Kerko: a
Vebi Xhemaili: Sa e madhe ishte Shqipëria sipas hartave ruse (1878-1880)
E diele, 05.01.2020, 01:58 PM
SA E MADHE ISHTE SHQIPËRIA SIPAS HARTAVE RUSE (1878-1880)
Nga
Prof. Dr. Vebi Xhemaili
Kongresi i Berlinit, i
filloi punimet më 13 qershor 1878 duke parashtruar kërkesat e grupimeve të
ndara në tri sfera interesi; atyre ruse, austro-hungareze, dhe angleze. Ndërsa
ndikimi osman po tërhiqej nga kufiri i tij perëndimor, administratat dhe
ushtritë e tri perandorive të tjera u afruan edhe më ngushtë njëra me tjetrën,
veçanërisht kur ishin në pyetje sferat e interesit për Ballkanin, njëherit edhe
shtetet ballkanike ua paraqitën Fuqive të Mëdha pretendimet e tyre territoriale. Kreu i delegacionit turk
ishte Karateodor Pasha fanar
grek, Ndërsa Mehmed Ali Pasha, ishte zëvendës i tij në këtë kongres, i cili ishte shpallur hero në luftën
serbo-turke në vitin 1876.
Në anën tjetër, Bizmarku deklaronte për Ballkanin, “se
është një lëmsh i ngatërruar”. Ky Kongres u dha shteteve sllave të
Ballkanit të “drejtë” të zaptojnë tokat e Shqipërisë Etnike. “Në
këto rrethana edhe pse Greqia nuk mori pjesë direkt në këto luftëra, në
fund, edhe ajo donte të vijë deri te disa territore të pastra shqiptare, si në
Çamëri, zonë e krahinës së Janinës”.[1]Ndërsa
me kërkesën e Malit të Zi, më në fund Kongresi pas shumë tentativash vendosi në
mënyrë arbitrare, Ulqini ti dhurohej
Malit të Zi.[2]
Copëtimi i Shqipërisë në
mënyrë arbitrare u kundërshtua nga populli, duke thënë “Jo”. Krerët e saj reaguan ashpër
përmes memorandumeve, se: “kurrë
nuk do t’i pranojnë ato urdhra, dhe
jemi të gatshëm në çdo kohë të çohemi në
këmbë, për të mbrojtur çdo pëllëmbë toke të Shqipërisë Sonë”.
Ndërkohë operacionet
luftarake që kishin ndërmarrë Serbia dhe
Mali i Zi kundrejt popullsisë shqiptare në
rajonin e Nishit dhe në veri të Shqipërisë, duke terrorizuar dhe abuzuar me
metodat më fashizoide, duke vrarë dhe plaçkitur popullsinë e pafajshme, në
shumë fshatra që shtriheshin në Qarkun e Toplicës dhe të Vrajës. Pastaj, edhe
në rajonet e Leskovcit, Kosanicës, Dobriqit, Grykës së Veternicës, Jabllanicës,
Pustorekës, Polanicës, Klisuricës, Masuricës, Fushëgropës së Vrajës, Vllasinës,
Kraishtës dhe rretheve tjera të Nishit,[3] Po ashtu, edhe nëpër disa qytete të banuara
pjesërisht ose me shumicë shqiptare, si: Prokuplje, Kurshumli, Leskovc, Nish, Vrajë, Pirot, etj.[4]
Për këtë gjendje të
vështirë të popullatës shqiptare që
mbeti nën Serbi, konsulli anglez do të
deklaroj: “dëgjoj se kohëve të fundit qeveria serbe po sillet me egërsi të
madhe dhe të panevojshme, mos të them mizore ndaj shqiptarëve në krahinat e dorëzimit, ku banorët
paqedashës dhe punëtorë të zellshëm të mbi 100 fshatrave shqiptare të luginës
së Toplicës dhe të Vrajës u dëbuan me dhunë nga forcat serbe të princit
Millan”.[5]
Shqipëria Etnike
para Kongresit të Berlinit 1878 sipas hartave ruse
Po ashtu, shumica e
popullatës shqiptaro-myslimane të territoreve të dorëzuara, sipas pohimit të
princit, tërhiqen gradualisht kah pjesët tjera të pushtetit turk, d.m.th., larg
kufirit, kështu që serbët së pari okupuan Nishin, që kishte një popullsi
“myslimane” - shqiptare, mes 3.000-4.000 vetë, nga të cilët 1.000 ishin
muHaxhirë nga Beogradi. Këta njerëz të pafat nuk e morën nga Porta
dëmshpërblimin të cilin qeveria serbe u detyrua ta paguajë në emër të tyre, për
shkak se i dëboi me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe ata u detyruan të jetojnë në llogari të autoriteteve
lokale osmane. Pasi u dëbuan me dhunë nga Nishi e
rrethina, struktura e popullsisë shqiptare shumë shpejt ra në disa qindra sish,
të cilët përbënin njerëzit e pasur dhe të qetë, që posedonin pasuri të mëdha e
të patundshme në qytet dhe rrethinë, ndaj dhe nuk kishin ndërmend të emigrojnë
dhe ti shkonin për qejfi, qeverisë
serbe.
