Kerko: a
Sevdail Hyseni: Intervistë me Xhemaledin Salihun
E diele, 26.01.2020, 02:34 PM
Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Luginën e Preshevës
Lugina
e Preshevës është një minierë e pasur e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Që nga kufiri shqiptaro-shqiptar në Tabanoc, ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë,
në të dy anët e Autoudhës në rrugëtimin e saj për Bujanoc, në të djathtë dhe në
të majtë të saj gjenden lokalitete e objekte arkeologjike, nekropole, kisha të
vjetra ilire, katolike e ortodokse shqiptare. Presheva me rrethinë, është një
prej viseve më të bukura shqiptare, që shtrihet nga lindja e Kosovës e deri në
jug të Serbisë, me një të kaluar të begatë të trashëgimisë kulturore
shpirtërore e materiale, thotë me krenari Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës
për Trashëgimi dhe krijimtari kulturore në Luginën e Preshevës, një veprimtar i
devotshëm , i cili merret me hulumtimin, kultivimin, promovimin dhe afirmimin e
trashëgimisë kulturore, duke organizuar konferenca shkencore e duke botuar e
publikuar kumtesa e libra shkencorë, për të cilat është nderuar me dekorata,
mirënjohje dhe certifikata të shumta.
Nga
Sevdail Hyseni
Zotëri Salihu, si paraqitet gjendja e trashëgimisë kulturore në Luginë të Preshevës dhe
çfarë hapash ndërmerren për përparimin e saj?
Xhemaledin Salihu: Gjendja e kulturës shqiptare në përgjithësi e
sidomos ajo në fushën e trashëgimisë kulturore, paraqitet e vështirë e me tendencë të keqësimit të
mëtejmë. Fondet komunale dhe ato republikanë, të cilat ndahen për zhvillimin,
afirmimin dhe përurimin e kësaj sfere nga më të ndjeshmet e shoqërisë sonë,
janë të cekëta, të ulëta, madje edhe pa kuptim. Nuk mund të zhvillohet kultura
shpirtërore e materiale me ato pak para, nga të cilat vështirë të sigurohet
zyra e veprimit e lere më të zhvillohet ndonjë veprimtari në këtë drejtim. Duke
patur parasysh rëndësinë e madhe e të pazëvendësueshme të kulturës materiale e shpirtërore, për mirëqenien kombëtare e civilizuese të shqiptarëve të
Luginës së Preshevës, duke u thirrur në të drejtën e patjetërsueshme të ruajtjes së identitetit
kombëtar e njerëzor, duke pasur parasysh Konventat botërore mbi trashëgiminë
dhe krijimtarinë kulturore, sepse edhe kultura shqiptare është pjesë e kulturës
civilizuese europiane, formuam Shoqatën për Trashëgimi dhe Krijimtari
kulturore, me të vetmin qëllim të identifikimit, hulumtimit, evidentimit,
kultivimit, mbrojtjes dhe ruajtjes të trashëgimisë kulturore e natyrore, si dhe
kultivimit e zhvillimit të krijimtarisë kulturore. Kjo shoqatë, përkundër
vështirësive financiare, po mundohet ta mbajë gjallë frymën e trashëgimisë
kulturore në këto hapësira të etnikumit shqiptar të quajtur Luginë e Preshevës,
një shtyllë e fortë e Dardanisë.
Flitet se trashëgimia kulturore në Luginë të Preshevës, është një minierë e
pasur, jo mirë e shfrytëzuar. Sa ka të vërteta në këto konstatime?
Xhemaledin Salihu: Po, është e vërtetë, Lugina e Preshevës, posedon një
pasuri të begatshme të trashëgimisë kulturore e natyrore. Kjo krahinë
shqiptare, nga më të bukurat dhe më atraktive të viseve etnike, përpos pozitës
së saj gjeopolitike, ka edhe pozitën arkeologjike, që nga periudha
parahistorike e antike, çka paraqet një thesar të çmueshëm të pasurisë
kulturore kombëtare, që nuk e kanë vendet përreth. Lugina e Preshevës është një
minierë e pasur e trashëgimisë kulturore shqiptare. Që nga kufiri shqiptaro-shqiptar në Tabanoc, ndërmjet
Maqedonisë dhe Serbisë, në të dy anët e Autoudhës në rrugëtimin e saj për
Bujanoc, në të djathtë dhe në të majtë të saj gjenden lokalitete e objekte
arkeologjike, nekropole, kisha të vjetra ilire, katolike e ortodokse shqiptare.
