Kerko: a
Mehmetali Rexhepi: Copëza kujtimesh për veprimtarin Halil Kqiku (1962-2020)
E premte, 31.01.2020, 10:07 PM
IN MEMORIAM
COPËZA KUJTIMESH PËR
VEPRIMTARIN:
HALIL KQIKU (1962-2020)
Nga
Mehmetali Rexhepi
Një
ndjenjë trishtimi më kaploi, sapo mora lajmin për vdekjen e veprimtarit Halil
Kqiku! Kam dëgjuar kohëve të fundit për sëmundjen e tij të rëndë... Dëshiroja
se mund të mjekohej dhe të rikthehej ai Halil dinamik, sikurse e kam njohur nga
afër, por... Vdekja paska qenë më e shpejtë se sa shpresa ime dhe ajo e më të
dashurve të vet?!
Halili
përfaqësonte veprimtarin e qëndresës vepruese, jo pasive... Para luftës së
hapur të UÇK-s ishte vazhdimisht në lëvizje, në çdo nismë: qoftë kulturore,
qoftë në fushatën e Pajtimit të Gjaqeve,veçmas në Trevën e Luginës së Moravës,
në Gjilan me rrethinë, Dardanë(Kamenicë) dhe Viti përreth... Po ashtu, në
nismat kulturore e humanitare në Preshevë, Bujanoc e Tërnoc të Madh, kudo ishte
prania vepruese e Halil Kqikut të palodhshëm, të djersitur, të pluhurosur,
gjithnjë në kërkim, në lëvizje, me veturë, të cilën pothuaj se e kishte
shkatërruar, me ecje të shpejta në këmbë ku nuk mbërrinte vetura e tij, për të
kryer ndonjë shërbim, ndonjë ndihmesë, ndonjë porosi, ndonjë ftesë për tubim
protestues, për ngritje të masës, për pajtime, për ndriçime figurash të
anatemuara, veprimtarësh kombëtarë të damkosur të luftërave kombëtare për
pavarësi nga pushtuesit turq e pasuesit tjerë, edhe më të egër se sa turqit
-serbët gjakatarë...
Periudhës
së mosbindjes qytetare së shtetit shtypës të Serbisë, i duheshin personazhe të
tillë të përkushtuar si Halil Kqiku... Asnjëherë nuk e mbaj mend Halilin, as në
rrethanat e përndjekjes së përgjithshme, as të tijës posaçërisht, të
dëshpërohej, të humbte toruan, të mos vijonte ecejaket e qëllimeve të qëndresës-rezistencës
vepruese (aktive), t`iu largohej veprimeve të paracaktuara... Ndërmarrjet e
tij, natyrisht nuk ishin nisma e veprime
stihie, ngase duhej të kujdesej për të mos u kapur "me pelë për
dore". Megjithatë, nuk i shpëtoi “bisedave informative” dhe burgosjes nga
UDB-ja
Halil
Kqiku ishte i pasionuar pas figurave meritore të artit figurativ, andaj me
vullnetin e tij të pathyeshëm, edhe kur sëmundja tek ai kishte shfaqur shenja
armiqësie për ta mposhtur, kishte përgatitur monografinë meritore për piktorin
tonë të çmuar në diasporë Gjelosh Xhokajn. Këto janë vetëm disa copëza
fragmentesh për bashkëveprimtarin energjik dhe të urtë, të çmuarin Halil Kqiku,
që sapo kaloi në amshim! Qoftë i ndritur kontributi i tij i sinqertë për lirinë
dhe demokracinë e kombit të vet!
Lamtumirë
Halil Kqiku!
Kujtimi
i shëmbëlltyrës tënde bëftë dritë në
breza!
Gjilan, më 31 kallnor
2020