Gati i njëjti proces do të
vazhdojë gradualisht edhe në qytete të tjera të okupuara nga serbët. Në anën
tjetër, diplomacia serbe pranon se në territoret e reja të përvetësuara
ekzistojnë fshatra të populluara me banorë shqiptarë myslimanë.[6]
Vendimet e Kongresit të
Berlinit kanë lënë pasoja të pashlyeshme për shqiptarët, jo vetëm të kësaj
krahine, por në përgjithësi, pasi vetëm në Kosovë u vendosën mbi 100 mijë
shqiptarë që emigruan nga këto anë.[7] Ky kongres, i organizuar nga Fuqitë e Mëdha,
në mënyrë arbitrare solli vendim të njëanshëm, në dëm të territorit etnik
shqiptar, pasi aneksoi në mënyrë arbitrare krahina të tëra shqiptare, “ku
mbetën rrugëve, pa kulm mbi krye mbi 200 mijë shqiptarë”.[8]
Me këtë rast duhet theksuar se gjatë viteve
1877-1878 ishte bërë një gjenocid i paparë
kundrejt popullsisë shqiptare në
trojet e tyre etnike: Toplicë, Kurshumli, Leskovc, Nish, Vrajë, ku mbi 545 fshatra digjen,
plaçkiten, braktisen, dhunohen e vriten, Ndërsa pjesa e mbetur gjallë nisen
rrugës për Turqi. Gjatë rrugës shumica
ngelin në Krahinën e Shkupit me rrethinë. Shumica nga ata ngelën në këto anë të Shqipërisë Lindore, pa
ushqim dhe veshmbathje, me vuajtje të mëdha. Numri i përgjithshëm i kësaj
katastrofe arrinte mbi 200 mijë banorë.[9] Sipas
autorëve serb, shpërngulja e
shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, ka qenë
shumë më i madh.[10]
Këto ngjarje tragjike
shqetësuan ndjenjat e forcave demokratike në Evropë, në veçanti në Angli, pasi
morën lajmet për dëbimin dhe vrasjet masive të myslimanëve-shqiptarë në disa
pjesë të Ballkanit nga rusët, serbët dhe bullgarët. Në këtë kohë, në udhëheqjen
e Britanisë së Madhe kishte edhe të tillë që mendonin se përkrahja e regjimit
otoman ishte një politikë e rrejshme dhe se një politikë më realiste kërkonte
krijimin e shteteve të reja nacionale, si shtylla të çfarëdo stabiliteti të
ardhshëm në rajon.[11] Deri në Kongresin e Berlinit, diplomacia
britanike fare pak e mori parasysh çështjen shqiptare. Kërkesat e shqiptarëve
për çlirim nga robëria osmane nuk trajtoheshin drejt e në mënyrë të gjithanshme
nga diplomacia e saj.