Lugina
e Preshevës, gjithashtu, është e pasur edhe me trashëgimi kulturore shpirtërore
jo material: këngë, rite të dasmës, sidomos valleve epike-lirike të Preshevës,
pasuri që rrallë i ka ndonjë krahinë tjetër shqiptare. Po edhe Mali i
Karadakut, në perëndim dhe Malit Rujan në lindje, janë përplot më objekte dhe vende
të trashëgimisë kulturore. Kështu, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari
Kulturore realizoi dy projekte në Preshevë dhe Bujanoc, ku u evidentua, u
regjistruan, u fotografuan, u incizuan afro 800 vlera të trashëgimisë kulturore
dhe natyrore. Gjithë këtë pasuri po ua lëmë studiuesve të ardhshëm për studime
të mëtutjeshme.
Presheva
me rrethinë, është një prej viseve më të bukura shqiptare, që shtrihet nga
lindja e Kosovës e deri në jug të Serbisë, me një të kaluar të begatë të
trashëgimisë kulturore shpirtërore e materiale.
Gjurmimi
Cili është angazhimi i institucioneve dhe shoqatave për
ta ruajtur dhe promovuar vlerën e trashëgimisë kulturore në këto vise
shqiptare?
Xhemaledin Salihu: Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari
Kulturore , e cila tashmë ka hyrë në vitin e 10-të të themelimit të saj, ka për
mision: identifikimin dhe evidentimin e objekteve dhe gjësendeve të
trashëgimisë, të hartojë Listën-Regjistrin e Trashëgimisë të digjitalizuar, së
bashku me datobazën, të bëjë propozimin e objekteve dhe gjësendeve
kulturore dhe natyrore që duhet të hyjnë në listën e monumenteve kulturore të
Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Nish dhe Listën e Monumenteve
Kulturore nën mbrojtjen apo përkujdesjen e Kuvendit komunal, të propozojë
hapjen e një Arkivi dhe Muzeu komunal, ku do të ruhen materialet arkivore të
Luginës së Preshevës dhe eksponatet e Trashëgimisë dhe të hartohet Harta e
vlerave të Trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Po ashtu, pjesë e këtij
misioni është edhe restaurimi, gjurmimi arkeologjike i Kalave, Shpellave etj,
të cilat janë në kompetenca të Ministrisë së Kulturës dhe Informimit në
Beograd. Kuptohet, Shoqata mund të intervenoje vetëm nëse i lejohet me shkrim
nga kjo Ministri. Në këtë drejtim Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në
Nish, ka për detyrë përkujdesjen për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe
natyrore, por ai i shpall të mbrojtura me ligjet e Serbisë vetëm ato vlera të
trashëgimisë që i plotësojnë kushtet dhe kriteret që i ka vënë Ministria
përkatëse e Serbisë. Shoqata, qe disa vjet është e interesuar që të hartohet
një listë e vendeve dhe objekteve të trashëgimisë kulturore e natyrore, që kanë
vlera dhe meritojnë të hyjnë në mbrojtje të Komunës së Preshevës, mirëpo, deri
më tani, kërkesa jonë është neglizhuar nga autoritetet komunale. Bile, për disa
vende dhe objekte kulturore si: Shpella e Ilincës, Kalaja e Preshevës, Guri i
Shpuem, kemi propozuar hapjen dhe elektrifikimin e rrugëve deri te këto
objekte, kërkesa këto, të cilat nuk janë marrë në konsideratë nga institucionet
komunale të Preshevës. E them me keqardhje se shumë objekte të trashëgimisë
kulturore shqiptare në Luginë, po
rrënohen, po prishen, jo vetëm nga natyra, por edhe nga dora e njeriut. Po i
përmendi disa nga këto: Kalaja
e Preshevës, dita-ditës , muri i saj po prishet dhe rrënohet nga individë të pa
përgjegjshëm, si dhe po ndodhin gërmime të pa lejuara dhe jo zyrtare nga
persona të pa autorizuar, pastaj Teqeja e Tërrnavës, me rastin e ndërtimit të
një restoranti për rite fetare dhe një morg ka pësuar dhe është shkatërruar
muri i saj, kështu që dera dhe muri i
hapur lejojnë që qentë të lodrojnë në Teqe, gjegjësisht në sendet e saj.
Gjithashtu, shqetësues është edhe rasti i Varrezave të Krushqve në Bukuroc, ku
nëpërmjet tyre është hapur dhe asfaltuar një rrugë, ndërsa Varri i Nuses, pjesë
e Varrezave ka mbetur i veçuar dhe Varrin e kanë mbuluar, duke ia humbur
gjurmët e lashtësisë. Për këto raste është njoftuar Enti për Mbrojtjen e
Monumenteve Kulturore në Nish dhe Inspektorati komunal, të cilat kanë intervenuar,
por nuk janë evituar rastet e tjera, të rrezikuara nga shkatërrimi i
përgjithshëm.
Përurimi
Për ta mbajtur gjallë frymën e trashëgimisë kulturore në
këto vise shqiptare, keni organizuar konferenca shkencore dhe keni publikuar
dhe botuar kumtesa e libra në këtë drejtim, apo jo?
