të paguajë një çmim për sulmet e tij kundër njerëzve të pambrojtur. 3. Se duhej
reduktuar dhe dobësuar aftësia ushtarake e Serbisë, me qëllim që ajo të mos
mund të cënojë paqen e sigurinë në rajon në të ardhmen. Ndërkaq Clinton theksoi
faktin se Milosheviçi pas dhjetramijë viktimave që shkaktoi në Kroaci e Bosnjë,
tashmë po terrorizon dhe kryen krime ndaj shqiptarëve në Kosovë. Në fund të
fjalës së tij, Clinton shprehej qartë: “Në fund të shekullit XX, pas dy
luftrave botërore dhe një lufte të ftohtë, Aleanca dhe ne kemi shansin t’u lëmë
fëmijëve tanë një Europë në paqe e stabile”.
Nuk
besoj se ka njeri me minimumin e logjikës që nuk i merr për të vërteta këto
argumente. Me siguri zoti Lubonja nuk i ka konsultuar të tilla burime. Por
mundësitë i ka pasur që ta bëjë këtë. Dhe në shtesë të këtyre fakteve më duhet
të përmend dhe disa të dhëna të tjera, gjithnjë në funksion të argumentit se
bombardimet e NATO-s kundër Serbisë u zhvilluan kryesisht për arsye të tjera
nga ajo që përmend Lubonja.
Sekretari
I Përgjithshëm I NATO-s, Havier Solana i argumentoi sulmet ajrore të NATO-s me
faktin se Milosheviçi nuk kishte pranuar të zbatonte disa rezoluta të mëparshme
të KS të OKB-së. Përkundrazi kishte filluar një ofensivë ushtarake kundër
popullsisë civile e jo vetëm kundër UÇK-së. Nga ana tjetër, Miloshiviçi kishte
përgatitur një projekt për spastrimin etnik të Kosovës, projekt i cili kishte
rënë në duart e ministres së Jashtme të Bullgarisë dhe ajo ia kishte dhënë
personalisht Joschka Fischer në Berlin. Bazuar në këtë dokument si dhe në
veprimet ushtarake të Serbisë në terren, SHBA-të dhe NATO prisnin një konflikt
të përmasave më të mëdha sesa ai i Bosnjës. Kësisoj katastrofa humanitare do të
ishte e pashmangshme dhe konflikti mund të përhapej në gjithë rajonin, duke
përfshirë Turqinë, Greqinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Situata
në terren dhe argumentet e liderëve të shumtë euro-amerikanë na japin të dhëna
të mjaftueshme se ndërhyrja ushtarake në Kosovë u bë për shkaqe himanitare dhe
të sigurisë europiane. Pra fushata ushtarake ndodhi jo aq për interesa të
Amerikës, sa për interesat strategjike të paqes, stabilitetit dhe integrimeve
që kishte Europa. Për këtë arsye vendimi për këtë fushatë ushtarake u mor me
konsensus të plotë të 19 vendeve anëtare të asaj kohe të Aleancës Atlantike.
Së
dyti: Nëse pranojmë tezën e Lubonjës për interesa amerikane në Kosovë e rajon,
atëherë do të duhej të pohonim se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë nuk ishte
legjitime nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Por e vërteta qëndron krejt
ndryshe dhe zoti Lubonja i ka aftësitë të konsultohet edhe sa i përket këtij
aspekti. Për të argumentuar pohimin e mësipërm duhet përmendur fakti se para
fushatës ushtarake ajrore bashkësia ndërkombëtare kishte provuar ta
parandalonte atë dhe konfliktin në Kosovë ta zgjidhte me mjete diplomatike.
Ishte rikrijuar Grupi i Kontaktit, u organizua Konferenca e Rambujesë. Ndërkohë
Këshilli i Sigurimit të OKB-së kishte prodhuar tri rezoluta, me të cilat
dënonte dhunën dhe bëri thirrje për ndalimin e luftimeve. Pavarësisht kësaj,
Milosheviçi nuk i përfilli këto rekomandime dhe rezoluta.
Një
nga rezolutat e KS të OKB-së, ajo e 23 shtatorit 1998, autorizoi NATO-n të
përgatitej për ndërhyrje, por nuk e autorizoi këtë ndërhyrje. Përgatitja për
ndërhyrje u bazua për shkak se në resolute theksohej, se konflikti rrezikonte
të shkaktonte një katastrofë humanitare dhe të përhapej në rajon. Në të dy këto
raste, sipas kapitulli VII të Kartës së OKB-së, Këshilli i Sigurimit duhej të
autorizonte edhe përdorimin e forces ushtarake. Por kur erdhi moment i
përdorimit të kësaj force, Rusia kundërshtoi e paralajmëroi veto. Ndaj NATO
veproi pa një autorizim të KS të OKB-së, të cilin e kërkon neni 52 i Kartës së
OKB-së.