Në Kongres shkuan për të
marrë pjesë, Abdyl Frashëri dhe Jani
Vreto, por ata dolën pa marrë asnjë përgjigje dhe u
larguan menjëherë.[12] Por, në bazë të fakteve të tjera, ata fare nuk
u pranuan në Kongres. Udhëheqësi i Kongresit, Bizmarku, nuk i lejoi të marrë pjesë edhe ministrit serb
Jovan Ristiq, të cilit iu mundësua të parashtrojë
vetëm kërkesa me shkrim, ku falë
përkrahjes së diplomacisë ruse, Serbia fitoi
më shumë toka të reja se të gjitha shtetet tjera sllave të Ballkanit.
Pas Kongresit të Berlinit,
çështjen shqiptare më së miri e përshkruan konsulli austriak, Goshen, i cili thotë: “Kombi shqiptar po merret nëpër këmbë. Tokat e banuara prej shqiptarëve i
dorëzohen në veri Malit të Zi, për të kënaqur aspiratat malazeze, të përkëdhelurin
e Rusisë, Ndërsa në jug i falen toka më të mira Greqisë, e mbrojtura e Anglisë
dhe të Francës.”[13].
Serbia, Greqia dhe
Mali i Zi, në këtë kohë kishin më pak popullsi se Shqipëria. Në
dhjetor të vitit 1876, atdheu i mirëfilltë i shqiptarëve, pra trungu etnik,
mbulonte një sipërfaqe prej rreth 50 mijë km2 , ku banonin rreth
1.700.000 banorë.[14]
Sipas një statistike të bërë nga një revistë
angleze, dy vjet më vonë, më 1878, Shqipëria kishte 51.000 km2, me 1.693.000
banorë.[15] Greqia në atë kohë kishte 51.860 km2, me
1.400 mijë banorë, Ndërsa Serbia me 54.800 km2, me 1.600 mijë
banorë, Mali i Zi me 8.400-km2, me 190 mijë banorë.
Këto statistika janë bërë deri sa këto shtete ishin nën sovranitetin e
sulltanit.[16]
Pas Kongresit të Berlinit, Mali i Zi u rrit për afër 4.683 km2. Serbia për
10.500 km2. dhe Greqia u zgjerua
me 9.275 km2, toka, këto me shumicë shqiptare. Nga kjo del se
me Traktatin e Kongresit të Berlinit nga njësia e tokave të Shqipërisë Etnike u shkëputën rreth 24.458 km2. Sipas shtypit francez të kohës, Mali
I Zi kishte trefishuar sipërfaqen e saj, në bazë të dy marrëveshjeve. Mali i Zi, me një nënshkrim të lapsit nga
4.405 arriti në 15.355 km2 në dëm tokave të Shqipërisë.[17] Mali i Zi ishte vendi më i përkëdhelur nga
vendet Ballkanike,që Traktati i Berlinit i dha
atij pjesën më të madhe të tokave të Turqisë. [18] Kjo fletë qartë se Shqipëria nuk ekzistonte, dhe nuk duhej të ekzistonte
për diplomacinë evropiane. Pasi vetëm Turqia ishte në kontakt me Evropën. Ndërsa kur Shqipëria shkaktonte vështirësi,
ishte Turqia e dobët, të cilën Evropa e kërcënonte ose shtirej sikur e kërcënonte.Në prag të Kongresit të Berlinit popullsia në
vilajetin e Kosovës përbëhej, nga 60% shqiptarë. nga popullsia së
përgjithshme që kishte prej 1.060.000 banorë.[19] Vilajeti i Kosovës kishte popullsi shqiptare e
katolike rreth 600 mijë frymë, kundrejt
161 mijë serbëve dhe 220 mijë sllavo-maqedonasve, 79 mijë turqve e tjerë. Në
atë kohë vilajeti i Kosovës përfshinte edhe territore të Shqipërisë
Lindore (Maqedoniae Veriut) me qytetet: Tetovë, Gostivar, Shkup, Veles, Shtip, Kratovë deri në Qystendil. Kongresi i