Xhemaledin Salihu: Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari
Kulturore, në kuadër të veprimtarisë së saj ka botuar dhjetë libra me karakter
shkencor: 7 libra në autorësi kolektive, të dala nga Konferencat shkencore dhe
3 libra në autorësi individuale. E këto janë: - Çështja e valles popullore
shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe
Krijimtari Kulturore, 2011; - Dasma shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur
dhe sot,Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore 2012; -
Lugina e Preshevës në Lëvizjen shqiptare gjatë historisë, Preshevë,
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2013; - Presheva, Bujanoci,
Medvegja, dje, sot dhe nesër, Prishtinë, Instituti Albanologjik, Shoqata për
Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2015; - Shqiptarët e Luginës së Preshevës
dhe të trojeve etnike në ish-Jugosllavi, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore,
Gjilan, Kurora, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, 2016; -
Çështja e Luginës së Preshevës në dimensionin rajonal dhe ndërkombëtar: të
drejtat e njeriut, siguria dhe marrëdhëniet shqiptare-serbe, Preshevë, Shoqata
për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore 2019; - Trashëgimia kulturore
jomateriale shpirtërore e Luginës së Preshevës dhe viseve shqiptare,
Preshevë,Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore 2019; - Bujanoci-burim
i trashëgimisë kulturore dhe natyrore, Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe
Krijimtari kulturore, 2014; - Rainca-vendbanim i vjetër dardan shqiptar në
rajonin e Preshevës/ në autorësi të Xhemaledin Salihut, kryetar i SHTKK/,
Preshevë, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore 2015; - Xhemaledin Salihu, Presheva-pjesë e
pandarë e Lëvizjes kombëtare nëpër shekuj /Monografi/, Preshevë, Shoqata për
Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore 2018.
Cilat janë planet e Shoqatës në vitin 2020 dhe prioritetet e saj?
Xhemaledin Salihu: Shoqata
për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore ka hartuar një program të punës për
vitin 2020 me plotë aktivitete. Gjatë këtij viti, Shoqata, mbush 10 vjet, nga themelimi i
saj dhe planifikojmë, që në këtë jubilar të nxjerr Monografi mbi veprimtarinë
dhe aktivitetet e saja. Gjithashtu, do ta freskojmë shoqatën me kuadro të reja,
sidomos me ekspertë të
fushave përkatëse: arkeologë, arkitektë e tjerë. Me shumë peshë është edhe
angazhimi për themelimin e një Muzeu dhe Arkivi në Preshevë dhe Bujanoc, do të
organizohet Konferenca shkencore: ”Trashëgimia kulturore dhe natyrore e Luginës
së Preshevës dhe viseve shqiptare”, më 23 e 24 tetor 2020; - Realizimi i projektit “Edukimi i të Rinjve
nëpërmjet Trashëgimisë kulturore dhe prezantimi i vlerave të trashëgimisë
kulturore në komunën e Bujanocit, më 29 shtator, me rastin e Ditës Kombëtare të
Trashëgimisë kulturore; - Organizimi i
Manifestimit "Festa e Plisit të
Bardhë" në korrik të vitit 2020, në Caravajkë; - Pjesëmarrja e SHTKK-së në Manifestimin Festa
e Plisit të Bardhë, në gusht të vitit 2020, në Tiranë; - Botimi i kumtesave në librin me konferenca
shkencore: “Veshja e Medvegjës dhe viseve tjera”; Trashëgimia kulturore dhe
turizmi”, si dhe një varg aktivitetesh, në realizimin e projekteve me shumë
rëndësi për zhvillimin, promovimin dhe afirmimin e trashëgimisë kulture në Luginë
të Preshevës dhe më gjerë.
Porosia
Për fund, si zakonisht, cili është
mesazhi Juaj për lexuesit, qytetarët dhe institucionet?
Xhemaledin Salihu: Kam një porosi të
vetme për qytetarët e Luginës së Preshevës dhe institucionet e saja, në të
gjitha nivelet, ta ndihmojnë moralisht dhe financiarisht Shoqata për Trashëgimi dhe
Krijimtari Kulturore, ngase duke ndihmuar atë, krijojnë kushte për hulumtime të
reja dhe për studime në këtë fushë nga më të ndjeshmet e shoqërisë sonë shqiptare.
Trashëgimia kulturore në
Luginë të Preshevës, ka rëndësi të madhe për një njohje më të mirë të saj.
Ruajtja, hulumtimi
dhe promovimi i trashëgimisë kulturore të këtij rajoni, është gjithashtu i një
rëndësie të madhe për studimin e së kaluarës, pa të cilën nuk kemi një të të
ardhme të ndritur.
Foto 2-3 nga veprimtaria e Shoqatë për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore
në Luginë të Preshevës