Mendime
Idriz Zeqiraj: Beteja e egër për Presidentin përjashton ndryshimin
E merkure, 18.12.2019, 09:32 PM
BETEJA E EGËR PËR PRESIDENTIN, PËRJASHTON NDRYSHIMIN
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Përgjatë
fushatës LDK-ja dhe Vetëvendosja e kishin gojën plot me - ndryshim -! Tani, me
garën karrieriste, pothuajse, të ndyrë, për të bërë pazare paraprake për
presidentin, harruan premtimin për ndryshim. Dhe, ndryshimi i parë, që do të
duhej bërë, është, pikërisht, ndryshimi i ligjit për zgjedhjet. Në këtë
ndryshim, veç tjerash, presidenti zgjidhet nga populli, me konkurrencë dhe
votim të fshehtë demokratik.
Gjatë
fushatës, Albin Kurti dhe Vjosë Osmani, kishin premtuar se pozita e
presidentit, nuk do të jetë pjesë e bisedimeve dhe e ndarjes së posteve.
Populli i zhgënjyer nga prolongimi i krijimit të qeverisë, pyet, madje,
qortueshëm, çfarë ndodhi me pazaret brenda-partiake të LDK-së, që kushtëzon
postin e presidentit.
Janë
lakuar emrat e akademikëve Kujtim Shala e Frashër Demaj si dhe Murat Jashari,
emra të nderuar dhe cilësorë, që do t`i bënin nder Presidencës, Kosovës. Por, i
ashtuquajturi "konsensues" partiak, do të përjashtonte vlerat, duke
preferuar pazaret, si në rastin Hashim.
Një
ndryshim tjetër, po kaq akut, duhet bërë, jo - Kosova me një zonë zgjedhore -,
por më shumë zona, ashtu siç ka qenë votimi klasik. Çuditërisht, këtë ndryshim
e ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje. Arsyeja: Aktivistët e saj ishin të
rinj, duke mos pasur pushtet, ende nuk ishin bërë njerëz publik. Andaj,
përballjen në garë, me kandidatë për deputetë të partive tjera më të vjetra,
nuk e shihnin të favorshëm për atë. Por, tani, Vetëvendosje, me praninë numerike
në Kuvend, deputetët e saj të zëshëm, kanë bërë emër dhe nuk janë aspak
inferiorë, në raport me deputetët tjerë,
aq më parë kur janë - me duar të pastra -.
Fort
i habitur, për të mos thënë i shokuar, është populli, me përzgjedhjen, nga
LDK-ja, të Ministrisë të Punëve të Brendshme!?! Me performancën fatale, që ka
pasur ministri i PB, në qeverisjen ogurzezë me PDK-në, LDK-ja duhet të
turpërohet, vetëm nëse i shkon mendja për këtë Ministri dhe jo më të ngulmojë,
për ta marrë! Për rrethanat e tanishme, kur inkriminimi në Kosovë, ka hyrë në
të gjitha poret e shoqërisë, edhe po t`ia falte Vetëvendosje, madje, jashtë
llogarisë ndarëse të ministrive, LDK-ja nuk duhej ta pranonte. Sepse e kishte
dhe nuk ka bërë "as lavrën e minit!" A duhet të këtë, qoftë edhe një
grimë moral në politikë?!
Provokimet e Agimit,
ndaj Vjosës, janë provokime ndaj anëtarësisë
"Vjosa
Osmani duhet ta shqyrtojë pozicionin e saj. Vjosa nuk ka fitu. Jo vetëm të
kërkojmë, por edhe të marrim përgjegjësi",- thotë nënkryetari i LDK-së,
Agim Veliu! Pra, ai kërkon llogari e përgjegjësi nga Vjosë Osmani, pse ka
humbur zgjedhjet! Ky është një provokim i përsëritur i zotit Veliu, që irriton
anëtarësinë e LDK-së.