Berlinit me vendimin arbitrar shkëputi
nga vilajeti i Kosovës, Sanxhakun ei Nishit, me qytete dhe rrethe,
si: Nishi, Piroti, Vraja, Leskovci dhe
Prokuple. Me këtë vendim, Serbia u rrit
për më shumë se 50 mijë km2,[20]nga
ajo që i kishte dhënë Paqja e Shën Stefanit. Sipas matematikës së nënoficerit
serb Dragasheviç, Serbia zgjerohej për 197 mijë2, në dëm të tokave të Shqipërisë që ishin të
banuara me shumicë shqiptare. Këtë e
vërteton edhe Kryeministri J. Ristiqi nga Berlini, në raportin dhënë ministrit të Jashtëm të
Serbisë, J. Gruiqit, ku i shkruante: “Këtu, në qarqet diplomatike
të Kongresit dhe në diplomacitë e tjera mbisundon bindja se Serbia në
Kongresin e Berlinit ka kaluar më së miri se të gjitha shtetet e tjera sllave të Ballkanit”. Pra, me këtë vendim arbitrar të Kongresit të Berlinit, ku nënshkrues
ishte edhe Kancelari gjerman Bizmarku, Serbia u
rrit në dëm të tokave shqiptare, për më shumë se një e katërta.[21]Këtë e vërteton edhe vetë Branisllav Nushiqi, i cili thotë: ”Me rastin e përfundimit të
Traktatit të Berlinit, shqiptarët ngritën krye sepse me atë marrëveshje ishte
dashur të zvogëlohej toka e tyre, ku nga
ato toka, pjesa më e madhe duhej t’i
jepej Serbisë, një pjesë Malit të Zi, kurse pjesa e tretë Greqisë”.[22] Pra, deri në Kongresin e Berlinit, Nishi ishte
qyteti me 19 mijë banorë dhe disa xhamia,
ku gjysma e banorëve ishte me përkatësi myslimane-shqiptare, dhe ishte
pjesë e pandarë e vilajetit të Kosovës. Ky vilajet deri në vitin 1878 përbëhej nga
këto sanxhaqe: Nishi, Novi Pazari, Prizreni dhe
Shkupi. Pas vitit 1888, Shkupi
ka qenë kryeqytet i vilajetit të Kosovës, deri në vitin 1912, kur Kryeqyteti i
Shqipërisë Lindore (Maqedoniae Veriut) u pushtua nga ushtria serbe.
[1]Slavko Dimevski, “Prizrenska liga”, “Gllasnik”, vep, cit. f. 104.
[2]Misha Gleni, Histori e Ballkanit..., f. 153.
[3]Nikolla P. Iliq, Oslobogjenje juzhne Serbije 1877-1878, f. 14-15; Jovan
Trifunovski, Vrajnska kotlina, lib. I, Shkup, 1962, 73; Rista T. Nikoliq, Shirenje arnauta u srpske zemlje, Glasnik “Srpsko-geografsko
drushtvo”, IV-VI, Beograd 1904, f.119.
[4] V. Nikoliq- Stojançeviq, Leskovac i oslobogjeni predeli Serbije, 1877-1878,
Leskovc 1975, f. 131.
[5] F. O. Londër, Accounts and Papers (38), 1878-1879, më 26 nëntor 1878; Këta njerëz
fatkeq që nga kjo kohë janë duke shtegtuar poshtë e përpjetë duke vuajtur nga
uria në vendin e egër përtej kufirit të ri serb. Ata nuk kishin leje t’i
mbledhin të lashtat e tokës së tyre, të cilat korreshin nga ushtarët serb. Çdo
herë kur kalonin kufirin, vriteshin nga rojet e ushtrisë serbe.
[6] Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në
dok. angleze..., f. 90.
[7]Daut Dauti, Çështja shqiptare në diplomacinë diplomatike, vep. e cit.
140.
[8] Britanski dok. za istorijata na
Makedonija, Tom IV, (1857-1885), Shkup 2003, dok. 142, f. 451-452.