Ka
njëmijë arye e fakte të tjera, me të cilat mund të provojmë faktin se
bombardimet e NATO-s kundër Serbisë ishin legjitime nga ana e frymës dhe
logjikës së ligjit ndërkombëtar, por ilegjitime nga pikëpamja e nenit 52 të
Kartës së OKB-së, i cili kërkon një vendim unanim të Këshillit të Sigurimit për
përdorimin e forces. Iligjitemiteti formal ka të bëjë me interesat ruse në
rajonin e Europës Juglindore. Kjo do të thotë se mosndërhyrja i shërbente
interesave strategjike të Rusisë, ndërkohë që ndërhyrja do të duhej të
parandalonte influencën dhe praninë ruse në këtë rajon.
Së
treti, Lubonja duke pohuar se ndërhyrja në Kosovë kishte si shkak interesat
amerikane, automatikisht justifikon tezën, sipas së cilës lufta në Kosovë ishte
e padrejtë. Kjo do të thotë të justifikohet dhuna e terrori serb në Kosovë. Të
justifikohet gjithçka që Milosheviçi dhe bashkëpunëtorët e tij që sot drejtojnë
shtetin në Beograd kanë bërë kundër shqiptarëve.
Ka
pasur dhe në atë kohë kundërshti ndaj bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë,
duke u thirrur në të drejtën sovrane të Milosheviçit për t’u sjellë mizorisht
me shqiptarët në Kosovë. D.m.th kishte nga ata që pranonin dhunën e
Milosheviçit kundër shqiptarëve, ndërkohë që kundërshtonin “dhunën” e NATO-s
kundër terrorit serb në Kosovë. Qendra e kësaj veprimtarie ishte Moska. Por dhe
në Perendim pati lëvizje anti-NATO gjatë kohës së bombardimeve në
ish-Jugosllavi.
Në
një protestë të Lëvizjes Gjermane për Paqen në Berlin, ndërsa protestuesit
gjermanë thërrisnin kundër këtyre bombardimeve të NATO-s në Serbi, grupet serbe
rë protestës thërrisnin parullat “Vdekje shqiptarëve”, “ShqiptariiI mire është
shqiptari i vdekur” e të tjera parulla raciste e genocidiale. Lubonja me tezën
e tij ndihmon padrejtësisht rehabilitimin e rracizmit serb. Konstatimi i tij se
NATO ndërhyri në Kosovë për interesat amerikane i nxjerr në plan të dytë e të
tretë ë vërtetat pse njëmendësisht ka ndodhur ajo ndërhyrje.
Për
të gjitha këto arsye duhet kundërshtuar me force çdo përpjekje për të dëshmuar
të pavërtetat gjatë trajtesave që bëhen për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. E
vërteta nuk qëndron aq në pohimet e inteketualëve të shquar në botë, sa te
realiteti që ne e njohim gjatë asaj periudhe. Janë më së shumti kronikanët e
luftës në Kosovë, ata që na ndihëmojnë për ta njohur realitetin. Ndër ta mund
të shquaj Erick Rathfehler, Renato Flotau e shumë të tjerë gazetarë të huaj, të
cilët na kanë lënë dëshmi prekëse për ato që kanë ndodhur në Kosovë gjatë
viteve 1998-1999.
Psh
gazetari dhe publicist i njohur gjerman, Rolf Paasch, duke qenë vetë dëshmitar
i asaj çfarë kishte ndodhur në Kosovë, në ditët e fundit të luftës shkruante se
“Mund të thuhet se Peja nuk ekziston më. Ajo është Hiroshima e Europës”! Dhe
shtonte se “Kush akuzon NATO-n për dëbimet massive, ai ngatërron shkakun me
pasojën. Nuk mund të ketë paqe të dhunshme pa kosto me një kriminel lufte më
shumë se të dyshuar”!
Referenca
ndaj së vërtetës është kusht dhe detyrim i atyre që marrin përsipër të
shkruajnë për historinë. Dëshira për ta vënë dhunshëm të shkuarën në funksion
të një realiteti të mëvonshëm nuki ndihëmon të vërtetës. Këtë aksiomë duhet ta
ketë mësuar zoti Lubonja, por mesa duket për shkaqe të tjera ka lejuar të rrëshqasë
në këtë lloj interpretimi të gabuar të ngjarjeve që çuan në çlirimin e Kosovës.
SHBA-të
kanë rolin kryesor në ato ngjarje, ndaj mirënjohja është, duhet të jetë e do të
jetë për ta. Por mirënjohja duhet të shkojë edhe për Britaninë e Madhe,
Gjermaninë dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s, madje përfshirë edhe Greqinë!
Ndërkaq individualisht meritat u shkojnë presidentit Clinton, sekretares
Ollbright, komandantit Clarc, diplomatit Holbrook, kryeministrit Blair,
ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Joschka Fischer e atij të mbrojtjes,
Rudolph Scharping, si dhe shumë të tjerë udhëheqësve të Aleancës, deri te James
Jea!
Eshtë
tjetër gjë arsyetimi, nëse Grenell e të tjerë politikanë të sotëm amerikanë
vazhdojnë traditën e këtyre personaliteteve të asaj kohe. Për këtë jam dhe unë
skeptik e dyshues. Por kjo nuk mund të shërbejë si shkas për të mos patur
mirënjohje e madje të thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çlirimin
e Kosovës e jo vetëm për këtë!
Tiranë, 05.03.2020
Ekskluzive për gazetën
“Bota sot”!