Po
rezulton i saktë mendimi im, i dhënë para zgjedhjeve: "Klanorët, në rast
të humbjes të LDK-së, ngushëllohen me dështimin e Vjosës, për t´u bërë
kryeministre". Megjithatë, nëse nuk do të ishte Vjosa, me ekipin e saj, sa
profesional, energjik, aq edhe simpatik, në krye të fushatës zgjedhore, LDK-ja
do të matej me bandën e AAK-së, për vend të tretë apo të katërtë.
Për
ta disiplinuar Agimin me klanorët e tij, ia kujtojmë se jo vetëm anëtarësia e
LDK-së, por edhe populli, për mos arritjen për të qenë LDK-ja e parë, e akuzon,
pikërisht, Agimin me pak shokë. Kundërshtia e tij dhe e atyre përrreth, dhanë
sinjalin dëshpërues, se klanorët nuk lëvizin nga "istikamet" e tyre,
skur ta kenë marrë LDK-në me tapi!!! "Më dëmtuan, kur thanë se unë s`marrë
vendime",- tha Vjosa, duke dhënë shkakun bazal, për mos fitorën e pritur.
Vjosë Osmani vazhdon të heshtë, përballë provokimeve hiç fisnike. Megjithatë,
preferenca absolute e anëtarësisë, elektoratit, madje, edhe e popullit, është
për Vjosën dhe ekipin e saj simpatik.
Këtë
fakt, qartazi të lexueshëm, së fundi e pranoi edhe kryetari Isa Mustafa, i
cili, mençurisht, filloi nismën për ndryshim. Por, barrikadimi i klanorëve
rezistonin, duke abuzuar durimin e strukturave të partisë dhe të anëtarësisë të
LDK-së.
Keqardhje,
pse detyrohem të reagoj, madje, sërishmi, kur të tjerët heshtin. Kjo më ndodhi
edhe si delegat nga Dega e LDK-së, në Gjermani, në Kuvendin e 9-të të LDK-së.
Por, thirrja ime e përsëritur, madje, deri në çjerrje, "futi në votën e
fshehtë demokratike", mbetet gjithnjë aktuale dhe do të zgjidhte të gjitha
dilemat, përfshirë këtu edhe unitetin brenda partiak. LDK-ja duhet ta harrojë
zgjedhjen me aklamacion, duke iu kthyer frymës rugoviane, votimin e fshehtë
demokratik, madje, për të gjitha strukturat e LDK-së, në bazë dhe në Qendër.
LDK-ja, si parti akademike, duhet të bëhet shkollë edhe për partitë tjera.
Sepse, shumica syrësh, më shumë se parti, janë banda të krimit vrastar, të
hajnisë zyrtare dhe të haraçit të përgjakshëm.
LDK-ja
ka qenë dhe duhet të mbetët parti nacionale, kombëtare dhe assesi të kthehet në
parti provinciale, parti mahalle. Humbja e Prishtinës për 300 vota diferencë,
nga partia rivale, është shumë domëthënëse! Alarmin SOS duhet lëshuar edhe për
faktin se në Prishtinë 7.000 anëtarë të LDK-së, e votojnë partinë, LDK-në, por,
jo edhe Vjosën. Ky është një sabotim i tejdukshëm, që flet shumë. Madje, kjo
është dëshmi faktike, se klani përbënë rrezik potencial e ndjellakeq për
LDK-në, larg qoftë, edhe ndarjen e sërishme.
Karrierizmi
e ka ndarë një herë LDK-në. Dhe, parandalimin për përsëdytje, mund ta bëjë
vetëm aplikimi, zbatimi i tri parimeve bazë të demokracisë: kthimi në debatin e
shpenguar demokratik brenda partiak; konkurrenca e ndershme zgjedhore, me shumë
kandidatë, si dhe votimi i fshehtë demoktatik, për të gjitha strukkturat e
partisë, në bazë dhe në qendër. Shto këtu edhe kufizimin e kompetencave enorme,
për të mos thënë, tej mbretërore, të kryetarit të partisë, që ngulfatin
demokracinë e brendshme partiake.