[9]Sabit Uka, Vendbanimet e Sanxhakut të Nishit
me popullsi shqiptare e të
përzier deri në vitin 1877-1878,
“Gjurmime albanologjike-Shkencat historike XII, Prishtinë 1983, f. 105.
[10]Dimitrije Mita Petroviq me titull “Borbe u
Toplici 1877-1878” botuar në vitin 1979 nga Arkivi I Serbisë, Beograd; Si I dëbuan dhe vramë shqiptarët nga Nishi gjatë
luftrave serbo-turke të viteve 1877-1878, Ushtria serbe, duke zbatuar urdhërin
e Shtabit të Përgjithshëm dhe qeverisë sërbe, I shpërnguli me force nga Toplica, Leskovci, Nishi, Vranja më tepër
se 300.000 shqiptarë. Por e vërteta është se prej kësaj krahine shqiptare me
dhunë ushtarako-policore. Mbretëria Serbe e Obrenoviqëve dëboi rreth 830.000
shqiptarë etnikë. Kjo u realizua duke bërë një gjenocid dhe spastrim etnik
total, ku janë vrarë e masakruar rreth 70.000 shqiptarë, të cilët banonin afro
700 fshatra e qytete shqiptare vetëm në Krahinën e Toplicës. Në këtë kohë janë
zbrazur trojet me shumicë shqiptare të Jagodinës, Kosanicës, Pirotit, Quprisë,
Pllanës, Krushevcit, Nishit, Leskovcit, Surdulicës, Vrajës, Prokuples,
Kurshumlisë, etj. Popullsia e shpërngulur shqiptare e cila arriti që t’I
shpëtojë gjenocidit serbë u vendos në jug të trojeve shqiptare në Kosovë dhe
Maqedoni; Po ashtu, këto ngjarje tragjike shumë mire I
përshkruan në librin e tij edhe Stefan L.
Popoviq, “Putovanje po novoj Serbiji”, Beograd 1950, Ky
libër i kushtohet ngjarjeve tragjike të populates shqiptare në këto anë, më së
miri I përshkruan një mësues i atëhershëm i Leskovcit, Josif H. Kostiqi, I cili
thotë: “Ka pasur shumë turq (shqiptarë) të cilët zhveshur e zbathur, nëpër të
ftohtit më të madh të dhjetorit, nëpër bore I lanë në Leskovc shtëpitë
e tyre me plot pasuri.
[11]Noel Malcolm, “Diplomacia britanike dhe Lidhja e Prizrenit”, në Lidhja
Shqiptare e Prizrenit dhe vendi i saj në histori, Prishtinë 2008, f. 43.
[12]Misha Gleni, Histori e Ballkanit..., f. 142.
[13] Raport i konsullit Goschen
kontit Granwill, Ministër i punëve të
Jashtme të Austrisë, Therapia, 26 korrik 1880.
[14] O. Daniel, Choix de documents, Etc. Nanterre 1973, II,
14.
[15] The, Ilustrated London News,
nr.72 Londër 1878. f. 250.
[16]P. Boulet, La population de la Turquie Vëll. I, Paris 1877, f. 51-54.
[17] franceze “Le Radical” ka botuar 29 nëntor
1880 “Caktimi i Kufijve të Shqipërisë dhe Malit të
Zi në vitet 1879-1880)”
[18]Po aty
[19] Historia e popullit Shqiptar
II..., f. 258.
[20] Serbia 1878, “dokumenti”...., f. 546.
[21] Serbia 1878, “dokumenti”, vep. e cit. f.
622. Rritjen e territorit serb e pranon
edhe vetë princi Millan Obrenoviqi, në proklamatën e mbajtur në Beograd, me 10-12 gusht 1878. Thotë:”
Serbia duhet tu falënderohet Fuqive të Mëdha, për anim nga populli serb, dhe
rritjen e territoreve të saj për ¼.
[22] F.O. 424/75, p. 5; datë 1 tetor
1878; Skender Rizaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, f. 109.